Jump to content

Andrea del Verrokjo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Verrocchio)
Andrea del Verrokio
Andrea del Verrocchio
Portreti i Andrea del Verrokios nga Vasari te libri i tij, botimi i 1568-ës
U lind në
Andrea di Michele di Francesco de' Cioni

1435[1]
Vdiq1488
Vendi i prehjesKisha e Shën Ambrozit, Firence
43°46′18″N 11°16′01″E / 43.771555°N 11.266914°E / 43.771555; 11.266914
KombësiaItalian
Njohur përPiktor, skulptor, dhe oraf
Vepra të shquara
Tobiasi dhe engjëlli (pikturë)
Pagëzimi i Krishtit (pikturë) – me Leonardo da Vinçin
Krishti dhe Shën Thomai (skulpturë bronzi)
Puti me Delfin (skulpturë bronzi)
Davidi (skulpturë bronzi)
Shatorja me kalë e Bartolomeo Colleoni-it (skulpturë bronzi – përfunduar nga A. Leopardi)
LëvizjetRilindja italiane

Andrea del Verrokio (Andrea del Verrocchio) ishte një piktor, skulptor dhe argjendar (oraf) i cili qe drejtuesi i një punishteje artistike në Firence. Aktiv mbi të gjitha në oborrin e Lorenzo de' Medici-t. Atij i janë atribuar me siguri vetëm pak piktura, por në punishten e tij u formuan disa nga piktorët më të rëndësishëm si Leonardo da Vinçi, Sandro Botiçeli, Pietro Perugino, Domeniko Girlandaio, Francesco Botticini, Francesco di Simone Ferrucci, Lorenzo di Credi, Luca Signorelli, Bartolomeo della Gatta. Punimet e tyre të hershme është e vështirë të dallohen nga punimet e Verrocchio-s.[2] Pati një rol të rëndësishëm në prirjen për tu matur me teknika të ndryshme artistike, të shfaqura në Firencen e fundit të Katërqintës, dhe në fakt punishtja e tij u bë polivalente, me vepra në pikturë, skulpturë, argjendari dhe dekorime, në mënyrë që të përballonte kërkesat e vazhdueshme nga gjithë Italia për prodhime fiorentine. Megjithatë rëndësinë më të madhe e pati si skulptor dhe vepra e tij e fundit, Statuja kalëruese e Bartolomeo Colleoni-tVenecia, përgjithësisht konsiderohet si një kryevepër.

Punishtja e Verrokios, Madona me fëmijën, rreth 1470, New York Metropolitan Museum of Art

Lindi në Firence midis viteve 1434 dhe 1437 në famullinë e kishës së Sant'Ambroxhos (shtëpia e tij e lindjes sot gjendet midis via dell'Agnolo dhe via de' Macci). E ëma e tij Gemma solli në jetë tetë fëmijë dhe Andrea qe i pesti. I ati, Michele di Cione, ishte një prodhues piastrelash dhe më vonë taksa mbledhës. Andrea nuk u martua kurr dhe i duhej të mbante financiarisht disa nga vëllezërit dhe motrat, për shkak të problemeve ekonomike të familjes së tij. Punishtja artistike e tij ishte në Firence, ku ai u anëtarësua në Korporatën e artizanëve të San Luca-s. Emri i tij u bë mjaft i dëgjuar kur u prit në oborrin e Piero dhe Lorenzo de' Medici-t, ku qendroi deri pak vite para vdekjes, kur u vendos në Venecia, megjithëse e mbajti edhe punishten e Firences, duke e lenë në ngarkim të Lorenzo di Credi-t. Ai vdiq në Venecie1488.[3]

Dokumenti i parë që e përmend i përket vitit 1452 dhe ka të bëjë me një sherr ku ai rezulton i pafajshëm nga akuza se kishte vrarë me një gur një djal katërmbëdhjetë vjeçar, njëfarë Antonio di Domenico. Vëllai i tij Simone qe murg i Vallombrosa-s dhe u bë kryemurg i kishës së San Salvi-t. Ndërsa një vëlla tjetër qe punëtor tekstilesh si dhe një motër iu martua me një berber.

Nisi të punonte si oraf (argjendar), në punishten e Giuliano Verrocchi-t, nga i cili duket se Andrea ka mar në vazhdim mbiemrin. Është sygjeruar se më vonë u formua te punishtja e Donatello-s, por nuk ka fakte për këtë dhe John Pope-Hennessy e konsideron këtë si në kontradiktë me stilin e veprave të tij të para. Gjithashtu është sugjeruar se u trajnua në punishten e Fra Filippo Lippi-t.[4] Megjithatë qasja e tij e parë me pikturën i përket gjysmës së viteve 1460 kur punoi në Prato me Fra Filippo Lippi në korin e Duomo-s së Pratos.

Mbetet i famshëm denoncimi për sodomi që përfshiu nxënësin më të famshëm të punishtes së tij: të riun Leonardo da Vinçi. [Shpjegime 1]

Shën Thomai i Verrokios, Tabernakulli i Arte della Mercatanzia, Orsanmichele, Firenze.

Veprat e para autonome

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Afërsisht në vitin 1465 skaliti larësen e Sagrestia Vecchia-s në kishën e San Lorenzo-s,[5] ndërsa në 1465 dhe 1467 realizoi monumentin funebër të Cosimo de' Medici-t në kriptën poshtë altarit të të njëjtës kishë, në vitin 1472 përfundoi monumentin funebër për Piero dhe Giovanni di Cosimo de' Medici. Sistemoi sarkofagun brenda një arkade të kompletuar një rrjetë bronxi. Rrjeta ka funksionin e ndërmjetësimit të dritës. Falë këtij marifeti sarkofagu lartësohet qoftë nga polikromia e materialeve ashtu edhe nga realizimi i rafinuar i elementeve natyrore. Elementet në bronx përmbyllin monumentin.

Për sa i përket skulpturës, në vitin 1466, kur ishte vetëm tridhjetë vjeç, Tribunale della Mercatanzia (organi gjykues i gildeve të Firences) i porositi grupin skulpturor të Mosbesimit të Shën Thomait për tabernakullin e qendrës, të cilin Tribunali sapo e kishte blerë, në façatën lindore të Orsanmichele-s për të zëvendësuar një shtatore të Shën Luigjit të Tuluzës, i cili ishte hequr. Nikia në të cilën janë futur dy personazhet qe realizuar nga Donatello-ja dhe përmbante një San Ludovico, sot në Museo di Santa Croce. Kështu problemi i tij ishte se si të vendoste dy shtatore (me madhësi mbi natyroren) në një tabernakull fillimisht të paracaktuar për një. Sipas Covi-t problemi u zgjidh "në mënyrën më të mirë". Grupi skulpturor u vendos diagonalisht, duke e bërë Shën Thomain ta nxirte këmbën jashtë piedestalit. Vepra u pozicionua në 1483 dhe "që nga dita e inaugurimit është konsideruar, pothuajse pa përjashtim, si një kryevepër."[6] Shprehja e ndjenjave - ëmbëlsia atërore e Krishti-t - habia e Shën Thomait - ripohohen dhe amplifikohen nga tepria e rrudhosjeve të rrobave dhe nënvizimi i gjesteve dhe ndjenjave, stilizim barok. Vepra u përfundua në 1483.

Gjithashtu në vitin 1468 ai u kontraktua për të bërë një top të art për tu vendosur në majë të fanarit të kupolës së Brunelleschi-t në Duomon e Firences. Topi u bë në mënyrë gjeniale me fleta bakri. Përfundoi në pranëverën e vitit 1471. (Kryqi mbi të u bë nga duar të tjera). Topi u godit nga rrufeja dhe u rrëzua më 27 janar 1601, por u rindërtua në vitin 1602.[7]

Megjithë rëndësinë e punishtes së Verrokios në trajnimin e piktorëve të rinj, shumë pak piktura janë njohur universalisht si punët e tia dhe ka shumë probleme atribuimi.[8] Një pikturë e vogël, Madona me fëmijën të ulur, tablo në temper (tani në Berlin State Museums, Gemäldegalerie) konsiderohet si një pikturë e hershme e tij në vitet 1468-1470.[9]

Një pikturë në National Gallery of London (cat. no.NG2508) me Virgjëreshën me fëmijën dhe dy engjëj, tablo në temper, e cila më parë nuk i ishte atribuar Verrokios, u pastrua dhe restaurua rreth vitit 2010 dhe tani i është atribuar atij me një datim rreth viteve 1467-1469.[10]

Një pikturë e vogël në tablo e Tobias, duke ndërmarr udhëtimin me kryeengjëllin Rafael, duke mbajtur peshkun me të cilin do të shëronte verbërinë e të atit, me gjasa e pikturar si një pikturë për përkushtimin privat. Është një punim i hershëm i cili më parë i qe atribuar Pollaiuolo-s dhe artistëve të tjerë. Covi mendos se ajo pikturuar me gjasa me ndihmën e Ghirlandaio-s. Tani gjendet në Londër në National Gallery.[11]

Andrea del Verrocchio dhe Leonardo da Vinçi, Pagëzimi i Krishtit, Firence, Uffizi

Piktura e vetme, plotësisht e autografuar, që ka mbërritur deri në ditët tona për të cilën është gati i sigurt atribuimi Verrocchio është Madona dhe fëmija me shenjtë që gjendet në katedralen e Pistoia-s.

Pagëzimi i Krishtit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Stili i Verrokios në pikturë është intensivisht realist, me mënyra të mara nga piktura flamande, të ndërtuar nga një linjë ekspresive dhe të pasur me pathos. Midis viteve 1474 dhe 1475 realizoi Pagëzimin e Krishtit, tashmë në Uffizi, me nxënësin e ri Leonardo da Vinçi, që pikturoi gati në mënyrë të sigurt engjëllin e majtë dhe sfondin peizazhik.

Në këtë vepër kompozimi është trekëndor me në majë enën në dorën e shën Gjon Pagëzorit dhe si bazë linjën që lidh këmbën e majtë të Pagëzorit me atë të engjëllit të përgjunjur; në të është brendashkruar dhe vepron si qendër pamore figura e Krishtit në këmbë që i jep skenës një lëvizje rrotulluese, të theksuar nga pozicioni me tre të katërtat i engjëllit në të majtë, që i ka kthyer shpatullat shikuesit.

Te ky engjëll është njohur dora e Leonardos, e ndryshme për hijshmërinë dhe butësinë përkundrejt figurave të tjera monumentale dhe të përcaktuar nga linja e vendosur e konturnit; në të njëjtën mënyrë peizazhi në sfond, i hapur në një luginë të gjerë të përshkuar nga një lum, i realizuar me vlera atmosferike që i kanë zbutur dhe sfumuar format, ndryshon nga shkëmbinjtë brutalisht këndor.

Skulptura të tjera

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Davidi i Verrokios, rreth 1466-69

1468 Verrokio bëri një kandelabër bronxi (1.57 metra të lart), tashmë në Rijksmuseum, Amsterdam, i realizuar për Parinë e Firences për tu vendosur në një korridor të Palazzo Vecchio-s.[12] Baza është formuar nga tre faqe, në dy prej të cilave është shkruar përkatësisht MAGGIO (nga italishtja maji) dhe GIUGNO (nga italishtja qershori), kurse në të tretin është shënuar viti 1468 me numra romak. Në fillim të viteve shtatëdhjetë të Katërqintës realizoi një udhëtim në Romë. Rreth vitit 1474 u thirr për të realizuar monumentin Forteguerri për Duomon e Pistoias, që e la të pa mbaruar.

Davidi, shtatorja prej bronxi, iu porosit nga Piero de'Medici, dhe kështu krijoi të njëjtin subjekt të Donatello-s, por stilistikisht, duke parë idealizimin dhe bukurinë gotikexhante, duket se iu referua Lorenzo Ghibertit. Ai e zgjidhi temën e heroi kristian me një djalosh të ri të oborrit, modestisht të veshur, në kontrast me Davidin provokues të Donatellos. Për këtë figurë mendohet se mjeshtri ka përdorur si model të riun Leonardo, të sapo ardhur në punishten e tij.[13] Sipas stilit dhe teknikës së saj, Butterfield-i e daton rreth mesit të viteve 1460; ai e konsideron atë një kryevepër të karrierës së hershme të Verrokios.[14] Kjo vepër u ble në vitin 1476 nga Paria e Firences dhe tashmë gjendet në Bargello të Firences.[15]

Puti me delfin

Duke nisur nga gjysma e dytë e viteve 1470 Verrokio iu dedikua kryesisht skulpturës, nga tejkalimi që i kishte bërë në pikturë, sipas rrëfimeve legjendare të Vasarit, nxënësi i tij Leonardo da Vinçi.

Dama me lule, Verrokio

Në një datë të pasaktësuar (hamendësimet variojnë nga viti 1465 deri në vitin 1480: Pope-Hennessy mendon se i përket afërsisht vitit 1470) ai realizoi Putin[Shpjegime 2] me delfin prej bronxi, fillimisht të paracaktuar për shatërvanin e Villa Medicea të Careggi-t dhe më vonë i sjellë në Firence për shatërvanin në Palazzo della Signoria nga Cosimo I de' Medici, Grand Duka i Toskanës.[16] U zëvendësua nga një kopje e Bruno Bearzi-t dhe që në vitin 1959 është mbajtur në një dhomë të Palazzo Vecchio-s.[17] Në këtë shatërvan uji hidhej lart duke dalë nga goja e delfinit dhe në të perceptohen jehona dinamike natyralizmi të përvetësuar nga Desiderio da Settignano, që e adresoi drejt shëndrimit të lëndës skulpturore në forma butësisht të lëmuara, ndërsa subjekti rrjedh nga një antik, por i ri-interpretuar në një put kërcimtar i qeshur, në ekuilibër të përkohshëm, me mantelin që i ngjitet në shpinë dhe cullufen e lagur, të ngjitur në ballë.

Busti prej mermeri i një dame me lule (italisht: Dama col Mazzolino) në Bargello të Firences është me gjasa nga fundi i viteve 1470. Te ky bust për të evituar një pamje ballore të ngurtë dhe për ta bërë më dinamik kompozimin e rrotulloi fytyrën e gruas dhe, falë përdorimit të prerjes së portretit në lartësinë e kërthizës, mundi të fuste edhe duart. Identiteti i damës megjithatë mbetet i panjohur.[18] I të njëjtës periudhë është dhe relievi për monumentin funebër të Francesca Tornabuoni për kishën e Santa Maria sopra Minerva në Romë (tashmë në Museo nazionale del Bargello).

Monumenti i Bartolomeo Colleoni-t, Verrokio, përfunduar nga Leopardi

Monumenti për Bartolomeo Colleoni-n

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1475 prijësi Bartolomeo Colleoni, një ish kapiten i përgjithshëm i Republikës së Venecias, vdiq dhe, sipas dëshirës së tij, i la një pjesë të rëndësishme të pasurisë së tij Republikës me kushtin që të porositej dhe vendosej në Piazza di San Marco një shtatore e tij. Në vitin 1479 Republika shpalli se do të pranonte trashëgiminë, por se (pasi shtatoret nuk lejoheshin në Piazza di San Marco) shtatorja do të vendosej në një vend të hapur përballë Scuola di San Marco. Për këtë u organizua një garim për të zgjedhur një skulptor të përshtatshëm. Për kontratën garuan tre skulptorë, Verrokio nga Firence, Alessandro Leopardi nga Venecia dhe Bartolomeo Vellano nga Padova. Verrokio bëri një model dylli për skulpturën e propozuar, ndërsa të tjerët bënë modele druri, lëkure të zezë dhe balte. Tre modelet u ekspozuan në Venicie në vitin 1483 dhe kontrata u fitua nga Verrokio. Kështu, në vitin 1486, ai hapi një punishte edhe në Venecie ku u trasferua, dhe pregatiti modelin final prej balte i cili qe gati të hidhej në bronx, sikur skulptori të mos vdiste në vitin 1488, para se kjo të realizohej. Ai u varros në Firence, në kishën e Sant'Ambrogio-s, para se të vdiste kishte kërkuar që përfundimi i shtatores ti besohej nxënësit të tij, Lorenzo di Credi, i cili kishte në ngarkim punishten e tij në Firence, por pas një vonese të konsiderueshme shteti venecian ngarkoi Alessandro Leopardi-n, artist vendor, për ta përfunduar. Shtatorja u vendos në një piedestal të realizuar nga Leopardi në sheshin e Shenjtëve Gjon dhe Pal, në Venicie, ku qendron edhe tani.[19]

Leopardi e realizoi bronxin me mjaft sukses dhe shtatorja admirohet botërisht që atëherë, por Pope-Hennessy mendon se, nëse Verrokio do të qe i aftë ta bënte vetë, ai do ti realizonte kokën dhe pjesët e tjera në mënyrë më të rafinuar duke e bërë edhe më mirë seç është bërë.[20] Megjithëse nuk u vendos atje ku e kishte paracaktuar Colleoni, Passavent thekson se ajo duket më mirë në pozicionin aktual, duke shkruar se "Ndjesia e mahnitshme e lëvizjes në këtë figurë tregohet në mënyrë madhështore në vendosjen e tanishme"[21] dhe se, si skulpturë, "ajo tejkalon çdo gjë të aspiruar apo të mundshme në atë shekull".[22] Ai tregon se të dy, si burri ashtu edhe kali janë njëlloj të arrirë dhe së bashku janë pjesë të pandashme të skulpturës.

Për realizimin e grupit Andrea iu referua shtatores kalëruese të Gattamelata-s së Donatellos, shtatoreve antike të Mark Aurelit, të kuajve të Shën Markut dhe Reggisole-s[Shpjegime 3], si edhe afreskun e Paolo Uccellos me Giovanni Acuto-n në Santa Maria del Fiore.

Shtatorja është gjithashtu e rëndësishme për shprehjen e vëzhguar me kujdes në fytyrën e Colleoni-t: prijësi, i veshur me armaturë, ngrihet në një pozë solemne dhe me shikimin, të theksuar nga zona në hijen e helmetës, e vrejtur, efekti dinamik i grupit është dhënë nga kryqëzimi i dy diagonaleve: një ajo e formuar nga profili i sipërm i trupit, ndërsa tjetra ajo që shkon nga busti i prijësit në thundrën e majtë të përparme të kalit, të përthyer në kënd të drejt. Verrocchio nuk mendohet se e kishte parë ndonjëherë Colleoni-n dhe shtatorja nuk është një portret i tij, por idea e një komandanti ushtarak të fuqishëm dhe të pamëshirshëm "që rrezaton fuqi dhe energji titanike".[23] Monumenti kalërues u frymëzua nga Gattamelata i Donatello-s por është në kontrast me të për "paraqitjen e qetë komanduese" dhe gjithë përpjekjet e Verrocchio-s "i janë përkushtuar realizimit të lëvizjes dhe ndjesisë së forcës dhe energjisë".[24]

I atribuohet Madonna Ruskin e National Gallery of Scotland në Edinburg, e datuar në vitin 1470 dhe punishtes së tij i atribuohen tablotë e National Gallery of London, Tobia dhe engjëlli, e realizuar midis viteve 1470 dhe 1480 si dhe Madonna me fëmijën dhe dy engjëj afërsisht e vitit 1470.

  • Madona me fëmijën, rreth viteve 1466-1470, tablo në temper, 75,5x54,8 cm, Berlin, Staatliche Museen, Gemäldegalerie.
  • Mosbesimi i Shën Thomait, 1466-1483, bronx, lartësia 230 cm, Firence, Orsanmichele.
  • Varri i Cosimo il Vecchio-s, 1467, mermer i bardhë, gur i kuq dhe i gjelbër porfiri, bronx, terrakotë, 265x318 cm, Firence, kulla e kriptës së bazilikës së San Lorenzo-s.
  • Madona e Qumështit, rreth viteve 1467-1469, tablo në temper, 69,2x49,8 cm, Londër, National Gallery.
    Përmendorja ne varrin e Verrocchio-s ne kishen e Sant'ambrogio-s, Firence
  • Varri i Giovanni dhe Piero de' Medici-t, 1469-1472, mermer i bardhë, gur i kuq dhe i gjelbër porfiri, bronx, terrakotë dh pietra serena, Firence, kisha e San Lorenzo-s.
  • Puti me delfin, rreth vitit 1470, bronx, 67 cm, Firence, Palazzo Vecchio.
  • Tobia me engjëllin, 1470-1480, tablo në temper, 84x66 cm, Londër, National Gallery.
  • Madona me fëmijën, kopje e Andrea del Verrocchio-s, afërsisht 1470-1480, tablo në temper, 78,1x53,6 cm, Washington, National Gallery of Art.
  • Madona e Piazës (me Lorenzo di Credi-n dhe të tjerë), 1474-1486, tablo në temper, Pistoia, katedralja e San Zeno-s.
  • Davidi, rreth vitit 1475, bronx me lartësi 126 cm, Firence, Museo nazionale del Bargello.
  • Pagëzimi i Krishtit (me Leonardo da Vinçi-n dhe të tjerë), rreth viteve 1475-1478, tablo në vaj, 180x152 cm, Firence, Galleria degli Uffizi.
  • Giuliano de' Medici, atribuim, 1475-1478, terrakotë, 61x66x28,3 cm, Washington, National Gallery of Art.
  • Dama me lule, 1475-1480, mermer, 61 cm, Firence, Museo Nazionale del Bargello.
  • Madona me fëmijën dhe Shenjtët Gjon Pagëzori dhe Donato, 1475-1483, panel, 189x191 cm, Duomo e Pistojës.
  • Madona me fëmijën dhe dy engjëj, rreth viteve 1476-1478, tablo në vaj, 96,5x70,5 cm, Londër, National Gallery.
  • Altare prej argjendi i Kokëprerjes së Pagëzorit, 1477-1480, argjend dhe zmalte të vendosur në një suport druri, 31,5x42 cm, Firence, Museo dell'Opera del Duomo.
  • Monumenti kalërues i Bartolomeo Colleoni-t, 1479-1483, bronx, Venecie, Campo San Zanipolo.
  • Busti i Lorenzo-s së Mrekullueshëm, 1480, terrakotë e pikturuar, Washington, National Gallery of Art.
  • Engjëlli, terrakotë, 36,5x32,8, Paris, Muzeu i Luvrit.
  • Engjëlli (vepër e punishtes), 37x34 cm, Paris, Muzeu i Luvrit.
  • Busti i Piero di Lorenzo de' Medici, terrakotë, Firence, Museo nazionale del Bargello.
  • Kryqëzimi, dru i stukuar dhe gipsuar, dru dhe lino në gips dhe pikturuar, 87 cm, Firence, Museo nazionale del Bargello.
  • Kokë fëmije, vizatim me laps të bardhë në letër, 28,3x20 cm, Firence, Gabinetto dei Disegni e delle Stampe.
  • Kokë gruaje, vizatim në letër me laps të zi dhe ndriçimet me të bardhë, e dëmtuar gjatë trasferimit në faqen e murit, 40,8x32,7 cm, Oxford, Christ Church Gallery.
  • Kokë gruaje, vizatim, 26,7x22,5 cm, Paris, Muzeu i Luvrit.
  • Madona me fëmijën (e atribuar Verrocchio-s ose Antonio del Pollaiolo-s), panel i pikturuar, Shën Pjetërburg, Muzeu i Ermitazhit.
  • Bust gruaje të re, mermer, 48x48,7x23,8 cm, New York, Frick Collection.
  • Ringjallja e Krishtit, terrakotë e polikromuar, 135x150 cm, Firence, Museo nazionale del Bargello.
  • Shën Jeronimi, atribuar rrethit të Verrocchio-s, afresk, Pistoia, Kisha dhe konventi i San Domenico-s.
  • Fëmija duke fjetur, terrakotë, 36x58 cm, Berlin, Staatliche Museen.
  • Studim për putë që luajnë, vizatim me bojë, 15,8x20,9 cm, Paris, Muzeu i Luvrit.
  • Venera dhe Kupidoi, me Leonardo da Vinci-n, majë metalike dhe laps i zi në letër fildishi, 14,8x25,9 cm, Firence, Galleria degli Uffizi.
  • Vaska Medici (atribuar Verrocchio-s ose punishtes së Donatello-s), rreth viteve 1440-1460, 167 cm dhe plinti prej 34 cm, Firence, San Lorenzo, Sagrestia Vecchia.
  • Kalorësi stemëmbajtës, (nga punishtja), çereku i katërt i shekullit të XV, La Spezia, Museo civico Amedeo Lia.
  1. ^ "Ju njoftoj zotërinj zyrtar se Jacopo Saltarelli, vëllai i një gjaku i Giovanni Salterelli-t, është me të te argjendaria në Vachereccia, përballë gropës, veshje e zezë, me moshë rreth 17 vjeç. Ky Jacopo shkon pas shumë poshtërsive dhe u lejon të kënaqen atyre personave që mbështeten në të tilla poshtërsira. Në këtë mënyrë ka patur të bëj me shumë gjëra, dmth. u ka shërbyer shumë personave, për të cilët e di me siguri, dhe tani për tani do të them disa. - Bartolomeo di Pasquino oraf në Vachereccia. - Lionardo di ser Piero da Vinci, rri te Andrea del Verrokio. - Baccino farsettaio (një lloj rrobaqepësi) rri te Orto San Michele në atë rrugë që janë dy punishte të mëdha di cimatori, që shkon në loggia de' Cerchi, ka hapur përsëri punishten di farsettaio. - Lionardo Tornabuoni i quajtur Teri, veshje e zezë. Këta kanë sodomizuar të quajturin Jacopo, dhe kështu po ua besoj. Denoncimi kundër Leonardo da Vinci-t (1452-1519). Në faqen url=http://www.giovannidallorto.com/biografie/leonardo/denuncia.html. Kontrolluar më 3 mars 2016. Marr nga Arkivi i Shtetit të Firences, "Uffiziali di Notte", XVIII (2), fol. 46v., 9 aprile 1476. I citar te: Giuseppina Fumagalli, Eros di Leonardo, Garzanti, Milano 1952, fq. 97-98.
  2. ^ djal i vogël me flatra si Erosi, Kupidoja apo Amori
  3. ^ shtatore kalëruese prej bronxi e antikitetit të vonë e gjetur në Pavia, por e shkatërruar në vitin 1796 nga jakobinët pavezë
  1. ^ Andrea del Verrocchio treccani.it
  2. ^ Passavent p.45
  3. ^ Për jetën e tij shiko Passavent fq.5–9. Pope-Hennessy fq.310
  4. ^ Syson & Dunkerton p.378
  5. ^ Larësja nuk është pranuar gjithmonë si punim i tiji. Covi përmbledh atribuimet e ndryshme që ka patur, por ai parapëlqen të mendoi se ajo është realizuar nga Verrocchio dhe punishtja e tij në periudhën midis viteve 1464-1469. (Covi fq.50–56)
  6. ^ Covi fq.71–87
  7. ^ Covi fq.63–9
  8. ^ Covi fq.174.
  9. ^ Passavent fq.45–48.
  10. ^ Syson & Dunkerton fq.378.
  11. ^ Passavent fq.48–51 & 188. Covi fq.201–3.
  12. ^ Covi fq.56–60
  13. ^ Fotografi të mira mund të gjenden Web Gallery of Art në www.wga.hu/index1.html
  14. ^ Butterfield fq.18–31
  15. ^ Passavent fq.173-4
  16. ^ Passavent fq.174–6
  17. ^ Passavent fq.174
  18. ^ Passavent fq.180–1
  19. ^ Passavent fq.62–3
  20. ^ Pope-Hennessy fq.65 dhe 315
  21. ^ Passavent fq.65
  22. ^ Passavent fq.62
  23. ^ Passavent fq.64
  24. ^ Peter dhe Linda Murray: Penguin Dictionary of Art & Artists në pjesën kushtuar 'Verrocchio'-s
  25. ^ Brown, fq. 182
  26. ^ Wivel, Traces of Soul, Mind, and Body
  • Brown, David Alan (2003). Virtue and Beauty: Leonardo's Ginevra de' Benci and Renaissance Portraits of Women (në anglisht). Princeton University Press. ISBN 978-0-691-11456-9.
  • Butterfield, Andrew (1997). The Sculptures of Andrea del Verrocchio (në anglisht). New Haven: Yale University Press. ISBN 9780300071948.
  • Covi, Dario A. (2005). Andrea del Verrocchio: life and work (në anglisht). Florence: Leo S. Olschki. ISBN 9788822254207.
  • Passavant, Günter (1969). Verrocchio: sculptures, paintings and drawings (në anglisht). London: Phaidon Press.
  • John Pope-Hennessy: Italian Renaissance Sculpture (London 1958)
  • Syson, Luke; Dunkerton, Jill (qershor 2011). "Andrea del Verrocchio's first surviving panel and other early works". Burlington Magazine (në anglisht). CLIII (1299): 368–78.
  • Wivel, Matthias. "Traces of Soul, Mind, and Body" (në anglisht). The Metabunker. Arkivuar nga origjinali më 15 shtator 2013. Marrë më 4 mars 2016.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]