Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2022/52
Kosova (historikisht Dardania, serbisht: Косово Kosovo), zyrtarisht Republika e Kosovës (serbisht: Република Косово Republika Kosovo), është një shtet i pavarur në Evropën Juglindore. Shtrihet në qendër të Siujdhesës Ballkanike dhe kufizohet në veri dhe në lindje me Serbinë, në juglindje me Maqedoninë e Veriut, në jugperëndim me Shqipërinë dhe në perëndim me Malin e Zi. Ka një sipërfaqe prej 10.887km² dhe popullsi prej 1.9 milion banorësh. Shumica dërrmuese e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa minoritetet tjera përfshijnë , turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptasit dhe goranët.
Me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në botë. Është vatër e stabilitetit në rajon, si dhe synon anëtarësimin në NATO, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian. Kosova është vatër e vazhdimësisë së qytetërimit të lashtë iliro-dardan dhe e zhvillimit të gjuhës shqipe si pasardhëse e vetme e gjuhëve ilire. Në shek. IV p. K. u themelua Mbretëria Dardane, ndërsa më vonë pasuria nëntokësore e Kosovës luajti rol të rëndësishëm në ekonominë e Perandorisë Romake, Perandorisë Osmane dhe ish-Jugosllavisë. Megjithatë, politikat antishqiptare, luftërat, statusi politik dhe keqadministrimi ndërkombëtar e i politikës vendase në vitet e fundit kanë bërë që Kosova të radhitet si vendi më i varfër në Evropë dhe ndër më të varfrit në botë. Më 29 qershor u nënshkrua anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
Ish-njësi federale e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Kosova është vendi i fundit që e fitoi mëvetësinë si rrjedhojë e shpërbërjes së përgjakshme të kësaj federate. Në vitin 1990, Kosova u shpall republikë dhe në vitin 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989–1999). Qëndresa paqësore mbarëpopullore, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare (1997–1999) dhe ndërhyrja ajrore e NATO-s në pranverë të 1999 i dhanë fund genocidit të Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Trupat e NATO-s hynë në Kosovë në qershor 1999, ndërsa po largohej ushtria serbe, dhe Kosova u administrua nga një mision i Kombeve të Bashkuara deri në 2008. Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran dhe deri më tani është njohur nga 117 vende në mbarë botën, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila pretendon sovranitet mbi gjithë territorin kosovar si Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë.