Jump to content

Joan Gojarti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Gjoni Gojarti)
Një mozaik bizantin njëmijëvjeçar i Sh. Gjonit Gojartit, Ajasofja.

Shën Joan Gojarti ndër ortodoksë, Shën Gjon Gojarti ndër katolikë e protestantë (349 - 407, greq. Ιωάννης ο Χρυσόστομος - Joanis Hrisostomos) ka qenë një peshkop i krishterë, nga qindvjeçarët e 4-të dhe 5-të në Siri dhe Kostandinopojë. Njihet për oratorinë e tij në fjalime publike, shkrimet, ligjëratat, dhe dënimin e keqpërdorimit të autoritetit në kishë dhe në Perandorinë Romake të asaj kohe. Ai kishte ndjesi të njohura asketike. Pas vdekjes së tij iu dha mbiemri "gojartë".

Kisha Ortodokse e nderon Gjon Gojartin si shenjt (dita e festës 13 nëntor), dhe e rendit atë midis "Tre Hierarkëve të Shenjtë" (dita e festës 30 janari), së bashku me Sh. Vasilin e Madh dhe Sh. Gregorin teolog.

Kisha katolike romake dhe Kisha anglikane e nderojnë Gjon Gojartin poashtu si shenjtor dhe doktor të kishës dhe e përkujtojnë me 13 shtator. Eshtrat e tij u morën nga Kostandinopoja gjatë kryqëzatës së katërt në vitin 1204 dhe u sollën në Romë, por u rikthyen me 27 nëntor 2004 nga Papa Gjon Pali II. Konsiderohet shenjtor edhe nga Kisha Kopte, Anglikane dhe Luterane.

Vitet e fëmijërisë dhe të arsimimit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi në Antioki të Sirisë, më 344 (ose ndërmjet 344-354). Prindërit e tij ishin Sekundo dhe Anthusa, që të dy të krishterë. Sekundo ishte gjeneral ushtrie dhe vdiq shpejt. E ëma, Anthusa, pasi mbeti e ve në moshën 20 vjeçare, nuk u martua dhe preferoi t’ia përkushtonte jetën Perëndisë dhe edukimit të të birit, që ishte i vogël pak muajsh. I frymëzoi Joanit dashurinë për dëlirësinë dhe virtytin. Edhe vetë ai kishte dëshirë të zjarrtë për përdëllim dhe mbrojtjen e drejtësisë, zell dhe kurajë. E ëma i dha edukim të shëndoshë dhe në vazhdim pranë mësuesve më të mirë, mes të cilëve ishte dhe i famshmi Libanius, mësues dhe shkrimtar i shumë veprave. Studioi dhe filozofi në shkollën e Andragathit dhe retorikë në shkollën e Libaniusit.[1].

Dhuntitë e tij për oratorinë ishin të tilla, sa mendonin ta bënin avokat të shkëlqyer dhe Libaniusi dëshironte ta kishte si pasues. Por Joani ndoqi studimet teologjike të krishterë pranë Karterit dhe Diodorit të Tarsit dhe Theodhor Mopsuestit[2], në të ashtuquajturën Askitirion, shkollën e madhe teologjike të Antiokisë.

Përkushtimi dhe dorëzimi i tij në prift

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në 370 u pagëzua në moshën 18-vjeçare. Pas pagëzimit, u përpoq fort të jetonte jetë të virtytshme dhe shpirtërore.  Sipas shembullit të mikut të tij, Vasilit të Madh, la çdo lidhje me botën e jashtme dhe u tërhoq për të asketizuar në shtëpinë e familjes. I ashpër me veten, djaloshi i ri kreshmonte me zell, bënte agripni (shërbesa të gjata lutjesh përgjatë gjithë natës) dhe lutej. Qëndronte vazhdimisht në heshtje me Perëndinë, i kujdesshëm në shtypjet e vrulleve të trupit dhe të zemërimit. Në moshën 25-vjeçare, fama e virtytit të tij ishte përhapur dhe episkopi i Antiokisë donte ta bënte prift, por Joani i përulur, i frikësuar nga madhështia e këtij funksioni, pëlqeu të largohej. Në vend të tij episkopi dorëzoi në prift Vasilin, mikun e Joanit.

Kur i vdiq e ëma, në vitin 372, arriti të plotësonte dëshirën që kishte prej vitesh, që ta braktiste plotësisht botën e të tërhiqej me murgjit që jetonin në malet rreth Antiokisë. Jetoi nën drejtimin e një asketi sirian, në bindje, varfëri absolute dhe në kreshmë e lutje. Këta murgj ngriheshin që në mesnatë dhe luteshin së bashku deri në lindjen e diellit, pastaj secili tërhiqej në qelinë (dhomën) e vet, që të kalonte në heshtje pjesën tjetër të ditës, duke punuar dhe medituar mbi Shkrimet e Shenjta. Hanin pak bukë dhe kripë, pas perëndimit të diellit, pastaj bisedonin për çështje shpirtërore, para se të çlodheshin.

Pas 4 vjetësh me këtë mënyrë jetese, gjatë të cilave u tregua një model për vëllezërit, Joani vendosi të tërhiqej në një shpellë i vetëm me Perëndinë. Atje u dha në beteja më të vështira për t’ia nënshtruar trupin shpirtit. Pas një viti u sëmur rëndë nga veshkat, ndaj iu desh të kthehej në Antioki. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër të jetës murgërore, Joani fitoi dije të jashtëzakonshme për gjërat hyjnore dhe, megjithëse ishte i ri në moshë, nisi të jepte mësime nëpërmjet hartimit të shumë fjalimeve për jetën shpirtërore.

Pak pas kthimit të tij në Antioki (380/381), u dorëzua dhjak nga episkop Meleti (shenjtor, 12 shkurt), pastaj, 5 vjet më vonë (386) u dorëzua prift nga Flaviani, pasuesi i Meletit. U prit me dashuri nga populli dhe kreu për 12 vjet drejtimin shpirtëror të mitropolisë së madhe.[3]

Elokuenca, thellësia dhe fuqia e fjalës së tij

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Elokuenca e tij ishte brilante. Arrinte të mblidhte gjithë qytetin në çdo ligjëratë që bënte nëpër kishat e ndryshme dhe ngjallte një entuziazëm kaq të zjarrtë te dëgjuesit, sa shpesh ndërpritej nga gjëmimi i duartrokitjeve. Fjalët e tij depërtonin thellë në zemra dhe i ngrinin shpirtrat drejt Perëndisë dhe dashurisë për virtytin.

Nga të gjithë Etërit, Joani shkëlqeu më shumë në elokuencë, prandaj e bënë zakon ta quanin Gojartë. Predikimi i tij bazohej kryesisht në Shkrimin e Shenjtë (Biblën): i pëlqente të shpjegonte kuptimin literal dhe tregonte unitetin e planit hyjnor që Shkrimi zbulon, duke e zbatuar përherë në jetën e krishterë. Sodiste thellësitë e mistereve hyjnore dhe zotëronte pasurinë e dogmave, por dinte edhe të tregonte se këto e gjejnë rrezatimin e tyre në virtytet e shenjta; veçanërisht në lëmoshë, drejtësi, përulësi, pendim, bazuar në besimin te madhështia e pafund e mëshirës së Perëndisë. Shpesh i thoshin “Predikuesi i Mëshirës” dhe “Syri i ndritshëm i pendimit”.

Nuk mjaftohej vetëm me predikimin, por organizonte bamirësi, drejtonte ceremoni dhe lutje, kujdesej për cilindo si për shpirtin e vet, ishte arbitër në çështje publike si p.sh. përmbysja nga populli e statujave të perandorit Theodhos në revoltën e vitit 387, i cili, pa ndërhyrjen e shenjtit, do t’i kishte shtypur në mënyrë të përgjakshme. Fama e Joanit ishte përhapur shumë dhe i kishte kaluar limitet e provincës së Antiokisë.

Kryepiskop në Kostandinopojë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 397, vdiq kryepiskopi i Kostandinopojës, Nektari, dhe vendi i tij mbeti vakant. Perandori Arkad caktoi Joanin si kryepiskop. Dorëzimi i tij në episkop u bë në vitin 398 nga Theofili, kryepiskopi i Aleksandrisë, e kështu u fronëzua si kryepiskop i Kostandinopojës.

Joani bëri të shkëlqente dhuntia e tij si orator, ashtu dhe shenjtëria e tij. Predikonte kudo dhe pa u lodhur dhe turma njerëzish mblidheshin për ta dëgjuar me entuziazëm. Kishte dashurinë e atit për besimtarët e tij dhe u fliste me familjaritet. I huaj për servilizma ndaj të mëdhenjve të oborrit, i sulmoi pa vonesë për teprinë e luksit, të kënaqësive dhe mëshirën hipokrite të të pasurve, por gjithmonë, pa i akuzuar me emra. Vetë ai dha shembullin e varfërisë ungjillore, duke u privuar nga tërë luksi që i përkiste personit të kryepiskopit, duke shitur ato që kishte dhe ia shpërndante të varfërve dhe ndërtonte spitale dhe strehë për të huajt.

Praktikonte gjerësisht mikpritjen dhe vetë ai vizitonte të sëmurët dhe të burgosurit e u qëndronte pranë të varfërve dhe nevojtarëve. Që t’i evitonte lojërat dhe spektaklet shpirtprishëse, organizonte në qytet procesione dhe psalmodi që nga mëngjesi e deri natën. Bënte shpesh agripni për ata që punonin ditën, që të vinin në qetësinë e natës, për t’u lutur. Joani i nxiste që të ndërprisnin gjumin, që t’i kushtonin pak kohë lutjes. Prandaj shkroi lutjet e Liturgjisë Hyjnore, të cilën e kremtojmë edhe sot. Kur kremtonte, shikonte shpesh të zbrisnin nga qielli një shumicë engjëjsh që rrethonin kishën. Me gjithë këto punë baritore, preokupimi i tij i parë ishte soditja dhe meditimi i Shkrimit të Shenjtë (Biblës). Kujdesej për misionet dhe përhapjen e Ungjillit te barbarët dhe në veçanti te gotët, , të cilëve iu dha një kishë në Kostandinopojë.

Sprovat e shumta dhe internimet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Megjithatë, e gjithë kjo veprimtari dhe kjo vendosmëri për të reformuar zakonet ngjallën shpejt përplasje me fisnikë të ndryshëm, kryeministrin Eutropi, perandoreshën Evdhoksia, por edhe me episkopë mondanë, të cilët shfrytëzuan tërë pretekstet për të shpifur, duke mbledhur edhe Sinodin e Drios, në 403[4].

Duke preferuar të mos u përgjigjej shpifjeve të ulëta ndaj tij, preferoi të heshte, ashtu si Krishti. Pranoi dënimin dhe dorëheqjen edhe pse populli ishte gati për të bërë kryengritje për të dhe u dorëzua tek ushtarët, që e internuan në Bitini. Por, menjëherë pas këtij largimi të shenjtit, një tërmet shkundi kryeqytetin, shoqëruar me katastrofa, të cilat e sollën në vete perandoreshën Evdhoksia dhe e bënë të kuptonte fajin, ndaj e thirrën përsëri Joanin në fronin e tij.

Sjellja e lipsaneve (relikeve) të shën Joan Gojartit në Katedralen e Apostujve të Shenjtë (27 janar 438).

Megjithatë, sprovat për Joanin vazhduan edhe më tej. Sapo u kthye në fron, Joani nuk ishte aspak i gatshëm të bënte kompromise. Ruajti mirëkuptim me perandoreshën vetëm për disa muaj; derisa ajo inauguroi një statujë për nder të saj në mes të festave dhe manifestimeve të zhurmshme, që trazuan shërbesat e Kishës dhe sollën qortimin e Joanit. Intrigantët përfituan nga kjo situatë, për ta sulmuar përsëri. Të gjithë ata që e kishin smirë, thurnin vazhdimisht intriga e persekutime kundër tij, derisa e dëbuan përsëri nga froni. Në vitin 404 perandori Arkad e dëboi Joanin dhe klerikët që i mbetën besnikë dhe besimtarët dhe i syrgjynosën. Kjo solli trazira në popull. Joanin e internuan disa herë, në vende të shkreta, pa pyetur për moshën dhe dobësitë e tij. Me guximin dhe shpresën e tij, ngushëlloi nëpërmjet letrave që shkruante ata që ishin internuar dhe persekutuar për shkak të tij. Situata e tij ngjalli interesin e papës së Romës, Inocentit, i cili u përpoq që ta mbështeste, por pa sukses. E internuan në Nikea, në Kukuz të Armenisë dhe së fundi një vend edhe më të egër, në këmbët e Kaukazit, në brigjet e Detit të Zi në qytetin e Komanit në Pont. Në të gjitha këto vuajti ashpërsitë e klimës, urisë, sulmeve barbare dhe izolimit. I lodhur e i dobësuar nga këto internime, ku së fundi pranë kishës kushtuar martirit lokal, Vasiliskut (22 maj) pasi u kungua me Misteret e Shenjta, dha shpirt më 14 shtator 407, duke thënë: “Lavdi Perëndisë për të gjitha!”[5]

Kisha e Kostandinopojës vuajti edhe më tej për vite me radhë nga skizma që u krijua nga ky shfronëzim. Po kështu edhe Kisha e Romës ndërpreu komunikimin me Kostandinopojën. Kur u vendos paqja dhe shenjtëria e Joanit u njoh unanimisht, lipsanet (reliket) e tij të shenjta i sollën me triumf në kryeqytet (27 janar 438), në kohën e patriarkut të Kostandinopojës, Proklit, dhe u varros në Katedralen e Apostujve të Shenjtë.

Veprat e Shën Joan Gojartit janë të shumta. Ato janë shkruar të gjitha në greqisht. Këto janë përshirë në botimet klasike patristike të Kishës origjinal ose të përkthyera: greqisht - PG (Patrologiae Graeca) tom. 47-64)[6]; frengjisht SC (Sources Chretiennes13, 28, 50, 79, 103, 125, 117, 138, 188, 272, 277, 300, 304, 346, 348, 362, 366, 396, 433, 560-2, 595)[7]; anglisht Nicene and Post-Nicene Fathers (Etërit e periudhës së Sinodit të Nikeas dhe pas Nikeas) (vol. IX-XIV); italisht Santi padri della Chiesa dhe në shumë seri botimesh.

Ato përbëhen nga ligjërata, traktate dhe letra.[8]

a) Interpretuese. Ligjerata të shumta në pjesën më të madhe të librave të Shkrimit të Shenjtë (Biblës), sipas parimeve të interpretimit të Shkollës së Antiokisë. Deri më sot nuk kanë shpëtuar të gjitha. Dy seri me shumë ligjërata për Gjenezën, Shpjegime për Psalmet (ka shpëtuar deri tani vetëm një seri me shumë ligjërata për Ps. 58), për Isaian (6 ligjërata), për Mattheun (90 ligjërata), për Llukain (7 ligjërata), për Joanin (88 ligjërata), për Veprat e Apostujve (3 seri me 63 ligjërata gjithsej), për letrat e Apostull Pavlit (numër i panjohur, i përqendruar më tepër për Letrën drejtuar Romakëve)

b) Ngjarjesh. Për statujat (andriantas) (21 ligjërata), për Eutropin (2 fjalime), para dhe pas internimit të tij (2 fjalime).

c) Dogmatike. Kundër Anomionit (12 ligjërata), Katekizma për sapopagëzuarit (12 ligjërata), kundër judenjve (8 ligjërata).

d) Etike. Për Kalendan, për ata që zënë Kishën, për diallin, për lëmoshën.

e) Kremtuese. Për Lindjen e Shpëtimtarit, për Pagëzimin e Krishtit dhe Theofaninë, për tradhëtinë e Judës, për Kryqin e Zotit, për Pashkën, për Ngjitjen në qiej, për Pentikostinë (Pesëdhjetoren).

f) Lavdëruese. Ligjëroi shumë fjalime lavdëruese për personalitete të ndryshme biblike: Jobin, Eleazarin, Makabenjtë etj., për dëshmorë, për episkopë shenjtorë, për apostull Pavlin.

Për funksionion dhe detyrën e priftit, për jetën murgërore, për martesën dhe virgjërinë, për judenjtë dhe kombet, për lavdinë e kotë si edhe për prindërit që rrisin fëmijët.

Ruhen vetëm 236 letra. Pjesa më e madhe e të cilave u dërguan kur ky ishte në internim.

Liturgjia Hyjnore e Shën Joan Gojartit është një prej liturgjive (meshave) kryesore të Kishës Orthodhokse. Kjo liturgji është me prejardhje nga Antiokia dhe me krijime dhe rishqyrtime të Shën Joan Gojartit si dhe përpunim të mëvonshëm kostandinopolitan. Kjo është liturgjia më e përdorshme e tipit liturgjik bizantin. Kryhet pothuajse çdo ditë të vitit, përveç ditëve me karakter kataniktik, në vend të secilës kryhen liturgjitë e Shën Vasilit të Madh dhe E Dhuratave të Parashenjtëruara.[12] Për shën Joanin është shkruar shumë dhe në vëllime të shumta.

Gjithashtu edhe veprat e Shën Joan Gojartit ndër shekuj kanë qenë shumë të kërkuara, duke u përkthyer në shumë gjuhë të botës, në seri të plota apo pjesë të përzgjedhura. Edhe në shqip është folur dhe shkruar shumë për këtë shenjt të madh. Ndërsa midis disa veprave të tij të përkthyer në shqip spikasin: Liturgjia Hyjnore (nga Kryepiskopi/Mitropolit Theofan Noli dhe përpunuar më vonë nga një komision kishtar)[13] dhe Pjesë të zgjedhura nga kryeveprat e Shën Joan Gojartit (nga Sotir Papahristo)[14]

Nderimi dhe Përkujtimi i shenjtorit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shën Joan Gojarti nderohet nga të krishterët si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim në Kishat Ortodokse, Romano-Katolike, Anglikane dhe Luterane.

Kisha ortodokse: 13 nëntor[15]
Kisha katolike / evangjelike / anglikane: 13 shtator [16] [17]
Në Kishën Ortodokse përkujtohet gjithashtu edhe në 27 janar (transferimi i lipsaneve) dhe në 30 janar bashkë me Shën Grigor Theologun dhe shën Vasilin e Madh, të kremten e Tre Hierarkëve, e kremte e cila u caktua në shek.XI[18] [19]. Këta të tre hierarkë së bashku konsiderohen si mbrojtësit e Arsimit. Shën Joani Gojarti nderohet edhe me fjalime, me shërbesa himnologjike, me kisha, me ikona dhe emrat e besimtarëve (Joan, Gjon, Krisostom, Gojart).
Sh. Joan (Gjon) Gojarti është shenjt mbrojtës i lutësve, gojëtarëve dhe predikuesve.

Etërit dhe himnografët e Kishës Ortodokse kanë hartuar shërbesë në nderim të shën Joan Gojartit, dt. 13 nëntor[20]; 27 janar[21] dhe 30 janar (Tre Hierarkët), që janë përfshirë në librat me shërbesat e të kremteve dhe të shenjtorëve të të gjithë vitit (nga 1 shtatori deri në 31 gusht), që quhen “Minea” ose në shqip “Mujoret”. Në shqip, kjo shërbesë është përkthyer nga Kryepeshkopi (= Mitropolit) Theofan Noli në librin me titull "Kremtore e Kishës Orthodokse" e vitit 1956. Shenjtori kujtohet gjithashtu në lutje dhe nderim cdo herë që kryhet Liturgjia Hyjnore që mban emrin e tij[22].

Lipsanet/Relikët

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në Kishë shenjtori nderohet edhe nëpërmjet nderimit të lipsaneve/relikeve, në të cilat besohet se vazhdon të jetë i pranishëm hiri i Shpirtit të Shenjtë. Lipsanet/reliket e shenjtorit janë të shpërndara në vende të ndryshme. Spikat mes tyre në Kishën Ortodokse në Mali i Shenjtë (Athos) ku në manastirin e Vatopedit ndodhet koka me veshin e paprishur, ndërsa në manastirin e shën Filotheut gjendet dora e djathtë e paprishur[23].

Sipas një tradite jo të konfirmuar nga burimet, thuhet se një pjesë e relikeve të tij erdhën në Romë në kohën e kryqëzatës së katërt, pasi ra Kostandinopoja në vitin 1204. Në 27 nëntor 2004 Papa Gjon Pali II i ka kthyer Patriarkut të Kostandinopojës, Bartolomeut I, një pjesë prej relikeve që nderonin në Vatikan.

Në Kishë shenjtori nderohet edhe nëpërmjet nderimit të ikonave,  imazhit të pikturuar, në sipërfaqe të ndryshme dhe në forma të ndryshme. Në Kishën Ortodokse ikona e shenjtit paraqitet vetëm apo edhe me të tjerë, në vende të ndryshme, në mur apo edhe në ikonostas. Në mur kryesisht në absidën e altarit, pranë Etërve të Mëdhenj të Kishës: Vasilit të Madh, Grigor Teologut, Grigor të Nisës, Athanasit të Madh etj.

  • Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse - Vëllimi II - Nëntor - Dhjetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014, ISBN: 978-9928-4251-5-7
  • Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse - Vëllimi III - Janar- Shkurt, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2016 , ISBN: 978-9928-4377-3-0
  • Liturgjia Hyjnore e Shën Joan Gojartit - Η Θεια Λειτουργια του αγιου Ιωαννου του Χρυσοστομου - bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2015, ISBN: 978-9928-4251-1-9
  • Δημήτριος Τσάμης, Εκκλησιαστική Γραμματολογία, εκδ. Πουρναρά, Θεσσαλονίκη, 1996. ISBN 960-242-136-3
  • Ιωάννης Φουντούλης, Λειτουργική Α' - Εισαγωγή στη Θεία Λατρεία, Εκδ. Πουρναρά, Θεσσαλονίκη, 1995, ISBN 960-7431-03-0.
  • Pjesë të zgjedhura nga kryeveprat e Shën Joan Gojartit, shqipëroi S. Papahristo, bot.i përpunuar, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2013.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Τσάμης, Δημήτριος (1996). Εκκλησιαστική Γραμματολογία (në greqisht). Θεσσαλονίκη: Πουρναρά. fq. 164. ISBN 960-242-136-3.
  2. ^ Δημήτριος Τσάμης, Εκκλησιαστική Γραμματολογία, εκδ. Πουρναρά, Θεσσαλονίκη, 1996, σελ.164.
  3. ^ Hieromonak, Makarios (2014). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi II Nëntor-Dhjetor. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 157, 159. ISBN 978-9928-4251-5-7.
  4. ^ Δημήτριος Τσάμης, Εκκλησιαστική Γραμματολογία, εκδ. Πουρναρά, Θεσσαλονίκη, 1996, σελ.165.
  5. ^ Palladius, XI, 38.
  6. ^ "Patrologia Graeca" (në greqisht).
  7. ^ "Sources Chretiennes - Jean Chrysostome" (në frëngjisht).
  8. ^ Δημήτριος Τσάμης, Εκκλησιαστική Γραμματολογία, εκδ. Πουρναρά, Θεσσαλονίκη, 1996, σελ.166-7.
  9. ^ Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse, Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 1994, fq.83-130
  10. ^ Liturgjia Hyjnore e Shën Joan Gojartit në 5 gjuhë (shqip, greqisht, anglisht, frengjisht, italisht). Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. 2015. ISBN 978-9928-4251-4-0.
  11. ^ "Teksti i Liturgjisë Hyjnore të shën Joan Gojartit".
  12. ^ Φουντούλης, Ιωάννης Φουντούλης, (1995). Λειτουργική Α' - Εισαγωγή στη Θεία Λατρεία (Liturgjika I - Hyrje në Adhurimin Hyjnor) (në greqisht). Θεσσαλονίκη: Πουρναρά. fq. 187. ISBN 960-7431-03-0.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Pikësim shtesë (lidhja)
  13. ^ Librë e Shërbesave të Shënta të Kishës Orthodoxe, Boston Mass, 1909 dhe i përpunuar më vonë nga një komision dhe botuar në “Libër i Shërbesave të Shenjta", Tiranë, 1961.
  14. ^ Pjesë të zgjedhura nga kryeveprat e Shën Joan Gojartit, shqipëroi S. Papahristo, bot. i përpunuar, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2013.
  15. ^ Hieromonak, Makarios (2015). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të kishës Orthodhokse, v.II Nëntor - Dhjetor. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 154. ISBN 978-9928-4251-5-7.
  16. ^ "Vatican News - Services" (në italisht).
  17. ^ "Saints of the week (Shenjtorët) e javës, sipas "Lutheran book of Worship" (Librit të adhurimit luteran)" (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 16 maj 2019. Marrë më 16 maj 2020.
  18. ^ Hieromonak, Makarios (2016). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, v.III Janar - Shkurt. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 419–423. ISBN 978-9928-4377-3-0.
  19. ^ "3 Hierarkët: shën Vasili i Madh, shën Grigor Theologu dhe shën Joan Gojarti".
  20. ^ "Kremtore - muaji Nëntor".
  21. ^ "Kremtore - Muaji Janar".
  22. ^ "Liturgjia Hyjnore e shën Joan Gojartit - Scribd".
  23. ^ "Saints.gr" (në greqisht).