Jump to content

Vehbi Ismaili

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Imam Vehbi Ismaili)
Vehbi Ismajli

Vehbi Ismaili (Shkodër, 25 nëntor 1919 - Harper Woods, Detroit, 20 maj 2008) ka qenë hoxhë, halim dhe përkthyes. Është themeluesi i të parës Qendër Islame ShqiptareShtetet e Bashkuara.[1]

U lind në Shkodër në gjirin e një familjeje me taban fetar. Arsimin fillor e filloi në vendlindje dhe e përfundoi në Krujë, ku i ati Myderriz Ismail Hakiu shërbente myfti.[2]

Më 1933 u regjistrua në Medresenë e NaltëTiranë, ku diplomoi më 1937. Gjatë viteve në medrese nisi të shkruante në të përkohshmen e Komunitetit Mysliman "Zani i Naltë", si dhe bashkëpunoi me të përjavshmen rinore "Vatra e Rinisë", ku botonte tregime të shkurtra. Vijoi më tej shkollimin e mëtejmë në Universitetin zëmadh “el-Az'her” në Kairo së bashku me bashkëqytetarin Thabit Kadukun, ku diplomoi në teologji në vitin 1943,[2] apo sipas shkrimeve tjera - më 1945.[3]

Më 1948 u ftua nga Shoqëria Myslimane Shqiptaro-Amerikane me qendër në Detroit që të shkonte t'i printe si imam xhematit të atjeshëm. Mbërriti më 22 prill 1949, ku u prit me dashamirësi nga zotërinjtë Ahmet Ramo, Hysen Kola nga Detroiti, Nuri Mborja, Vejsel Çami nga New York.[2] Siç e ka dëshmuar edhe vetë, shumica e shqiptarëve myslimanë në Detroit ishin Korça e Gjirokastra, që kishin ardhur para Luftës së Dytë Botërore, për çështje ekonomike. Kishte edhe disa beqarë nga Vlora dhe Berati, që nuk ishin martuar fare ose kishin familjet në Shqipëri.

Shoqata nuk kishte mjedis të vetin, kësodore me ardhjen e imamit, morën me qira disa dhoma në International Institute, që i përdornin për shërbime fetare, si klasë për të mësuar fenë dhe klasë për mësimin e shkrimit të gjuhës shqipe. Bashkësia e myslimanëve shqiptarë nuk ishin më shumë se 20-30 familje. Në tetor 1949, Shoqëria filloi botimin e një reviste fetare kulturore me titull “Jeta Myslimane Shqiptare”, që botohej katër herë në vit, në 64 faqe, gjysma në gjuhën shqipe dhe gjysma tjetër në gjuhën angleze. Kjo vazhdoi të dalë për tetë vjet dhe u botuan gjithsej 32 numra. Shumica e artikujve ishin fetarë, por shkruheshin edhe artikuj letrarë e kombëtar, sikurse dhe lajmet e bashkësisë islame shqiptare. Për shkaqe financiare, kjo revistë, pas tetë vjetësh botimi, u shua, s’u botua më.

Më 1951 bashkësia arriti të blinte një kishë ermene dhe me ndryshime të vogla, u bë vend i aktiviteteve fetare e kombëtare. Më 6 qershor 1951 u bë hapja e saj zyrtare, duke u falë xhumaja e parë në të. Kështu, aktivitetet u transferuan nga International Institute në këtë objekt që u quajt Qendra Islame Shqiptare. Në këtë kohë u pa e nevojshme se duhej një tekst për t’ua mësuar fëmijëve fenë në gjuhën shqipe, andaj u përgatit dhe u botua libri “Islamizmi dhe lutjet”, e disa vjet më vonë u botua edhe libri tjetër “Muhamedi, profeti islam”. Kjo ndërtesë u përdor deri në vitin 1961, kur ndihet evoja për një objekt më të madh, meqë erdhën shumë shqiptarë refugjatë politikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. U vendos të shitej ky object dhe të ndërtohej një tjetër i ri, më i madh, që t’i plotësonte nevojat tona. U shit në vitin 1962 dhe me paratë e tij u ble trualli ku filloi puna për të ndërtuar Qendrën e re.

  1. ^ Qemajl Morina (2008). "Vdiq Imam Vehbi Ismaili, kolosi i fundit i mendimit islam ndër shqiptarët (1919-2008)". Edukata islame (87): 5–12.
  2. ^ a b c Mexhi Yvejsi. "Imami Vehbi Ismaili (1919-2008)". sa-kra.ch.
  3. ^ "Imam Vehbi Ismaili". zeriislam.com. 19 gusht 2009.