Agim Qirjaqi
Agim Qirjaqi ishte një aktor dhe regjisor shqiptar. U lind në Tiranë nga prindër kolonjare me origjinë nga Rehova e Kolonjës në 27 janar 1950, dhe vdiq më 28 mars të vitit 2010. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fiton çmimin e parë në Festivalin II të Filmit, më 1977.
Më pas punon si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980). Gjatë kësaj kohe vazhdon të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve tanë. Gjithashtu fillon të japë mësim, mjeshtërinë e aktorit, në Akademinë e Arteve, përvojë të cilën e vazhdon edhe pas rikthimit në Teatrin Kombëtar, më 1981. Në vitet ’80 interpreton rregullisht në teatër dhe në filma, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë.
Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2 vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. Rikthehet në Teatrin Kombëtar më 1991, këtë herë më i dhënë pas regjisë. Ndonëse vazhdon të interpretojë në teatër dhe në film, të mbajë herë pas herë kurse me studentët e regjisë në Akademinë e Arteve, është gjithmonë e më aktiv në regji. Lista fillon me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit.
Krahas krijimtarisë, angazhohet edhe në veprimtaritë ‘jashtë skene’, si përkthyes dramash (“Fando e Lis” dhe “Këngëtarja tullace”), bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetari i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fiton titullin “Asistent Profesor”. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar. Vdiq më 28 mars 2010 në moshën 60-vjecare pas një sëmundjeje të rëndë.
Filmografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Kronikë provinciale (2009)
- I dashur armik - (2004)....Ethemi
- Parullat - (2001)....Drejtori i Shkollës
- Colonel Bunker - (1998)
- Dasma e Sakos - (1998)
- Viktimat e Tivarit (1996)
- Nata e dymbëdhjetë - teatër-komedi
- Edhe keshtu edhe ashtu - (1989)...
- Stolat në park - (1988)....Aleks Pasku
- Rrethi i kujtesës - (1987) Doktori shqiptar
- Tela për violinë - (1987)..... Mustafa Dino, Kryetari i Komisionit
- Apasionata - (1983).... Profesor Jani
- Në prag të lirisë - (1981).... Zoti Bardhi
- Agimet e stinës së madhe - (1981) Astriti, i dërguari i Partisë
- Skëterrë 43 - (1980).... Profesori
- Radiostacioni - (1979) Shkrimtari
- Dimri i fundit - (1976) Oficeri gjerman
- Lulëkuqet mbi mure - (1976)......Drejtori i Shkollës
- Përballimi - (1976)....Hareto
- Rrugë të bardha - (1974).... Profesori
Regjisor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Dorina - (1979) (TV)
Ky artikull në lidhje me një aktor është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedinë duke e përmirësuar atë.