Jump to content

Whitesnake

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Whitesnake
Informata themelore
PrejardhjaNorth Yorkshire, Angli
ZhanretHard rock, glam metal, blues-rock
Vitet aktive1977 - 1991
1994
1997 - 1998
2002 - prezent
LabeliUnited Artists, EMI, Geffen, SPV, Steam Hammer Records
Anëtar/ëtDavid Coverdale
Doug Aldrich
Reb Beach
Uriah Duffy
Chris Frazier
Timothy Drury
Uebfaqjawww.whitesnake.com

Whitesnake janë një grup anglez hard rock, të themeluar në vitin 1977 nga David Coverdale (ish-këngëtar i Deep Purple). Këngët e hershme të grupit shumë shpesh janë krahasuar nga kritika me ato të "Deep Purple", edhe pse në mesin e viteve '80, Whitesnake filluan të zhvillon një stil hard rock më melodik.

David Coverdale i themeloi Whitesnake në vitin 1978[1]Jorkshajërin Verior, Angli. Bërthama e grupit ishin po ata që kishin bashkëpunuar me të si The White Snake Band në turneun e albumit White Snake dhe këtë emër e mbajtën edhe më pas, duke u deklaruar zyrtarisht si “Whitesnake”. Fillimisht ata dolën në turne me Coverdale, si grupi që e mbështeste në të dy albumet që ai kishte nxjerrë si solist White Snake dhe Northwinds, në periudhën mes daljes nga Deep Purple dhe themelimit të Whitesnake. Gjatë viteve të hershme të grupit, muzika që bënin ishte kryesisht blues rock (edhe pse Coverdale e ka përshkruar muzikën fillestare të Whitesnake si "R&B progresive") [2]. Në këtë kohë grupi përbëhej nga David Coverdale, Bernie Marsden, Micky Moody, Neil Murray, bateristin David "Duck" Dowle dhe në tastierë Brian Johnstone. Johnstone shumë shpejt u zëvendësua nga Procol Harum, tastieristi dhe organisti Pete Solley. Por për shkak të angazhimeve të mëparshme që kishte Solley me producing u zëvendësua me ish-tastieristin e Deep Purple, Jon Lord, gjatë punës për të regjistruar albumin e parë si grup.

Whitesnake regjistruan albumin me pak këngë, Snakebite që doli në treg në vitin 1978, ku përfshihej edhe ribërja e një kënge të Bobby "Blue" Bland: Ain't No Love in the Heart of the City, që u bë edhe hiti i parë i tyre. Albumi rezultoi mjaft i suksesshëm në Britaninë e Madhe dhe përfshinte edhe katër këngë më shumë, nga albumi i dytë si solist i Coverdale, Northwinds që ishte prodhuar nga Roger Glover. Albumi i debutimit të tyre të vërtetë ishte blues rock/R&B Trouble, u hodh në treg në shtator të vitit 1978 dhe kapi vendin e 50-të në UK album charts. Whitesnake bënë turne nëpër Evropë për të promovuar albumin dhe e nxorën albumin e tyre të parë “live”, Live at Hammersmith të regjistruar gjatë këtij turneu në Japoni në vitin 1979. po në 1979 Whitesnake nxorën edhe Lovehunter, që ngjalli një sërë debatesh për shkak të kopertinës së rrezikshme të realizuar nga artisti Chris Achilleos, ku dukej një grua e zhveshur që kishte pushtuar mes këmbëve të saj një gjarpër të mbledhur kutullaç. Albumi hyri ndër 30 këngët më shitura në klasifikimin e Britanisë së Madhe dhe përmbante hitin Long Way From Home, që kapi vendin e 55-të në klasifikimin e këngëve teke. Këngë nga albumi i shkurtër Snakebite u futën në rinxjerrjen e këtij albumi me titullin Trouble në vitin 2006. Jo shumë më vonë Ian Paice zëvendësoi David Dowle, duke e bërë Whitesnake të kishte tre ish-anëtarë të Deep Purple. Më këtë përbërje të re ata nxorën në vitin 1980 Ready an' Willing, që u shndërrua në një hit që i theu të gjitha pritjet, duke e çuar grupin ndër 10 më të shiturit e Britanisë së Madhe dhe madje kapën edhe një vend në klasifikimin amerikan Billboard 100. Kënga teke Fool For Your Loving, që fillimisht grupi e kishte shkruar për B.B. King, zuri vendin e 13-të në klasifikimin e Britanisë së Madhe dhe atë të 53-të në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kënga që mbante titullin e albumit kapi vendin e 43-të në klasifikimin britanik. Turneu i Ready an' Willing përfshiu edhe një pjesëmarrje që pushtoi mbarë gazetat, në festivalin Reading Festival në vitin 1980, pjesë të të cilit u transmetuan nga BBC Radio One në Britaninë e Madhe. Më pas grupi nxori Live...In The Heart Of The City, që përmbante regjistrime të bëra në 1978 e 1980 dhe me këtë album kapi vendin e 5-të në klasifikimin britanik.

Në vitin 1981 grupi regjistroi albumin Come an' Get It që kapi vendin e 2-të në klasifikimin britanik të albumeve, prej nga doli edhe hiti ndër 20 më të mirët: "Don't Break My Heart Again" dhe hiti ndër 40 më të mirët: "Would I Lie To You". Ky album ishte një dështim i vërtetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë vitit 1982 Coverdale mori pak pushim që të kujdesej për të bijën e sëmurë dhe vendosi që t’i linte Whitesnake në pritje të tij. Kur David Coverdale iu rikthye muzikës, e riformoi grupin dhe pasi regjistroi albumin Saints & Sinners zëvendësoi Bernie Marsden, Ian Paice dhe basistin Neil Murray) me Mel Galley nga Trapeze, basistin Colin Hodgkinson, ndërsa bateristi i ri u bë Cozy Powell. "Saints An' Sinners" ishte një tjetër që hyri mes 10 albumeve më të shitur të Britanisë së Madhe dhe përmbante hitin "Here I Go Again". Me këtë përbërje të re ai bëri një turne në vitet 1982–83, kryesoi festivalin “Monsters of Rock Festival” në Kështjellën Donington në gushtin e vitit 1983 dhe nxori edhe këngën teke "Guilty Of Love", që kapi vendin e 31-të në klasifikimin britanik.

Kalimi nga muzika blues tek ajo rock 1984-1986

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas një ndryshimi tjetër në përbërje, duke e ndryshuar Moody me John Sykes dhe duke e rikthyer Neil Murray, në vend të Hodgekinson, ata siguruan një kontratë të bujshme me kompaninë muzikore Geffen. Një version i përpunuar i Slide It In, ku kitara dhe basi luheshin nga Sykes e Murray doli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në prill të vitit 1984. Pavarësisht se Coverdale nuk ishte fort i bindur sepse mendonte që këngët nuk ishin aq të qepura sa dikur nga ana artistike, Slide It In u bë dy herë i platintë. Albumi Slide It In çoi në hitet amerikane, tashmë më të prirura nga muzika rock Slow an' Easy, "Love Ain't No Stranger", si edhe në atë me po të njëjtin titull me albumin. Ndërsa në Evropë patën sukses me të tjera këngë: Guilty of Love dhe Give Me More Time. Ndërsa kishin dalë në turne Mel Galley u detyrua ta linte grupin në pranverën e vitit 1984, për shkak të një aksidenti ku theu krahun, duke e lënë John Sykes si kitaristi solist në koncertet e mbetura. Disa javë pas largimit të Galley, u largua edhe Jon Lord, që u zëvendësua nga tastieristi Richard Bailey. Turneu u mbyll me një koncert para më shumë se 100,000 vetash, në festivalin “Rock in Rio”, në Rio de Zhaneiro të Brazilit.

Albumi Whitesnake dhe suksesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Cozy Powell u largua për t’u bashkuar me Emerson, Lake & Powell. Bateristi Aynsley Dunbar i Journey dhe tastieristi Don Airey që vinte nga grupi Ozzy Osborne dhe Rainbow u rekrutuan për të regjistruar albumin Whitesnake në vitin 1987. Në Evropë po i njëjti album u titullua 1987, ndërsa në Japoni Serpens Albus dhe u shpall si suksesi i tyre kryesor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e mjeshtrit të A&R, John Kalodner, duke shitur më shumë se 8 milion kopje në Amerikë. Suksesi i Whitesnake rriti edhe shitjet e Slide It In duke e shndërruar këtë të fundit, nga i artë në të platintë. Albumi vazhdoi të shitej gjatë gjithë vitit 1987 dhe 1988, duke kapur vendin e 2-të në klasifikimin amerikan të albumeve. Këngët më të suksesshme të tij ishin balada e fuqishme "Is This Love" dhe kënga teke që kapi edhe vendin e 1-rë Here I Go Again, një ripunim i këngës që fillimisht gjendej në albumin e tyre Saints & Sinners, dalë më 1982. Të tjera këngë teke shumë të suksesshme në këtë album ishin "Still of the Night" (vendi i 79-të) dhe "Give Me All Your Love" (vendi i 48-të në vitin 1988). Prezantimi i albumit u shoqërua edhe me një fushatë të fuqishme transmetimi videoklipesh në MTV, ku merrte pjesë aktorja Tawny Kitaen, me të cilën më vonë Coverdale edhe u martua. Asnjë prej anëtarëve të grupit që luanin në album nuk doli në videoklipe, përveç Adrian Vandenberg, që ishte thirrur për ta përfunduar atë pasi gjithë të tjerët ishin larguar. Puna e vetme e Vandenberg në të ishte kitara soliste e Here I Go Again, edhe pse vetëm pas pak kohësh ai u bë anëtar i grupit. Në pjesën tjetër të videoklipeve të Whitesnake dolën edhe anëtarët e rinj të grupit Rudy Sarzo, Tommy Aldridge dhe Vivian Campbell.

“Slip of the Tongue” dhe suksese të tjera në 1988-1991

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Adrian Vandenberg dhe David Coverdale rreth 1990.

Vivian Campbell i la Whitesnake rreth fundvitit të 1988 dhe përbërja e grupit ndryshoi edhe një herë, për regjistrimin e albumit të vitit 1989, Slip of the Tongue. Teksa përgatiteshin për regjistrimin e albumit, kitaristi Adrian Vandenberg vuajti nga një dëmtim në dorë, që ia bënte të pamundur luajtjen në kitarë dhe për këtë arsye u thirr Steve Vai që të regjistronte të gjitha pjesët me kitarë. Slip of the Tongue shiti tre milion kopje dhe u rendit ndër 10 më të mirët si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në Britaninë e Madhe. Mes këngëve të suksesshme të tij përfshihen ripunimi i "Fool For Your Loving" (vendi i 37-të në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i 43-ti në Britaninë e Madhe), kënga melodike The Deeper The Love, që kapi vendin e 28-të në Amerikë dhe të 35-tin në Angli, gjatë vitit 1990 dhe Now You're Gone, që kapi vendin e 96-të në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të 31-tin në Britaninë e Madhe gjatë 1991.

Coverdale dhe Page 1991–1993

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas një periudhe pushim, Whitesnake zyrtarisht ranë në heshtje në vitin 1991. Coverdale regjistroi albumin Coverdale-Page, me kitaristin e Led Zeppelin, Jimmy Page në vitin 1992, që u hodh në treg nga EMI në Britaninë e Madhe e nga Geffen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë marsit 1993 dhe që u shndërrua menjëherë në një album të platintë falë shitjeve. Turneu Coverdale-Page që ndoqi këtë sukses nuk është se arriti të shiste shumë bileta jashtë Japonisë dhe për këtë arsye u anulua. Menjëherë menaxherët e Robert Plant shpallën një turne solistik të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shfrytëzuar datat që ishin lënë bosh nga Coverdale dhe Page, por edhe ky plan dështoi dhe Plant bëri turneun Page and Plant, ndërsa Coverdale u mor me risjelljen në skenë të Whitesnake.

Turneu i Hiteve më të Mëdha në vitin 1994

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Grupi u rimblodh në një formacion të ri, duke nxjerrë albumin Whitesnake's Greatest Hits nga Geffen në vitin 1994. Ata bënë së bashku një turne të shkurtër nëpër Evropë, me ish-kitaristin e Ratt, Warren DeMartini në kitarë kryesore, bateristin Denny Carmassi, basistin Rudy Sarzo, kitaristin Adrian Vandenberg dhe tastieristin Paul Mirkovich, para se kontratës së tyre me Geffen, t’i vinte fundi. Pas kësaj veprimtarie Whitesnake ranë sërish në heshtje për plot tre vjet.

“Starkers in Tokyo” dhe “Restless Heart”

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1997, për të kujtuar 10-vjetorin e albumit popullor të Whitesnake që mbante emrin e vetë grupit, Coverdale dhe Vandenberg hodhën në treg një spektakël akustik që e kishin regjistruar në Japoni dhe që mbante titullin Starkers in Tokyo. Ky ribashkim i frymëzoi që të punonin së bashku për një album të ri të Whitesnake, Restless Heart. Fillimisht ky u mendua të ishte një album solistik për Coverdale, por kompania e regjistrimit kërkoi me ngulm që t’i vihej edhe emri i grupit Whitesnake. Gjithsesi, edhe pse albumi pushtoi tregjet japoneze dhe evropiane, ai kurrë nuk u hodh zyrtarisht në treg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Albumi bënte një kthesë prapa në muzikën e dikurshme R&B të grupit. Ai hyri ndër 40 albumet më të mirë në klasifikimin britanik dhe prej tij u bë e famshme balada blues, Too Many Tears që kapi vendin e 46-të në klasifikimin britanik të këngëve teke. Bashkëpunimi ishte mes Coverdale, Carmassi, Vandenberg, Pink Floyd batisti i turneut, Guy Pratt dhe tastieristi Brett Tuggle që kishte luajtur me të edhe në Coverdale and Page. Është turne dolën Coverdale, Vandenberg, Carmassi, Mr Mister kitaristi Steve Farris, tastieristi Derek Hilland dhe ish-basisti i The Firm , Tony Franklin. Në përfundim të turneut Coverdale e ndau grupin.

Në dhjetor 2002 Coverdale e ribashkoi Whitesnake, me rastin e 25-vjetorit të grupit. Në turneun e Coverdale të vitit 2003 ishin kitaristët Doug Aldrich e Reb Beach, basisti Marco Mendoza, bateristi Tommy Aldridge dhe tastieristi Timothy Drury. Gjatë 2003 ata qenë në krye të turneut Rock Never Stops Tour, ku merrnin pjesë një sërë grupesh popullore të muzikës rock.

SPV/Steam Hammer Records

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përbërja e grupit me të cilën kishin dalë në turne qëndroi e pandryshueshme derisa në fillim të vitit 2005, Mendoza u largua për të ndjekur Soul SirkUS dhe u zëvendësua nga Uriah Duffy. Në shkurt të vitit 2006, Whitesnake nxorën një DVD “live” me titullin, Live... In The Still of the Night dhe deklaruan se do të bënin një turne pranveror dhe veror në Japoni dhe Evropë. Në qershor 2006 u bë e ditur se Coverdale kishte nënshkruar një kontratë të re për Whitesnake me Steamhammer/SPV Records, për të nxjerrë një dopjo-album “live” të titulluar Live: In The Shadow Of The Blues gjatë nëntorit 2006 në Britaninë e Madhe, Gjermani, Zvicër dhe Austri. Albumi përmbante këngë të regjistruara që më 2003 dhe përfshinte edhe katër këngë të reja të regjistruara në studio me Restless Heart: Ready to Rock, If You Want Me (I'll Come Running), All I Want Is Youand Dog. Në qershor 2007 grupi nxori një CD/DVD të dyfishtë të titulluar 1987 - 20th Anniversary Collector's Edition, për të nderuar 20-vjetorin e albumit super-të-shitur 1987. Ky album ishte një ripunim i të parit dhe iu shtuan edhe katër këngë “live” nga Shadow Of The Blues Live. Në të përfshihen edhe katër videoklipet promovuese të albumit, në DVD-në që e shoqëron.[3] Në dhjetor të vitit 2007, bateristi Chris Frazier u bashkua me grupin, duke zëvendësuar Tommy Aldridge.[4]

2008-deri më sot

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në mars të vitit 2008, Whitesnake luajtën në Rock2Wgtn, një festival dy-ditor i muzikës rock, ku morën pjesë edhe Ozzy Osbourne, Kiss, Poison, Alice Cooper e Lordi, me fekste speciale të Peter Jackson nga Lord of the Rings dhe fituesit e çmimit Oskar WETA Workshop. Në prill të vitit 2008, grupi nxori albumin e 11-të të regjistruar në studio, Good to Be Bad, që kapin vendin e 5-të në klasifikimin britanik të albumeve.[5] Gjatë verës 2008 Whitesnake filluan nga Londra një turne bashkë me Def Leppard,[6] që filloi në qershor të këtij viti dhe në korrik Coverdale përshëndeti edhe publikun shqiptar në stadiumin “Qemal Stafa” në koncertin e Tiranës, brenda të njëjtit turne.

Në fillim të nëntorit 2008, Whitesnake u nderuan me çmimin Classic Rock Best Album, për albumin e tyre të fundit Good To Be Bad.

Anëtarët e tanishëm

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Trouble (1978)
  • Lovehunter (1979)
  • Ready an' Willing (1980)
  • Come an' Get It (1981)
  • Saints & Sinners (1982)
  • Slide It In (1984)
  • Whitesnake (1987)
  • Slip of the Tongue (1989)
  • Restless Heart (1997)
  • Good to Be Bad (2008)
  • Forevermore (2011)
  • The Purple Album (2015)
  • Flesh & Blood (2019)

Anëtarët e grupit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


Përmendje të përzgjedhura të grupit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në kinematografi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Here I Go Again (si kolonë zanore)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Whitesnake atAllmusic
  2. ^ KNAC David Coverdale Interview at KNAC
  3. ^ DeepPurple.net news - 26.03.07
  4. ^ Chris Frazier interview Arkivuar 15 gusht 2009 tek Wayback Machine New drummer at Whitesnake.com
  5. ^ Deep Purple[lidhje e vdekur] Appreciation Society. Will Coverdale Top The Charts?
  6. ^ Whitesnake Arkivuar 6 shkurt 2010 tek Wayback Machine Publicity, 10th April 2008 at The Publicity Connection

Referime dhe lexime të mëtejshme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Whitesnake. Simon Robinson. Omnibus Press (1989) ISBN 0-7119-1550-4
  • Record Collector magazine No 56. Peter Doggett. Diamond Publishing Group (1984) ASIN: B0018KXRB0
  • Purple Rainbows: A Definitive Rock History Featuring the Best of Deep Purple, Rainbow, Whitesnake. Graham Bonnett. Stave House (1994) ISBN 1-85909-148-2
  • Whitesnake. Tom Hibbert. Omnibus Press (1981) ISBN 0-86001-964-0
  • The Best of Whitesnake.Aaron Stang. Warner Bros Publications Inc (1989) ISBN 0-7692-1352-9

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]