Jump to content

Sefedin bej Begolli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sefedin bej Begolli ose Nimon Mahmutbegolli (Pejë, 1885–1946)[1] ka qenë politikan shqiptar në Mbretërinë Jugosllave si dhe kryebashkiak i Pejës gjatë Luftës së Dytë Botërore në periudhën në mes prillit të vitit 1941 deri më 17 nëntor të vitit 1944.

Sefedini u lind në vitin 1880, në qytetin e Pejës. Shkollimin e tij e kishte filluar në Medresenë e Shkupit, për të vazhduar më pastaj shkollimin në Stamboll, ku ndoqi Shkollën e Lartë të Drejtësisë, për të vazhduar më pastaj studimet edhe në Vjenë të Austrisë, vend ku ai ishte internuar për disa vite. Ai ka qenë poliglot që ka folur 6-7 gjuhë të huaja, ndër to serbisht, turqisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht etj.

Pas kthimit nga Vjena, në vitin 1919, merr pjesë në votimet e para pas luftës së Parë Botërore, në kuadër të Partisë Demokratike serbe, ku zgjedhet deputet i Parlamentit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (SKS).

Sefedini, së bashku me Ragip dhe Hasim Mahmutbegollin, e themelojnë bankën e dytë në Pejë, në vitin 1921/1922. Ndërsa, në vitin 1923 dështon që të bëhet deputet në Parlamentin e Mbretërisë së SKS-së. Ai këtë e arrin në vitin 1925.

Në vitin 1932 emërohet senator i mbretit, ndërsa në vitin 1937 ishte kandidat në zgjedhjet për Bashkësinë IslameVakufitBanovinësZetës dhe Vardarit. Qëndrimi i Mahmutbegollit ndaj qeverisë në Beograd, megjithatë nuk ishte tërësisht lojal. Përkatësisht, në raportin e dytë të Rajonit të Ushtrisë së III, të cilin e ka nënshkruar Major Brankoviq nga Peja, i datës 1920, Mahmutbegolli u akuzua për bashkëpunim me Tiranën për përgatitjen e kryengritjes së Shqiptarëve në Dukagjin dhe qëndrim armiqësor ndaj autoriteteve serbe. Siq tregoi hetimi i mëtejshëm, kusherinjtë e tij Qerim-beu dhe Kahriman-beu Mahmutbegollintashmë kishin ikur në Shqipëri dhe atje ata morën pjesë në themelimin e Komitetit të Kosovës në Shkodër Më vonë ata ndihmuan apo madje udhëhhoqën bandat e rebeluara në territorin e Kosovës dhe Sanxhak. Këto akuza, megjithatë, nuk ndikuan ndjeshëm në karrierën politike të Mahmutbegollit.[2]

Historiani Skënder Riza, në librin e Shefqet Kelmendit dhe Shpresa Lekës, të titulluar “Një brez i veçantë”, shënohet të ketë thënë se “Sefedin Begu në kohën e ‘okupacionit’ nazist, si kryetar i Bashkisë së Pejës kishte sjellje korrekte ndaj gjithë popullatës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare dhe fetare”.

Në kujtimet e Tafil Boletinit (nipi i heroit kombëtar Isa Boletini), dëshmon për karakterin kombëtar të Sefedinit, derisa tregon se ai e kishte informuar rreth detajeve dhe kryesve të masakrës së Podgoricës, në vitin 1916 (zënia në pritë dhe vrasja e Isa Boletinit).

Sefedin begu gjatë kohës që ka ushtruar veprimtarinë e tij politike, thuhet se ka pasur një sens për veprimtari publike dhe përshtatej me rrethanat politike dhe shoqërore, duke krijuar raporte dhe marrëdhënie më grupe të ndryshme politike e shoqërore, por në disa raste dukej se ishte njeri kontrovers.

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Sefedin Mahmutbegollin e gjen në një pozicion të vështirë, për arsye se ai detyrohet që të fshihet nga OZN-a (shërbimi sekret jugosllav). Në vitin 1946, duke qenë i strehuar në Lumëbardh (fshat i Lugut të Baranit), tradhtohet nga persona të panjohur. I rrethuar nga OZN-a, merr vendim që të vetëvritet, duke e helmuar veten.

Pas vrasjes, pushteti komunist trupin e tij e kishte trajtuar në mënyrë mizore. Krejt kjo me qëllim që të frikësohej popullata e Pejës. Kufoma e tij ishte ekspozuar në qendër të qytetit – te Sheshi i Zallit.

Serbët e tërbuar nga urrejtja, ia fusnin në gojë cigaret dhe e pështynin në fytyrë. Megjithatë, kishte reagime ndaj kësaj dhune nga ana e disa intelektualëve shqiptarë, normalistë të Elbasanit të ardhur në Pejë, në kuadër të Brigadës shqiptare. Këtë veprim të pushtetit këta intelektualë e quajtën veprim terrorist. Për këtë reagim, ky grup i intelektualëve u hodh në gjyq ushtarak.

Sefedinin e kishin varrosur fshehurazi, prandaj sot e asaj dite nuk dihet vendi se ku prehen eshtrat e tij.

Ai thuhet se përveç formimit kombëtar ka qenë edhe një fetar i përbetuar, i cili falte pesë kohë namaz dhe kryente obligimet tjera fetare.

Sefedin Nimon Mahmutbegolli ka qenë fillimisht i martuar me një konteshë austriake, e pasi ishte divorcuar nga ajo (me të cilin nuk kishte lënë ndonjë pasardhës) u martua me Elmazen, të bijën e Jashar Pashës, me të cilën kishte katër fëmijë, djemtë Adilin me Farukun dhe vajzat Nevruzin me Aslihanë. [3][4]

  1. ^ "Živković: Mahmutbegović (Begoli) Sefedin (1885–1946) – senator Kraljevine Jugoslavije". Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 5 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Živković: Mahmutbegović (Begoli) Sefedin (1885–1946) – senator Kraljevine Jugoslavije". Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 5 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Muhamet Sadiku: “Qëndresa Nacionaliste e Pejës” 1941-1946, 2013.
  4. ^ Ky është rrëfimi për Sefedin begun, babanë e Faruk Begollit