Isa Boletini
Isa Boletini | |
---|---|
Lindur më | 15 Janar 1864 Boletin, Mitrovicë, Vilajeti i Kosovës, Perandoria Osmane, (sot Kosova) |
Vdekur më | 23 Janar 1916 Podgoricë, Mbretëria e Malit të Zi |
Në aleancë me |
|
Shërbimi/ | |
Vite shërbimi | 1881 – 1916 |
Njësia | Kreu i dyfekxhinjve të pallatit të sulltanit Roje i Princ Vidit |
Betejat/luftrat | Kryengritja e vitit 1910 Kryengritja e vitit 1912 Kryengritja e Dibër-Ohrit Luftërat Ballkanike Lufta e Parë Botërore |
Çmimet |
Isa bej Boletini i njohur edhe thjesht si Isë Boletini[1][2] (Boletin, 15 janar 1864 – Podgoricë, 23 janar 1916) ka qenë kryengritës shqiptar në Vilajetin e Kosovës, pjesëmarrës në rini në veprimet e Lidhjes së Prizrenit. Më pas shërbeu si kryetar i rojeve të pallatit sulltanor, prej ku u kthye me nishane (grada) dhe çifligje, pas ardhjes së xhonturqve dhe masave të tyre drejtoi kryengritjet e 1910 dhe atë të 1912. U caktua ndër rojet e Princ Vidit gjatë sundimit të tij jetëshkurtër. U vra gjatë një shkëmbimi zjarri me malazezët në Podgoricë së bashku me 17 shoqëruesit e vet.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në kullën e familjes në Boletin, Isniq,Deçan asokohe në sundimin e Perandorisë Osmane,[3][4] i biri i Ademit të Murselit dhe Aishes. Familja e tij i takonte vëllazërisë Maksutaj të fisit të Shalës. Ishin zhvendosur nga Isniqi i Deçanit për në Mitrovicë për punë gjaku.[5]
Gjatë kohës së tij në Stamboll, katër nga fëmijët dhe nipat e tij u regjistruan në Aşiret Mektebi (shkolla e fiseve), Tafil Boletini vijoi duke ndjekur shkollën Harbiye (Akademinë Ushtarake).[6]
1881-1907
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas ngritjes së Lidhjes së Prizrenit, Isa mori pjesë në betejën e Slivovës kundër forcave të rregullta osmane më 22 prill 1881.[3] Manastiri i Sokolicës mbrohej nga Isa me të vëllanë e madh, Ahmetin.[7] Baza e pushtetit të tij u bë konfiskimi ilegal i pronave. Në vitet 1898-1899 filloi të paguhej për të mbrojtur komunitetin serb ortodoks në Mitrovicë. Si shpërblim për shërbimet e tij Serbia i dha një medalje dhe e furnizoi me armë.[8] Pas ndodhive të kazanë e Mitrovicës kundrejt serbëve, Perandoria Ruse i vë kusht Stambollit hapjen e një konsullate ruse në Mitrovicë më 7 maj 1902. Boletini shpalli se shtëpitë e mbarë shkjeve do të digjeshin po qe se do të hapej "kangjallozi i Miskovit në Mitrovicë". Raportohet se më 29 shtator iu dorëzua autoriteteve osmane dhe se do të falej për bëmat e tij të deriatëhershme, më 24 nëntor mbërriti në Stamboll, ku u caktua në krye të dyfekxhinjve,[4] siç ishte mënyra e qeverisjes e Sulltan Abdyl Hamidit për të bërë për vete krerë të zëshëm vendorë.[9] Iu dha vendimi për të filluar punimet e Fabrika e Gurëve të Mullinjve në Boletin, si dhe iu akordua titulli bej.[10]
Pasi shërbeu si kreu i dyfekxhinjve për katër vite, u kthye me çifligje që i ishin caktuar si shpërblim për shërbimi dhe grada ushtarake në milicinë vendore.[4] U bë njeriu më i famshëm dhe më i pasur i Mitrovicës,[11] mblodhi pasues të armatosur dhe mblodhi armatime e financime si nga serbët duke pasur gjithashtu një linjë telegrafike drejtpërdrejtë me Pallatin Jëlldëz, si kapedan vendor i sulltanit.[12]
1908-1911
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjatë Revolucionit Xhonturk më 1908, u bë një mbledhje e madhe e ulemave dhe parisë shqiptare njohur si Kuvendi i Ferizajt për të përkrahur rikthimin e kushtetutës, ndërsa Boletini me krerë të tjerë e shihnin këtë si shenjë pabesie ndaj sulltanit. U tërhoq nga kuvendi para se të merrej ndonjë vendim, duke kuptuar dobësinë e pozitave të tij. Thuhej se sulltani i kishte kërkuar ndihmë Boletinit që të zhbënte kuvendin e mbajtur në Ferizaj.[13] Ai ishte besnik ndaj sulltanit ndonëse më 1908 i kishte ndihmuar fillimisht xhonturqit.[14][15]
Komiteti "Bashkim e përparim" pas gati një muaji të kthimit të Kushtetutës vendosi t'i jepte vëmendje gjakmarrjes në Vilajetin e Kosovës, dhe nga fundi i vitit masa të ashpra u morën nga vendorët - Nexhip bej Draga me anëtar të tjerë të parisë së Kosovës e shihnin Boletinin si pengesë dhe besnik të sulltanit dhe loboi për ndalimin dhe arrestimin e tij, Draga donte vendosjen e rendit të ri ligjor, ndërsa Boletini donte privilegjet e vjetra caktuar nga koha e sulltanit. Pasi ia arriti të ndërhynte përmes Komitetit të Selanikut që qeveria të merrte masa ndaj Boletinit,[16] i dërguan një oficer të shoqëruar për t'i dhënë Boletinit një urdhër gjykate që t'i kthente të quajturit Haxhi Alisë çifligun që kishte qenë më parë i tij para se t'ia jepte sulltani. Boletini përqeshi urdhrin, përzuri autoritetet që më pas e sulmuan, Isa mundi të ikte me njerëzit e tij, por kulla iu dogj. Mytesarifi i Pejës këshilloi autoritetet qendrore osmane se veprimet ndaj Isës nuk do të çonin drejt ndonjë rrugëzgjidhjeje, por duhej bërë një demonstrim force në mbarë vilajetin për të bindur krerët e tjerë vendorë të sistemit deruhdecilik.[17]
Gjatë kundër-revolucionit të prillit 1909 Isa me krerë të tjerë i ofruan sulltanit ndihmën e tyre.[18] Më 15 maj 1909 Xhonturqit, duke vazhduar mohimin e të drejtave kombëtare shqiptare, vijuan me fushata kundër atyre që nuk paguanin taksat e reja të caktuara në Stamboll. Në Mitrovicë u caktua gjeneral i brigadës 18 Xhavid Pasha, ku zëvendësoi Shemsi Pashën e vrarë (vëllamë i Isës),[19] për të përvijuar një vazhdë operacionesh ndaj malësorëve shqiptarë për dorëzimin e armëve dhe në veçanti për ta kapur.[20] Ishte ndër konspiruesit dhe organizatorët e kryengritjes së 1910 me Hoxhë Said efendiun, Nexhip bej Dragën, Hasan Prishtinën, Mehmet pashë Derallën, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Salih Gjukën dhe Idriz Seferin.[21] Isa me shumë krerë të tjerë të Pejës e Gjakovës mbajtën qëndrim ndaj trupave osmane, gjë që çoi drejt gjakderdhjesh dhe bombardimin të fshatrave shqiptare.[22][23] Pas revoltave të herëpashershme në Vilajetin e Kosovës, prillin e 1910 qeveria xhonturke vendosi krijimin e një korpusi ushtarak të posaçëm për "shtrimin" e Shqipërisë, në krye të të cilit u vu gjenerali Turgut Pasha. Në bashkëpunim me Idriz Seferin dhe krerët shqiptarë, Isa i priu betejave të rënda në grykën e Kaçanikut, Zagovac, Çernalevë, Kabash e Virnaglava.[24] Në Çernalevë kryengritësit e mbajtën ushtrinë osmane për dy ditë.[3]
Ikanakët kosovarë gjetën strehim në Mal të Zi që herët me ndodhitë e 1909, ku Knjaz Nikolla shpresonte t'i kishte ata si ndihmë më pas gjatë zgjerimit në trojet shqiptare. Isa me të vetët ishin atje,[25] u takua me krerë shqiptarë, merrte ndihma dhe armatim nga Mali i Zi[26] duke e përdorur kështu si bazë.[27][28] Fillimisht Mali i Zi e shpërfilli praninë e tij, por pas kërkesave të ambasadorit osmane e eskortoi larg kufirit.[27]
Kryengritja e 1912 dhe Autonomia e Shqipërisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në pragun e revoltës, qeveria serbe punoi me disa banda kaçake shqiptarësh që të ishin të gatshme të vendosnin në vështirësi osmanët dhe me atë qëllim iu vardisën edhe Boletinit përmes organizatës terroriste Dora e Zezë.[29] Më 23 prill 1912 njerëzit e Hasan Prishtinës çuan krye në Malësinë e Gjakovës dhe u përhapën më tej.[30] Më 20 maj së bashku me krerë të tjerë, Boletini mori pjesë në kuvendin e Junikut ku u dha besa dhe u nënshkrua një shpallje,[31] për t'i shpallur luftë qeverisë xhonturke përmes kryengritjes së armatosur në Vilajetin e Kosovës.[30][32][33] Shqiptarët e Sanxhakut të Prishtinës të kryesuar nga Isë Boletini, Xhemal beg Prishtina dhe Beqir agë Vulçiterna i thyen turqit në Llap e Gollak dhe më pas zunë Prishtinën me pëlqimin e banorëve, përkundrejt komandantit vendor.[34] Krerët mësynë Shkupin, të cilin e zunë më 12-15 gusht të 1912,[30][35] së bashku me Riza Begin mendonte të shkonte në Selanik për të liruar sulltanin dhe nuk ishte për autonomi - sipas Hasan Prishtinës.[36] Më 18 gusht Prishtina arriti t'i bindte krerët luajalistë që të binin në ujdi me autoritetet osmane për të drejtat sociopolitike e kulturore shqiptare.[37][38] Boletini u paqtua dhe u kthye për në shtëpinë e vet pas premtimeve për autonomi vilajeteve shqiptare.[39]
Në gusht, kolonel Dragutin Dimitrijeviq "Apis" i Dorës së Zezë, i dërgoi një letër Isës që me pasuesit e tij t'i ndihte serbët në luftë kundër osmanëve.[40]
Luftërat Ballkanike dhe Pavarësia Shqiptare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në fillim të Luftës së Parë Ballkanike, ushtria osmane u mbështet nga vullnetarët dhe trupat e çrregullta shqiptare; autoritetet osmane furnizuan Isën me 65,000 armë[41] për trimat e tij për të mbrojtur trojet shqiptare brenda Perandorisë Osmane, gjë që i zhgënjeu serbët.[42] Në shtypin serb raportohej se gjatë dorëzimit të kryengritësve shqiptarë në Lumë, Isa Boletini me trimat e tij u arratisën.[43] Nga Dibra njoftoi për pjesëmarrjen në Kuvendin e Vlorës.[44] Nga 8 deri më 11 të vjeshtës së tretë bujti te Hasan bej Biçakçiu në Elbasan së bashku me Mehmet pashë Dërrallën dhe Ajdin bej Dragën, u nisën të nesërmen me Mid'hat bej Frashërin pasi pritën përfaqësuesit e Dibrës me Myfti Vehbiun.[2] Më 29 të vjeshtës së tretë, Isa mbërriti në Asamblenë e Vlorës si përfaqësues i Mitrovicës.[45] Nën drejtimin e Mehmet Pashës, së bashku me Riza Beun kishte detyrë të organizonte milicinë kombëtare.[46]
Më 1 prill 1913 së bashku me Ismail Qemalin, të birin Qamilin, Mark Kakarriqin dhe Gurakuqin i hipën jahtit të Dukës së Montpensier-it dhe zbritën në Brindisi.[47] Pas bashkimit të Esad pashë Toptanit me qeverinë e Vlorës, shihej me armiqësi nga qeveria aty, sipas Fejzi bej Alizotit ishte vendosur mes Isës, Salih Gjukës dhe Gurakuqit që ta vrisnin pashain porsa të shëtiste mbi urën e skelës dhe ta hidhnin në det. Pasi ia kishin komunikuar Ismail Beut, kishte thënë se po të veprohej me vrasjet e njëri-tjetrit që në formim të shtetit shqiptar, do të merrte valixhet e do të ikte.[48]
Më 23 shtator shqiptarët e Dibrës u hodhën në revoltë kundër serbëve. Gjashtë mijë forca të udhëhequra nga Isa dhe Bajram Curri[49] kaluan kufirin dhe, pas një beteje, morën Dibrën, ku vranë disa oficerë dhe i dëbuan të tjerët nga qyteti. Ushtarët që shpëtuan ia mbathën nga ana tjetër e lumit Radikë, më pas serbët nuk vonuan dhe u hakmorën me mizori të skajshme, sidomos në krahinën e Lumës.[50] Pas pak muajsh ai u largua nga Vlora sa qe pa dhënë dorëheqjen Ismail Qemali, mori një shtëpi me qira në Shkodër.[51]
Princ Vidi dhe Kryengritja e Shqipërisë së Mesme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lufta e Parë Botërore dhe vdekja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Familja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 1875 i ndërroi jetë i ati dhe zot shtëpie u bëi vëllai i madh, Ahmeti. Më 1894 i vëllai vritet dhe gjakun e merr vëllai tjetër Halili duke vrarë serbin Jovan e Zernosekut.[5]
Trashëgimia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për Isën shkroi Aubrey Herbert "A meeting with Isa Boletini" (Një takim me Isa Boletinin) më 1912, monografia e Skënder Luarasit botuar më 1972 dhe e Fatmire Musës më 1987. Ndër botimet enciklopedike shquhet zëri i tij në Fjalorin Historik të Robert Elsie botuar në gjuhën shqipe më 2011 si dhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 dhe 2011, zëri “Isa Boletini” në Enciklopedinë e Jugosllavisë botuar më 1982.[52] Eqrem bej Vlora e përshkruan te Lebenserinnerungen:[53]
Isa Boletini dhe Bajram Curri ishin burra "selfmade", por jo krejtësisht parveny, sepse familjet e tyre në fis dhe në krahinë, mbaheshin për "dyer të forta". Isai jetonte në fshatin Boletin, në afërsi të Mitrovicës, në një shtëpi të bukur tradicionale [...]. Të dy ishin prototipa të condottieri shqiptarë të shek. të 20të. Prijës popullorë të llojit më të mirë, por disi të ndryshëm përsa i përket dukës, sjelljes po edhe mënyrës së mendimit. Isai ishte konservativ, patriarkal, i rregullt, serioz, fjalëpak, por me një pamje të jashtme të rëndë, tepër i sjellshëm e miqësor e besnik sa s'thuhet. Ai kërkonte dhe merrte vetëm çfarë i duhej. [...] Që të dy ishin atdhetarë të zjarrtë shqiptarë, edhe pse që të dy ishin krejtësisht analfabetë. Isai u vra prej malazezve, me afrimin e trupave austro-hungareze më 1916 në Podgoricë, pas një lufte të ashpër disa orëshe (austriakët erdhën vonë dhe nuk arritën ta shpëtojnë atë dhe 17 bashkëluftëtarët e tij).
Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjithë Shqipërinë etnike. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu ka një batalion special të ushtrisë shqiptare, që u instalua në Irak, që mban emrin e Isa Boletinit.[54]
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Ikonomi, Ilir (2012). Pavarësia: udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit. Tiranë: Uet press. fq. 55-56nb. ISBN 9789995639761.
- ^ a b Nosi, Lef (2007). Dokumente historike 1912-1918. Tiranë: ASH, Instituti i Historisë. fq. 60, 73, 79-80nb. ISBN 978-99956-10-04-3.
- ^ a b c Elsie 2012, p. 46.
- ^ a b c Gawrych 2006, p. 134.
- ^ a b Imeraj, Shkodran (9 tetor 2012). "Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit". gjuhashqipe.com.
- ^ Clayer, Nathalie (2007). Aux origines du nationalisme albanais: la naissance d'une nation majoritairement musulmane en Europe (në frëngjisht). Karthala. fq. 87. ISBN 9782845868168.
- ^ Hrašovec, Ivana M. (18 qershor 2015). "Od mita do provokacije". Vreme (në serbisht). Nr. 1276. Arkivuar nga origjinali më 19 nëntor 2016. Marrë më 10 dhjetor 2018.
- ^ Gawrych 2006, pp. 134
- ^ Gawrych 2006, pp. 139, 205, 208.
- ^ Avdyli, Ramiz (4 janar 2015). "Isa Boletini në dosjen e Portës së Lartë". telegrafi.com.
- ^ "Једна ретка књига: Успомене са пута у манастир Девич". Дело (në serbisht). Belgrade. 41: 241. 1906.
- ^ Gawrych 2006, pp. 134, 208.
- ^ Hanioğlu, M. Șükrü (2001). Preparation for a Revolution: The Young Turks, 1902-1908 (në anglisht). Oxford University Press. fq. 476. ISBN 9780199771110.
- ^ Gawrych 2006, pp. 152, 208.
- ^ Elsie 2010, p. 49.
- ^ Gawrych 2006, pp. 161–162.
- ^ Gawrych 2006, p. 163.
- ^ Gawrych 2006, p. 168.
- ^ Vlora, Eqrem bej; Von Godin, Marie Amelie von Godin (2010) [1956]. Kontribute në historinë e sundimit turk në Shqipëri: një Skicë Historike (gjerm. Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: eine historische Skizze. Vëll. II. Tiranë: Shtëpia Botuese "55". fq. 160–161, 172. ISBN 978-99943-56-89-8.
- ^ Gawrych 2006, pp. 173–174.
- ^ Kansu, Aykut (2000). Politics in Post-revolutionary Turkey, 1908-1913 (PDF) (në anglisht). Brill. fq. 381. ISBN 9789004115873.
- ^ Pearson 2004, p. 6.
- ^ Skendi 1967, pp. 393, 435.
- ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 242-243nb. ISBN 99927-780-6-7.
- ^ Vlora 2003, p. 250.
- ^ Gawrych 2006, p. 177.
- ^ a b Treadway 1998, p. 73.
- ^ Skendi 1967, p. 408.
- ^ Skendi 1967, p. 445.
- ^ a b c Pearson 2004, p. 24.
- ^ Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Përkthyer nga Ali Asllani. Tiranë: Iceberg. fq. 223–225. ISBN 978-9928-4140-4-5.
- ^ Skendi 1967, p. 428.
- ^ Gawrych 2006, p. 192.
- ^ Prishtina, Hasan (2009) [1921]. Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912. Prishtinë: rrokullia.com. fq. 28nb. ISBN 9789951519021.
- ^ Skendi 2006, p. 436.
- ^ Prishtina 2009, pp. 33-34.
- ^ Skendi 1967, p. 437.
- ^ Gawrych 2006, p. 195.
- ^ Treadway 1998, p. 108.
- ^ MacKenzie, David (1989). Apis, the Congenial Conspirator: The Life of Colonel Dragutin T. Dimitrijević (në anglisht). East European Monographs. fq. 87. ISBN 9780880331623.
- ^ Hall 2002, pp. 46-47.
- ^ Gawrych 2006, pp. 197, 202, 208.
- ^ "Разоружање Љуме", Правда (në serbisht), nr. 318, fq. 2, 17 nëntor 1912
- ^ Ikonomi 2012, p. 183.
- ^ Nosi 2007, p. 158.
- ^ Ikonomi 2012, p. 279.
- ^ Ikonomi 2012, p. 242.
- ^ Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 186nb. ISBN 978-9928-190-91-8.
- ^ Rudić & Milkić 2013, p. 327.
- ^ Ikonomi 2016, pp. 197-198.
- ^ Ikonomi 2016, pp. 238, 297.
- ^ Nushi, Pajazit (13 prill 2015). "Isa Boletini dhe kontekstualizimi i veprimtarisë së tij në shkrimet bashkëkohore". botasot.info.
- ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 280. ISBN 99927-780-6-7.
- ^ Jeta dhe vdekja e Isa Boletinit :: Shpirti i Shqiptarit :: Shqiptare te bashkuar per nje Shqiperi te bashkuar !
Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Elsie, Robert (2012). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 46. ISBN 978-1-78076-431-3.
- Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913 (në anglisht). London: IB Tauris. ISBN 9781845112875.
- Pearson, Owen (2004). Albania in the Twentieth Century, A History: Volume I: Albania and King Zog, 1908-39 (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 6, 11, 24–29, 34, 46–47, 68, 75, 96, 565. ISBN 978-1-84511-013-0.
- Srđan Rudić; Miljan Milkić (2013). Balkanski ratovi 1912-1913: Nova viđenja i tumačenja [The Balkan Wars 1912/1913: New Viеws and Interpretations] (në serbo-kroatisht). Istorijski institut & Institut za strategijska istrazivanja. fq. 327–328. ISBN 978-86-7743-103-7.
- Skendi, Stavro (1967). The Albanian national awakening (në anglisht). Princeton: Princeton University Press. ISBN 9781400847761.
- Treadway, John D. (1998). The Falcon and the Eagle: Montenegro and Austria-Hungary, 1908-1914 (në anglisht). Purdue University Press. fq. 73, 108, 239, 291. ISBN 978-1-55753-146-9.