Jump to content

Hartmut von Hentig

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Hartmut von Hentig (1972)

Hartmut von Hentig (23 shtator 1925, Poznań, Poloni) është profesor dhe pedagog gjerman, ideator i shkollës humane dhe autor i tekstit të betimit sokratik. [1] [2]

Hartmut von Hentig është i biri i diplomatit gjerman Werner Otto von Hentig, i cili në vitet 1924-1927 shërbeu si konsull i përgjithshëm në PoznańPolonisë. Këtu më 23 shtator të vitit 1925 u lind Hartmut von Hentig. Si bir i një diplomati, Hentig, qëndroi me babanë e tij, ndër të tjera në San Francisko, Bogota dhe Amsterdam. Pas kthimit në Berlin në vitin 1937, ai vijoi mësimet në Gjimnazin Francez (Französischen Gymnasium). Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1943 (si 18 vjeçar) angazhohet në radhët e trupave gjermane Reichsarbeitsdienst (organizatë e përshtatjes qytetare dhe ushtarake e rinisë në Rajhun e Tretë), dhe më pas në Wehrmacht. Nga maji deri në shtator të vitit 1945 ishte rob lufte.[2]

Nga viti 1945 e deri në vitin 1948 Hentig ndoqi studimet për filologji klasike në Universitetin e Göttingenit, ndërsa në periudhën 1949 - 1953 vazhdoi studimet në Kolegjin Elizabethtown në Pensilvani si dhe në Universitetin e Çikagos. Në qershor të vitit 1953 përfundoi studimet pasuniversitare ku edhe mori diplomë doktorature dhe një muaj më vonë u kthye në Republikën Federale të Gjermanisë. Nga viti 1953 e deri në vitin 1955 ai punoi si profesor në shkollën Birklehof në Hinterzarten, ndërsa në vitet 1955-1956 u kthye në Göttingen. Në vitet 1956 dhe 1957 Hentig e kaloi provimin shtetëror për mësimdhënie. Nga viti 1957 u angazhua si profesor në Uhland-Gymnasium në Tübingen.[2] Nga viti 1963, ishte profesor në Universitetin e Göttingenit, ndërsa nga viti 1968 ishte profesor i pedagogjisë në Universitetin e Bielefeldit.[1] Nga viti 1974, kreu detyrën e drejtorit shkencor në Shkollën Eksperimentale të Universitetit të Bielefeldit. Në vitin 1988 Hartmut von Hentig doli në pension. [1] [2]

Interesimet e tij shkencore sillen rreth problemeve teorike dhe praktike të pedagogjisë. Ai merret me çështje të pedagogjisë së përgjithshme dhe pedagogjisë shkollore (sidomos me teorinë e shkollave të mesme e të larta) e gjithashtu merret edhe me çështje nga fusha e historisë së pedagogjisë (veçmas me rolin e poliseve antike greke, pastaj me pikëpamjet pedagogjike të Sokratit, Jean-Jacques Rousseau, etj.). Hartmut von Hentig është autor i konceptit të Shkollës Humane (Humane Schule), e cila paraqet një shkollë humaniste që ka fituar publicitet të gjerë në botë.[1] Hentig njihet gjithashtu edhe si hartues i një teksti të betimit të mësimdhënësit të njohur si Betimi sokratik.

  • Probleme des altsprachlichen Unterrichts, 1960
  • Wie hoch ist die höhere Schule?, 1962
  • Das Bielefelder Laborschule, 1971.
  • Was ist eine humane Schule?, 1976
  • Die entmutigte Republik, 1980
  • Die Krise des Abiturs und eine Alternative, 1981
  • Erkennen durch Handeln, 1982
  • Das allmähliche Verschwinden der Wirklichkeit, 1984
  • Arbeit am Frieden, 1987
  • Die Schule neu denken, 1993
  • Bildung. Ein Essay, 1996
  • Kreativität: hohe Erwartung an einen schwachen Begriff, 1998.
  1. ^ a b c d Wincenty Okoń: Nowy słownik pedagogiczny. Warszawa: Wydawnictwo Akademickie „Żak”, 2001, s. 125. ISBN 83-88149-41-5.
  2. ^ a b c d Bibliothek für Bildungsgeschichtliche Forschung:Kurzbiographie Prof. Dr. Dres. h.c. Hartmut von Hentig Arkivuar 23 mars 2017 tek Wayback Machine, 14.11.2016