Ndoc Çoba
Ndoc Çoba | |
---|---|
Ministër i Financave | |
Në detyrë 30 janar 1920 – Nëntor 1920 | |
Paraprirë nga | Fejzi bej Alizoti |
Pasuar nga | Tefë Curani |
Kryetar i Bashkisë së Shkodrës | |
Në detyrë 27 gusht 1937 – 24 Qershor 1939 | |
Paraprirë nga | Zenel Prodani |
Pasuar nga | Mark Kakarriqi |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 27 Shtator 1870 Shkodër, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 6 Mars 1945 Shqipëri |
Nënshtetësia | Shqiptar |
Partia politike | Partia Popullore, zogist/Lëvizja e Legalitetit, pas 21 nëntorit 1943 |
Bashkëshortja/et | Shaqe Shiroka |
Fëmijët | av. Karlo Çoba |
Punësimi | shtetar, ekonomist, publicist |
Ndoc Çoba (Shkodra, 27 korrik 1870 - 6 Mars 1945) ka qenë publicist, deputet, ministër dhe atdhetar shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind më 27 korrik 1870 në Shkodër. Shkollën fillore e ka kryer pranë Kolegjit Saverian ndërsa shkollën e mesme dhe të lartën tregtare e kreu në Venedik.[1] Atje njohu bashkëshorten e tij të ardhshme, Shaqe Shirokën.[2]
Në vitin 1908 u zgjodh kryetar i klubit “Gjuha Shqipe” të themeluar nga Kel Marubi. Në vitet 1909 - 1910 ishte drejtor i përgjithshëm i doganave shqiptare.[3] Delegat i Shkodrës së bashku me Pashko Kakarriqin në prezantimin me Princ Vidin në Gjermani. Në korrik 1914 e deri në qershor 1915 qe pjesë e komisionit prej 12 vetësh që drejtoi Shkodrën.[4]
Më 1918 merr pjesë në Kongresin e Durrësit[5] si delegat i vendlindjes,[4] duke luftuar për kufijtë politikë caktuar në Konferencën e Londrës.[3] Pati të njëjtën përfaqësi në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920 dhe në qeverinë që doli nga ky kongres mori detyrën e Ministrit të Financave. Ndërmori reforma financiare të panjohura më parë në Shqipëri, siç ishte ajo e forcimit të arkës së shtetit përmes huasë shtetërore në popull.
Botoi gazetën "Ora e Maleve" deri në fund të muajit janar të vitit 1923, që ishte zëri në shtyp i grupit politik me po të njëjtin emër dhe përfaqësonte deputetët e opozitës së kohës.[6] Për arsye se mbështeti Lëvizjen e qershorit më 1924, u arrestua më pas me ardhjen Triumfit të Legalitetit dhe u mbajt në burg deri më 12 shkurt 1925.[7]
Në vitet 1928-1936 u zgjodh kryetar i asamblesë bashkiake të Shkodrës, kurse më 27 gusht të 1937 e deri më 24 qershor 1939 qe kryetar i bashkisë së qytetit.[1][8] Si përfaqësues i zogistëve së bashku me Abaz Kupin, mori pjesë në Mbledhjen e Pezës më 16 shtator 1942.[4] U ftua nga Enver Hoxha në kryesinë e kësaj mbledhjeje, Halim Begeja shkruante se Çoba nuk pranoi. Pikat e propozuara nuk i pranoi dhe nuk firmosi rezolutën e dalë nga mbledhja.[9]
Pas Konferencës së Pezës, Çoba u zu dhe u arrestua në kohën e qeverisë Kruja[10] dhe internohet në Ventotene, ku qëndroi deri me kapitullimin e Italisë. Mori pjesë si delegat në formimin e Partisë Lëvizja e Legalitetit në shtator 1943.[4]
Me të hypur komunistët në fuqi, u arrestua janarin e 1945 dhe pas tre muajsh torturash ndërron jetë në mars.[1][3]
Pati një korrespondencë të pasur me patriotët që jetonin e punonin në Shqipëri e jashtë saj, dhe shkroi shumë artikuj në organe të ndryshme shtypi si ‘Albania’ e Faik Konicës, ‘Corriere della Sera’, ‘Piccolo di Trieste’, ‘Nazione Albanese’, etj.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist. Vëll. 1. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2012. fq. 255. ISBN 978-9928-168-01-6.
- ^ Dibra, Zenepe (2006). "Çoba, Shaqe (Marie)". përmbledhur nga Haan, Francisca de; Daskalova, Krassimira; Loutfi, Anna (red.). Biographical Dictionary of Women's Movements and Feminisms in Central, Eastern, and South Eastern Europe : 19th and 20th Centuries (në anglisht). New York: Central European University Press. fq. 99–101. ISBN 978-963-7326-39-4.
- ^ a b c Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 547. OCLC 645720493.
- ^ a b c d Juka, Gëzim (2014). Shkodra në Triumfin e Legalitetit. Tiranë: Reklama. fq. 159. ISBN 9789928125941.
- ^ Nosi, Lef (2007). Dokumente historike 1912-1918. Tiranë: ASH, Instituti i Historisë. fq. 288–289. ISBN 978-99956-10-04-3.
- ^ Çefa, Kolec (2013). Grupi "Ora e Maleve" dhe publicistika e tij. Tiranë: Gjergj Fishta. fq. 116. ISBN 9789928161215.
- ^ Quku, Mentor (2009). Mjeda 4: Identitet (1912-1925). Tiranë: ILAR. fq. 584, 594. ISBN 978-99956-07-60-9.
- ^ Kuvendi i Shqipërisë kremton jubileun e 100-Vjetorit të Pavarësisë në një ceremoni në nderim të firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, anëtarëve të qeverisë së Lushnjes, udhëheqë...
- ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 255. ISBN 9789928106384.
- ^ Kruja, Mustafa; Margjokaj, P. Paulin (2006). Letërkëmbim (1947-1958). Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 55. ISBN 99943-34-47-6.