Jump to content

Rrëqebulli ballkanik

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Lynx lynx balcanicus)

Rrëqebulli ballkanik
Statusi i ruajtjes
Klasifikimi shkencor e
Mbretëria: Animalia
Filumi: Chordata
Klasa: Mammalia
Rendi: Carnivora
Nënrendi: Feliformia
Familja: Felidae
Nënfamija: Felinae
Gjinia: Lynx
Lloji:
Nënlloji:
L. l. martinoi
Emri trinomial
Lynx lynx martinoi
Miric, 1978

Rrëqebulli ballkanik (latinisht: Lynx lynx martinoi ose Lynx lynx balcanicus) është një nënlloj i llojit të rrëqebullit evroaziatik në gjininë e rrëqebullit.[1] Haset më së shpeshti në lindje dhe në veri të Shqipërisë[2] dhe në perëndim të Maqedonisë, dhe ka një pakicë shumë të vogël edhe në Kosovë dhe Mal të Zi.[3][4]

Rrëqebulli i Ballkanit ka një pamje të jashtme si të gjithë pjesëtarët e tjerë të gjinisë Lynx. Madhësia trupore është pak më e vogël se ajo e rrëqebullit të Eurazisë. Është një mace me këmbë të gjata dhe robuste. Gëzofi është i verdhërremë-murrmë në verë, më i zbehtë në dimër, shumë laraman në këmbë, por me më pak lara mbi shpinë. Njollat mund të jenë të zbehta dhe të bashkuara në një formë pothuajse të rozetës, duke dhënë përshtypjen e të qenurit të mëdha; ato variojnë në madhësi, formë dhe intensitetin e ngjyrës. Kafshët kanë një kokë relativisht të vogël, këmbë të gjata, dhe një bisht shumë të shkurtër me majë të zezë. Fytyra e tyre është e shkurtër dhe e rrumbullakët, me një “mjekër” karakteristike në të dyja anët, që spikat veçanërisht te adultët, dhe veshët trekëndorë mbarojnë me një xhufkë të zezë. Këmbët janë të gjera (afro 10 cm), dhe gishtat e këmbës fshehin kthetra që mund të futen përbrenda (artilie). Gjatësia e kokës dhe trupit 80–130 cm. Gjatësia e bishtit 11–25 cm. Gjatësia e këmbës së pasme 19-22.5 cm. Lartësia në supe 60–75 cm. Pesha 18–25 kg.[5]

Rrëqebulli në Ballkan është mjaft selektiv dhe i varur nga lepujt (Lepus europaeus), brejtësit, kaprojtë (Capreolus capreolus), në mënyrë të veçantë nga të vegjlit e kaprollit, dhisë së egër (Rupicapra rupicapra), derrit të egër (Sus scrofa), si dhe shpendët pulorë (p.sh pulat e stepës, gjeli egër (Tetrao urogallus), thëllëzat (Alectoris graeca). Në Zvicër ushqehet kryesisht me kaproj të ndjekur nga dhitë e egra, të cilat së bashku përbëjnë rreth 85% të ushqimit të tij. Njëthundrakët shtëpiakë, të tilla si delet dhe dhitë, janë gjithashtu pjesë e dietës së rrëqebullit në Shqipëri, pikërisht për faktin se gjahu natyror për rrëqebullin është zvogëluar shumë në vend gjatë dekadave të fundit.[6]

Biologjia riprodhuese e rrëqebullit të Ballkanit ende nuk njihet mirë. Çiftimi ndodh në periudhën janar-Mars, lindja e të vegjëlve në maj-qershor. Megjithatë, kur femrat nuk gjejnë një çiftëzues ose nuk mbeten shtatzanë, kur shtatzania ndërpritet, ose kur këlyshët ngordhin në një stad të hershëm, femrat mund të vijnë përsëri në estrus, kështu që mund të kemi lindje në çdo kohë të vitit. Meshkujt e arrijnë pjekurinë seksuale në moshën 30 muajsh, kurse femrat në moshën 22 muajsh. Shtatzania zgjat 74 ditë. Numri i këlyshëve është 1-5 (zakonisht 2-3). Në shumicën e rasteve vetëm dy pasardhës i mbijetojnë ndërprerjes së gjirit. Të vegjlit qëndrojnë në strofullën e lindjes dy deri në katër javë. Pastaj, femrat i zhvendosin të vegjlit në strofullat ndihmëse. Kur bëhen katër javësh ata fillojnë të hanë pak mish gjahu që nëna u ka sjellë në strofull. Në moshën katër mujore të vegjlit dalin me nënat e tyre dhe zhvillojnë aftësitë për të gjuajtur. Kur arrijnë në moshën gjashtë mujore, ata ende kalojnë 60 % të kohës së tyre me nënën. Të rinjtë qëndrojnë me nënën e tyre për rreth 12 muaj, dhe më pas ata jetojnë në mënyrë të pavarur në territorin e tyre të lindjes.[7]

Të dhënat tregojnë se rrëqebulli më i vjetër në jetën e egër arrin moshën 15 vjeçare, kurse në kushtet e mbajtjes në kafaz mund të jetojë deri në 17 vjet.

Përhapja në Shqipëri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Jeton kryesisht në pyjet e larta malore të zonave veriore dhe lindore të Shqipërisë, në vende me ndikim të vogël njerëzor. Nga të dhënat e deritanishme, mendohet se në Shqipëri jetojnë jo më shumë se 20-25 individë rrëqebujsh. Gjithashtu në Shqipëri rrëqebulli ka pasur një rënie, që ka përfshirë një humbje prej rreth 60 % të territorit të shtrirjes midis viteve 1950 dhe 2006, që ilustron shpejtësinë e zhdukjes së llojit.

Përhapja në Ballkan

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Është vështirë të dihet se ku dhe sa rrëqebuj jetojnë sot në Ballkan. Ndoshta pengesa kryesore në hartimin e një plani të ruajtjes vjen nga kufizimet metodologjike për të monitoruar përhapjen dhe tendencën e popullatës. Megjithatë është e qartë ka pasur një rënie të shpejtë kudo në territorin e shtrirjes së llojit, dhe kjo gjë ka qenë një tendencë që ka zgjatur për një kohë të gjatë. Sllovenia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, dhe Greqia e kanë humbur rrëqebullin e tyre autokton të Ballkanit, ndërsa disa introduktime të rrëqebullit të Karpateve janë bërë në Slloveni dhe Kroaci. Të dhënat për invadimin e rrëqebullit të Karpateve nga veriu i Ballkanit (Kroacia dhe Serbia) drejt jug-perëndimit të Ballkanit janë duke rrezikuar popullatat autoktone ekzistuese të rrëqebullit të Ballkanit, duke i detyruar të jetojnë sot vetëm në disa pjesë të vogla të Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Shpërndarja aktuale e rrëqebullit të Ballkanit është e fragmentuar dhe e rrezikuar.

Rrëqebulli nuk ka armiq natyrorë. Ai kërcënohet kryesisht nga veprimtaria e njeriut.[8] Rreziqet më kryesore janë: gjuetia e paligjshme, shkatërrimi i habitatit të tij, pakësimi i gjahut (kaproll, dhi e egër), popullata e vogël, si dhe kapaciteti i vogël riprodhues. Peisazhet e shndërruara dhe shumë të degraduara nuk janë të përshtatshme për riprodhimin e rrëqebullit, por lejojnë shpërndarjen/lëvizjen e rrëqebullit. Modifikimet e mëtejshme në këto habitate mund të pengojnë lëvizjet e rrëqebullit, të rritin vdekshmërinë e individëve në lëvizje, dhe të reduktojnë ose pengojnë emigrimin midis popullatave fqinje të rrëqebullit.[9]

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Faunës së Egër (Nr. 10 006 / 2008) dhe Ligjit për Gjuetinë (Nr. 10 253 / 2010), rrëqebulli është një lloj plotësisht i mbrojtur dhe gjuetia e tij ndalohet rreptësisht. Rrëqebulli ka mbrojtje të plotë ligjore në vend që prej vitit 1969. Ai klasifikohet në Listën e Kuqe të Shqipërisë (Urdhër nr. 146 /2007) me statusin CR (i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje). Rrëqebulli mbrohet edhe nga disa konventa ndërkombëtare, të cilat janë ratifikuar nga Republika e Shqipërisë, si Konventa e Bernës dhe Konventa Ndërkombëtare për Tregtinë e Specieve në Rrezik (CITES).[10]

ERISILDA==

  1. ^ Lynx lynx martinoi. ION: Index to Organism Names. Organismnames.com. Retrieved on 2012-12-31
  2. ^ "Zbulohet rrëqebulli i parë i Ballkanit në Shqipëri". lajme.gen.al (në alb). Arkivuar nga origjinali më 5 mars 2016. Marrë më 16 tetor 2014.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  3. ^ "IUCN/SSC - Cat Specialist Group - Balkan Lynx Compendium". catsg.org (në alb). Marrë më 10 maj 2014. A fragmented population of probably less than 50 individuals remains in western Macedonia and eastern Albania.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  4. ^ "Balkan Lynx Recovery Programme 2006-2009". archive.org (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 27 nëntor 2015. Marrë më 28 maj 2014. The present population of the Balkan lynx - described as an own subspecies Lynx lynx martinoi - is estimated to be less than 100 individuals which are distributed in Macedonia, Albania, Montenegro and Kosovo.
  5. ^ "Plan Veprimi për Rrëqebullin" (PDF). mjedisi.gov.al (në alb). Marrë më 16 tetor 2014.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  6. ^ "Plan Veprimi për Rrëqebullin" (PDF). mjedisi.gov.al (në alb). Marrë më 16 tetor 2014.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  7. ^ "Plan Veprimi për Rrëqebullin" (PDF). mjedisi.gov.al (në alb). Marrë më 16 tetor 2014.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  8. ^ "Njeriu rreziku i rrëqebullit" (PDF). catsg.org (në alb). Marrë më 16 tetor 2014.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  9. ^ "Kërcënimet, faktorët kufizues dhe pengesat për ruajtjen" (PDF). mjedisi.gov.al (në alb). Marrë më 16 tetor 2014.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  10. ^ "Statusi ligjor" (PDF). catsg.org (në alb). Marrë më 16 tetor 2014.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]