Jump to content

Myzeqeja

Coordinates: 40°33′N 19°24′E / 40.55°N 19.40°E / 40.55; 19.40
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Myzeqe)

40°33′N 19°24′E / 40.55°N 19.40°E / 40.55; 19.40

Nje nga veshjet e myzeqese

Fusha e Myzeqesë (në lashtësi Gylakea dhe më vonë Fusha e Savrës ose Fusha Ilirike) është krahinë në Shqipëri. Treva e Myzeqesë së Madhe shtrihet nga jugu me lumin Seman, nga veriu me lumin Shkumbin, nga lindja fillon me kodrat e Daresisë dhe në perëndim me detin Adriatik, ku gjenden komunat e Libofshës dhe Divjakës. Ajo përfshin një popullsi prej afro 200 mije banorësh.

Fusha e Myzeqesë në lashtësi quhej Gylakea, sipas emrit të komandantit grek që pushtoi Apoloninë dhe më vonë, në lashtësinë e vonë dhe Mesjetën e hershme quhej Fusha e Savrës (Saura).[1] Më vonë mori emrin e sotëm Myzeqe nga familja fisnike të Muzakajve, e cila ka qenë sundimtare e kësaj krahine gjatë shekujve të XIV dhe XV.[1] Lidhja e Muzakajve me emrin Myzeqe mbështetet te një dokument venedikas i 28 prillit 1412, ku emri i kësaj fushe është Muzakia. Ky toponim, ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri, arriti deri në ditët tona në saj të autoritetit dhe ndikimit që ka pasur familja princërore e Muzakajve, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm ekonomik gjatë mesjetës. Edhe në një dokument tjetër venedikas të 13 qershorit të vitit 1382 përmendet për herë të parë Kulla e Pirgut në jug të Karavastasë. Ishte Nikolla Muzaka ai, që e pa të nevojshme ndërtimin e një fortifikimi të tillë për të mbrojtur skelën lumore me të njëjtin emër, Skela e Pirgut të Myzeqesë.

Në territorin e saj gjarpëronte rruga më e gjatë dhe e lashtësisë, rruga Egnatia, së bashku me degën jugore të saj. Në këto qytete kanë jetuar ilirët taulantë dhe parthinë. Në Myzeqe u rrit Pirrua i Epirit. Ka studiuar perandori August Oktaviani si dhe kanë qëndruar ciceronë të shquar të Romës, kanë marshuar e luftuar burra si Filipi i V, konsulli romak Sulpici, gjeneralë, si Pompeu e Jul Qezari.

Në periudhën e sundimit të gjatë sllavUroshit të II, kjo fushë njihet me emrin Fusha e Savrës. Bregdeti quhej "slanica" (kripore) dhe kryeqendër ka qenë Bashtova me kështjellën e saj veneciane. Kujtojmë se kjo kështjellë në mesjetë gjendej në të majtë të lumit Shkumbin. Kur ky lum ndryshoi drejtimin e derdhjes, kështjella dhe disa fshatra të Myzeqesë mbetën në anën e djathtë të lumit dhe sot e kësaj dite janë nën juridiksionin e Kavajës. Nëpërmjet skelës lumore të pirgut në ato kohë eksportohej drithë në drejtim të Raguzës nga anijet e huaja dhe ato të sundimtarëve vendas.

Në mesjetë në Myzeqe, marshuan, ngritën kampin dhe luftuan ushtritë e Bizantit, të gjermanit Manfred Hohenshtaufenit, të Normanëve. Më vonë Myzeqenë e shkeli ushtria e Karlit I Anzhu. Më 1336 në Despotatin e Beratit do të shkelte për herë të parë këmba e ushtarit turke. Në kohën moderne, në Myzeqe (në Portëz) u krijua më 1835 “Besëlidhja e Portëzës”, vendimet e së cilës ishin me karakter autonomist dhe shtet-formues. Po në Myzeqe (Fier) erdhi dhe bisedoi Avdyl Frashëri, i cili gjeti një mbështetje të sinqertë nga populli dhe paria e Fierit (Familja Vrioni) për Lidhjen e Prizrenit.

Në Fier më 7 gusht 1912 nën drejtimin e Ismail Qemalit u mbajt Kuvendi i Fierit, ku morën pjesë 300-burra, gjithë paria patriotike dhe komandantët e çetave të Toskërisë, duke filluar nga Tetova e deri në Janinë. Prej këtij Kuvendi, Ismail beu mori rrugën për në Stamboll dhe nëpër kancelaritë e Europës. Po nëpërmjet Rrugës së Karatoprakut, që kalonte në pjerrësitë perëndimore të kodrave të Ardenicës, kaloi burri i pavarësisë, Ismail Qemali në Nëntor 1912.

Në dimrin e vitit 1913, në zonën Grizë dhe Libofshë u përqendrua gjithë Armata Turke e Vardarit, e cila në prill të atij viti, u imbarkua në Portin e Semanit drejt Turqisë.

Origjina e emrit Myzeqe

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në përshkrimin që i kanë bërë ngjarjeve dhe vetë kësaj treve, e kanë quajtur me emra të ndryshëm por në të shumtën e rasteve dominon emri “Myzeqe”. Në vitin 620 para krishtit 200-kolonë (fshatarë grek) me në krye të dëbuarin Gylak, të ardhur nga tre fshatra greke, u lejuan të futeshin në Apoloninë ilire. Këta kolonë fshatarë u përpoqën që fushës së bukur të Myzeqesë t’i jepnin emrin e Gylakut. Ata e quajtën Gylakion Pedion (Fusha e Gylakut). Herodoti (484-425 p.Kr) e quan fushën e Myzeqesë si Fusha e Apolonisë.

Autorja bizantine, Ana Komnena në shekullin e XII, e quante Myzeqenë fushë ilirike. Përcaktimi i fushës “Ilirike” është një dëshmi shumë interesante. Ky përcaktim (ilirike) tregon se kjo trevë deri në këtë kohë ruan vazhdimësinë e etnisë ilirë jo vetëm si popull, por dhe si emërtim, kur pjesë të tjera të vendit kishin kaluar nën emërtimin “arbëri” apo Principata e Arbërit.

Madje, me emërtimin etnik “Ilire”, e quan Myzeqenë dhe albanologu i shquar, Johan Georg Von Han. Duke folur për këtë krahinë, Hani thekson se Myzeqeja është fusha e Ilirisë jugore dhe e quan atë, një Lombardi të egër. Një dokument venedikas i vitit 1412, përmend“ kështjella e Pirgut të Myzeqesë” (castrum Pirgi de Musachia). Ky dokument, jo vetëm na dokumenton emrin “Myzeqe”, por na dëshmon se në Pirg ka patur kështjellë. Milan Shuflai emrin “Musachia” e lidhte me familjen princërore Muzakaj, të cilët ishin zotër të kësaj krahine.

Një informacion mbi emrin “Myzeqeja” na vjen dhe nga një dokument raguzian. Kështu ky dokument i vitit 1417, përmend “Via de Musachia” Në mesjetë Myzeqeja quhej “Savra”. Këtë e pohon Barleti, kur flet për betejën midis Karl Topisë dhe Balshës II e quan fushën “planicies saura” afër Beratit. Por një dokument Venedikas i vitit 1570 përputh emrin “Savra” me emrin “Musachia”, ku shkruhet: “spatiose pianuredella savra la quale in un altro nome si dice Musachia”. Një mendim për emrin e Myzeqesë na vjen dhe nga Gjon Muzaka. Ky princ në kronikën e shtëpisë Muzaka shkruar në Itali më 1510, shkruan: “Myzeqeja në kohët e vjetra banohej nga popujt Molosë, nga ku u quajt Molosia, dhe meqenëse ne kemi qenë gjithnjë zot të këtij vendi, morëm mbiemrin Molosaku, por fjala Molosia u deformua dhe u bë Myzeqe, që në shqip thuhet Muzakiti” Zef Jubani hedh mendimin se emri Myzeqe vjen nga emri “Muzika”. Ai shkruan: “nuk ka dyshim, pra se shqiptarët, në përgjithësi janë të pajisur me ndjenjën e muzës dhe të melodisë.

Filozofët tanë të vjetër zbuluan praninë e saj dhe prandaj i kushtuan perëndisë së muzikës qytetin e Pojanit, tash i rrënuar mbi brigjet e Adriatikut, dhe e ngritën për të qenë si mësim dhe si model për kombin e vet dhe për popujt e huaj. Banorët e atyre vendeve mbajnë ende me vete emrin myzeqar, që don me thanë, njerëz të prirun kah muzika, të cilët i përgjigjen edhe sot me fakte këtij atributi tradicional. Kur shpirti i tyre tronditet nga misticizmi i muzës, shihen si të dehun e të lëkundur deri në ekstazë dhe, atëherë, shihet çasti në të cilën improvizojnë kangë simbas shijes kombëtare, me koncepte të madhnueshme dhe të jashtëzakonshme, tue ua përshtat melodinë e ambël dhe prekëse në mënyrë origjinale. Në këtë pikëpamje, kangët e Shqipnisë së mesme ose ato të Myzeqesë, janë më të mirat dhe ma të kërkuemet e këtij kombi”.

Kurse Eduard Lir e quan fushën e Myzeqesë, fusha e Apolonisë. Ai më 17 tetor 1848 ndaloi në Manastirin e Ardenicës. Eduart Lir ishte poet dhe piktor anglez. Për Ardenicën, nusen e bukur të Myzeqesë, ai shkroi: “ Ardenica ishte vërtet e mrekullueshme….prej andej dukej gjithë bota. Në veri humbisnin në mjegull malet e Shkodrës, Krujës e Tiranës. Në lindje, fare pranë, ngrihej hijerëndë Tomori. Në jug shtrihej fusha e Apolonisë e valëzuar nga kodra të buta e ndërsa në perëndim shkëlqen deti”.

Ndërsa sipas albanologut rumun Nikolla Jorga, emri Myzeqe vjen vjen nga fjala muzg.

  1. ^ a b Petraq Dhana (gusht 2010). Arsimi Dhe Kultura Ne Myzeqe (1912 - 1990). Lulu.com. fq. 30–. ISBN 978-0-557-58307-2. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)