Arthur Evans
Sir Arthur Evans lindi më 1851 dhe vdiq më 1941. U edukua në "Harrow School" të Oksfordit e më pas në Universitetin e Gottingenit. Fama iu shugurua prej punës si arkeolog në pallatin e Knosit në Kretë, zonë të cilën ai e identifikoi si qendrën e qytetërimit të ashtuquajtur Minoik. Edhe më parë atë e kish grishur historia dhe arkeologjia e Ilirisë dhe Ilirikut, vise që u kish rënë kryq e tërthor në 1880-ën, kur punonte si korrespondent i Ballkanit për "Manchester Guardian". Ai studioi arkeologjinë e ilirëve jo nga tryeza e studios së qetë të arkeologut, por t‘shumtën e herëve në lëvizje e sipër, me dinamizmin tipik prej gazetari dhe politikani aktiv, jo rrallë në qendër të turbullirave të krizës ballkanike. (Gabimisht, është pandehur deri vonë se mbi 260 faqet e tij ishin redaktuar në qetësinë e mëpasshme kur Evans u kthye në Oksford, duke u bazuar vetëm në shënimet dhe skedat e terrenit).
Më 1878-ën, në moshën 27-vjeçare, ende para se ta përmbyllte misionin e tij ballkanik, ai kish publikuar të famshmet "Illirian Letters". Interesi i tij për ilirët e Jugut i kaptonte kufijtë e pasionit ; vetëm akuzat e austro-hungarezëve për spiunazh në gji të territoreve të reja të perandorisë së hasburgëve do ta pengonin Evansin të thellohej përfundimisht në këtë territor. Nuk do harruar se Bosnja, Hercegovina dhe një pjesë e Serbisë u ndanë nga Perandoria Osmane me të bujshmin Kongres të Berlinit më 1878 e do të mbeteshin nën Austro-Hungarinë deri aty nga viti 1908, kur u formua Jugosllavia. Puna e Evansit si ilirolog u njoh ndërkombëtarisht më 1880-ën, kur në volumin e 20-të të Numismatic Cronicle ai publikoi një gjetje të rëndësishme monedhash të shek. II p.e.s., të ndodhura në fshatin Selcë të Alpeve Shqiptare.
Nga 1884 deri në 1908, Evans ishte kurator i Ashmolean Museum në Oksford dhe një vit më pas, më 1909, iu dha Medalja e Arte nga Royal Institute of British Architects. Më 1911, mbretëresha e Anglisë e shpalli Kalores, duke i shtuar emrit të tij titullin Sir. Lufta e Madhe (LIB) e shënjoi fort idealizmin e tij. Deri në vdekje nuk iu shlyen mbresat e tmerreve të asaj lufte. Kish hyrë i ri në vorbullën e saj, por nga egërsia e konflikteve të fundit i qe cenuar besimi në commonsense e vet. Si të mos mjaftonte, thuhet që në shtratin e vdekjes i komunikuan pandehmën se nazistët kishin bombarduar Kretën, duke shkatërruar Pallatin e Knosit dhe gjetjet e tij. Nuk kish qenë e vërtetë. Tash grekët i kanë ngritur aty një monument njeriut që bëri të famshme në gjithë botën kulturën parahelene që ata trashëgojnë.
Evans vdiq në vitin 1941 në moshën 90-vjeçare, dhe pas vdekjes mori po aq merita, në mos më tepër, sa kish marrë kur ishte gjallë. Por Arthur Evans u kujtua gjatë si njeri me ndjeshmëri të lartë e që luftoi gjithë jetën e tij për një botë më të mirë - moto e vjetër kjo, e cila buronte prej moralit tashmë të zhdukur viktorian, mishëruar edhe tek Evansi gjatë gjithë rrojtjes së vet.
Botimi i Ancient Illyria është homazhi i parë shqiptar për këtë njeri të pazakontë. Tash pritet së shpejti të dalë në shqip vepra e tij mbi ilirët, financuar nga "Albanian Trust" dhe "Fondi Shqiptar për Monumentet".
- AC with 14 elements
- Wikipedia articles with VIAF identifiers
- Wikipedia articles with LCCN identifiers
- Wikipedia articles with ISNI identifiers
- Wikipedia articles with GND identifiers
- Wikipedia articles with SELIBR identifiers
- Wikipedia articles with BNF identifiers
- Wikipedia articles with BIBSYS identifiers
- Wikipedia articles with ULAN identifiers
- Wikipedia articles with NLA identifiers
- Biografi