Jump to content

Qëndresa e ilirëve kundër romakëve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Qëndresa e ilirëve kundër pushtuesve romak përfshin një periudhë të gjatë kohore disa shekullore. Luftërat e gjata të shtetit ilir dhe atij maqedonas ishin bërë pengesa më e fuqishme kundër pushtuesve romakë. Thyerja e këtyre dy fuqive më të rëndësishme në Ballkan i kishte hapur Romës rrugën për të vazhduar më tej politikën e saj ekspansioniste në këtë gadishull dhe më tej në Lindje. Në shekullin II p.e.sonë dhe në shekujt që pasuan, Roma i shtriu luftërat e saj pushtuese edhe mbi krahinat e tjera të Ilirisë së brendshme dhe të asaj veriore.

Objekt i synimeve të Romës u bënë, në radhë të parë Mbretëria Dardane dhe federata e dalmatëve, dy formacione shtetërore ilire, të cilat dolën në skenën politike më vonë. Mbretëria Dardane, siç u pa në kreun e mëparshëm, përmendet në burimet e shkruara edhe para këtyre luftërave dhe del si kundërshtare e fortë e ekspansionit maqedonas në Ilirinë Verilindore, duke arritur zhvillimin e saj më të madh në pjesën e dytë të shek. III dhe gjatë shek. II p.e.sonë. Në këtë shekull të fundit dardanët u bënë gjithashtu edhe kundërshtarët më të fortë të pushtuesve romakë.

Flamurin e luftës e morën dalmatët dhe fiset e tjera të veriut, që u bënë simbol i qëndresës kundër romakëve për një shekull e gjysmë. Kryengritjet e njëpasnjëshme të ilirëve morën karakter të gjerë duke përfshirë thuaj gjithë trevën ilire nga Danubi në veri deri në skajet jugore të Ilirisë.

Në prag të erës sonë shpërtheu Kryengritja e madhe ilire, e quajtur Kryengritja e Batos, e cila qe kurorëzim i të gjitha kryengritjeve të mëparshme dhe i solli dëme të ndjeshme Perandorisë Romake duke e detyruar të hiqte dorë nga politika e saj agresive në Evropën Qendrore.[1]

Federata e delmatëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në veri të shtetit ilir dhe të Mbretërisë Dardane banonin popullsi të ndryshme ilire, të cilat me përjashtim të ilirëve të bregdetit të Adriatikut. dalin vonë në burimet e shkruara antike. Midis tyre ata që përmenden më herët janë “liburnët” të njohur si një nga popullsitë ilire që zhvilluan detarinë e tyre. Por nga ilirët veriorë, të cilët njihen më mirë dhe që zënë një vend të rëndësishëm në ngjarjet e shekujve II-I p.e.sonë e në qëndresën kundër pushtuesve romakë, kanë qenë dalmatët.

Kjo gjendje e trashëguar nga përshkrimet e autorëve antikë për ilirët e veriut është pasqyruar në një farë mënyre edhe në historiografinë e sotme. Nuk mund të thuhet se mungojnë studimet për ilirët e veriut, por këto studime lidhen më tepër me popullsi të veçanta, me shtrirjen e tyre gjeografike dhe nuk ka një trajtim të përgjithshëm të historisë së tyre. Këto studime mbështeten pak nga të dhënat e arkeologjisë, edhe pse këto janë të pasura në krahinat veriore ilire për periudhat prehistorike e protohistorike dhe për periudhën e pushtimit romak.[1]

Qëndresa e dalmatëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në shek. II p.e.sonë, dalmatët shfaqen në Ilirinë e Veriut si një fuqi politike aktive. Tokat e banuara prej tyre deri në atë kohë ndodheshin në krahinën e brendshme, në jug të Alpeve Dinarike, ku gjendej edhe kryeqendra politike e tyre, kështjella e Delminit. Në këtë krahinë dalmatët krijuan një federatë të fuqishme, e cila erdhi duke u shtrirë në drejtim të bregdetit. Në federatën e dalmatëve u përfshinë edhe disa popullsi fqinje. Gjatë shek. II p.e.sonë territori i saj u zgjerua mjaft, në këtë territor qenë përfshirë jo vetëm tokat e brendshme, por edhe ato bregdetare. Në veri treva e federatës arriti deri te lumi Titius (Krka e sotme), duke pasur si fqinjë liburnët. Në jug, në fillim ishte lumi Tilur (Cetina), por më vonë kufiri arriti deri te rrjedhja e poshtme e Naronës (lumi i sotëm Neretva), në brigjet jugore të së cilës banonin daorsët. Më i vështirë është përcaktimi i kufirit lindor, pasi kemi të bëjmë me një krahinë malore, por ka shumë të ngjarë që ai të arrinte deri tek viset e banuara nga desidiatët, në Bosnjë. Pjesa më e madhe e trevës së federatës së dalmatëve, brenda këtyre kufijve dhe Detit Adriatik ishte thuajse tërësisht malore, por nuk mungonin edhe disa pllaja të mëdha. Kjo veçori e relievit të viseve dalmate dhe kullotat e pasura të rrafshnaltave favorizonin zhvillimin e blegtorisë, kanë bërë që blegtoria të ishte baza kryesore e ekonomisë dhe që vetë dalmatët të njihen më tepër si blegtorë. Bujqësia vinte në rend të dytë, kurse xehtaria ka qenë më pak e zhvilluar.

Të dhënat e arkeologjisë tregojnë se edhe te dalmatët sikurse tek ilirët e tjerë, në periudhën e parë të hekurit kishte filluar shthurja e bashkësisë primitive dhe diferencimi ekonomik e shoqëror. Në gjirin e shoqërisë së dalmatëve ishte krijuar një shtresë e veçantë që zotëronte kope të mëdha bagëtish të imta, nga e cila doli paria fisnore, që u vu në krye të federatës dhe e udhëhoqi në luftërat e ndryshme. Kësaj kohe i përkasin edhe një tok qendërbanimesh të fortifikuara, të quajtura zakonisht “gradina” të ngritura përreth pllajave të brendshme, rrënojat e të cilave janë ruajtur deri në ditët tona. Këto qendërbanime të fortifikuara apo kështjella ngriheshin në majat e sheshuara të disa kodrave të ulta dhe janë të njëkohshme. Ato përveç mbrojtjes natyrore ishin të fortifikuara me ledhe gurësh që dalmatët bënë kundër pushtuesve romakë. Ndryshonte prej tyre Delmini, kryeqendra e dalmatëve, të cilën Straboni e ka quajtur një qytet të madh; sikurse del nga përshkrimet e disa autorëve të tjerë antikë, ai ka qenë shumë i fortifikuar, i rrethuar me mure të larta dhe i vështirë për t’u pushtuar. Për të njohur natyrën e qendërbanimeve të fortifikuara të dalmatëve mund të ndihmonte arkeologjia; por ato qendërbanime kanë mbetur ende të pastudiuara mirë. Sidoqoftë ato nuk u zhvilluan si qendra qytetare, veçse me ndonjë përjashtim të rrallë, por i shërbyen kryesisht popullsisë blegtorale. Duke qenë blegtoria degë kryesore e ekonomisë së viseve të brendshme dalmate, në këto vise u zhvilluan ato zeje që lidhen me blegtorinë. Kështu pasuria e madhe me dhen i dha shkas punimit të leshit dhe krijimit të punishteve të tekstilit. Në popullsinë blegtorale të dalmatëve pati një zhvillim edhe punimi i drurit, i ndihmuar nga pyjet e pasura të viseve të tyre.

Të dhënat burimore të shkruara dhe arkeologjike, tregojnë se te dalmatët e viseve të brendshme u ruajt më gjatë organizimi fisnor; për marrëdhëniet ekonomike e shoqërore të ruajtura te dalmatët e brendshëm bën fjalë Straboni kur shkruan se, ende në kohën e tij, dalmatët e ndanin tokën çdo tetë vjet dhe se ndryshe nga banorët e bregdetit, përdornin monedhat. Nga kjo e dhënë e Strabonit kuptohet se nuk ishte fjala për tokat e kulturave bujqësore, ku ekzistonte prona private, por për kullotat, pyjet etj., të cilat vazhdonin, si edhe tek ilirë të tjerë, të ishin prona të përbashkëta. Por, në të njëjtin vend Straboni shkruan se Salona ishte një skelë e dalmatëve dhe se në viset e tyre ka pasur qendërbanime të shumta (sipas tij numri arrinte në 50); qytete të rëndësishme, përveç Salonës e Delminit, kanë qenë Promona, Andetria, Ninia, etj. Është e qartë se njoftimi i parë i Strabonit u përket viseve të brendshme, kurse në krahinën bregdetare gjendja ishte krejt ndryshe. Në ishujt fqinjë dhe në bregdet ndodheshin kolonitë greke të Farit e të Isës dhe qytetet Tragur e Epeti, të varura prej kësaj të fundit. Në krahinën bregdetare ku ndodheshin të gjitha qendrat qytetare që u përmendën më sipër, janë gjetur materiale arkeologjike e monedha, midis të cilave edhe monedha të Dyrrahut e të Apolonisë, tregues të një zhvillimi ekonomik e shoqëror të përparuar. Në këtë krahinë të gjerë të federatës së dalmatëve organizimi fisnor po ia lëshonte vendin shoqërisë skllavopronare. Ka qenë ky zhvillim që pati treva e federatës së dalmatëve, i cili e bëri këtë të fundit një fuqi politike të rëndësishme në brigjet e Adriatikut Verior në shek. II-I p.e.sonë.

Në fillim të shek. II p.e. sonë, gjatë sundimit të Pleuratit dalmatët qenë në vartësinë e shtetit ilir, por për një kohë të shkurtër. Me vdekjen e Pleuratit dhe me ardhjen e Gentit në krye të shtetit ilir në vitin 181 p.e.sonë ata u bënë përsëri të pavarur. Pas shkëputjes nga shteti ilir federata e dalmatëve u forcua shumë. Në këtë kohë dalmatët bashkuan rreth vetes edhe popullsi të tjera ilire, të cilat qenë detyruar t’i jepnin federatës si tribut, bagëti dhe grurë. Në viset bregdetare adriatikase, Traguri e Epeti, dy qytete që ishin nën varësinë e kolonisë sirakuziane, Isës, dhe që ndodheshin pranë Salonës, qenë detyruar t’i jepnin gjithashtu një tribut federatës së dalmatëve. Dalmatët u përpoqën njëkohësisht të nënshtronin daorsët, të cilët zotëronin vetëm krahinat pas bregut të majtë të rrjedhjes së poshtme të lumit Naretva. Daorsët para vitit 168 p.e.sonë bënin pjesë në shtetin ilir dhe me rënien e këtij të fundit kishin hyrë nën protektoratin e Romës.

Forcimi i federatës së dalmatëve sidomos në viset bregdetare jugore, nuk mund të mos ngjallte shqetësime në shtetin romak, që ndiqte një politikë pushtuese në viset veriore ilire. Këtë politikë pushtuese shteti romak e justifikonte, gjoja për të mbrojtur kufijtë lindorë të Italisë. Kështu pati vepruar që në kohën e luftërave iliro-romake, ndërsa në vitin 178 p.e.sonë ushtria romake, pasi kishte thyer qëndresën e istrëve, kishte pushtuar gjithë gadishullin e banuar prej tyre. Duke zbatuar më tej politikën pushtuese Roma sulmoi edhe federatën e dalmatëve. Për luftën kundër dalmatëve romakët përdorën si pretekst ankesat e daorsëve e të Isës, të cilët ishin nën tutelën e Romës, dhe sjelljet e këqija të dalmatëve kundër delegatëve të tyre. Vepra e Polibit, që është burimi kryesor për këto ngjarje, tregon se nuk qenë veprimet e dalmatëve shkaku i luftës, por plani i Romës, i përgatitur me kohë për të pushtuar trevën veriore ilire. “Duke ndërmarrë një fushatë kundër dalmatëve, shkruan Polibi, në njërën anë do të nxitnin, do të ngrinin shpirtin luftarak të popullit të tyre dhe, në anën tjetër, do t’u jepnin një mësim ilirëve dhe do t’i detyronin t’i nënshtroheshin sundimit të Romës. Për këto arsye romakët u shpallën luftë dalmatëve, por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënë këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve ndaj përfaqësuesve të tyre”.

Në vitin 156 p.e.sonë ushtria romake duke pasur si bazë rrjedhjen e poshtme të lumit Neretva filloi sulmin kundër dalmatëve. Përpjekja e parë e ushtrisë romake për t’u futur në viset e dalmatëve përfundoi keq dhe ajo u detyrua të kthehej përsëri në bazën e nisjes. Konsulli romak G. Mark Figuli, duke shpresuar se do t’i zinte dalmatët në befasi, i sulmoi përsëri ata në fillim të dimrit. Dalmatët e përballuan me sukses sulmin që ushtria romake i bëri kryeqendrës së tyre Delminit, por një vit më vonë, pas përgatitjesh të mëdha, romakët duke përdorur të gjitha mjetet mundën të pushtojnë Delminin. Burimet e shkruara nuk bëjnë fjalë për gjendjen që u krijua pas luftës. Ngjarjet e mëpastajme tregojnë se lufta vërtet përfundoi keq me pushtimin e Delminit, por jo me nënshtrimin e dalmatëve. Pas kësaj lufte romakët e zgjeruan agresionin e tyre në Ilirinë e Veriut duke sulmuar japodët e panonët. Kësaj radhe sulmet e romakëve patën si pikënisje kufirin verilindor të Gadishullit Italik dhe si bazë për fushatat e tyre kundër ilirëve shërbeu qyteti Akuilea, në Gadishullin e Istrisë, ku shteti romak kishte vendosur një koloni me qytetarë romakë. Japodët e panonët, ashtu si dalmatët i vazhduan për një kohë të gjatë luftërat kundër pushtuesve romakë. Me qëndresën që i bënë shtetit romak për më se njëqind vjet - nga gjysma e dytë e shek. II deri në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë - popullsitë ilire të veriut, e detyruan atë të dërgonte në viset e tyre ushtri të reja, por pa arritur rezultate të dukshme. Në krye të popullsive veriore ilire, në luftën kundër romakëve, qëndronin dalmatët, të cilët për shumë vjet me radhë mbetën kundërshtarët më të fortë të Romës.

Në gjysmën e dytë të shek. II p.e.sonë kundër pushtuesve romakë luftuan edhe ardianët të cilët ishin një nga popullsitë e mëdha ilire që jetonte në brigjet e Adriatikut të Mesëm deri në afërsi të Liqenit të Shkodrës. Viset e tyre, që bënin pjesë në shtetin ilir, pas vitit 168 p.e.sonë, ishin futur në njërën nga krahinat pseudoautonome të krijuara nga shteti romak. Nën ndikimin e luftës dhe të qëndresës së federatës së dalmatëve kundër Romës, ardianët e ndryshuan statusin e vendosur në vitin 168 dhe u bënë të pavarur. Në përpjekjet për të forcuar pozitën e tyre në një krahinë të varur politikisht nga shteti romak, ata u ndeshën së pari me “aleatët” e këtij shteti. Sipas Tit Livit ardianët e pleurejtë “shkretonin Ilirinë që ishte nën romakët”. Përpjekjet e ardianëve e të pleurejve për të forcuar pavarësinë e tyre, në një kohë kur edhe fise të tjera ilire luftonin kundër pushtuesve romakë, krijuan për Romën një situatë të vështirë, të rënduar edhe nga kryengritja e skllevërve në Sicili. Për të dalë nga kjo situatë shteti romak dërgoi në viset e ardianëve e të pleurejve një ushtri relativisht të madhe, të përbërë nga 10 mijë këmbësorë e 600 kalorës. Mënyra se si u zhvilluan luftimet tregon se sulmi romak i gjeti ardianët e pleurejtë të papërgatitur për një luftë e qëndresë të gjatë. Burimet japin njoftime vetëm për një betejë që u bë në vitin 135 p.e.sonë, ku romakët i thyen ardianët e pleurejtë. Pas kësaj lufte shteti romak, për të shmangur një kryengritje e re, i shpërnguli me forcë ardianët nga bregdeti në viset e brendshme malore të Hercegovinës së sotme.[1]

Kryengritjet e ilirëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kryengritjet e ilirëve në shek. I p.e.s.

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Megjithëse popullsitë e ndryshme ilire ishin mundur në beteja të veçanta nga ushtria romake, kjo e fundit nuk e kishte thyer përfundimisht qëndresën e tyre. Pas luftërave mbrojtëse filluan kryengritjet. Mizoritë e ushtrive romake, veprimet arbitrare të komandantëve e të qeveritarëve romakë, taksat e rënda, plaçkitjet e grabitjet e pushtuesve i shtynë në kryengritje ilirët e veriut dhe të jugut. Pushtimi romak bëhej përherë e më i rëndë; në krahinat e pushtuara nuk ishin të siguruara as gjëja, as nderi dhe as jeta e ilirëve.

Kjo bëri që në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë, gjatë krizës politike që kaloi Republika Romake për shkak të luftës civile, lufta çlirimtare e ilirëve të zgjerohej edhe më shumë. Në krahina të ndryshme të Ilirisë, sidomos në ato bregdetare u krijua një situatë e favorshme, e cila u dha shkas përpjekjeve për çlirim. Duke pasur synime të qarta politike, ilirët u përpoqën të përfitonin nga konfliktet që lindën në gjirin e klasës sunduese romake. Kështu në vitet 50 të shek. I p.e.sonë një pjesë e qyteteve (ku ishin vendosur qytetarë italikë) që kishin filluar të zhvilloheshin ekonomikisht, morën anën e Cezarit; paria ilire, e nisur nga interesat e saj jetësore, përkrahu kundërshtarin e tij, Pompeun.

Të parët që morën armët dhe u ngritën kundër romakëve qenë pirustët; në vitin 50 p.e.sonë ata sulmuan krahinat jugore të vëna nën administrimin e Cezarit. Shteti romak mori masa mbrojtjeje kundër pirustëve kryengritës, dërgoi forca të reja ushtarake dhe fortifikoi qytetet. Ne kemi dëshminë e tri mbishkrimeve latine të gjetura në Lezhë dhe të vetë Cezarit për rindërtimin e fortifikimeve të Lisit, që duhet të ketë qenë një nga qytetet e para të sulmuara nga pirustët.

Atë që nuk mundën ta bënin pirustët, dëbimin e pushtuesve romakë nga vendi i tyre, e bënë dalmatët. Në vitet 50 të shek. I p.e.sonë dalmatët rimëkëmbën federatën e tyre. Në kufirin verior me liburnët ata çliruan qytetin Promona dhe thyen ushtrinë e fortë romake të dërguar kundër tyre nga Cezari. Në vitet 47-48 në një betejë të madhe ata shkatërruan tërësisht ushtrinë romake të përbërë nga 15 kohorta këmbësorësh e 3 000 kalorës. Më shumë se 2 000 ushtarë, 30 centurionë e 4 tribunë romakë u vranë në këtë betejë. Me disfatë përfunduan edhe operacionet e tjera të ushtrisë romake, e cila u thye, duke humbur edhe flamujt. Sipas Apianit, dalmatët pas këtyre betejave “nga plaçka e shumtë që zunë jo vetëm u pasuruan në të holla, por rritën fuqinë e tyre ushtarake”. Dalmatët mbetën të pavarur dhe të fuqishëm edhe pas vdekjes së Cezarit.

Kundër pushtuesve romakë u ngritën edhe parthinët, tokat e të cilëve gjatë luftërave u bënë shesh lufte. Me pasoja për ta qe lufta midis Cezarit e Pompeut që shkatërroi ekonominë e tyre. Gjatë kësaj lufte ushtritë romake grabitën popullsinë parthine dhe krijuan aty një gjendje pasigurie. Për herë të parë parthinët ngritën krye në vitin 48 p.e.sonë, por kryengritja më e madhe e tyre ka qenë ajo e vitit 39, gjatë së cilës u shkaktuan pushtuesve romakë humbje të mëdha. Por në luftimet u vranë rreth 5 000 kryengritës. Sipas tregimit të Apianit, edhe pasi ishte shtypur kryengritja, njëri prej komandantëve romakë, Mark Antoni, do të ndihmonte ushtrinë që kishte në tokat ilire dhe me qëllim që ta bënte të pasur dhe njëkohësisht ta stërviste, e hodhi këtë ushtri kundër parthinëve.

Gjatë gjysmës së dytë të shek. I fise të tjera kryengritëse ilire të veriut vazhduan të luftojnë kundër pushtuesve romakë. Oktaviani, që ishte bërë në vitet 40 sundimtar i vetëm i shtetit romak, u detyrua të vinte vetë në viset ilire të çliruara në krye të një ushtrie prej 8-10 legjionesh (pothuaj 1/5 e ushtrisë së tij). Me këtë fushatë të madhe ushtarake Oktaviani kërkonte të forconte njëkohësisht edhe pozitën e tij në Itali. Në vitin 35 p.e.sonë ushtria i sulmoi nga toka dhe nga deti liburnët, kaonët dhe japodët. Këta të fundit u bënë legjioneve pushtuese një qëndresë të madhe. Në qëndresën ilire të kësaj kohe mbetet si një shembull i madh lufta për mbrojtjen e Metulit, qytetit kryesor të japodëve. Romakët mundën të pushtonin këtë qytet vetëm kur ai u shkatërrua i tëri dhe kur ishin vrarë mbrojtësit e tij. Për të mos rënë në duart e armikut, gratë metulase me fëmijët e tyre u hodhën në zjarrin që përfshiu qytetin. Shteti romak sulmoi pastaj edhe fise të tjera ilire si panonët, dalmatët e dardanët.

Pas kësaj fushate të përgjakshme që u kushtoi rëndë romakëve, këta të fundit arritën deri në Danub, duke hapur edhe rrugën tokësore që lidhte krahinat danubiane me detin Egje. Ilirët kryengritës, që luftonin jo të bashkuar u mundën nga ushtria e madhe romake e armatosur dhe e organizuar mirë. Por popullsitë ilire nuk iu nënshtruan pushtuesit as pas fushatës së viteve 30, me gjithë masat e marra nga shteti romak, largimin me forcë prej vendit të tyre të shumë kryengritësve dhe kthimin në skllevër të robërve të zënë gjatë luftërave pushtuese.[1]

Kryengritja e madhe ilire (6-9 e.s.)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kryengritja më e madhe ilire kundër pushtuesve romakë ka qenë ajo e viteve 6-9 të e.sonë. Ajo dallohet nga kryengritjet e tjera për shtrirjen e gjerë të saj, pjesëmarrjen e popullsive të tëra ilire, për luftën e paepur të kryengritësve dhe për gjendjen e vështirë që krijoi për shtetin romak. Kryengritja filloi në një kohë kur Perandoria Romake, duke vazhduar politikën pushtuese të saj, po përgatitej për luftën kundër markomanëve gjermanikë, të cilët kishin krijuar në tokat e Çekisë së sotme një federatë fisnore të fuqishme. Shteti skllavopronar romak kishte ngarkuar me tribute popujt e pushtuar dhe i kishte detyruar të jepnin rekrutë për luftërat e reja pushtuese. Për luftën kundër markomanëve ishte përgatitur një ushtri e madhe prej 12 legjionesh, e cila do të plotësohej me reparte ndihmëse. Ushtarët e këtyre reparteve do të rekrutoheshin kryesisht tek fiset e mëdha të veriut: dalmatët, desidiatët, panonët etj. Rekrutimi i bërë me forcë i shtyti përsëri në kryengritje ilirët, që ishin rënduar edhe nga pagesa e taksave. Dalmatët edhe para kësaj kryengritjeje kishin qëndruar të qetë. Të parët u ngritën desidiatët dhe shumë shpejt kryengritja u përhap edhe tek popullsitë e tjera ilire, nga lumenjtë Sava e Dava në veri, deri tek lumi Mat në jug, ku u ngritën pirustët. Kjo ka qenë kryengritja më e madhe ku, për të parën herë, një tërësi popullsish ilire rrokën armët së toku dhe u hodhën në luftë kundër pushtuesve romakë. Ushtria kryengritëse ilire përbëhej nga 200 mijë këmbësorë e 9 000 kalorës dhe udhëhiqej nga tre komandantë: nga Bato Desidiati, nga Bato Breuku e Pini nga fisi i breukëve panonë. Duke bashkërenditur veprimet e tyre, kryengritësit ilirë filluan operacionet në tri drejtime: 1) Një grup kryengritësish u drejtuan nga krahinat bregdetare adriatikase dhe, duke çliruar mjaft qytete e kështjella, zbritën në jug deri në afërsi të qytetit të Apolonisë, në provincën e Maqedonisë.

2) Një grup tjetër kryengritësish u drejtua nga veriperëndimi, për të çliruar krahinat ilire në kufi me Italinë dhe për të forcuar mbrojtjen në këto vise.

3) Një pjesë tjetër e kryengritësve qëndroi në brendësi të viseve dalmate, duke pasur si detyrë jo vetëm çlirimin e plotë të vendit, por edhe organizimin e mbrojtjes.

Lufta çlirimtare e ilirëve dhe fitoret e para të tyre u bënë shqetësuese për romakët, të cilët po humbnin kështu tokat e pushtuara në pjesën veriore të Ballkanit. Vrulli i kësaj lufte e tronditi shumë pushtetin qendror romak. Në Romë u shpall mobilizimi i përgjithshëm. Vetë perandori Oktavian lëshoi kushtrimin në senat, se “në dhjetë ditë, po të mos merren masa mbrojtjeje, armiku mund të hyjë brenda në Romë”. Perandori kërkoi që për nevojat e ushtrisë shtresat e pasura të jepnin një pjesë të pasurisë së tyre. U thirrën nën armë veteranët e luftërave të mëparshme dhe u pranuan në ushtri edhe skllevërit e liruar. Me markomanët shteti romak bëri një marrëveshje, e cila u lehtësua edhe nga fakti që nuk kishin filluar veprimet e luftës. Legjionet romake, të dërguara kundër markomanëve dhe të vëna nën komandën e Tiberit, morën urdhër të drejtohen për në Iliri, ku ziente kryengritja.

Me gjithë masat e forta që mori Perandoria Romake, gjatë dy viteve të para të luftimeve me legjionet romake, iniciativa ishte në duart e kryengritësve, të cilët duke vepruar me shpejtësi dhe shkathtësi e goditnin ushtrinë romake në befasi dhe në disa drejtime në një kohë, sulmonin kolonat e furnizimit etj. Në luftë kundër kryengritësve ilirë, shteti romak solli nga Siria dy legjione nga më të fortat, kërkoi ndihmën e aleatit të tij Remetalkut, mbretit të Trakëve dhe dërgoi në Ilirik komandantët më të mirë ushtarakë. Ushtria romake gjatë operacioneve në viset ilire përdori të gjitha mjetet për të mposhtur qëndresën e ilirëve, forcën e armëve, djegien e qendërbanimeve të ilirëve kryengritës, shkatërrimin e arave, të kopshteve e të pyjeve, vrasjen e kthimin e popullsisë ilire në skllevër. Në vitin e tretë të kryengritjes duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të krijuar pas dimrit të fortë në vitet 7/8, duke përdorur intrigat dhe përçarjet, romakët mundën me anë premtimesh të bënin për vete Baton, njërin prej prijësve breukë. Megjithëse Batoja i breukëve u kap shpejt nga kryengritësit dhe u dënua si tradhtar, kryengritësit panonë ishin përçarë dhe ushtria romake mundi ta shtypte qëndresën e fiseve kryengritëse të Panonisë.

Në vitin 9 vatra kryesore të kryengritjes mbetën krahinat dalmate. Shteti romak, në luftën kundër kryengritësve ilirë angazhoi të gjitha forcat ushtarake të grumbulluara. Kryengritësit ilirë, ndër të cilët forcën kryesore e përbënin dalmatët, qenë të detyruar t’u bënin ballë sulmeve të një ushtrie armike disa herë më të madhe dhe që zotëronte mjete të shumta lufte. Kryengritësit dalmatë treguan në luftimet kundër legjioneve romake një trimëri e vendosmëri të madhe dhe u shkaktuan dëme të shumta armiqve. Nën muret e kështjellës së Andetrit, në Dalmati romakët nga rrethues u shndërruan në të rrethuar dhe shpëtuan nga një katastrofë e madhe, të ndihmuar përsëri nga tradhtia e disa përfaqësuesve të parisë vendase. Në mbrojtje të një kështjelle tjetër, Arbudës, me kryengritësit u bashkuan edhe gratë, të cilat për të mos rënë në duart e armiqve u hodhën me fëmijët e tyre në zjarrin që kishte përfshirë kështjellën dhe në humnerat poshtë saj. Kështjellat dalmate, të mbrojtura nga kryengritësit ranë në duart e pushtuesve romakë si gërmadha dhe pa banorë. Popullsi të veçanta ilire e vazhduan qëndresën edhe pas rënies së kështjellave dalmate. Të fundit që u mposhtën qenë desidiatët e pirustët, të cilët sikurse shkruan historishkruesi romak Velei Paterkuli, pjesëmarrës në luftën kundër kryengritësve ilirë, “ishin pothuaj të pathyeshëm në sajë të pozitës së vendeve dhe të maleve, të natyrës së tyre të egër, të zotësisë së tyre të çuditshme për të luftuar...”.

Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të e.sonë, sipas historishkruesit romak Suetonit, “ishte më e tmerrshme nga të gjitha luftërat e jashtme pas luftës punike”. Gjatë luftës për mposhtjen e kryengritjes shkruan një tjetër historianshkrues antik, “shumë njerëz humbën dhe u shpenzua një sasi e madhe të hollash. Sepse gjatë kësaj lufte u desh të mblidhej shumë ushtri, ndërsa plaçka e luftës ka qenë shumë e paktë”. Pasojat e kryengritjes së madhe ilire, dobësimi i fuqisë ushtarake të Perandorisë Romake, që nuk dispononte mjete të mjaftueshme për një luftë të re, u dukën shumë qartë në disfatën e në humbjen e tri legjioneve në pyllin e Teutiburgut në viset gjermane. Kryengritja e madhe e ilirëve e viteve 6-9 krijoi në Perandori një situatë të nderë e të vështirë. Ajo i dha fund periudhës agresive të politikës së jashtme të Oktavianit. Shteti romak u detyrua të hiqte dorë nga politika e tij pushtuese kundër markomanëve gjermanikë dhe Evropës Qendrore.

Raprezaljet që bënë romakët në viset ku shpërtheu kryengritja qenë të tmerrshme. Kryengritësve iu mor toka dhe çdo gjë që kishin; disave u prenë duart, kurse shumë të tjerë u shitën si skllevër. Vetëm pas më shumë se një shekulli e gjysmë luftimesh pushtuesit romakë mundën të mposhtnin qëndresën e armatosur të ilirëve dhe t’i nënshtronin “në një farë mënyre”. Straboni shkruante asokohe se shkretimi i Ilirisë “ka filluar prej shumë kohësh dhe në disa vise nuk ka pushuar as sot e kësaj dite për shkak të kryengritjeve...”. “Romakët po ngrehin lëmet në shtëpitë e tyre”.

Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë ndonëse nuk pati lëvizje të mëdha të organizuara të ilirëve kundër romakëve, qëndresa e ilirëve ndaj pushtuesve, e sidomos kundër romanizimit e asimilimit vazhdoi gjatë.

  1. ^ a b c d Anamali, Skënder, red. (2002). Historia e popullit shqiptar. Vëllimi 1. Tiranë: Akademia Shqiptare e Shkencave & Toena. fq. 134 - 142.