Jump to content

Allah

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Origjina e emrit Allah)
Fjala Allah në kaligrafinë arabe

Allahu eshte Zoti, i cili konceptohet si unik dhe absolut, pa trajtë, gjini apo numër shumës.

Prejardhja e fjalës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
"Allah Jalla Jalaluhu" shkruar në një disk në xhaminë Ajasofja, Stamboll, Turqi.

Nga ana gjuhësore, fjala Allāh ka afërsi të ngushtë me atë eloahhebreisht, të përdorur më tepër në formën e shumësit elohim (hebreisht אלהים). Fjala eloah/Elohim duhet të ketë pasur fillimisht kuptimin „i fortë“, „i fuqishëm“. Fjala elohim përkthehet në bibël në përgjithësi me „Zot“ por në disa vende në të ajo përdoret edhe për engjëj dhe madje për njerëz (Eksodi 4,16). Në trashëgiminë çifute, Zoti, si krijues dhe gjyqtar, cilësohet me fjalën elohim, ndërsa fjala JHVH (jahve) përmban kryesisht aspektin e mëshirshëm të Zotit. Edhe në arameikisht, e cila bën pjesë po ashtu në familjen e gjuhëve semite, thuhet Alah ose Alaha, sipas dialektit edhe me ngjyrimin Aloho.

Termat Zot, Allah, Elohim janë kështu në shqip, arabisht dhe hebreisht sinonime.

Trashëgimia letrare islame shkruan se emri Allah njihej edhe nga politeistët dhe se i ati i Muhametit e ka pasur emrin Abdullah, emër i cili përbëhet nga kjo fjalë. I dëshmueshëm arkeologjikisht është në të kundërt përdorimi paraislamik i fjalës Allah nga ana e të krishterëve (Umm el-xhimal).

Ka dy hipoteza alternative historiko-gjuhësore; sipas njërës prej tyre fjala Allah është formuar nga elipsa e rrokjeve arabe الإله = Al-ilāh = Perëndia. Sipas tjetrës, nëpërmjet përvetësimit të termit arameik Alaha. E para është shpjegimi me akceptancën (njohjen) shkencore më të gjerë sot.

Me formën e shumësit të madhërisë (pluralis majestatis) "Allahumma", shpjegohet edhe forma e shumësit që figuron në kuran, psh. në suren 2, vargu 35:

"Dhe Ne i thamë: O Adam, qëndro ti dhe gruaja jote në kopësht dhe hani nga frutat e tij pa kursyer dhe ku të doni! Por mos iu afroni kësaj peme, se përndryshe do t'u përkisni të padrejtëve."

Një nga 99 emrat e Allahut është arabisht maliku l-mulk, e përkthyer në shqip: mbreti i mbretërve, me të cilën shpjegohet edhe forma e pluralis majestatis, (shumësit të madhërisë).

Allahu në fenë islame

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Shpallja e besimit të fesë islame si shkrim në flamurin e Arabisë Saudite.

Nga 114 suret e Kuranit, 113 fillojnë me besmelen. Njohja e Allahut si i vetmi Zot, shahada, është një nga pesë shtyllat e fesë islame. Kur myslimanët flasin për Zotin ose Allahun, shtojnë shpesh edhe shprehjen „qoftë i lëvduar dhe i lartë“ (arabisht سبحانه وتعالى = subḥanahu va ta'ālā).

Allāhu (Zoti) është i vetmi emër i përveçëm i Zotit në fenë islame. 99 emrat e Allahut të bërë tashmë proverbialë, janë atribute (mbiemra) por nuk janë veç të gjitha nga Kurani. Disa emra të kësaj liste e kanë prejardhjen nga hadith-i, trashëgimia e fjalëve të profetit Muhamet. Për shembull emri i 91-të ad-dārr („plagosësi, rrezikuesi“) gjendet vetëm tek hadithet. Në Kuran ka në të vërtetë më tepër se 99 atribute. Janë gjithësej rreth 114. Lista e 99 emrave përshkruhet me „emrat më të bukur“ (asma’ul husna). Nga të gjithë këto atribute rrjedhin edhe emrat e përhapur arabë si psh. Abdullah („shërbyes i allahut“) ose edhe Abdul Hayy („shërbyes i të gjallit“), Abdul Maxhid („shërbyes i të lavdishmit“). Duhet pasur parasysh këtu se bëhet fjalë për shkallën sipërore të vetive të përmendura („më i mëshirëshmi“, „më i plotëfuqishmi“, „gjithë-shikuesi“ etj.)

Vetitë ose definimet teologjike të Zotit në fenë islame përmenden si në kuran ashtu edhe në hadith. Cilësia kryesore aty e Zotit është që ai është i pavarur nga krijesat e tij. Ai është i pavarur nga koha (sipas tyre, zoti ka ekzistuar përpara kohës dhe do të mbesë edhe pas mbarimit të saj). Zoti është krijuesi i botës por jo pjesë e botës materiale. Zoti, sipas përcaktimit islam nuk ka as gjini, as fëmijë dhe as partnerë. Gjithashtu nuk ekziston asnjë qenie e barazvlefshme me të. Përveç kësaj Zoti është i pranishëm kudo, i plotfuqishëm dhe në dijeni të gjithçkaje, do të thotë. Ai e di në çdo moment se ç'ndodh, ç'ka ndodhur dhe ç'do të ndodhë në çdo vend si dhe ç'do të kishte ndodhur sikur një ngjarje (që pritej) të mos kishte ndodhur.

Kurani e përcakton Allahun kështu:

(22) Ai është Zoti, përveç të cilit nuk ka asnjë zot tjetër. (Ai është) ai që ka dijeni për të fshehtat (enigmat) dhe për ato që dihen nga të gjithë. Ai është ai i mëshirshmi dhe i dhembshuri.
(23) Ai është Zoti, përveç të cilit nuk ka asnjë zot tjetër. (Ai është) mbreti i shenjtë, (në të cilin është) mirësia. (Ai është ai që) jep siguri dhe qartësi (?), i fuqishmi, i madhi dhe krenari. Zotit i qoftë i lavdi! (Ai është i lartë) mbi ata (dmth. të pafetë) që i vënë atij përbri (perëndi të tjera).
(24) Ai është Zoti (i vetëm), krijuesi dhe formuesi. Atij i takojnë të gjithë emrat e bukur. Atij i thur lavdi (gjithçka) që është në qiell dhe në tokë. Ai është i fuqishmi dhe i urti (i dituri).
— (59:22-24)

Për të kuptuar unicitetin (të qënit një) e Allahut në kontekstin islam duhet pasur parasysh termi i tauhīd-it. Shqyrtimi i kuptimit të Allahut sipas konceptimit islam është i pamundur pa tauhīd-in.

Allahu si term fetar kristian

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjuha malteze e përdor termin "Alla" për Zotin në kuptimin kristian.

Në janar 2010 në Malezi u bënë disa atentate kundra kishave kristiane, të shkaktuara si pasojë e përdorimit të fjalës "Allah" nga ana e popullsisë autoktone të krishterë. Në gjuhën e malezëve fjala Allah do të thotë gjithashtu Zot. Gazeta zviceriane "Neue Zürcher Zeitung" shkruan për këtë [2]: Shumë myslimanë janë të mendimit se jo-myslimanëve nuk u lejohet ta zënë me gojë fjalën «Allah». ... myslimanë të zemëruar mbanin në duar parulla me shkrime si «Allahu u përket myslimanëve» ose «mos provokoni fenë islame». ... Vitin e kaluar autoritetet shtetërore kanë konfiskuar e pakta 15000 Bibla të përkthyera në gjuhën maleze pasi në tekstet e tyre bëhej fjalë për «Allahun».

Receptimi në kristianizëm

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për kristianizmin ngrihet pyetja nëse (sidomos në lidhje me dialogun ndërfetar) Allahu dhe Zoti i Biblës janë identikë. Kisha katolike për shembull shpalli më 28 tetor 1965 në kuadër të vatikanum-it të dytë shkrimin Nostra Aetate të detyrueshëm për të gjithë katolikët, në pjesën e tretë të të cilit që u shtua më vonë pas protestave arabe ndaj orientimit të kësaj shpallje vetëm ndaj jehudizmit, thuhet:

Me respekt i sheh kisha edhe myslimanët që adhurojnë Zotin e vetëm, të gjallë dhe vetëekzistues, të mëshirëshëm dhe të plotfuqishëm, krijuesin e qiellit dhe të tokës që ka folur me njerëzit. Ata përpiqen t'i nënshtrohen me gjithë shpirt edhe gjykimeve të fshehura të tij, ashtu siç i është nënshtruar Abrahami Zotit, të cilit i referohet besimi islamik. Jezusin, të cilin ata nuk e njohin si zot por e respektojnë veç si profet, duke nderuar edhe nënën e tij virgjëreshë Marian, së cilës herë pas here i bëjnë thirrje në përshpirtni. Gjithashtu ata presin ditën e gjyqit të mbramë, ku Zoti do të zgjojë të gjithë njerëzit duke i shpaguar. Prandaj ata e vlerësojnë jetën e moralshme dhe e nderojnë Zotin veçanërisht me anë të lutjes, lëmoshave dhe agjërimit.[1]

Të përbashkët kanë të krishterët dhe myslimanët besimin tek Zoti krijues, i cili, siç besojnë ata, ka krijuar qiejt dhe tokën:

Në fillim Zoti krijoi qiejt dhe tokën. (Zanafilla 1,1)

thuhet në vargun e parë të zanafillës së Biblës; një shprehje e ngjashme në lidhje me Zotin gjendet edhe në Kuran:

Ai është ai që ju ka krijuar gjithçka që ndodhet në tokë dhe që duke u ngritur drejt qiellit e ka formuar atë në shtatë qiej. Ai di gjithçka. (Sure 2, vargu 29.)

Shumë të krishterë të rrymës evangjeliste hedhin poshtë barazimin e Zotit të Zbulesës së Biblës me atë të Kuranit. Një arsye e kësaj mënyre gjykimi është shpallja qëndrore e fesë islame se Allahu nuk ka bir. Në kundështim me këtë (sipas mendimit të shumë të krishterëve evangjelistë) është shpallja thelbësore e Dhjatës së re, e cila e përkufizon Zotin si „Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit“.

Ish-kryetari i këshillit të kishës evangjelisteGjermani, („Evangelische Kirche in Deutschland”), Wolfgang Huber, është i mendimit që nuk mund të bëhet konstatim mbi atë se Zoti, të cilin adhurojnë të krishterët, është i njëjti me atë, të cilin adhurojnë myslimanët. Huber sheh si të mundshëm vetëm një deklarim në lidhje me njohjen ndaj Zotit duke qenë këtu i mendimit se të krishterët njohin një tjetër Zot nga ai i myslimanëve: „a është Zoti i njëjti, këtë duhet t'ia lëmë atij ta vendosë. Ne si njerëz mund të gjykojmë vetëm mbi njohjen tonë ndaj Zotit. Si të krishterë, ne nuk kemi asnjë arsye të themi se njohim të njëjtin Zot si dhe myslimanët.“[2]

  • The Encyclopaedia of Islam. (Enciklopedia e fesë islame). New Edition. Brill, Leiden. Vol. 1, f. 406 (Allāh). Në lidhje me etimologjinë e fjalës allah dhe ilāh shih vol. 3, f. 1120 (Ilāh).
  1. ^ Selia e shenjtë: [1] (Deklarata Nostra Aetate në lidhje me marrëdhëniet e kishës me fetë jo të krishtera), 28 tetor 1965
  2. ^ Nicht der gleiche Gott - Dokumentation eines Focus-Interviews Arkivuar 17 mars 2008 tek Wayback Machine (Jo i njëjti Zot. Dokumentacion i një interviste) 22 nëntor 2004