Jump to content

Gjinollët

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shtëpia e Mahmut Gjinollit monument kulture në Vushtrri

Gjinollët ose Oxhaku i Gjinollit (osmanisht, Gjin-oğlu - 'i biri i Gjinit') ka qenë një familje e madhe çifligareKosovë e cila u shqua sidomos në vitet '20-30 të shekulli XIX. [1]

Familja Gjinolli zotëronte çifligje në Rafshin e Kosovës dhe prona të tjera. Pati përfitime të mëdha nga tregtia e prodhimeve bujqësore në periudhën e Bllokadës Europiane të Napoleon Bonapartit, si dhe nga tregtia e mallrave të huaja që kalonin nëpër Kosovë, sidomos nga pambuku egjiptian, mallrat angleze etj. Fitime të mëdha siguroi Maliq Pasha, kreu i kësaj familjeje, nga transporti i drithit përmes Kosovës, kur Kosova njihej si hambari i drithërave në Shqipërinë Veriore. Familja Gjinolli u shqua edhe më tepër pas afrimit me Bushatllinjtë (shih) më 1812, kur u lidh martesa e Jashar Pashës, djalit të birësuar të Maliq Pashës, me një kushërirë të Mustafa pashë Bushatlliut (shih), bijën e Ibrahim Pashës. Por këto marrëdhënie të mira ndërmjet dy familjeve u ftohën pas vitit 1818. Pas kësaj Gjinollët u lidhën për një kohë me Ali pashë Tepelenën (shih), i cili u premtoi ndihma dhe privilegje të tjera. Kjo e detyroi Mustafë Bushatlliun t'u bëjë lëshime Gjinollëve dhe të pajtohet me ta. Gjinollët morën pjesë në luftën e Mustafë Bushatlliut kundër forcave të Ali pashë Tepelenës. Pasi u kthye në selinë e tij në Shkup nga fronti i luftës kundër Ali pashë Tepelenës, Maliq Pasha, duke pasur edhe përkrahjen e Bushatllinjve, rivendosi pushtetin e tronditur të familjes Gjinollëve në Prishtinë. Në vitin 1824, krahas pashallarëve të tjerë kosovarë, Maliq Pasha dërgoi forca ushtarake në ndihmë të Stambollit kundër Revolucionit Grek. Gjinollajt u bashkuan gjithashtu me Mustafë pashë Bushatlliun, kur ky u ngrit në luftë kundër Portës së Lartë. Jashar Pasha i Gjinollëve u bashkua me forcat e Bushatlliut në Prizren (1831), por pas disfatës së parë ai braktisi frontin e luftës, u kthye në Prishtinë dhe i kërkoi falje sulltanit. Ky e fali dhe i premtoi se nuk do t'ia cënonte privilegjet. Duke iu bindur Stambollit, Jashar Pasha i Gjinollëve më 1832 shkoi për të shtypur kryengritjen shqiptare e boshnjake, ndërsa dy vjet më vonë u hodh kundër kryengritësve të Llapit, që nuk i bënë dot ballë forcave të tij. Ai i propozoi Stambollit të likuidonte gjithë pashallarët që kishin ndihmuar kryengritësit e Llapit. Familja Gjinollëve në vitet '40 të shekullit XIX zotëronte rreth 16000 ha tokë, ndërsa në mesin e shekullit XIX ndërtoi tregun e Gjilanit. Ndikimi i tyre në veri shtrihej deri në qytetin e Vushtrrisë ku edhe sot e kësaj dite ndodhet monumenti kulturor i njohur si Shtëpia e Mahmut Gjinollit. Një përfaqësues tjetër i familjes Gjinolli është edhe Abdurrahman Gjinolli kryetar i degës së Prishtinës të Lidhjes së Prizrenit ndërsa dy bijtë e tij Zija Prishtina dhe Alidanish Prishtina (që morën mbiemrin Prishtina) ishin anëtarë aktivë të Komitetit të Stambollit dhe veprimtarë të dalluar të Lidhjes së Prizrenit.[2] [3]

  1. ^ Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 1. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 844–845. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
  2. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 556-557. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  3. ^ https://pashtriku.org/drqazim-namani-familja-gjinolli-dhe-sundimi-i-tyre-ne-qytetin-e-vrajes/