Bektesh Bekteshi
Bektesh Bekteshi | |
---|---|
U lind në | 1 janar 1943 |
Vdiq | 24 maj 2018 |
Kombësia | shqiptarë |
Shtetësia | kosovarë |
Organizata | Universiteti i Prishtinës |
Titulli | Profesor |
Bektesh Bekteshi (1 janar 1943 - 24 maj 2018) është metodolog, pedagog dhe profesor universitar nga Zhegra e Gjilanit. [1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Bektesh Bekteshi u lind në Zhegër të Gjilanit, më 1 janar të vitit 1943, në një familje të nderuar në Malësinë e Karadakut. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme (Normalen), në Gjilan, në vitin shkollor 1963/64. Një kohë Bektesh Bekteshi ishte mësues në Shkollën fillore të Pidiqit. Më vonë punoi arsimtar i ciklit të lartë në Shkollën fillore, tash “Agim Ramadani” në Zhegër. Si mësimdhënës ka punuara punuar edhe në Shurdhan e Pasjan.
Në vitin akademik 1964/65 regjistrohet në Fakultetin Filozofik – Dega e Pedagogjisë në Prishtinë, të cilin fakultet e kryen në vitin 1969. Pas studimeve, një vit punoi në Qendër për Punë Sociale në Prishtinë, e pastaj filloi të punojë si profesor në Gjimnazin “Sami Frashëri” dhe në atë të Lipjanit. Në vitin 1972, Bektesh Bekteshi zgjidhet asistent në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës për lëndën “Metodologjia e pedagogjisë me statistikë”.
Studimet pasuniversitare i regjistroi dhe i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku në qershor të vitit 1976 magjistroi në temën “Ndryshimet e ngarkesës së nxënësve të shkollave fillore në kalim nga mësimi klasor në atë lëndor”. Këtë materie studimore, pas pak kohe e ka botuar si libër të kësaj natyre. Bektesh Bekteshi ka doktoruar në temën “Komponenta kohore dhe përmbajtësore e ngarkesës së nxënësve të shkollave fillore”.
Ndërkohë merr titullin e ligjëruesit, pastaj, pas mbrojtjes ë doktoratës, në atë të docentit (1987) e pastaj në titullin e profesorit inordinar (1994) dhe më 1999 në atë të profesorit ordinar për lëndën e përmendur më parë. Ai disa vjet ishte ligjërues i lëndëve: “Metodika e dituri natyre dhe shoqërie” në SHLP “Skënderbeu” në Gjilan; ligjërues i Pedagogjisë në Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë dhe Filozofi – Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës, ligjërues i lëndës Metodologji e hulumtimeve shkencore me statistikë në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe në shkallën e tretë të këtij fakulteti. Ligjëroi edhe në Universitetin e Tetovës. Ishte anëtar dhe kryetar i Kolegjiumit të shkallës së tretë në Fakultetin e Filozofisë – Dega e Pedagogjisë etj. [1] [2] [3]
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Profesor Bektesh Bekteshi vazhdimisht është marrë me publikimin e punimeve shkencore nëpër revista dhe gazeta, si janë: “Shkëndija”, “Libri shkollor”, “Për prindërit”, “Zëri i rinisë”, “Rilindja”, “Pionieri”, "Dija" e në revista të tjera. Ka botuar me dhjetëra punime profesionale – shkencore si dhe ka bërë disa recensione të teksteve shkollore. Bashkëpunoi për përgatitjen e shumë emisioneve arsimore në RTV të Prishtinës. Përveç veprave në dorëshkrim deri më tani ka publikuar edhe këto vepra:
- Ngarkimi i nxënësve në mësim dhe obligime të tjera shkollore - 1989, OCLC 443876689
- Statistika elementare - 2006 (Libri shkollor)
- Mbingarkimi i nxënësve me mësim në shkollë - 2009
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 146. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
- ^ https://www.koha.net/arberi/95147/i-jepet-lamtumira-e-fundit-pedagogut-e-profesorit-universitar-bektesh-bekteshi/
- ^ https://rajonipress.com/ka-nderruar-jete-bektesh-bekteshi-doktor-i-shkencave-te-pedagogjise-nga-zhegra-e-gjilanit/