Jump to content

Xhemil Fluku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Xhemil Fluku
U lind në1907
Vdiq29 gusht 1999
KombësiaShqipëtar
ProfesioniZdrukthëtar
Njohur përNacionalist i përbetuar
LëvizjetLëvizja Nacionale Demokratike Shqiptare
Bashkëshorti/jaNaxhije Fluku
FëmijëVehbi Fluku
Prindër
  • Fejzullah Fluku (i ati)
  • Sanije Fluku (e ëma)

Xhemil (Fejzullah) Fluku, u lind në vitin 1907 (nuk dihet data e saktë) në Prizren, Kosovë në një familje me gjendje mesatare ekonomike, e cila kishte kultivuar brenda saj, brez pas brezi ndjenjën e patriotizmit shqiptar. Prindërit e Xhemilit, baba Fejzullahu dhe nëna Sanija, lindën katër djem dhe një vajzë: Xhemilin, Islamin, Ismailin, Misinin si dhe vajzën Firdesin. I ati, Fejzullahu ishte imam, gjë e cila ndikoi që edhe Xhemili të ndjek mësimet në medresen e Prizrenit dhe t’i kryej ato me sukses.

Jeta dhe Vepra Patriotike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vëllai i Xhemilit, Islami (1903), përfundoi Akademinë ushtarake në Romë dhe shërbeu në ushtrinë mbretërore në Tiranë, me gradën e kolonelit deri në vitin 1939 . Pas pushtimit të Shqipërisë, ai mori pjesë në rezistencën e nacionalistëve shqiptarë, që nuk pajtoheshin me pushtimin italian. Menjëherë pas këtyre zhvillimeve, Islami shkoi në Turqi dhe atje e vazhdoi karierën ushtarake.

Xhemil Fluku në vitet ’30 e nisi aktivitetin e tij politik duke vënë kontakte me bashkëmendimtarët e tij si: Halim Spahiu, Sefedin Laçi, Mulla Maliq Gashin,Tahir Dedën nga Gjakova, Ahmet Dërgutin nga Rahoveci, Kadri Minushin e Damanekut e shumë të tjerë. Në këtë mënyrë fillon shtrirja e forcimi i aktivitetit nacionalist - atdhetar dhe bashkëpunimi i ngushtë midis peronave të përmendur, që ndikoi në përhapjen e ideve të cilat nisën të përkrahen nga shumë shqiptarë. Kështu nisi të rritet numri i veprimtarëve cilët po i bashkoheshin radhëve të Lëvizjes Nacionale Demokratike Shqiptare. Aktiviteti i pjesëtarëve të Lëvizjes, vazhdoi të rritet e të shtohet me shpjetësi.

Në vitin 1943-44, Xhemil Fluku takohet me Halim Spahiun, një tregtar i njohur nga Gjakova, me të cilin nisi të mbajë kontakte të shpeshta, përmes të cilave shtoheshin veprimet konkrete politike në të mirë të bashkim kombëtar dhe formimit të Shqipërisë etnike.

NDSH - Komiteti Nacionalist Demokratik u formua në vitin 1943. Si jehonë e kësaj ngjarjeje të madhe e shumë të rëndësishme, u formua Komiteti Qendror në Prizren, prej Feim Ibrahimit. Më vonë u plotësua me personalitete si Aliriza Smani dhe Nijazi Alishani. Anëtarë të këtij Komiteti ishin edhe Xhemil Fluku dhe Sefedin Ahmeti (Laçi) , Kadri Ramadani (Topalli), Avdyl Hajrullahu, Sinan Hazeri, Abdulla Hamzë Maljaqi, Sulejman Mallta dhe Isa Shehu, të gjithë nga Prizreni.

Pas këtij Komiteti u formuan edhe Komitete të rretheve, si ai i Rahovecit me patriotin Kadri Minushi nga Damaneku dhe komitete të shtrira në rrethe të tjera të Kosovës.

Gjatë viteve 1944-45, Kosova ishte në një gjendje të rëndë dhe nën presion të egër e të vazhdueshëm politik. Në këtë drejtim nisi ndjekja e paparë, ndaj forcave nacionaliste, sidomos ndaj  udhëheqësve të NDSH-së dhe aktivistëve të saj.

Në shtator të vitit 1945, kjo ndjekje e organeve të “Pushtetit popullor” ndaj NDSH-istëve, solli para gjyqit nën akuzën e tradhëtisë, 34 persona, midis të cilëve ishte edhe Xhemil Fluku. Gjyqi krahinor i Kosovës e Metohisë, në këtë përbërje: Hivzi Sylejmani-kryetar, anëtarë, Qamil Brovina dhe Kolë Shiroka, me asistimin e sekretarit Mustafa Biçoku e me praninë e Prokurorit publik Ali Shukria, më 27 shtator 1945, shpalli vendimin gjyqësor kundër 25 vetave sipas akuzës së prokurorit publik. Të gjithë të akuzuarit prokuroria i ngarkonte me fajin për krime ndaj popullit dhe shtetit. Të akuzuarit ishin: Halim Spahiu, Tahir Deda, Feim Ibrahimi, Hasan Rrustemi, Abdyl Rexhepi, Maliq Balia ( Mulla Maliqi – Gashi ), Basri Salko, Qamil Emini (Mushtisht), Sadik Mehmeti, Ibrahim Abdyli, Muhamet Veseli, Xhemil Fluku, Sefedin Ahmeti (Laçi), Abdullah Hajrullahu, Avdullah Hamza, Sinan Hazëri, Rifat Krasniqi, Kajtaz Ramadani, Ahmet Durguti, Kadri Minushi, Sheh Muhedini (Rahovec), Vahid Mustafa, Rexhep Abdullahu (Kabashi), Kadri Ramadani dhe Ruzhdi Kabashi.

Prej këtyre 25 vetave, u dënuan me vdekje: Kajtaz Ramadani (Kijevë), Rifat Krasniqi (Mamushë) Tahir Deda (Gjakovë), Halim Spahia (Gjakovë), Rexhep Kabashi (Korishë) dhe Sefedin Ahmeti (Prizren).

"Kujtimet e Xhemil Flukut" në gazetën "Zëri i Rinisë", fq. 17, 21.09.1991

Me nga 20 vjet burg të rëndë, dënohen: Xhemil Fluku (Prizren), Kadri Minushi (Damanek) dhe Ahmet Durguti (Rahovec).

Të akuzuarit tjerë në Procesin e Prizrenit, janë dënuar me burg të rëndë, nga 3 deri 12 vjet. Në rrethet tjera të Kosovës, bashkëveprimtarë të dënuar të Xhemil Flukut, në procese të ndara gjyqësore me burgim të rëndë ishin nga rrethi i Prishtinës, Ferizajit, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Gjakovës dhe Drenicës.

Numri i përgjithshëm i të burgosurve anëtarë të Komitetit ishte 356. Prej tyre 38 ishin të  dënuar me vdekjes gjatë viteve 1947-60.

Xhemil Fluku vuajti dënimin me 20 vjet burg në burgun e Mitrovicës së Sremit, bashkë me shumë atdhetarë të tjerë si, Ramiz Cërnica, Rrustem Statovci, Rexhep Abdullahu, Qemal Novakazi, Shemsi Perani dhe shumë të tjerë.

Gjatë gjykimit në Procesin e Prizrenit, Xhemil Fluku mbajti një qëndrim burrëror prej patrioti të devotshëm dhe u deklarua kështu: ”Mund të bëni ҫdo gjë që edhe po e bëni, por ta dini se kurrë nuk do të mund t’i mbytni të gjithë shqiptarët. Nëse vetëm një shqiptar mbetet i gjallë në Kosovë, atëherë, Kosova do të jetë e jona."[1]

Sipas kujtimeve të Xhemil Flukut nga seancat hetuese ai rëfente se ua pata thënë disa herë udbashëve: “Merrmani shpirtin, qe ku jam! Më vjen keq që nuk kam shpirtëra të tjerë pos këtij që më mban, se të gjithë do t’i jepja për Kosovën.[2]

Në burgun e Mitrovicës së Sremit, vuajti burgimin prej 16.5 vjetësh dhe më 1960 u lirua dhe u kthye në gjirin familjar në Prizren.

Kur ishte arrestuar, në shtëpi kishte lënë vetëm gruan dhe djalin gjashtë muajsh në djep Vehbiun. Atë e gjeti 17 vjeç kur doli nga burgu. Për ta mbajtur familjen e tij, ai ushtroi zejen e zdrukthëtarit deri në pleqërinë e thellë. Gjatë kësaj kohe ka takuar shokët e burgut dhe ka mbajtur takime të shpeshta e ka kultivuar miqësinë familjare.

Fotografi e Xhemil Flukut me Mulla Maliqin (Gashi) dhe Ramadan Rexhën (Prishtinë), 1985

Duke e vazhduar jetën me dinjitet e qëndrim të palëkundur, atë vazhdimisht e frymëzonte dëshira e flaktë për ta përjetuar ditën kur Kosova do të ҫlirohej përfundimisht prej hegjemonizmit serbomadh. Kjo dëshirë e tij e mbajti të gjallë e të fortë, deri më qershor të vitit 1999, kur UÇK-ja defiloi në qytetin e Prizrenit dhe në gjithë Kosovën. Pas ҫlirimit  përjetoi vizita të shumta të shokëve dhe adhuruesve të tij, midis të cilëve edhe të ҫlirimtarëve tanë si: Tahir Sinani, Ramush Haradinaj e shumë të tjerë.


Në një intervistë dhënë Agim Zogajt për “Zërin e Rinisë”, në qytetin e ҫliruar të Prizrenit, ai midis tjerash pati thënë: “Jam shumë i lumtur që e pashë këtë ditë. Tash nuk më dhimbset jeta. Shqiptarët duhet të mbledhin mend dhe të dinë ta rindërtojnë vendin dhe ta formojnë e ta forcojnë shtetin e Kosovës.

Vdiq në qytetin e Prizrenit, në qytetin që e deshi aq shumë, më 29 gusht 1999, i përcjellur me nderime nga mijëra qytetarë të Prizrenit e tërë Kosovës.

  1. ^ Kujtime të Xhemil Flukut, Intervistë, “Zëri i Rinisë”, 21 shator 1991.
  2. ^ Po aty.