Guri Madhi
Ky artikull dyshohet se përmban hulumtim vetjak apo thënie të pacituara prandaj nuk mund të merret si i saktë. |
Fotoporteti | |
Guri Madhi | |
Emri | Guri |
Mbiemri | Madhi |
Lindur më | 15 maj 1921 |
Lindur në | Korçë |
Vdiq më | 1988 |
Vdiq në | Budapest |
Shtetësia | shqiptare |
Kombësia | shqiptar |
Profesioni | artist |
Guri Madhi (Korçë, 15 maj 1921 - Budapest, qershor 1988) ka qenë piktor shqiptar, themelues i Akademisë së Arteve më 1960. Në vitin 1976 merr titullin më të lartë artistik Piktor i Popullit.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind më 15 maj 1921 ne Korçë. Pas përfundimit të shkollës fillore, Guri Madhi ndoqi për dy vite shkollën e mesme italiane në Korçë, që kishte për bazë vizatimin. Pas vitit të dytë, kjo shkollë u mbyll dhe ai u detyrua të ndërpriste shkollimin e mëtejshem dhe për nevoja familjare të fillonte punë në kinematë e qytetit te tij. Gjatë viteve të luftës (dhjetor 1939 – 4 maj 1942 ai u morr ushtar në ushtrinë italiane, në batalionin Tarabosh. Pas kthimit nga shërbimi ushtarak në Korçë, ai vazhdon të punojë dhe njëkohësisht të ndihmojë lëvizjen antifashiste. Pas luftës filloi punë si piktor në shtepinë e kulturës dhe më pas si ndihmes-skenograf në Teatrin e Korçës, ku skenograf punonte një nga piktorët më të njohur shqiptarë të asaj periudhe Vangjush Mio. Studimet e larta për pikturë i realizoi në Bashkimin Sovjetik. Që nga viti 1950 ai fillon studimet në Akademinë e Arteve në Leningrad (Shen Petersburg) ku merr Diplomën në 1956 dhe e përfundon shkollimin e lartë me rezultate të shkëlqyera. Më pas ai do të kthehej në Shqipëri, ku do të ndërmerrte postin e inspektorit pranë Ministrisë së Kulturës në Tiranë.
Ne vitin 1958 ai emërohet pedagog në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë.
Në vitin 1961 është një nga tre pedagogët që themeluan Institutin e lartë të Arteve figurative (sot Akademia e Arteve) në Shqipëri. Viti 1966 do të karakterizohej nga lufta kundër burokracisë, si pasojë e së cilës Guri Madhi u dërgua ne garnizonin e Grehotit ne Gjirokaster, ku dhe përjashtohet nga PPSH ne vitin 1967. Ne kete peridhë ai largohet nga Gjirokastra dhe qëndron për më shumë se një vit i papunë. Fillon punë në ndërmarrjen e mjeteve mësimore në Tiranë dhe më pas i jepet leje krijimtarie për një periudhë dy vjeçare, për të realizuar tablonë „Reforma Agreare“. Për shumë vite angazhohet me mësimdhënie në liceun artistik Jordan Misja dhe në Akademinë e Arteve të Bukura. Në 1983 del në pension dhe në atë kohë është një nga piktorët më të njohur të brezit të tij.
Guri Madhi ka qenë aktiv në vendlindjen e tij edhe si aktor. Ka patur rol kryesor në dramën „Nën gështenjat e Pragës“ të Konstantin Michailoëitsch Simonov, tek „Kopraci“ i Molierit, etj.
Ai vdes në vitin 1988 në Budapest në rrethana të paqarta. Madhi kishte udhëtuar i vetëm, pasi regjimi nuk lejonte shoqerues, për një operacion të gjëndrave tiroide në Budapest. Familja e tij u lajmërua për gjetjen e tij pajetë shumë më vonë se ngjarja e ndodhur.
Guri Madhi është i vetmi artist shqiptar që ështe përjashtuar nga partia komuniste dhe më vonë në vitin 1976 është nderuar gjithsesi me titullin Piktor i Popullit.
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në periudhat e tij të hershme Guri Madhi pikturon episode nga historia e Shqipërisë dhe nga rrethanat e së tashmes. Atij i jepeshin shumë detyra dhe porosi nga rregjimi për të shfaqur në vepra realizmin socialist. Por në vitet e fundit të jetës së tij ai i dedikohet një arti të lirë. Veprimtaria e tij e viteve 1955-1988 numëron rreth 400 piktura.
Kritikët e artit dallojnë 3 periudha në udhëtimin e tij artistik:
· Periudha pas studimeve me ndikime impresioniste
· Një periudhë të shkurtër 1965-66 me ndikime surrealiste
· Periudha pas vitit 1980, deri ne 1988, me pikturën ekspresioniste dhe abstrakte
Tema e tij e diplomës së vitit 1956 „Bajram Curri në shpellën e Dragobise“ tregon Heroin Kombëtar Bajram Curri në stilin tipik të impresionistëve rusë.
Me shumë vlerë për tu përmendur është realizimi i veprës „Mbledhja e 81 partive në Moskë, 1960“, vepër e cila ështe ndër më të rëndësishmet e realizmit socialist në Shqipëri. Ai ka kompozuar në pikturën me përmasa 265 x 210 cm, qëndrimin e kundërt të Partisë së Punës së Shqipërisë ndaj pjesës tjetër të drejtuesve dhe partive komuniste në një konferencë në Moskë në 1960. Në njëren anë shfaqet në përmasa mbinjerëzore postura e fuqishme e Enver Hoxhës me funksionarët e partisë së tij dhe me anëtarët e partisë komuniste kineze, të cilët në atë periudhë ishin distancuar nga Moska. Në anën tjetër ndodhen Hroshov, Brezhnjev, Ulbricht dhe drejtues të tjerë komunistë. Këta të fundit shfaqen në dritëhije thuajse të trembur nga reagimi dhe qëndrimi i Hoxhës. Piktura u dha si detyrë nga Komiteti Qëndror i PPSH me rastin e 30-vjetorit të clirimit të Shqipërisë dhe me rastin e inagurimit të ndërtesës së re të Galerisë Kombëtare të Arteve. Vepra e përfunduar u paraqit në nëntor të 1974 para një komisioni të posaçëm. Ky i fundit vendosi që portreti i Enver Hoxhës nuk ishte realizuar siç duhet dhe vendosi t’i caktonte piktorit Zef Shoshi detyrën e përfundimit të portretit. Më vonë, në vitin 1978, marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën u shkëputën. Guri Madhi kishte domosdoshmërisht detyrën të hiqte delegacionin kinez nga piktura. Ai e kreu këtë gjë duke ua sfumuar fytyrave prejardhjen kineze. Historia vazhdon në vitin 1980 kur Mehmet Shehu, kryeministër i asaj kohe, gjendet pa jetë. Në pikturën në fjalë ai qëndron në krah të Enver Hoxhës dhe, edhe këtë rradhë, Guri Madhi duhet të fshijë figurën e tij. Por këtë herë ai refuzon, pasi një veprim i tillë do të shkatërronte kompozimin. Pas kësaj vepra do të nxirrej nga qarkullimi për të mos u shfaqur në publik. Sot ajo ndodhet ne Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Pavarësisht se origjina e Guri Madhit ishte Korça, ai i ka kushtuar shumë vepra të tij temës së Kosovës. Edhe vetë temën e tij të diplomës e ndërlidhi me këtë krahinë. Në vitet pas kthimit në Shqipëri ai udhëtonte në zonat kufitare me Kosovën (kufijtë me Jugosllavinë ishin mbyllur që në vitin 1948). Ai ka pikturuar shumë portrete kosovarësh në kostume karakteristike. Në vitin 1978 ai ka mundësi të punojë 2 javë në Kosovë. Në këtë kohë publikohen shumë grafika të tij në shtypin lokal. Në 1979 hapet ekspozitë e tij në bashkëpunim me piktorin Kujtim Buza me titullin „Nëpër vende historike të Kosovës“. Në 1981 organizohen përsëri ekspozita të përbashkëta në Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren. Disa vepra të tij gjenden në Kosove, një prej të cilave i është dhuruar Galerisë së Arteve të Kosovës.
Për shumë vite Madhi duhej t’i nënshtrohej rregullave të caktuara nga rregjimi. Ai punonte sipas porosive dhe duhej të retushonte edhe veprat personale. Femrave nudo duhet t’i mbipikturoheshin veshje. Drejt vitete të fundit të jetës ai i largohej gjithmonë e më shumë rregullave strikte. Edhe kur nuk mund t’i shfaqte veprat e tij në ekspozita, ai ishte në gjendje të pikturonte sipas dëshirave dhe frymezimit të tij.
Në vitin 2011, 23 vite pas vdekjes së Guri Madhit, familjarët e tij gjejnë gjatë një rregullimi rutinë të veprave, disa piktura të fshehura të cilat, nqs do të zbuloheshin gjatë komunizmit, do të dënonin piktorin me burgim. Ai ka pikturuar në të dyja anët e fjetëve apo të kartonave, duke lënë kështu të dukshme vetëm njërën anë, anën e cila ishte komform me rregullat e realizmit socialist.
Vlerësime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Guri Madhi u nderua në vitin 1976 me titullin Piktor i Popullit.
Galeria e arteve në Korçë mban emrin e tij.
Rrugë në Tiranë dhe Korçë mbajnë emrin e tij.
Vepra e Guri Madhit është pjesë e Enciklopedive të rëndësishme botërore si Benezit Dictionary of Artists, Oxford Dictionary, etj.
Shiko edhe këtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Turqit dorëzojnë armët - 1959