Jump to content

Jashar Pashë Gjinolli

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Jashar Pashë Gjinolli (rreth 1790, Prishtinë - 1840, Stamboll) ka qenë njëri nga qeveritarët e njohur të familjes fisnike Gjinolli,[1] me ndikim të veçantë në zhvillimet politike të fillimit të shekullit XIX në Kosovë.[2]

Jashar Pasha ishte i biri i Mehmet Pashës, vëllait të Maliq Pashës. Ai trashëgoi qeverisjen në Prishtinë dhe në pjesën më të madhe të Kosovës. Jashar Pasha me pashallarët e tjerë shqiptarë, u bënë rezistencë reformave të Sulltan Mahmutit II. Mori pjesë në luftë kundër Vezirit të Madh, Mehmet Reshid pashës, në anën e Mustafë Pashë Bushatliut. Pas disfatës së Mustafë Pashës në Babunë dhe dorëzimit të tij në tetor të vitit 1831, shumë pashallarë shqiptarë, në mesin e tyre edhe Jashar Pasha, për t'i ruajtur privilegjet, hoqën dorë nga luftimet dhe i kërkuan falje Portës së Lartë. Duke u vënë në shërbim të Portës, patën rol të rëndësishëm në shuarjen e kryengritjes shqiptare-boshnjake. Pas Betejës në Pale, në maj të vitit 1832 dhe shuarjes së kryengritjes së Hysein Gradashcit, ku pos sanxhakbeutPrizrenit, Mahmut Pashë Rrotullajt, morën pjesë edhe Gjinollët me forcat e tyre. Këta të fundit ruajtën pushtetin e tyre në Kosovë, kurse Jashar Pasha dhe Maliq Pasha mbetën persona të pacenueshëm. Pjesëmarrja në kryengritjen e Mustafë Pashë Bushatliut dhe përpjekjet për t'u shkëputur nga sundimi osman zemëruan Portën e Lartë. Jashar Pasha humbi jetën në vitin 1840, në rrethana të panjohura. Kishte synim zhvillimin dhe modernizimin e vendit. Ndërtoi disa objekte të infrastrukturës në Prishtinë, Gjilan dhe Vushtrri.

  1. ^ Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 1. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 844–845. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
  2. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 557. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.