Jump to content

Kryengritja e Lumës

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Lufta e Lumës)
Beteja e Lumës
Pjesë e Luftës së Parë Ballkanike
Data30 Tetor – 6 Dhjetor 1912
Vendodhja
Pasoja Fitorja Shqiptare
Palët pjesëmarrëse
Ushtria Shqiptare Mbretëria e Serbisë
Komandantët dhe udhëheqësit
  • Luma
    • Cen Daci
    • Ramadan Çajku
    • Ejup Topojani
    • Islam Spahia
    • Hasan Bajraktari (Can Rexha)
    • Qazim Lika
    • Ramadan Zaskoci
  • Dibra
    • Baftjar Doda
    • Xhafer Doda
    • Selman Alia
    • Elez Isufi
    • Dali Meçi
    • Sufë Xhelili
  • Malësia e Gjakovës
Bozhidar Jankoviç
Njesitë e përfshira

Vullnetarë nga

    • Luma
    • Dibra
    • Malësia e Gjakovës
Ushtria e Tretë e Serbisë
Fuqia ushtarake
1000 – 3000 nga Luma
600 nga Dibra e poshtme
Numër i panjohur nga Malësia e Gjakovës
2 Topa
21,800 ushtarë serbë
Viktimat dhe humbjet
109 luftëtarë shqiptarë të vrarë 198 ushtarë serbë të vrarë

Beteja e Lumës, e njohur edhe si Kryengritja e Lumës ishte një seri e përleshjeve midis vendasve shqiptarë të rajonit të Lumës në Shqipërinë Veriore kundër Ushtrisë pushtuese Serbe në vitin 1912, gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Serbët kërkuan dalje në Detin Adriatik, por kundër parashikimeve u mundën nga Forcat Shqiptare. Si rezultat, përparimi i Serbisë në perëndim u vonua, gjë që kontribuoi në sigurinë e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Qysh më 5 nëntor 1912 kur gjenerali famëkeq Bozhidar Jankoviq hyri në Prizren me regjimentet e DivizionitShumadia-1”, nisi rigrupimin e forcave të tij, për operacionet drejt Adriatikut. Për të realizuar këtë plan ushtarak, komanda serbe, kishte krijuar dy njësi të veçanta, që morën emrin si ”njësitë e bregdetit” dhe repartet e këtyre njësive u përzgjodhën nga divizionet ”Shumadia-1” dhe “Drina-2” të dislokuara në Prizren e Gjakovë.

Repartet serbe për nënshtrimin e Lumës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për të evituar çdo rrezik që mund të kërcënonte të ashtuquajturit ”njësitë e bregdetit”, që do të operonin në drejtim të Adriatikut, nëpërmjet Luginës së Drinit (Lumës), komanda e armatës së tretë krijoi ”repartin e Lumës”, i cili mori për detyrë të pushtonte këtë krahinë dhe krahinën e Hasit, Vërrinit, Opojës, Gorës, të çarmatoste shqiptarët dhe të godiste pa mëshirë çdo rezistencë të tyre.

Në repartet ushtarake për pushtimin e Lumës u angazhuan rreth 21.800 trupa, pasi sipas të dhënave të komandës serbe, pa “përuljen e Lumës” dhe zotërimin e brigjeve të Drinit nuk mund të realizoheshin planet strategjike të proklamuara nga qeveria serbe e Nikolla Pashiçit.

Për këtë qëllim gjenerali Jankoviç, iu drejtua popullit të Lumës me një letër ku kërkonte të plotësohen këto kërkesa:

1. Që paria, hoxhallarët dhe të pasurit të vijnë në bisedime pa armë;

2. Paria të garantojë dorëzimin e pushkëve nga fshatrat e veta, nëse duan të jetojnë në ”rehati” me ne, e ky është kushti kryesor;

3. T´i çarmatosin shqiptarët e ardhur nga Kosova, llapjanët, hasjanët, prizrenasit, dukagjinasit etj, të cilët ndodhen në mesin e tyre dhe ata që kanë luftuar kundër nesh;

4. Ta dorëzojnë, ose së paku të tregojnë ku ndodhet Isa Boletini, ta dorëzojnë Ramadan Zaskocin, Riza Beun, Islam Spahiun nga Kolesjani dhe Bajram Daklanin;

5. Që paria t´i prijë ushtrisë serbe dhe të informojnë për lëvizjen e rezistencës përreth, dhe

6. Që çdo fshat t´i japë nga 5 vetë peng e të qëndrojnë në Prizren, që të jemi më të sigurt. Nëse këto kushte nuk plotësohen, tërë pasuria dhe fshatrat kanë për t´u bombarduar.2

Këto kushte ultimative në asnjë mënyrë s´u pranuan nga populli dhe paria e Lumës dhe trevat tjera përreth, andaj si rrjedhim soldateska serbe nisi operacionet ushtarake për pushtimin e Lumës dhe të krahinave tjera përreth.

Qëndresa shqiptare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përballë operacioneve pushtuese të ushtrisë serbe, u gjendën mijëra luftëtarë shqiptarë të krahinave të Lumës, Hasit, Vërrinit, Opojës e Gorës, si dhe të atyre që ishin tërhequr nga thellësitë e Kosovës, pas pushtimit të saj. Me këtë rast malet e larta të Pashtrikut, ( ku shtrihej krahina e Hasit dhe Malësia e Gjakovës), si dhe degëzimet natyrore të Sharrit - (malet e Gjallicës dhe të Pikëllimës (Koretnikut), matanë Drinit të Bardhë), ku gravitojnë fshatrat e trevës së Vërrinit, të Opojës dhe të Gorës, nga fortesa natyrore u shndërruan në fortesa lufte.

Duke pasur parasysh këto pozita gjeostrategjike, forcat shqiptare u pozicionuan në vijën frontale: Malësia e Gjakovës (Qafa e Morinës - Qafa e Prushit) – Has (Planej-Gorozhup) - Qafa e Zhurit – Vërri (Billushë – Jeshkovë – Lybeqevë - Lez) – Sharr (pjerrësit perëndimore të “Gurit të Zi” – Opojë (Gryka e Llapushnikut).

Në organizimin e qëndresës shqiptare u shquan krerët: - Ramadan Zaskoci, - Ramadan Çejku, - Qazim Lika, - Islam e Sali Spahia, - Hoxhë Mehmeti, - Osman Lita, - Cen Daci, - Bajram Gjana, - Dervish e Nezir Bajraktari, - Myftar Nika, - Nexhip agë Bilali, - Sylë Elezi, - Ahmet Ilaz Qehaja, - Jemin Gjana të gjithë nga Luma, - Elez Isufi, - Cuf Xhelili e - Xhafer Doda nga Dibra, - Bajram CurriMalësiGjakovës, - Rexhë Sali Bajraktari nga Hasi, - Sheh Hasani nga Prizreni, - Jahja Sait Sahiti nga Kuki i Opojës, - Kapllan Opoja, - Nail Hyseni - Dani i Rapçës së Gorës, - Esat Berisha, - Abdyl Osmani, - Arif Krusha e shumë të tjerë.

Qendrat komanduese të luftës u vendosën:

1. Në Llapushnik (Brezne) të Opojës, në krye me Qazim Likën;

2. Në KrumëHasit, në krye me Rexhë Sali Bajraktarin;

3. Këshilli Qëndror i Luftës në krye me Ramadan Zaskocin u vendos në QafëKolesjanit, në majën e quajtur Tabe, nga ku shihej qartë Rrafshi i Lumës.

Për të mos lejuar kalimin e trupave serbe matanë lumit, përgjatë Drinit të Bardhë, këshilli i luftës, organizoi me kohë prita në fshatrat: Shalqin, Domaj, Gjinaj, Brut, Ura e Vezirit... Prita të tilla u ngritën edhe në brigjet perëndimore të Drinit të Zi si: në Kolsh, Mamëz, Surroj, Tejdrinë.

4. Në këto pozicione ishin forcat mbrojtëse shqiptare, kur më 9 e 10 nëntor 1912 filluan operacionet e armatës III serbe në drejtim të Lumës.

Beteja e parë e përgjakshme në “Qafë të Zhurit”

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Beteja e parë e përgjakshme në kufijtë e Lumës u zhvillua në Qafë të Zhurit dhe vijoi deri në Grykën e Morinës. Në këtë lokalitet ushtria serbe për 2-3 ditë rresht pësoi goditje të rëndë, duke lënë në fushëbeteja shumë të vrarë e të plagosur dhe armë. Pas këtij dështimi, ushtria pushtuese serbe në shenjë hakmarrje, në fshatin Zhur i mori peng 37 shqiptarë, të cilët më pas i dërguan në Prizren me qëllim që të ushtrohet presion në popull, për të mos e përkrahur edhe më tutje kryengritjen.

Ushtria serbe pas një riorganizimi me reparte të reja u nis sërish në drejtim të Lumës. Forcat shqiptare, tani përballë reparteve të divizionit ”Shumadia-1”, për të mos u dëmtuar u tërhoqën duke zhvilluar luftime sporadike, përgjatë brigjeve të Drinit të Bardhë dhe shpateve të Koretnikut e të Gjallicës, në mënyrë që të bëhej një përgatitje sa më e mirë për një qëndresë më të fuqishme. Repartet serbe me goditjet e vazhdueshme që i bënin luftëtarëve lumjanë, nga fusha e Morinës e deri në Përbreg, hap pas hapi u futën në brendësi të Lumës, deri në Bicaj dhe u dislokuan në hapsirat fushore të këtij fshati.

Terheqja taktike e luftëtarëve shqiptare dhe pozicionimi i tyre në vendet kyqe për goditjen e forcave serbe

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tërheqja e luftëtarëve shqiptarë u bë jo vetëm për shkak të epërsisë serbe në numër të ushtarëve dhe në armatim të rëndë, por me këtë rast u përdorë procesi luftarak taktik: qëndresa – thyerja - tërheqja, si ligje objektive të luftës, për ta futur armikun nëpër kurthe, në mënyrë që ta ndëshkonin më pas me mënyrat e tyre origjinale të luftimit.

Këshilli komandues i luftës i përqëndruar në Tabe (Qafë të Kolesjanit), me kohë kishte siguruar prapavijën edhe në tërthoren: Përbreg – Gjegjën – Bardhoc – Morinë – Vërmicë – Shkozë – Dobrusht – Zhur – Vërri (Billushë - Jeshkovë-Lez...), e cila njëkohsisht luante rol të dyfishtë:

1. mbështetje të sulmit mbi forcat armike dhe

2. mbrojtje e prapavijës - të shpinës së luftëtarëve në Lumë, ndërsa fshatrat e Dollovishtit e të Opojës siguruan krahët e mbështetën veprimet në Grykën e Vanave, në Qafën e Zbinecit e të Llapushnikut.

Në mëngjesin e 15 nëntorit 1912, Këshilli i Luftës dha urdhër për të sulmuar repartet serbe nga disa drejtime të frontit. Falë konfiguracionit të terrenit malor, motit të keq (me shi e bubullim) edhe pse të varfër në mjete lufte, lumjanët të lëshuar si ortek mbi forcat armike, në kodrat e Kolesjanit arritën t'i asgjësojnë qindra ushtarë serbë, ndërsa nga radhët e tyre ranë dëshmorë: Ibrahim H. Zeqiri - bajraktar i Radomirës, Nexhip Dullë Visha nga Kolesjani, Rexhep Jonuz Taci, Selman Asllan Nërguti, Halim Shehu e Daut Basha nga Shtiqni etj.

Ndërkohë për shkak të rezistencës së fuqishme, forcat serbe u tërhoqën nga Kolesjani dhe kodrat e Gabricës dhe u pozicionuan në brigjet jugore të Shejës dhe në brigjet lindore të Drinit të Zi, ndërsa forcat shqiptare kaluan në vijën: fshati Mustafaj – Osmanaj – Bushat (Kodra e Bushatit).

Rigrupimi i forcave shqiptare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Këshilli i luftës, pas një rigrupimi të forcave shqiptare në teren, më 16 nëntor pa ndërpre vazhdoi mësymjen drejt forcave serbe dhe përleshjet gjakosëse u zhvilluan kryesisht në krahun e majtë të përroit të Shejës. Pikërisht në këto çaste kritike për kurorëzimin e suksesit, në Lumë arritën qindra dibranë në krye me udhëheqësit e shquar Baftjar Doda, Xhafer Doda, Elez Isufin, Isuf Xhelilin, etj, të cilët në fushat e betejës sollën edhe 2 - 3 topa që dikur ua kishin zënë turqve.

Ushtria serbe e qëlluar (sulmuar) nga të gjitha anët, në panik braktisi fushëbetejën, duke lënë edhe shumë të vrarë e të mbytur në Dri dhe në përroin e Shejës. Për të përfituar nga situata e krijuar, Këshilli i luftës tashmë nga Kolesjani ishte zhvendosur në fushën e Zborit - Nangë, dhe aty përcaktoi dy drejtime sulmuese (me 3 grupe) për ndjekjen e mëtejshme të pushtuesve serbë:

- Grupi i parë: u drejtua, në krahun e majtë nëpër rrugën këmbësore që të shpiente nga Nanga në Gostil - për në Kullë të Lumës;

- Grupi i dytë: në rrugën këmbësore që të çonte nga Nanga në Shtiqën, Përbreg e deri në Morinë;

- Grupi i tretë: (në rolin e rezervës) u përdor si mbështetje për të dy krahët (grupet) e sulmit.

- Ndërkaq forca tjetër goditëse që kishte të bënte me fatin e Betejës së Lumës, ishte organizimi i qendresës në të dy krahët e Drinit të Bardhë:

a. Në Tërthoren Përbreg – Gjegjën – Bardhoc – Morinë - Qafa e Zhurit - Vërri (Billushë) - Guri i Zi (Opojë) - Sharr; dhe

b. në krahun tjetër Hasi (Pashtrik) - Malësi e Gjakovës.

Për të penguar vajtjen e forcave të reja serbe nga Prizreni në drejtim të Lumës, luftime të ashpra u zhvilluan edhe në trevën e Vërrinit. Në vijën Dobrusht - Qafa e ZhuritBillushëLez - Leskovec, pati luftime ballore dhe anësore. Repartet serbe në këto luftime përpiqeshin që të çanin vijën frontale në Vërri, me qëllim të depërtimit në Opojë e Gorë prej nga mendohej të sulmoheshin nga prapa lumjanët, mirëpo nuk patën sukses.

Vendimi i Këshillit Komandues për të goditur armikun në të gjitha frontet e luftës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në kulmin e qëndresës për vdekje a liri, Këshilli Komandues i Luftës që përbëhej nga Baftjar Doda, Xhafer Doda, Ramadan Zaskoci, Islam Spahia, Hoxhë Mehmeti, Elez Isufi, Ramadan Çejku, Ramadan Kovaçi, Kadri Shahini, Jemin Gjana etj, sipas vendimeve të marra në një mbledhje, më 17 nëntor 1912 nisën operacionet goditëse në të gjitha frontet e luftës. Malësorët lumjanë, të ngujuar nëpër kullat e fshatrave: Nangë, Gostil, Shtiqën, Përbreg dhe në shpatet lindore të Gjallicës e Koretnikut (Pikëllimës) si dhe në brigjet e të dy Drinave (të Ziut e të Bardhit), e të ngazllyer nga fitorja e bujshme e Qafës së Kolesjanit, forcat e armikut u sulmuan nga të dy krahët (lindje-perëndim) dhe u ndoqën këmba këmbës.

Repartet ushtarake serbe u përpoqën të rigrupohen e të pozicionohen sërish në Kodrën e Galipës e në Zbor të Nangëve, por këto përpjekje gjithashtu dështuan keq. Repartet shpartalluese serbe pasi humbën edhe në këtë fushëbetejë qindra ushtarë të tjerë, braktisën edhe vijën mbrojtëse Shtiqën - Drini i Zi.

Në këto sulme lumjanët trima veprojnë rrufeshëm, dhe gjatë luftimeve bien dëshmorë: Abaz Zezi, Baftjar Tahiraj, Baki Maliq Domi, Bektash Gjoka, Dervish Trota, Dullë Dema, Halil Dema, Halil Himaj, Hasan Shabani, Ismail Neziri, Jashar Shehu, Mehmet Allaraj, Mehmet Limani, Muharrem Mema, Mustafë Dogjani, Ramadan Koldashi, Rrustem Shehu, Shaqir Basha, Shaqir Dauti, Tahir Smajli, Zenel Mema, Haziz Xhaferi, e shumë të tjerë.

Luftimet përfundimtare u zhvilluan në brigjet e lumenjve Drini i Bardhë - Drini i Zi, ndërsa ato me të përgjakshmet në Kullë Lumë.

Mbeturinat e reparteve serbe që i shpëtuan asgjësimit në rajonin e Bicajt, së bashku me repartet e rajonit të Kullës së Lumës, kishin arritur të dilnin në bregun e kundërt të lumit Luma, poshtë Përbregut, dhe të pozicionohen në vijën: Përbreg - Kulla e Lumës. Për këto ngjarje, burimet serbe thonë se “gjatë tërë ditës së 17 nëntorit 1912 u zhvilluan luftime të rënda midis aradhave serbe e shqiptarëve, që sulmonin nga të gjitha anët, veçanërisht nga bregu i majtë i lumit Luma, duke rrezikuar forcat serbe që të hidhen në Dri e të shkëputeshin nga Prizreni. Më i forti qe zjarri i shqiptarëve nga bregu i djathtë i Drini Bardhë. Edhe togjet gjuajtëse që u dërguan në atë krah nuk mundën t´i largojnë prej andej lumjanët e hasjanët, të cilët me një zjarrë anësor të fuqishëm, u shkaktuan humbje të rënda forcave serbe. Në këto rrethana, bateria e gjymtuar e topave malorë nuk mundi të zinte pozicione e të aktivizohej në luftime”.

Fitorja e kryengritësve shqiptarë në Lumë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kapja e Kullës së Lumës me luftime të përgjakshme shënonte pragun e fitores së betejës. Forcat shqiptare, në mbrëmjen e ditës së 17 nëntorit, pasi arritën të pozicionohen në vijën: Drini i Bardhë - Uki i Vjerrë – Gjegjën - Shpati perëndimor i Koretnikut - Bardhoc, sulmuan karvanin me qerre, me kafsh tërheqëse të mbeturinave serbe që tentonin të tërhiqeshin në drejtim të Prizrenit.

Në këto luftime të përgjakshme kur hordhitë barbare serbe vërtet patën humbje të mëdha në ushtarë e në materiale lufte, u martirizuan edhe shumë lumjanë, si: Halil Taci (Gjegja), Hamza Dema (Morinë), Hazir Mhola (Bicaj), Isuf Ramadani (Morina), Jemin Dema (Bardhoc), Halim Elezi (Ramhas), Jakup Tota (Barruç), Liman Çejku (Lusën), Ramadan Nerguti (Gjegjë), Rrahman Duraku (Morina), Selim Gërmizi (Bardhoc), Sinan Çejku (Lusën), Shaban Coka (Ujmisht), Shaqir Nerguti (Gjegjën), Zenel Nerguti (Gjegjën), Bajram Ramadani (Përbreg) e shumë të tjerë. Në Betejën te vendi i quajtur “Uki i Vjerrë” u plagos edhe udhëheqësi i moshuar lumjan Islam Spahia, i cili nuk iu nda luftës që nga Qafa e Kolesjanit e deri në Bardhoc.

Me luftën te „Uki i vjerrë“ mbaron seria e betejave të përgjakshme në Lumë, ku rezultoi me shkatërrimin e forcave serbe dhe dëbimin e atyre pak mbeturinave ( njësive serbe) deri afër Prizrenit. Humbjen e madhe të ushtrisë serbe, në Lumë më qartë e ka shprehur në kujtimet e veta Kosta Novakoviq, pjesëmarrës në ato luftime.

Novakoviq ka shkruar: ”Unë nuk do të zë në gojë detyrën e parë të repartit tonë të Lumës - çarmatimin e Lumës, që ai nuk arriti ta kryejë, kështu që në rastin tjetër do të kthehem në punën e tij dhe të komandantëve, punë të cilën e paguam me jetën e njerëzve, duke humbur shumë municione, ushqim dhe kafsh... pas disfatës së plotë në Lumë, pas katër netëve të pandërprera pa gjumë, pas tërheqjes nga pozita afër fshatit Bicaj, pas kalimit në ujë deri në brez, reparti i Lumës, i cili u përforcua edhe me një batalion, më 18 nëntor u detyrua të tërhiqet i shpartalluar e rraskapitur deri në pikën e fundit dhe mbërriti në fshatin Zhur, 8 km larg Prizrenit...”

Numri i të rënëve serbë në Luftën e Lumës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fakt duhet pranuar se numri i humbjeve serbe është vështirë të nxirret me saktësi. Siç është e njohur botërisht komandat serbe i fshihnin të dhënat e humbjeve në front dhe nuk i lejonin korrespondentët e huaj të shtypit aty,sa për të ruajtur imazhin e gënjeshtërt që përhapte sikur ushtria e saj “çlirimtare” po pritej krahëhapur kudo,ashtu edhe për të mënjanuar reagimin e familjeve të ushtarëve dhe të oficerëve të vrarë. Po edhe sot Serbia nuk i ka hapur arkivat e saj ushtarake për studiuesit shqiptarë,në përpjekje për të fshehur të vërtetat e masakrave të saj mbi shqiptarët e pambrojtur, po edhe humbjet e saj të rënda. Historiografia ushtarake serbe mezi ka pranuar si humbje në Lumë vetëm disa qindra ushtarë e oficerë të vrarë, kur vetëm njëri nga ushtarët e batalionit të tretë që luftoi në Bicaj, Novakoviç, ka shkruar se mbetën disa qindra. Sidoqoftë, sipas historianëve ushtarakë serbë në Lumë janë vrarë vetëm 198 ushtarë dhe plagosur 31 të tjerë ! Këto të dhëna,që sipas tyre janë nxjerrë nga arkivat e reparteve që vepruan në Lumë, janë të pabesueshme. Mjafton të themi se ata vetë kanë pohuar se regjimenti i 10 që luftoi në Bicaj të Lumës (b3 dhe b4 me 15 dhe 16 nëntor) kishte pësuar “humbje të mëdha”, madje kishte humbur edhe arkivin e tij. Në një telegram të administratës ushtarake osmane të datës 20 nëntor 1912, të dërguar nga Ohri në Elbasan thuhet se në luftë të rreptë, gjatë 24 orëve (është fillimi i betejës -S.O.) serbët në Lumë janë vrarë e shkatërruar keq, se janë në tërheqje,se u ishin vrarë 3 oficerë dhe “ushtarë pa numër”. Ky numër mund të konkretizohet, po të kemi parasysh se po në këtë telegram, një rresht më lart, thuhet se “ afro një mijë mauze serbi janë pushtue”,që sigurisht kanë qenë të ushtarëve që janë vrarë, pra afro njëmijë. Dhe telegrami vazhdon më tej “Lufta tani po vijon në Bicaj dhe shpresohet sigurisht që gjer në mbrëmje t’i pushtohen armikut topa, mitraloza dhe shumë armë”. Bicaj është epiqendra e betejës. Këtë e thonë edhe gazetarët serbë të kohës.

Në një telegram të Aqif Pashë Elbasanit drejtuar kryesisë së shtetit të pavarur shqiptar, më 2 dhjetor 1912, thuhet se Ahmet bej Mati i kishte thënë se lumjanët “nja gjashtë batalione serbe i paskan zhdukur”. Ai i referohet situatës së para datës 18 nëntor përderisa thotë se “një sasi tjetër ushtarësh,që mundën të shpëtojnë, e paskan dëbuar nga Luma”. Por ka edhe më shumë. Në një letër të nënkonsullit anglez nga Shkupi në fund të shkurtit 1913 thuhet se “Serbia ka humbur në Lumë tetë batalione”.

Në këtë sasi të vrarësh,prej gjashtë apo tetë batalionesh, mund dhe duhen llogaritur edhe të vrarët e reparteve të tjera të forcave serbe paramilitare që u futën në Lumë para datës 13 nëntor, të ashtuquajtur “vullnetarë”, të përberë nga banditë që kishin për detyrë të hapnin rrugën për trupat e rregullta. Kryeredaktori i gazetës së armatës së tretë serbe, Jasha Tomiç, në librin e tij “Lufta në Shqipëri dhe rreth Shkodrës”, botuar më 1913 në Novi Sad, informon për veprimin e këtyre forcave në Lumë,me një efektiv nga 70 deri ne 200 veta, njërën prej të cilave e komandonte ish-ministri i mbrojtjes së Malit të Zi, Gatallo. Veç numrit të paidentifikuar të këtyre çetave,që vepronin barbarisht, në Kosovë kishte edhe 7 regjimente me efektiva të thirrjes së tretë, gjoja për të siguruar qetësi në prapavija.

Janë padyshim më shumë se njëmijë ushtarë dhe oficerë serbë të vrarë, dhe po të mendojmë se për 24 orët e para ishin vrarë një mijë, duhet të jenë vrarë edhe aq, në mos më shumë gjatë tërheqjes së shpartalluar nga Bicaj te Kulla e Lumës (ku kishin humbur gjithë karrot dhe kuajt e mushkat) dhe goditjes së fortë nga ana e forcave shqiptare të dislokuara në Përbreg. Por edhe disa qindra të vrarë që pranon historiografia ushtarake serbe për trupat e veta në Lumë, janë jo vetëm një disfatë, por një katastrofë, që bëhet edhe më evidente po të krahasohet me humbjet e serbëve gjatë Luftës së Parë Ballkanike, kur në betejën e Kumanovës ( 23 -24 tetor 1912), ku morën pjesë 168 mijë trupa (111000 serbë dhe 58000 osmane), mbetën të vrarë nga të dy palët 1887 vetë (687 serbë dhe 1200 turq) .Por numri prej 12 mijë,15 mijë apo 18 mijë ushtarësh serbë të vrarë në Lumë, në nëntor 1912, që jepet në disa botime shqiptare, madje edhe në pllakën e lapidarit, që i kushtohet kësaj lufte, është i zmadhuar dhe jo real. Me të drejtë prof. Shefqet Hoxha e ka quajtur “ një shifër folklorike”. Kjo bëhet edhe më e kuptueshme, po të kemi parasysh se gjithë humbjet e ushtrisë serbe në Luftën e Parë Ballkanike janë llogaritur në 22 mijë veta. Serbia pati në Lumë edhe një katastrofë morale. “Shqiptarët e ‘egër’, ushtarët tanë të zënë robër i çarmatosin dhe i lëshojnë, kurse ushtria jonë ‘kulturuar’ e shekullit XX po i vret fëmijët e tyre.”-shkruante në shtypin e kohës Dimitrije Tucoviç. Shaban Braha, në librin e tij “Beteja e Drinit kundër agresionit serb,nëntor 1912”, informon për “lirimin e dorëzimin e 720 robërve të kapur në luftën Lumës”. Ky është një tregues tjetër i fitores morale të shqiptarëve kundër serbëve, më 1912.

Përjetësimi i Betejës së Lumës nga rapsodi popullor

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

==== Rapsodi popullor këtë ngjarje historike e përjetësoi edhe përmes vargjeve si: ”Ka hi serbi n´at´ Prizren, po i thot`Lumës: ”Liromë ven!” Nuk jam mbreti, po jam Luma, ´mushi gjiksin plot me plumba!” Kur vikati Islam Spahija: ”Bini djem, se shkoi Shqipnija!” “Bini djem-thrret Ramadani- bini djem se shkoi vatani!” Gryka e Shejës po rredh gjak, po i thotë Drinit: ”Ndihmomë pak, ndihmomë pak, n´dash me m´ndihmue, kllade t´mdhaja jam tuj çue”. Krajli i serbit ban: ”Medet, m´faroi Luma askerin krejt! ma faroi askerin e ngrat burrat me pushk`e gratë me spatë”. “Kadal, krajl u mlofsh me marre, dymdhetmi t`metën pa varre!” Djemt´e Lumës hiç s´kanë dert, ka ni luftë bajn´vjet për vjet, luft´ me krajl e luft´ me mbret...” (...)

“Hasi shpat e gur e kep vend për vend pushka kërset shkoj kukuja shpi për shpi I preu Hasi 3 mijë shkijë...” (...) “Krejt Opoja u mlu n`zi Prej Prizrenit ter n´Dri Tre ditë luftë e tre ditë zi u vranë shkije përmi tre mijë...” ====[1]

Përfundimisht, beteja dhe gjithë lufta e Lumës, në nëntor 1912, zë një vend të merituar në historinë ushtarake të Shqipërisë të periudhës së Pavarësisë. Luma, i ndaloi një javë forcat e Armatës III serbe në rajonin e Prizrenit për t’u riorganizuar,duke i dhënë kohë Ismail bej Vlorës për të mbërritur në Durrës para se të mbërrinin aty repartet e ushtrisë serbe (Vlorën e kishin bllokuar luftanijet greke). Kjo betejë,fama e saj, shkuan larg deri në Londër, duke e siguruar Lumën njëherë e përgjithmonë brenda kufirit të shtetit të ri shqiptar.

Të rënë në luftë kundër serbëve (nëntor 1912)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • 1. Abaz Zezi, Lojme, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 2. Adem Cena, Kalis, Qafë e Duhles;
  • 3. Adem Halili, Skavicë, Qafë e Kolesjanit;
  • 4. Ahmet Cen Xhahu, Gjegjën, Zabeli i Branesë;
  • 5. Ahmet Iljazi, Brekijë;
  • 6. Arif Allaraj, Topojan, Glloboçicë (Gorë);
  • 7. Avdi Hasan Avdia, Morinë, Bregu i Drinit (Morinë);
  • 8. Baftjar Tahiraj, Topojan, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 9. Bajram Istref Avdia, Morinë, Bregu i Drinit (Morinë);
  • 10. Bajram Isuf Nerguti, Gjegjën, Uki i Vjerrë (Bardhoc);
  • 11. Bajram Ramadani, Përbreg, Breglumë;
  • 12. Bal Musli Syla, Morinë, Hani i Balës;
  • 13. Baki Maliqi, Ujmisht, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 14. Bektash Gjoka, Ujmisht, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 15. Beqir Misin Syla, Morinë, Hani i Balës;
  • 16. Beqir Zyberi, Bicaj, Gjomç (Osmanaj);
  • 17. Brahim Allaraj, Topojan, Gjomç (Osmanaj);
  • 18. Brahim Zeqiri, Radomirë, Qafë e Kolesjanit;
  • 19. Cen Hajdin Xhahu, Gjegjën, Zabeli i Branesë;
  • 20. Demë Hasë Mica, Gjegjën, Uki i Vjerrë (Bardhoc);
  • 21. Demë Syla, Morinë, Hani i Balës;
  • 22. Dervish Trota, Shtiqën, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 23. Dil Fana, Topojan, Qafë e Duhles;
  • 24. Dostan Peposhi, Lusën, Qafë e Kolesjanit;
  • 25. Dullë Dema, Gostil, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 26. Elez Ramë Përzhita, Morinë, Bregu i Drinit (Morinë);
  • 27. Emërllah Ahmet Dida, Përbreg, Gjomç (Osmanaj);
  • 28. Esat Allaraj, Topojan, Glloboçicë (Gorë);
  • 29. Faruk Islamaj, Topojan, Qafë e Duhles;
  • 30. Fasli Brati, Bicaj, Bicaj;
  • 31. Feriz Ahmetaj, Topojan, Qafë e Kolesjanit;
  • 32. Hakik Dema, Bardhoc, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 33. Halil Ademaj, Bardhoc, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 34. Halil Krosi, Reç, Gjomç (Osmanaj);
  • 35. Halil Musallari, Topojan, Qafë e Duhles;
  • 36. Halil Taci, Gjegjën, Ara e Mehmetit (Bardhoc);
  • 37. Halim Shehu, Shtiqën, Livadhet e Gjata (Shtiqën);
  • 38. Halit Bilal Syla, Morinë, Hani i Balës;
  • 39. Hamdi Zyberaj, Topojan, Qafë e Duhles;
  • 40. Hamzë Dema, Morinë, Bregu i Drinit (Morinë);
  • 41. Hasan Çupi, Brekijë, Brekijë;
  • 42. Hasan Hajdari, Morinë, Hani i Balës;
  • 43. Hasan Shabani, Shtiqën, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 44. Hazir Mehmet Nërguti, Gjegjën, Uki i Vjerrë (Bardhoc);
  • 45. Hazir Mhola, Bicaj (Mhole), Uki i Vjerrë (Bardhoc);
  • 46. Idriz Bajraktari, Kalis, Qafë e Duhles;
  • 47. Idriz Demi, Ujmisht, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 48. Idriz Grosha, Bardhoc, Qafa e Zhurit;
  • 49. Idriz Istref Përzhita, Morinë, Qafa e Zhurit;
  • 50. Imer Selimi, Morinë, Hani i Balës;
  • 51. Islam Hazizi, Bicaj, Bicaj;
  • 52. Ismail Bajram Avdia, Morinë, Bregu i Drinit (Morinë);
  • 53. Ismail Neziri, Shtiqën, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 54. Isuf Ramadani, Morinë, Bregu i Drinit (Morinë);
  • 55. Jakup Tota, Barruç, Uki i Vjerrë (Bardhoc);
  • 56. Jashar Nuhia, Gostil, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 57. Jashar Shehu, Shtiqën, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 58. Jemin Dema, Bardhoc, Qafë e Bardhocit;
  • 59. Liman Çejku, Lusën, Uki i Vjerrë (Bardhoc);
  • 60. Mehmet Allaraj, Topojan, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 61. Mehmet Limani, Lojme, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 62. Metali Dautllari, Topojan, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 63. Mit'hat Ahmeti, Kalis, Gjomç;
  • 64. Muharrem Allaraj, Topojan, Gjomç;
  • 65. Muharrem Mema, Skavicë, Shtiqën;
  • 66. Mulla Musa, Zapod, Gurra e Shkozës;
  • 67. Mustafë Dogjani, Shtiqën, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 68. Mustafë Tahiraj, Topojan, Glloboçicë (Gorë);
  • 69. Myftar Tahiraj, Topojan, Glloboçicë (Gorë);
  • 70. Nexhip Dulla, Kolesjan, Qafë e Kolesjanit;
  • 71. Osman Emërllah Përzhita, Morinë, Bregu i Drinit (Morinë);
  • 72. Osman Sula, Kalis, Qafë e Duhles;
  • 73. Qazim Allaraj, Topojan, Glloboçicë (Gorë);
  • 74. Ramadan Nerguti, Gjegjën, Kepat e Drinit (Bardhoc);
  • 75. Ramadan Idriz Nerguti, Gjegjën, Ura e Gjegjënit;
  • 76. Ramadan Koldashi, Ujmisht, Bungajë (Kukës);
  • 77. Rasim Meta, Bicaj, Bicaj;
  • 78. Rexhë Taci, Gjegjën, Gjomç (Osmanaj);
  • 79. Rustem Shehu, Shtiqën, Rrihna (Shtiqën);
  • 80. Rrahman Duraku, Morinë, Bregu i Drinit (Morinë);
  • 81. Sadik Dautllari, Topojan, Qafë e Duhles;
  • 82. Sadik Karanxha, Topojan, Zhur;
  • 83. Sait Bajram Avdia, Morinë, Bregu i Drinit (Morinë);
  • 84. Sali Ukë Taci, Gjegjën, Uki i Vjerrë (Bardhoc);
  • 85. Selim Gërmizi, Bardhoc, Zalli i Bardhocit;
  • 86. Selman Nerguti, Gjegjën, Gjomç (Osmanaj);
  • 87. Selman Sali Syla, Morinë, Hani i Balës;
  • 88. Sinan Çejku, Lusën, Uki i Vjerrë (Bardhoc);
  • 89. Shaban Taka, Ujmisht, Uki i Vjerrë (Bardhoc);
  • 90. Shaqir Basha, Shishtavec, Bungajë (Kukës);
  • 91. Shaqir Dauti, Shtiqën, Udha Pukë (Shtiqën);
  • 92. Shaqir Islamaj, Topojan, Glloboçicë (Gorë);
  • 93. Shaqir Nerguti, Gjegjën, Linat e Ademajve (Bardhoc);
  • 94. Sheh Osmani, Bicaj, Bicaj;
  • 95. Sherif Koka, Kalis, Gjomç (Osmanaj);
  • 96. Sherif Rrahman Përzhita, Morinë, Qafa e Zhurit;
  • 07. Tafil Istrefi, Kalis, Qafë e Duhles;
  • 98. Tahir Smajli, Ujmisht, Botat e Kuqe (Gostil);
  • 99. Xhemë Hajdini, Gjegjën, Pikëllimë (Koritnik);
  • 100. Xhemë Isen Syla, Morinë, Hani i Balës;
  • 101. Zaim Hamza(Zaimi), Topojan, Qafë e Duhles;
  • 102. Zenel Haziri, Gostil, Gurra e Shkozës;
  • 103. Zenel Mema, Skavicë, Bungajë (Kukës);
  • 104. Zenel Nerguti, Gjegjën, Gjegjën;
  • 105-106. Vëllezërit Rate, Kolesjan, Qafa e Kolesjanit;
  • 107. Djali i Ramadan Rexhepit, Bardhoc, Hani i Balës;
  • 108. Vajza e Beqir Misinit, Morinë, Hani i Balës.

Referimet dhe Lidhjet e jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ "Kenge popullore". Rapsodi. {{cite news}}: |access-date= ka nevojë për |url= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)