Kryqi i Kuq Shqiptar
Formuar më | tetor 4, 1921 |
---|---|
Lloji | Organizatë humanitare bamirëse |
Qëllimi | Ndihma humanitare |
Selia | Tiranë |
Rajoni i shërbimit | Shqipëria |
President | Ylli Alushi, Kryetar |
Organi | Kuvendi i Përgjithshëm |
Stafi | 47 (2013) |
Vullnetarët | 2,737 (2013)[1] |
Faqja në internet | Faqe zyrtare |
Kryqi i Kuq Shqiptar (anglisht: Albanian Red Cross - ARC) është një shoqatë kombëtare e kryqit të kuq, anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Ajo është organizata më e vjetër humanitare në Shqipëri, e themeluar më 4 tetor të vitit 1921 dhe u njoh zyrtarisht nga Lëvizja e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në vitin 1923. [2] Selia e saj ndodhet në kryeqytetin shqiptar Tiranë. Kryqi i Kuq Shqiptar ka 39 degë të cilat ofrojnë ndihmë humanitare në të gjithë vendin, në përputhje me Parimet Themelore të organizimit përkatës. [3] [1] [1] [4]
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vitet 1920-1969
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprimtaritë e para të Kryqit të Kuq në Shqipëri, datojnë në vitet e para të shekullit të XX. Fillimisht janë njesitë e Kryqit të Kuq të ushtrive ndërluftuese në Luftën e Parë Botërore, dhe me mbarimin e saj, të Kryqit të Kuq Amerikan, të cilët ndihmuan popullsinë vendase kryesisht në fushën e shëndetit, dhe atë sociale.
Viti 1921 - Më 4 Tetor të këtij viti, një grup intelektualësh shqiptar, krijojnë Shoqatën e Kryqit të Kuq Shqiptar. Kryetar i parë i kësaj shoqate u zgjodh Dr. Rifat Frashëri.
Viti 1922 - Aprovohet Statuti i KKSH. Botohet revista e KKSH. KKSH merr përsipër “Strehën vorfnore”. Çdo vit këtu jetonin dhe mësonin me qindra fëmijë nga shtresat më të varfra të popullit. KKSH merr në patronazh Dispanserinë Qendrore, e cila ndihmoi mjaft refugjatët e ardhur nga vendet fqinjë.
Viti 1923 - KKSH njihet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. KKSH bëhet anëtar i Ligës (sot Federatës) së Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duke qenë kështu e 38-ta Shoqatë e themeluar deri në atë kohë.
Viti 1926- Krijohet Këshilli Kombëtar i Kryqit të Kuq Shqiptar. Shoqata shtrihet edhe në rrethe të tjera të vendit. KKSH hap shkollën e infermiereve. Infermieret e përgatitura në këtë shkollë zhvilluan një shërbim të gjerë falas për shtresat më të varfra.
Viti 1927 - Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Francez hapet Këshillimorja dhe pikat e shpërndarjes së qumështit për fëmijët e kequshqyer. Veprimtaritë e KKSH mbështeteshin nga ndihmat që vinin nga populli, bamirës të ndryshëm, por dhe nga shqiptarët e diasporës dhe në veçanti ato në Amerikë.
Vitet 1939 - 1944 - Gjatë Luftës së Dytë Botërore, krahas veprimtarive të tjera, veprimtaritë kryesore të Kryqit të Kuq Shqiptar ishin krijimi i një spitali fushor në frontin e luftës italo-greke, hapja e një Zyre Kërkimi dhe ndihma për popullsinë e zhvendosur për pasojë të frontit të luftës italo-greke.
Viti 1945 - Në vitet e para të pasluftës, veprimtaritë e Shoqatës ishin ndihma në ushqime, veshëmbathje dhe atje ku mundej, edhe në të holla, për të gjithë ata që ishin dëmtuar më shumë nga lufta. Ndërkohë, filloi interesimi për pleqtë e vetmuar dhe pa përkrahje, të cilët u vendosën nëpër azilet që u hapën në disa qytete kryesore të vendit.
Viti 1946 - U ngritën kurset e ndihmës së shpejtë në qendrat e punës dhe kantieret e ndërtimit. Më 1946, në hekurudhën Durrës-Elbasan, Kryqi i Kuq Shqiptar hapi një spital me 50 shtretër në ndihmë të vullnetarëve që punonin në ndërtimin e saj.
Viti 1947 - U hap një çerdhe me 20 shtretër për të lehtësuar sadopak punën e grave, ndërkohë që hapet një azil pleqsh në Shkodër, një çerdhe në Korçë, si dhe pesë shtëpi fëmijësh jetimë me një kapacitet prej 750 vendesh.
Vitet 1950 - 1969 - Pak nga pak Kryqi i Kuq Shqiptar filloi të vihet nën influencën e shoqatave me të njëjtin emër të vendeve të lindjes, duke humbur shumë nga veprimtaritë e mirëfillta të traditës, për t'u kthyer në një shoqatë propagandistike thjesht shëndetësore, plotësisht e varur nga shteti. Më 22 maj 1957, Qeveria Shqiptare dorëzoi pranë Qeverisë Zvicerane instrumentat e ratifikimit të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949, të cilat shoqëroheshin nga rezerva të rëndësishme.
Pas vitit 1969 pasi realisht pjesën dërrmuese të veprimtarisë së Shoqatës e mori shteti, ndërpriten të gjitha veprimtaritë praktike të Shoqatës. Kryqi i Kuq Shqiptar pushoi së funksionuari.
Vitet 1969-1990
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitet 1969 - 1990 Kryqi i Kuq Shqiptar ndërpret aktivitetin e tij.
Vitet 1990-...
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Viti 1991 - Rifillon sërish aktivitetin pas 20 vjetësh. Si një Shoqatë e re, ajo ka bazën e saj legjislative si dhe një strukturë organizative në forcim të vazhdueshëm. Kryqi i Kuq Shqiptar ka degë dhe nëndegë të shpërndara në te gjithë vendin.
Gjatë viteve 1990 - 2005, KKSH ka shënuar një zhvillim të mirë, duke u bërë shoqata humanitare më e madhe në vend. Shoqata në këto vite ka zhvilluar kapacitetet e saj në fusha të ndryshme.
- Në fushën e përgatitjes dhe ndërhyrjes në raste katastrofash, KKSH synon:
- - Ngritjen dhe trajnimin e e strukturave vullnetare në degët e KKSH për të qënë të gatshëm për të vepruar në raste katastrofash;
- - Sensibilizimin e komunitetit për risqet nga katastrofat natyrore dhe masat që duhen zbatuar për të parandaluar ato;
- - Mirëmbajtja e kapaciteteve materiale: sistemi i komunikimit me Wavemail, sistemi i magazinave, si dhe rifreskimi i vazhdueshëm i një stoku standard me mallra ushqimore dhe joushqimore për raste ndërhyrjesh;
- - Ndërhyrje në raste emergjencash, ku mbi bazën e vlerësimit të dëmeve dhe nevojave ndihmohen familjet më të prekura me pako standarde;
- - Bashkëpunimi dhe koordinimi me strukturat qeveritare në të gjitha nivelet siç parashikohet në Planin Kombëtar të emergjencave, ku KKSH ka një rol të përcaktuar.
Me punën e bërë vitet e fundit, KKSH ka arritur që të grumbullojë një eksperiencë të mirë në menaxhimin e katastrofave, duke bërë që ajo të jetë më efektive në rastet e emergjencave. Është ngritur një rrjet vullnetarësh në 25 degë, të cilat kanë njohuri dhe vazhdojnë të trajnohen në këtë fushë. Gjithashtu, KKSH ka reaguar në përgjigje të emergjencave që kanë prekur vendin tonë gjatë këtyre viteve si në: përmbytje në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Fier, në bllokimin nga dëbora në rrethet verilindore të vendit etj. Janë ndihmuar mesatarisht rreth 2500-3000 familje në vit, të cilat janë konsideruar më të prekurit nga fatkeqësitë.
- Projektet e mirëfillta sociale e kanë shoqëruar shoqatën tonë që në fillimin e aktiviteteve të Kryqit të Kuq Shqiptar. Por konturi social i shoqatës filloi të ndjehet veçanërisht pas vitit 1998, vit në të cilën projekte sociale formuan fizionominë dhe shtrirjen e tyre kohore. Kështu, me ndihmën e shoqatave simotra, KKSH zbaton projekte edukative që prej 2000, për fëmijët që braktisin shkollën ose kanë tendencë për të bërë këtë gjë.
Gjatë viteve 2004-2005 janë ndihmuar për t’u integruar në sistemin edukativ rreth 1500 fëmijë në vështirësi në 23 qytete të vendit. Dreka falas ishte projekti i parë ku rreth 450 përfitues, kryesisht persona të moshuar me probleme sociale, u ndihmuan nga ky projekt, i cili u mbyll gradualisht në mars 2002.
Gjatë viteve 1999-2000, KKSH ka përkrahur fillimin e kurseve profesionale për gratë në vështirësi në tre qytete, me mbështetjen e Kryqit të Kuq Spanjoll. Ndërhyrje të tilla janë aplikuar në mënyrë progresive nëpërmjet ndihmës së shoqatave të tjera lokale apo donatorëve të tjerë. Suporti për përmirësimin e vetvlerësimit, autonomisë dhe cilësisë së jetës së grave në Shqipëri është objektivi kryesor i këtij projekti, i cili përfundon me kontributin e promocionit të barazisë gjinore, të 432 grave në situatë të vështirë sociale, familjare dhe ekonomike të rretheve të Tiranës, Korçës, Vlorës, Beratit, Elbasanit dhe Shkodrës, të zonave rurale dhe urbane.
- Në fushën e edukimit shëndetësor KKSH është fokusuar në rritjen e njohurive për mbrojtjen e shëndetit, si dhe ka organizuar të rinjtë dhe sensibilizuar popullsinë në luftën kundër SIDA-s. Informacioni në fushën e edukimit shëndetësor lidhet me tema të tilla si higjiena e gojës, shtatzënia, kujdesi për fëmijën 0-1 vjeç, planifikimi familjar. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme, përhapja e informacionit rreth HIV/AIDS nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, ekspozitave, konkurseve, televizionit, fletëpalosjeve, etj.
Gjithashtu aktivitete të veçanta zhvillohen në fushën e promocionit vullnetar të gjakut, në grupet target dhe publikun e gjerë si: seanca informimi, sensibilizimi dhe rekrutimi të dhuruesve vullnetar të gjakut etj.
- Shoqata ka organizuar një Shërbim Kërkimi i cili i ndihmon njerëzit të gjejnë ose të mësojnë për fatin e të afërmve të humbur, ku përfshihen:
- - Gjetja e individëve të humbur si rezultat i ngjarjeve të tilla, si konflikt i armatosur ndërkombëtar ose jo ndërkombëtar, dizastra natyrore ose zhvendosje masive të refugjatëve.
- - Sigurimi i shërbimit të komunikimit për individë kur rrugët normale të komunikimit janë ndërprerë.
- - Dërgimi i Mesazheve në KK në situata të tilla si: konflikt i armatosur ndërkombëtar ose jondërkombëtar, fatkeqësi natyrore ose zhvendosje masive të refugjatëve.
- Shoqata ka synuar dhe arritur të trajnojë vullnetarë të Ndihmës së Parë si dhe ka ngritur shërbime të Ndihmës së Parë në stadiume dhe veprimtari masive publike. Në fushën e Ndihmës së Parë tashmë është ngritur një sistem trajnimi dhe është siguruar baza materiale dhe didaktike për organizimin e kurseve për përgatitje instruktorësh dhe vullnetarësh të Ndihmës së Parë dhe kurseve për rifreskim. Deri më tani janë përgatitur instruktorë dhe vullnetarë të ndihmës së pare. Ekipet e ndihmës së parë janë shquar për kontributin e tyre duke asistuar fatkeqët gjatë trazirave të pranverës së vitit 1997 dhe gjatë kohës së ardhjes së të shpërngulurve nga Kosova. KKSH në fushën e Ndihmës së Parë punon për ndërgjegjësimin e publikut dhe grupeve të tjera të interesuara për nevojën e dhënies së kësaj ndihme, si dhe përgatitjen e tij me shprehitë se si jepet kjo ndihmë në rast plagosjesh në aksidente, sëmundjesh apo helmimesh që kërcënojnë jetën.
- Kryqi i Kuq Shqiptar synon që përmes mjeteve dhe formave të larmishme të komunikimit të zhvillojë më tej njohuritë e publikut rreth misionit humanitar të shoqatës, të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe vlerave humanitare të Lëvizjes së Kryqit të Kuq. Ai e konsideron si çështje prioritare, vendosjen dhe perfeksionimin e marrëdhënieve me partnerët e vendit apo ata ndërkombëtarë, me autoritetet, donatorët, institucionet por njëkohësisht edhe me njerëzit në nevojë të cilëve u shërben.
Janë kryesisht veprimtaritë e zhvilluara në interes të drejtpërdrejtë të shtresave dhe grupeve në nevojë, që kanë përmirësuar imazhin për misionin fisnik dhe humanitar të Kryqit të Kuq dhe kanë rritur më shumë edhe reputacionin e Shoqatës sonë. Por për të sensibilizuar pozitivisht opinionin publik, median e shkruar e atë elektronike kundrejt misionit të Kryqit të Kuq Shqiptar, kanë kontribuar edhe veprimtaritë e zhvilluara në kuadrin e programit të komunikimit.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Kryqi i Kuq i Kosovës
- Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq
- Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c "IFRC Data Explorer". Arkivuar nga origjinali më 8 qershor 2016. Marrë më 7 prill 2020.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) Gabim referencash: Invalid<ref>
tag; name "ifrcdata" defined multiple times with different content - ^ "Historik i KKSH-se". Kryqit të Kuq Shqiptar. Marrë më 13 qershor 2016.
- ^ "Kontakte". Kryqit të Kuq Shqiptar. Marrë më 13 qershor 2016.
- ^ "Albanian Red Cross 2014 Financial Audit Report" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 6 nëntor 2016. Marrë më 7 prill 2020.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Faqja zyrtare e KKSh-së
- IFRC: Albanian Red Cross Arkivuar 7 prill 2020 tek Wayback Machine
- ICRC in the Western Balkans