Shko te përmbajtja

Perandoria Osmane në shek. XVII-XVIII

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Anglia, e udhëhequr nga qëllimet e saj në luftën kundër shteteve të tjera evropiane, filloi të mbështesë shtetin osman dhe të ndikojë në politikën e tij të jashtme. Në sajë të ndihmës së angleze, osmanët në vitin 1645 morën nga venecianët Kretën, një qendër e rëndësishme tregtare në Mesdhe.

Perandoria Osmane në shekullin e XVII

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në mesin e shekullit të XVII, gjendja ndërkombëtare e Perandorisë Osmane u përkeqësua. Në mbarim të luftës 30-vjeçare (1689) në Evropë ndodhën një varg ndryshimesh të mëdha. Franca kërkonte të mbizotëronte në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Austria, humbjet në perëndim donte t’i kompensonte në lindje, duke i marrë shtetit osman tokat hungareze. Rusia kërkonte Ukrainën, për të cilën ishte interesuar edhe Polonia.

Në vitet '70shekullit të XVII, shteti osman zhvilloi një luftë të gjatë me Poloninë. Kjo e fundit u ndihmua nga Rusia. Sulltani u detyrua t’i lëshojë Polonisë afro 2/3 e territorit të Ukrainës, kurse Rusisë, Kievin e bregun e majtë të Ukrainës.

Lufta Osmano-Austriake

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Luftën më të gjatë, shteti osman e zhvilloi me Austrinë. Lufta filloi në vitin 1683. Pretekst ishte përkrahja që i bëri Austria grupit kundërosman. Ushtria osmane arrinte mbi 170.000 veta, kurse ushtria austro-polake deri 63,000 veta. Në ushtrinë osmane ishin marrë me forcë persona që nuk kishin kapur armë me dorë: si shërbëtorë, zejtarë, tregtarë etj. Ushtria osmane me në krye sulltan Mehmetin IV dhe vezirin e madh, Kara Mustafa Pashën, hynë në territoret hungareze që ndodheshin nën Austrinë. Sulltani synonte të merrte Vjenën.

Rrethimi i Vjenës zgjati dy muaj. Atë e mbronin 13,000 veta si zejtarë, studentë, banorë të tjerë e fshatarë të krahinave përreth. Ndonëse nuk ishin të armatosur mirë, ata i qëndruan ushtrisë osmane. Gjatë sulmeve për pushtimin e Vjenës, sulltani humbi pothuajse 1/4 e ushtrisë. Më 12 shator ushtria osmane u sulmua edhe nga një ushtri prej 25,000 vetësh, e përbërë nga polakë, ukrainas dhe kozakë, e komanduar nga mbreti polak Jan Sobeski.

Vendet pjesmarrëse në Lidhjen e Shenjtë

Të vënë midis dy zjarreve, osmanët pësuan disfatë, duke lënë 20,000 të vrarë dhe 3000 topa. Veziri i Madh mezi shpëtoi kokën dhe u tërhoq në Beograd. Atje u ekzekutua me urdhrin e sulltanit. Mbreti polak ndoqi ushtrinë gjatë tërheqjes dhe e theu atë edhe një herë në Brigjet e Danubit. Kjo disfatë e ushtrisë osmane ngjjalli shpresa për dëbimin e osmanëve nga Evropa. Por realizimi i kësaj kërkonte bashkimin e forcave të disa sheteteve.

Lidhja e Shenjtë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për këtë arsye, në vitin 1684 u krijua një koalicion kundërosman me emrin Lidhja e Shenjtë. Në koalicion merrnin pjesë Austria, Polonia, Venediku, Malta dhe pas dy vjetësh hyri edhe Rusia.

Gjendja e shtetit osman ishte keqësuar edhe më shumë. Në letër ushtria osmane llogaritej rreth 300 000 veta, kurse në të vërtetë nuk i kalonte të 160 000 vetat. Përsa i përket armatimit dhe stërvitjes së ushtarakëve, kishte të meta të mëdha. Më e keqe ishte gjendja e spahinjve. Forcat e Lidhjes së Shenjtë e filluan luftën në vitin 1686.

Ushtritë austriake morën Budën që kishte 160 vjet që ndodhej në duart e osmanëve, thyen në Mohaç ushtrinë osmane, në vendin ku më 1526 u vendos fati i Hungarisë dhe pushtuan Beogradin; në Vidin pranë Danubit, u thye flota osmane. Në përparimin e shpejtë të ushtrisë austriake, ndikoi edhe qëndrimi i ushtrisë osmane. Jeniçerët dhe një pjesë e ushtarëve të kategorive të tjera u rebeluan, braktisën frontin dhe u kthyen në Stamboll. Ushtria veneciane u hodh në sulm në More dhe në Dalmaci. Brenda një kohe të shkurtër në duart e venecianëve ra gjithë Morea.

Në suksesin e forcave të Lidhjes së Shenjtë ndikoi dhe lufta çlirimtare e popujve të Ballkanit për të flakur zgjedhën osmane. U ngritën serbë, bullgarë, grekë dhe shqiptarë. Ata iu përgjigjën thirrjes së perandorit austriak për të luftuar kundër osmanëve. Kryengritje të fuqishme shpërthyen në rajone të Tërnovës e të SofjesBullgari. Bojari rumun doli hapur kundër pushtetit qendror.

Lufta në Shqipëri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në këto rrethana të favorshme, ushtria austriake përparoi në Bullgari dhe në tokat e shqiptarëve. Në Prishtinë forcat austriake u pritën nga 5000 kryengritës shqiptarë, kurse në Prizren nga 6000 kryengritës të tjerë shqiptarë. Në betejën e Kaçanikut, më 2 janar 1690, ushtria austriake së bashku me kryengritësit shqiptarë pësunan disfatë. Pas kësaj, ushtritë osmane, brenda një kohe të shkurtër, arritën të pushtonin qytetet e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës.

Shqiptarët luftuan përkrah austriakëveNovobërdë e në disa qytete të tjera. Këto beteja përfunduan me fitoren e ushtrisë osmane. Pas këtyre disfatave, me austriakët u tërhoqën nga Kosova mjaft kryengritës. Faktin e largimit të mjaft kryengritësve nga Kosova, e shfrytëzoi më vonë monarkia serbe e cila krijoi legjendën e së ashtuquajturës “shpërngulja e serbëve” nga Kosova dhe popullimin e saj prej shqiptarëve. Historiografia shqiptare e ka hedhur poshtë me argumente shkencore këtë tezë folklorike.

Coptimi i Perandorisë Osmane

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sukseset e ushtrive austriake e shqetësuan Francën, prandaj ajo u hodh në luftë kundër Austrisë. Austria, duke mos qenë në gjendje të luftonte në dy fronte, u tërhoq nga lufta me shtetin osman. Kështu, brenda një kohe të shkurtër, forcat osmane u shkaktuan humbje forcave austriake dhe i dëbuan nga Bullgaria, Serbia, Kosova e Transilvania. Ndërkohë edhe anëtarja e katërt e Lidhjes, Rusia, zhvilloi luftë me Perandorinë Osmane. Në vitet 1686-1687 dy ekspeditat e saj kundër Krimesë, përfunduan në disfatë. Pas shumë përpjekjeve një dhjetëvjeçar më vonë ajo mori Azovin.

Në këto kushte gjendja e Perandorisë Osmane u keqësua shumë. Prandaj sulltani kërkoi paqe. E interesuar për luftë ishte edhe Austria. Anglia e Holanda, si armike të Francës, ndonëse mbështetnin Austrinë, ishin për përfundimin e luftës. Për këto arsye, në vitin 1698 në Karlovac të Sllovenisë, u thirr konferenca për hartimin e kushteve të paqes midis shtetit osman dhe Lidhjes së Shenjtë. Më 26 janar të vitit 1699 u arrit një paqe për 25 vjet me Austrinë, Poloninë e Venedikun. Austria mori pothuajse gjithë territorin e Hungarisë, që deri para luftës i përkiste shtetit osman, Transilvaninë dhe Slloveninë. Polonia mori bregun e djathtë të Ukrainës, kurse Venediku vuri nën sundim Morenë, gjashtë kështjellaDalmaci dhe një radhë ishujsh të arkipelagut.

Nuk vonoi shumë edhe Rusia bëri paqe me shtetin osman në verën e vitit 1700. Sipas kushteve të paqes, Rusia mori Azovin me territorin përreth, fitoi të drejtën të lundrojë në Detin e Zi dhe të mbajë ambasador në kryeqytetin osman, si gjithë shtetet e tjera. Fetarët rusë kishin të drejtë të vizitonin vendet e shenjta në Palestinë.

Këto ishin shkëputjet e para nga Perandoria Osmane. Ato i sollën dëme të mëdha morale dhe materiale. Ato treguan se Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje t’u bënte ballë koalicioneve evropiane. Kështu prestigji i perandorisë në arenën ndërkombëtare ra. Jo më të vogla ishin dëmet materiale. Me shkëputjen e krahinave të lartpërmendura shteti humbi një fond toke me të cilën kishte kënaqur mijëra spahinj, që e kishte burim të ardhurash. Ata u detyruan të largohen nga ato territore, pasi lanë timaret, ziametet dhe haset. Sheti humbi një kontingjent ushtarak prej 32,000 vetash.

Si rezultat i rënies së Perandorisë Osmane, në Lindjen e Afërme u forcua edhe më shume pozita e shteteve më të mëdha të Evropës Perëndimore. Në këtë periudhë ishte rritur ndikimi i Anglisë dhe i Holandës.