Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2019/13

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Stema e Balshajve

Balshajt (në alfabetin cirilik: Балшић, sh. Балшићи, tr. Balšići; latinisht: Balsich) kanë qenë një familje fisnike që sunduan Principatën e Shkodrës nga 1362 e deri më 1421, përgjatë dhe pas rënies së Perandorisë serbe.

Me origjinë nga Balëzi i Shkodrës, pas shembjes së perandorsë së Car Dushanit, Balshajt shtinë në dorë disa qytete si Shkodra, Ulqini dhe Tivari dhe formuan një principatë të pavarur. Ata prenë çdo lidhje me oborrin e carit të ri serb, Stefan Uroshit i cili i konsideronte "rebelë" dhe i trajtonte si kundërshtarë të tij. Ky i fundit u përpoq t'i nxiste sundimtarët sllavë dhe Venedikun kundër Balshajve, kurse Venediku nga ana e tij nxiti dhe mbështeti kundër tyre sundimtarë sllavë si carin serb Stefan Uroshin.

Në vitin 1369 kaluan në ritin katolik për t'u afruar me Perëndimin por nuk i detyruan shtetasit e tyre ortodoksë të bënin të njëjtën gjë, kësodore duke u dëshmuar tolerantë ndaj besimeve tjera, për dallim prej mbretërve serbë që mëtonin të çrrënjosnin herezitë. Ata shtinë në dorë Zetën (pjesë të Malit të Zi të sotëm), pjesë të Kosovës dhe Shqipërisë, por ndikimi i tyre shtrihej edhe në Çamëri, duke bashkuar kësisoj pjesën më të madhe të trojve shqiptare në një zotërim. Së bashku me sundimtarë tjerë shqiptarë luftuan kundër mbetjeve të perandorisë së Car Dushanit, duke u shkëputur mbretërve serbë Vukashin dhe Marko disa qytete që ata nuk arritën t'i rikthenin përkundër ndihmës që u erdhi nga osmanët. Në vitin 1385 ushtria e Balshajve u përball me ushtrinë osmane në Savër duke pësuar disfatë. Si rrjedhojë humbën pjesën më të madhe të zotërimeve të tyre.

Mbi origjinën e tyre ka disa hipoteza por shumica e burimeve të sotme mbështesin origjinën shqiptare të tyre.