Vilson Halimi
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë.(Korriku 2023) |
Vilson Halimi (1931-2002) lindi në Gjirokastër, më 1931, nga një familje me tradita qytetare. Babai i tij Nesheti dhe nëna, Adileja, sollën në jetë pesë fëmijë nga martesa e tyre, tri vajza dhe dy djem.
Jetëshkrimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vilsonit, pasioni për pikturën i lindi që në fëmijërinë e hershme, ku nën dritën e kandilit me fletushka dhe laps, vizatonte me padurimin e një djaloshi plot ëndërra për jetën. Sa herë i jepej rasti, ai vetëm vizatonte edhe pse prindërve të tij nuk i dukej “zanat”, sepse babai i Vilsonit, Nesheti, ishte rrobaqesës profesionist, i diplomuar në Bari, në Itali. Piktura nuk i dukej profesion i mirëfilltë. Megjithë kundërshtitë që pati nga prindërit, Vilsoni me këmbëngulje, ndoqi rrugën e tij drejt artit.
Familja Halimi e la Gjirokastrën rreth vitit 1943, dhe u shpërngul në Tiranë. Fillimisht jetuan për disa kohë te halla e Vilsonit, më vonë blenë një shtëpi në rrugën e Kavajës. Vilson Halimi u martua me sopranon Myzejen Mullaj dhe lindën një vajzë të vetme, Irianën, e cila ndoqi gjurmët e babait të saj.
Edukimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vilsoni vazhdoi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” ku spikati menjëherë për talentin e tij. Profesor vizatimi kishte të madhin Sadik Kaceli, me të cilin e vazhdoi një miqësi të gjatë. Në atë kohë, rreth viteve 60, u aprovuan nga shteti disa bursa për artistët e rinj që u mundësonin studimet në Akademitë e Arteve të Bukura jashtë atdheut. Rreth viteve 1959-1961, Vilsoni studioi me bursë për një vit në BS, në Moskë bashkë me artistë të tjerë të shquar si Sali Shijakun, etj.
Bashkëmoshatarët e tij e mbajnë mend si një njeri me vullnet që studionte shumë dhe kishte rezulate shumë të mira. Në Moskë dhe në Leningrad, Vilsoni u njoh me veprat e artistëve të mëdhenj të cilët lanë mbresa të thella tek artisti i ri.
I riu zhdukej me orë të tëra në rrethinat e qytetit të Moskës dhe kjo nuk mbeti pa u shfrytëzuar nga studentët e tjerë, të cilët e paditën te profesori, se Vilsoni nuk pikturonte, por dilte me orë të tëra jashtë. Profesori e thërret dhe ja ve në dukje këtë gjë. Vilsoni i lutet profesorit ta presë pak, shkon dhe merr pikturat që kishte bërë gjatë orëve që “zhdukej” dhe për habinë e të gjithëve krijimtaria e tij ishte shumë më e pasur me piktura se e kujtdo tjetër. Pas kësaj shtypi i kohës e cilësoi si student të shkëlqyer dhe artist të talentuar. Kishte një pasion të madh për artin. Piktura për të ishte si ajri. Asnjëherë nuk e çonte kohën dëm.
Gjatë qëndrimit në Moskë, Vilsoni, me ato pak të ardhura që i mbeteshin, i blinte vetëm libra arti. Kur u kthye në atdhe, për habinë e familjarëve, që kushedi çfarë prisnin, valixhja e tij ishte e mbushur plot me libra.
Qëndrimi në Moskë zgjati më shumë se një vit. Studentët që studionin në kampin e lindjes pasi u prishën mardhëniet u detyruan të ktheheshin në atdhe. Pasi u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, Vilsoni u emërua skenograf dhe kostumograf në Estradën e shtetit. Ishte njeri fjalëpakët, shikonte gjithmonë punën e tij dhe shumë i drejtë.
Profesioni
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Krijimtaria e tij artistike ka një larmi zhanresh. Çdo shfaqje e estradës kishte vulën e skenografit Vilson Halimi. Profesioni si skenograf dhe kostumograf kërkonte orë të tëra përgatitje paraprake në studion e tij, dhe më pas skenat dhe kostumet realizoheshin nga piktorët e dekorit dhe rrobaqepësit. Deri sa të përfundonte premiera dhe të jepeshin opinionet, për skenografin ishte një pritje e nderë, sepse shfaqet artistike në atë kohë kalonin nëpër disa filtra ideologjikë dhe artistikë.
Ishte pjesëmarrës në çdo ekspozitë që organizohej me tematika të ndryshme. Madje u nderua edhe dhe me medalje të urdhërit të punës që jepeshin asokohe, me çmim të parë për pikturën “Shokë lufte shokë jete”, e cila u bë edhe pullë edhe kartolinë. Shtypi i kohës shkruante shpesh për arritjet dhe krijimtarinë e këtij artisti. Ishte një njeri i respektuar nga të gjithë, jo vetëm për gjenialitetin e tij si artist, por edhe për inteligjencën që kishte. Shpesh herë miqtë dhe të afërmit kërkonin mendimin e tij në raport me veprat dhe problemet e tyre.
Shumë vizatime, skica dhe piktura i ka realizuar nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Lëvizte bashkë me artistë të tjerë nëpër vepra, duke krijuar një galeri portretesh, personazhesh dhe peizazhesh të shumëllojshme, në teknika të ndryshme.
Krijimtaria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vilsoni ishte një artist i shumë dimensioneve. Ai ishte jo vetëm piktor shumë i mirë, por lapsi në dorën e tij shndërrohej në një qenie të gjallë. Saktësia në vizatim dhe ndjeshmëria në ngjyrë bënin që veprat e tij të shpërthenin emolcionalisht. Shkruante edhe poezi të bukura, si shpirt artisti që ishte.
Njihte shumë mirë kompozitorët e mëdhenj të muzikës klasike dhe pothuaj çdo vepër të tyre. Njihte letërsinë e klasikëve dhe kishte një bibliotekë të pasur me të gjithë librat që botoheshin në atë kohë. Vilsoni mbyllej me orë të tëra në studion e tij dhe harronte të dilte. Pasioni i tij për pikturën ishte më i madh se çdo dashuri tjetër që kishte në jetë. Ishte me plot kuptimin e fjalës mjeshtër i madh, sepse në veprat e tij nuk gjen as lajthitjen apo neglizhencën më të vogël. Ishte shumë kritik me vetën dhe nuk ndalej derisa të bindej vetë për atë që krijonte.
Ëndërronte të kishte një makinë dhe të shëtiste nëpër botë bashkë me kavaletin, kasetën e pikturës dhe telajot. E donte shumë lirinë, por fatkeqësisht ajo erdhi shumë vonë për të, sepse në moshën që ishte nuk i realizoi dot ëndrrat e tij, për shkak të moshës. Vetëm vdekja e ndau nga piktura.
Miqtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Miq të artistit ishin njerëz të artit që kishin edhe hyrje dalje me njëri tjetrin si: Stefan Garuli, Met Deliu, Hysen Devolli, Adrian Devolli, Niko Progri, Sadik Kaceli, Buron Kaceli, Remzi Kuci, Zamir Mati, Ilir Mati, Alqi Kareco, Bujar Zajmi, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo, Agim Zajmi, Nexhmedin Zajmi, Bexhet Pulleja, Arben Shaka, dhe shumë të tjerë. Kishte miq të shumtë nga profesione të ndryshme, që e respektonin edhe pse ishte shumë i prerë si natyrë. Nuk e kthente pas asnjëherë fjalën nëse kishte dalë prej tij, por kishte edhe një shpirt të pasur prej artisti, dhe një sens të hollë humori, që miqtë ja vlerësonin shumë.
Veprat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Jeta dhe vepra e këtij artisti si dhe shumë të tjerë të atij brezi që lanë gjurmë të thella në historinë e artit shqiptar, janë lënë në harresën e viteve dhe indiferencën e kohës. Janë një plejadë e tërë artistësh që i vlerësojnë edhe studiuesit e huaj.
Shumë vepra të artistit Vilson Halimi, janë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve: “Shokë lufte, shokë jete”, “Vrana Konti”, “Gju më gju me popullin”, “Në stërvitje”, Pushimi partizan”, “Vrima e miut 500 grosh”, “28 Nëntor 1944”, “Kudo në ballë”, "Murat Toptani", “Vajza me agrume”, etj. Disa të tjera janë pjesë e koleksioneve private. Disa janë pranë familjes së tij.