Jump to content

Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Fakulteti Ekonomik është njësia më e madhe akademike e Universitetit të Prishtinës. Prej themelimit në 1961 si Fakulteti Juridik-Ekonomik e deri më sot, nga ky fakultet kanë diplomuar mbi 30000 studentë. Fakulteti Ekonomik organizon programe studimi në nivelin Bachelor, Master dhe Doktoraturë.

Fakulteti Ekonomik (dhe Juridik)

Fakulteti Juridik-Ekonomik ka filluar të punojë në vitin akademik 1961/62. Më 24 qershor 1961 u miratua Ligji për themelimin e Fakultetit Juridik – Ekonomik në Prishtinë, i cili fillimisht studimet i organizonte në gjuhën serbo-kroate. Nëntë vite më vonë themelohet Universiteti i Prishtinës.  Më 15 shkurt 1970, u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit të Kosovës dhe kjo datë u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës.

Fakulteti Ekonomik në Prishtinë, prej 1 tetorit 1971 e deri në qershor të vitit 1991, funksionoi si organizatë e pavarur e arsimit të lartë. Nga vitit 1970/71, mësimi u mbajt paralelisht në të dy gjuhët. Vështirësitë në funksionimin e UP-së gjatë viteve të 1990-ta janë reflektuar në të gjitha njësitë e tij akademike, përfshirë edhe Fakultetin Ekonomik. Mësimi është zhvilluar në hapësira të improvizuara, numri i studentëve ka rënë ndjeshëm dhe ka pasur mungesë të theksuar të stafit akademik. Përkundër vështirësive, Fakulteti Ekonomik ka nxjerrë shumë studentë të dipomuar që sot janë liderë në ekonomi dhe biznes.

Fakulteti Ekonomik organizon tri forma të studimit: Bachelor, Master shkencor dhe Doktoraturë. FE është transformuar tërësisht karshi realitetit të ri ekonomik në Kosovë dhe sfidave që vijnë nga nevoja për integrim në hapësirën evropiane të arsimit të lartë. Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e Procesit të Bolonjës, organizimi i studimeve në Fakultetin Ekonomik është në përputhje me Deklaratën e Bolonjës dhe të deklaratave të tjera përcjellëse. Akreditimi i këtyre programeve është i vlefshëm deri më 30 Shtator 2019. Fakuleti Ekonomik organizon studime në gjuhën shqipe, si dhe në gjuhën angleze me dy programe.

Në Fakultetin Ekonomik janë të akredituara këto programe të studimit:

  • Banka, Financa dhe Kontabilitet (BSc, MSc, PhD)
  • Menaxhment dhe Informatikë (BSc, MSc, PhD)
  • Marketing (BSc, MSc, PhD)
  • Ekonomiks (BSc, MSc)
  • Kontabilitetit (BSc)
  • Economics (PhD në anglisht)
  • Applied Economics and Management (BSc në anglisht)

Struktura organizative

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Ekonomik është njësi akademike e Universitetit të Prishtinës. Udhëheqësi më i lartë është dekani, i cili i përgjigjet Rektorit të Universitetit. Dekani ndihmohet nga prodekani për çështje mësimore, prodekani për shkencë dhe prodekani për çështje financiare. Fakulteti Ekonomik ka sekretaren e fakultetit që ndihmon dekanin dhe prodekanët në punët e tyre dhe përcjell ligjshmërinë e punës së stafit.

Organ me rëndësi në kuadër të Fakultetit është Këshilli i Fakultetit i cili ka këtë përbërje: dekani, prodekanët, sekretari i fakultetit, 20 anëtarë të zgjedhur nga radha e profesorëve të fakultetit, 5 asistentë nga personeli akademik i fakultetit, një (1) anëtar nga personeli jo akademik i fakultet dhe 2 përfaqësues nga radha e studentëve të zgjedhur nga këshilli i studentëve të fakultetit. Mandati i anëtarëve të Këshillit të Fakultetit zgjatë 4 vjet (për personelin e Fakultetit) dhe 1 vit (për studentë).

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]