Jump to content

Mbretëresha e dëborës (film)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Mbretëresha e Dëborës)
Mbretëresha e dëborës
Logoja e filmit
Regjia ngaChris Buck
Jennifer Lee
Shkruar ngaChris Buck
Jennifer Lee
Shane Morris
Bazuar nëMbretëresha e dëborës nga Hans Christian Andersen
ProdhuesiPeter Del Vecho
LuajnëKristen Bell
Idina Menzel
Jonathan Groff
Josh Gad
Santino Fontana
KinematografiaJennifer Lee
MontazhiJeff Draheim
MuzikaChristophe Beck

Kompanitë prodhuese
Shpërndarë ngaWalt Disney Studios Motion Pictures
Data e publikimit
27 nëntor 2013 (SHBA)
12 dhjetor 2013 (Shqipëri)
Kohëzgjatja
102 minuta
ShtetiShtetet e Bashkuara të Amerikës
GjuhaAnglisht
Buxheti150 milionë dollarë
Fitimi1.280 miliardë dollarë

Mbretëresha e dëborës (titulli origjinal: Frozen) është një film i animuar 3D, prodhuar nga Walt Disney Animation Studios dhe shpërndarë nga Walt Disney Pictures.[1] Është filmi i 53-të i animuar nga kompania e Walt Disney, i inspiruar nga përralla "Mbretëresha e dëborës" nga Hans Christian Andersen.[2] Shumë kritikë filmash e konsiderojnë Frozen si filmin më të mirë të animuar nga Disney që prej atyre të periudhës së renesancës. Filmi pati një sukses shumë të madh edhe në treg; grumbulloi afro 1.3 miliardë dollarë nga fitimet botërore, që e bën atë filmin me fitimet më të larta të të gjitha kohërave, njëkohësisht dhe më të shiturin.[3][4]

Elsa, princesha e Arendelës, zotëron fuqi magjike me të cilat mund të krijojë apo kontrollojë akullin dhe dëborën. Një natë, ajo pa dashje plagos motrën e saj të vogël, Anën, gjersa ato po luanin. Prindërit e tyre të tronditur, mbreti dhe mbretëresha, kërkojnë ndihmë nga mbreti troll, i cili e shëron Anën dhe i'a largon kujtimet për magjitë e Elsës. Ata i izolojnë fëmijët e tyre në kështjellë, derisa Elsa të mësojë t'i kontrollojë fuqitë e saj magjike. E frikësuar mos lëndon Anën përsëri, Elsa kalon shumicën e kohës së saj e vetme në dhomë, dhe gjersa ato rriten, ndahen gjithnjë e më tepër nga njëra-tjetra, ndërkaq prindërit e tyre vdesin në det gjatë një stuhie.

Kur Elsa mbush moshën, e gjithë mbretëria fillon përgatitjet për ditën e kurorëzimit. Në mesin e të ftuarve, është edhe Duka i Ueselltonit, i cili synon ta shfrytëzojë Arendelën për përfitime personale. Princeshë Ana, e emocionuar që i lejohet të dalë jashtë kështjellës, eksploron qytetin dhe takon Princin Hans nga Ishujt Jugorë, të cilët menjëherë krijojnë një simpati mes vete. Pavarësisht brengosjes së Elsës, kurorëzimi i saj kalon pa ndonjë incident. Gjatë gostisë, Hansi i propozon Anës për martesë, e cila pranon menjëherë. Mirëpo Elsa refuzon të japë bekimin e saj dhe ndalon martesën e tyre të befasishme. Dy motrat fjalosen, dhe nga zemërimi, Elsa çliron fuqitë e saj para të gjithë të pranishmëve.

E mbërthyer nga paniku, Elsa largohet nga kështjella duke lëshuar nga pas një dimër të përjetshëm në mbretëri. Lart mbi male, ajo lë vetëpërmbajtjen e saj, betohet se nuk do kthehet më kurrë dhe ndërton një kështjellë akulli të vetmuar. Ndërkohë, Ana niset për ta kërkuar atë, ta kthejë sërish në Arendel dhe ta ndalojë dimrin. Gjatë udhëtimit, Ana takon një shitës akulli të quajtur Kristof dhe drerin e tij Sven dhe e bindë atë që ta shoqërojë deri në Malin e Veriut. Gjatë rrugës, grupi takohet me Olafin, një plak dëbore që Ana dhe Elsa e kishin ndërtuar në fëmijëri.

Ana dhe Elsa bashkohen përsëri, por Elsa akoma frikësohet mos e lëndon atë. Kur Ana insiston që Elsa të kthehet, ajo aksidentalisht sulmon Anën duke e goditur në zemër me fuqitë e saj. E tmerruar, Elsa i detyron Anën, Kristofin dhe Olafin të largohen duke krijuar një krijesë gjigante, që i ndjek ata jashtë pallatit. Gjersa ata largohen, Kristofi vëren se flokët e Anës po zbardheshin dhe mendon se diçka nuk shkon. Ai kërkon ndihmë nga trollët, familja adoptuese e tij, të cilët sqarojnë se si zemra e Anës është ngrirë nga Elsa dhe vetëm një "akt i dashurisë së vërtetë" mund ta shkrijë, përndryshe ajo do kthehet në gur të ngrirë përgjithmonë. Duke menduar se vetëm Hansi mund ta shpëtojë atë përmes puthjes së dashurisë së vërtetë, Kristofi e kthen përsëri në Arendel.

Ndërkohë, Hansi arrin ta gjejë pallatin e Elsës. Gjatë betejës kundër ushtarëve të Dukës, Elsa humbë ndjenjat nga një llambadar që i bie dhe burgoset në Arendel. Atje, Hansi i kërkon Elsës që ta largojë dimrin, por ajo ia pranon që nuk mundet. Kur Ana bashkohet me Hansin dhe i lutet atij që ta puthë për ta thyer mallkimin, Hansi refuzon dhe demaskohet para saj, duke i thënë se qëllimi i vërtetë i martesës ishte që ta merrte fronin mbretëror.

Elsa arratiset drejt stuhisë në fjord. Ndërkaq, Olafi zbulon se Kristofi është në dashuri me Anën dhe të dy drejtohen për në fjord për ta gjetur atë. Hansi përballet me Elsën, duke i thënë se Ana ka vdekur për shkak të saj. Për shkak të dëshpërimit të Elsës, stuhia ndalon, dhe kështu Kristofit dhe Anës u jepet mundësi për ta gjetur vendndodhjen e njëri-tjetrit. Megjithatë, Ana e sheh Hansin duke u përpjekur ta vrasë Elsën, dhe futet në mes për ta shpëtuar. Në atë çast ajo ngrin dhe kështu bllokon sulmin e Hansit.

Në çastin kur Elsa fillon të vajtojë të motrën, Ana fillon të shkrijë, pasiqë vendimi i saj për ta sakrifikuar veten për ta shpëtuar të motrën formon "aktin e dashurisë së vërtetë". Elsa kupton se dashuria është çelësi për të kontrolluar fuqitë e saj, sjell verën në mbretëri dhe bën që Olafi të mund të mbijetojë në verë. Hansi dëbohet për në Ishujt Jugorë për shkak të krimeve që ka kryer ndaj familjes mbretërore të Arendelës, dhe Elsa ndalon tregtinë me Dukën e Ueselltonit. Dy motrat pajtohen sërish dhe Elsa premton se portat e kështjellës nuk do të mbyllen më kurrë.

Roli Zëri në origjinal Dubluar në shqip
Ana Kristen Bell Klodiana Keco
Alma Koleci (këngë)
Elsa Idina Menzel Suela Xhonuzi
Antonela Çekixhi (këngë)
Kristofi Jonathan Groff Genti Deçka
Olafi Josh Gad Ilir Muhametaj
Hansi Santino Fontana Ilir Kazaferi
Alfred Meço (këngë)
Duka i Ueselltonit Alan Tudyk Xhelil Aliu
Pabi Ciarán Hinds Gëzim Rudi

Më 13 mars 2015, u dha premiera e filmit me metrazh të shkurtër, Frozen Fever së bashku me filmin Hirushja.[5] Më 12 mars, 2015, është bërë i ditur lajmi se kanë filluar punimet për pjesën e dytë Frozen 2, ku Buck dhe Lee rikthehen si regjisorë dhe Peter Del Velcho si producent, por data e lëshimit nuk është zbuluar ende.[6]

  1. ^ "World of Color – Winter Dreams". PR Newswire (në anglisht). 27 korrik 2013. Marrë më 27 korrik 2013.
  2. ^ http://www.nytimes.com/2013/11/27/movies/disneys-frozen-a-makeover-of-the-snow-queen.html?_r=0
  3. ^ http://www.the-numbers.com/alltime-bluray-sales-chart
  4. ^ "Disney's "Frozen" Premiere Turns L.A. Into a Winter Wonderland". The Hollywood Reporter (në anglisht). 19 nëntor 2013. Marrë më 20 nëntor 2013.
  5. ^ http://variety.com/2014/film/news/frozen-fever-short-to-debut-in-front-of-disney-cinderella-1201369889/
  6. ^ http://variety.com/2015/film/news/disney-announces-frozen-2-1201451480/

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]