Jump to content

Llazari i Serbisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Lazari i Serbisë)
Afresk i Princit Lazar Hrebeljanoviq në Manastirin e Ravanicës, Serbi.

Llazar Hrebelanoviqi (Serbisht cirilik: Лазар Хребељановић Lazar Hrebeljanović; rreth 1329 – 15 qershor 1389) ishte një sundimtar serb mesjetar që krijoi shtetin më të madh dhe më të fuqishëm në territorin e Perandorisë Serbe të shpërbërë.

Shteti i Llazarit, i referuar nga historianët si Serbia Moraviane, përbëhej nga pellgjet e lumenjve Moravë e Madhe, Moravë Perëndimore dhe Moravë Jugore. Llazari sundoi Serbinë Moraviane nga viti 1373 deri në vdekjen e tij në 1389. Ai u përpoq të ringjallte Perandorinë Serbe dhe të vendosej në krye të saj, duke pretenduar se ishte pasardhësi i drejtpërdrejtë i dinastisë Nemanjiq, e cila u zhduk në 1371 pasi sundoi mbi Serbinë për 2 shekuj. Programi i Llazarit kishte mbështetjen e plotë të Kishës Ortodokse Serbe, por fisnikëria serbe nuk e njohu atë si sundimtarin e tyre suprem. Ai shpesh përmendet si Car Lazar Hrebeljanoviq (serbisht: Цар Лазар Хребељановић / Car Lazar Hrebeljanović); megjithatë, ai mbante vetëm titullin princ (serbisht: кнез/knez).

Llazari u vra në Betejën e Kosovës në qershor 1389 ndërsa drejtonte një ushtri të krishterë të mbledhur për t'u përballur me Perandorinë pushtuese Osmane, të udhëhequr nga Sulltan Murati I. Beteja përfundoi pa një fitues të qartë, me të dyja palët që pësuan humbje të mëdha. E veja e Llazarit, Milica, e cila sundoi si regjente për djalin e tyre adoleshent Stefan Lazareviq, pasardhësin e Llazarit, pranoi sundimin osman në verën e vitit 1390.

Llazari nderohet në kishën e krishterë ortodokse si martir dhe shenjtor dhe vlerësohet shumë në historinë, kulturën dhe traditën serbe. Në poezinë epike serbe, ai përmendet si Car Lazari (serbisht: Цар Лазар / Car Lazar).