Jump to content

Frederik Shiroka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Frederik Shiroka (Shkodër, 27 shtator 1907 - 15 dhjetor 1955[1]) ka qenë mjek kirurg me kontribut të madh dhe vetëmohues. Për 30 vjetorin e vdekjes së tij, dr. Petrit Gaçe e quajti "themelues të kirurgjisë shkencore shqiptare"[2].

Leu në Shkodër, i biri i Loros dhe i Zinës. I ati vdiq herët, duke lënë të shoqen me pesë fëmijë jetimë, Florindën, Regjinën, Zefin, Terezinën dhe Frederikun.

Frederiku shkollën fillore e bëri në Kolegjin Saverian më 1915, mbasi kreu klasët fillore më 1923 u dërgua prej familjes që të vijonte shkollimin në Austri. Gjimnazin e kreu në qytetin e vogël të Kremsit (afër Vjenës) ku maturonin shumë të rinj nga familje shkodrane. Përfundoi maturën në vitin 1928 me rezultate shumë te mira, e kjo i krijoi mundësinë që të pranohet të vazhdojë degën e mjekësisë në Universitetin e Graz-it. Në Austri njihet me Olimpian, austriake nga Tiroli, me të cilën martohet, por nuk mundën të kishin fëmijë.

Mbasi mbaroi studimet me rezultate të larta, i specializuar për kirugji dhe gjinekologji edhe pse i ofruan për të punuar në Katedrën e Kirurgjisë në Graz, ai vendosi të kthehej në atdhe në 1935-ën për të punuar në spitalin e Tiranës si mjek kirurg në spitalin civil në Tiranë, si asistent i Prof. H. Hocke, i cili punoi prej vitit 1935 deri në 1937-tën si kirurgu kryesor[3]. Vizitën e parë në Tiranë e bëri te dr. Osman Jonuzi, themelues i kirurgjisë shqiptare. Ardhja e tij në spitalin e Tiranës u mirëprit nga bashkatdhetarët e tij dhe mjekët, si: dr. S. Tefiku, dr. B. Zyma etj., të cilët e ndihmuan dhe e orientuan kirurgun e ri. Menjëherë ra në sy talenti i tij si kirurg, jo vetëm në mjedisin mjekësor, por edhe tek populli, që kishte shumë nevojë për të. Këtë gjë e vuri re edhe mjeku çifut Lehman, qysh në javën e parë të operacioneve[2].

Me 1939, pak ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Prof. Lehmann u largua nga vendi ynë dhe shef i kirurgjisë mbeti asistenti i tij, Dr. Federik Shiroka. Por menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, kirurgët italianë zunë vendet në repartin e kirurgjisë të spitalit të Tiranës, duke transferuar Dr. Shiroken në Shkodër[3] edhe për faktin se nuk pranoi të hynte në partinë fashiste[4]. Më 1940 dr. Shiroka ishte shef në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Shkodrës, pozicion si kirurg primar që e ushtroi në vendlindje nga 1 dhjetori i 1940 deri më 7 prill 1946.

Me kalimin në Tiranë emërohet drejtues i pavionit të kirurgjisë, ku punoi deri në fund të jetës. Nga 1947 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave[3].

Punoi edhe si mjek i burgut të Tiranës, gjë e cila e tronditi shumë dhe i kujtonte se si mund të ishte gjendja e të vëllait internuar në Kampin e Tepelenës. Për të nderuar punën e tij të paçmuar qeveria në majin e 1955 e dërgoi në Moskë, i caktuar si anëtar i delegacionit kulturor. Në dhjetor të po atij viti vdes në tre të natës nga infarkti[1], ditën e varrimit u përcoll në varrezat e Rrëmajit nga bashkëqytetarë të panumërt[3].Vdekja e tij nxori probleùmin qe i vellai, Zef Shiroka, ishte i burgosur e izoluar ne Kuç te Vlores, ku te nesrmen e vdekjes se doktorit erdhen dhe e moren urgjendtisht oficere te Ministrise se Brendshme, e me kete ras ai u lirua.

Dr. Shiroka u dekorua nga Kryetari i Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor, Omer Nishani, me Urdhërin e Punës të Klasit të I-rë, me dekretin Nr. 922, datë 5 shtator 1949, me motivacionin: "I dalluar në mëndyrë të vecantë për punë të palodhur frytëdhënëse, për merita të çquara në aplikacionin e shkencave të mjeksisë, për cilësira të radha teknike, që me reultatet e mira të operacioneve dhe mjekimeve kanë kontribuar në shkallë të gjërë në përforcimin e shëndetit të popullit. (Gazeta Zyrtare e RPSH, 22 Shtator 1949, Nr 71).

Po ashtu, duke lexuar një shkrim të "Zërit të Popullit", të ditës së martë 7 Shkurt 1955, vërehet që: "Në sallën e konferencës të Institutit të lartë mjeksor, në prani të ministrit Medar Shtylla e zv/ ministres, shoqes Vera Pojani, e cila foli për punën e palodhur të punonjësve të shëndetësisë u shpërndanë dekoratat që presidiumi i kuvendit popullor, i akordoj punonjësve të shëndetësisë të cilët u dekoruan me Urdhërin e Punës së Klasit të dytë. Në mes të 166 punonjësve të personelit që u vlerësuan ishin dhe mjekët: Dr. Fejzi Hoxha, Dr. Xhavit Gjata, Dr. Federik Shiroka, Dr. Selaudin Bekteshi"[3].

  1. ^ a b Logoreci P., Dr. Frederik Shiroka, shqiptarja.com, 15 janar 2013.
  2. ^ a b Tartari F., Kirurgu që refuzoi Evropën për të ngritur mjekësinë në Shqipëri, shqiptarja.com, 15 dhjetor 2015.
  3. ^ a b c d e Logoreci P., Dr. Frederik Shiroka, kur diktatura të vriste natën dhe të qante ditën, shqiptarja.com, 12 mars 2017.
  4. ^ Tartari F., Frederik Shiroka, kirurgu me duar të arta, Tiranë: Dea, 1995.