Jump to content

Llukë Karafili

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Llukë Karafili
(1892 - 1976)
U lind në1892
Vdiq1976
Kombësiashqiptar
ProfesioniMësimdhënës, publicist, studiues

Llukë Karafili (Berat, 17 tetor 1892 - 1976) qe arsimtar, bibliofil, studiues dhe publicist shqiptar me pseudonimin Bardhyli. Bashkëpunoi me të përkohshmen françeskane "Hylli i Dritës" dhe atë jezuite "Leka", ku ndër numra të ndryshëm në vitet 1937-39 botoi studimin e parë mbi bibliotekat shqiptare e gjithashtu artikujt Suli dhe Mark Mboçari[1].

U lind në lagjen Kala të Beratit, i biri i Hristo Harallamb Karafilit dhe Polikseni Havel Çikës. I ati ishte nëpunës i administratës së drejtësisë osmane. Edukimin e filloi në lagjen Kala dhe më pas në lagjen e Shënkollit, Elbasan, ku merrte pjesë në shoqërinë e Djemve në Kala. Më pas frekuentoi shkollën turkeErsekë. Pasi mbaroi dy vjet në këtë shkolle u fut ne atë ryzhdie duke vijuar idadijen (gjimnazin) por nuk arriti ta vazhdojë për faktin se ishte i dobët në turqishte. Për këtë motiv i ati e hoqi nga shkolla dhe e vuri të mësojë mjeshtrinë e rrobaqepësit ku ndenjti katër muaj sepse pastaj i doli bursa për të shkuar në gjimnazi "Zosimea" në Janinë dhe në Manastir. U regjistrua për të studjuar jurisprudencë në Selanik, por nuk mund t'i ndiqte studimet pasi i ndërruan jetë prindët. Nisi që më 1910 punën si mësues i shqipes në Vlorë, pas pavarësisë në Delvinë, Shën Vasil, Mursi, Konispol[2]

Më 1922-24 ndoqi me korrespondencë studimet në universitetin e Napolit dhe u thellua më tej përmes kurseve verore në Itali për formimin e tij shkollor.

U kthye ne Korçë ku mori mësime private për të plotësuar klasat e Liceut. Studionte gjithë librat shqip që ishin botuar ne Bukuresht, Sofje, Selanik dhe Korçë. U njoh me patriotët e atëhershëm ne Korçë dhe zuri miqësi me Mihal Gramenon, Themistoklinë, Stavro Karolin, Pandeli Calen, me Bejlerët e Pojanit, Spiro Belkamenin, Mihal Belkamenin, Mihal Xoxen, Sotir Pecin, Goni Katundin, Thoma Deshnicen etj. Mori pjesë në shoqërine Lidhja Orthodokse dhe në Shkollën e së Dielës të Shkollës Amerikane. Ka qenë edhe sekretar në çetën e Gorës të Kajo Babjanit. Ne Vlorë mori pjesë ne Klubin "Labërija".

Më 16 shtator 1913 u hap shkolla e parë në Lushnje ndanë kishës ortodokse, ku shërbeu si mësues[3]. Ka mësuar gjithashtu në shkollën qytetëse të Vlorës dhe ka qenë drejtor shkolle në Delvinë dhe në Nartë[4].

Më 1933 qe kryemësues në shkollën e Korfuzit, prej ku i dërgon një shkresë min. së Arsimit ku i vinte në dukje vështirësitë e lindura në atë qark mësimor prej tri shkollave greke që ishin hapur rretheqark dhe propagandës që përhapnin qarqet greke ndër këto shkolla.

Një periudhë ka banuar në Shkodër, ku biblioteka e tij personale vlerësohej të kishte mbi 2500 vëllime shumë të çmuara në gjuhën shqipe, greke, italiane, frënge të fushave të pedagogjisë, letërsisë, historisë, ballkanologjisë, albanologjisë dhe mjaft dorëshkrime[5].

Më 1944 u bë pjesë e Institutit të Studimeve Shqiptare[6].

  1. ^ Dema B., Hylli i Dritës - Diftojsi i Gjithmbarshëm i pesëmbdhetë vjetvet të para I-XV (1913-1939), Shkodër: Shtypshkronja Françeskane, 1940. fq. 17.
  2. ^ Iljaz, Gogaj (1998) [22-23 qershor 1995]. "Mësuesi e albanisti i dalluar dhe atdhetari i persekutuar dhe i harruar, Llukë Karafili - "Bardhyli"". Shkodra në shekuj: seminari i dytë ndërkombëtar. 1: 93–97.
  3. ^ Dhana P., Arsimi Dhe Kultura Ne Myzeqe (1912 - 1990), Lulu.com, 2010. fq. 219.
  4. ^ Karafili Ll., Lulishtja Djelmënore - Abetare, Pjes' e Parë, Konstancë: sh.b. "Albania", 1922. Në ballinë.
  5. ^ Interreg III a Italia-Albania, Focus Shkodra 2006, fq. 6.
  6. ^ Historiku i Institutit të Studimeve Shqiptare Arkivuar 5 prill 2017 tek Wayback Machine, akti.gov.al, marrë më 25 dhjetor 2017.