Jump to content

I dashur armik

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


I dashur armik
Arkivi i filmit
Titulli shqip I dashur armik
Origjinali I dashur armik
Vendi i prodhimit Shqipëri
Viti i prodhimit 2004
Koha (Zëri) - (PAL/DVD) 86 minuta
Zhanri Drame, Komedi
Gjuha origjinale Shqip, disa skena Gjermanisht e Italisht
Ekipi realizues
Regjia Gjergj Xhuvani
Skenari Dhimiter Xhuvani
Drejtori artistik Durim Neziri
Prodhuesi i filmit: Dirk Beinhold, Pascal Judelewicz, Arben Tasellari
Aktorë kryesorë


I dashur armik është një film shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 2004, dhe leshuar ne vitin 2006 edhe ne Gjermani. Eshte xhiruar ne Tiranë dhe Shkodër. Regjizori ia ka dedikuar filmin gjyshit te tij. Personazhi i Harunit bazohet mbi kete karakter real.

Të dhënat mbi filmin

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Aktorët dhe rolet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Aktorët dhe rolet e tyre në këtë film janë:

Shqipëri, viti 1943: Pas dorezimit te trupave italiane, gjermanet pushtojne vendin. Situata behet kaotike. Harun Bonata, nje tregetar matrapaz, por zemergjere, fsheh tre te kerkuar ne qilarin e shtepise ku jeton me familjen: partizanin Qazim, orendreqesin hebre nga Sarajeva Hoakin, dhe ish-ushtarin italian Giulio. Nderkohe, Haruni eshte mik me oficerin gjerman Franz dhe me anetarin e larte te Ballit Kombetar Et'hem. Ne familjen e Harunit, vec te shoqes e te birit, bejne pjese edhe nenemadhja plake, e motra shtepiake e martuar me nje burre te pazot e te papune, dhe i vellai intelektual i martuar me nje grua austriake, qe e ka njohur gjate studimeve jashte shtetit. Filmi flet per ndervepeprimin mes ketyre personazheve te ndryshme prej njeri-tjetrit, por njekohesisht te bashkuar nga ndjenja njerezore.

“Dje ishim armiq, sot miq”. Një partizan, një italian, një çifut dhe një ballist, si në një purgator, nuk mund t’i thonë veç këto fjalë sho-shoqit, në qilarin e Bonatëve. Eshtë Shqipëria e vitit 1943. Italia fashiste ka kapitulluar, ndërsa nazistët kapërcenin urën e Bunës. Si me përdhunë purgatori i Bonatëve, familjes feudo-borgjeze nga Elbasani, fillon të zgjasë pak kryet, zemrën, e më pas gjithë trupin për në parajsën utopike: të duash armikun tënd. Armikun si gjysma jonë e munguar, që na njeh dhe e njohim më mirë se veten dhe miqtë tanë. Me sa duket, lufta është prova më e mirë, ku pasi kanë njohur pushtetin e fundëm të armëve, vetëm një tjetër pushtet i pafundëm mund t’i shpartallojë kundërshtarët: dashuria. “I dashur armik” filmi i regjisorit Gjergj Xhuvani, premiera që rrëfeu dje “një histori të pazakontë, me personazhe jo “siç na i thanë”, por me njerëz “siç ishin dhe janë”, dëshmon për këtë. Bashkëprodhimi shqiptaro-franko-gjerman, ku fliten dy gjuhët “armike” dhe italishtja, në të vërtetë është ngjizur në një histori familjare, të Xhuvanëve, që s’do të thotë se biri, regjisori Gjergj Xhuvani, nuk ka pjekur mirëfilli në një fiction. Bëhet fjalë për sagën familjare të gjyshit nga nëna e regjisorit, Harun Bonata. Një tregtar mishëruar në film nga aktori Ndriçim Xhepa, indiferent, që kishte bërë punën e vet të tregtarit me italianët e, gjermanët më pas, dhe që të zbriturit nga malet, në vitin ’45 do t’i vënë prangat “në emër të popullit” si kolaboracionist. Kjo ndodhi. Megjithëse ishte shtëpia e Harunit ajo ku shpëtuan kokën partizani i pafe (interpretuar nga Helidon Fino); Xhulio, ushtari i plagosur italian (interpretuar nga Rinaldo Rocco) që i lutet Shpirtit të Shenjtë sa herë ulet para bukës e gjellës të këtyre shqiptarëve; Hoakimi (Birçe Hasko) çifuti orëndreqës nga Sarajeva që mërmërit psalmet në qilar, për të dalë i gjallë nga betimi i tërbuar i Hitlerit që e ndjek edhe në këtë humbëtirë; ballisti Ethem (Agim Qirjaqi), përkthyes i dy ushtrive pushtuese, që s’ka dhe aq lidhje me bindjet e Ballit Shqiptar. Ndërsa Harun Bonata zhduket i prangosur nga parulla treshe partizane, duket sikur një mur rrëzohet sakaq para nesh: më e fortë se lufta dhe armiku i shpallur, do të ishte armiku i popullit, ai i panjohuri, që luftoi fshehtas qytetarët, bashkëkombasit e vet në gjysmëshekullin që do të vinte më pas. Një pikëpyetje e madhe e historisë së asaj kohe ngrihet atëherë kur s’e pret dhe nuk është fort e vështirë të gjesh përgjigjen nga ai paradoks final e mjeshtëror që bashkautorët e skenarit Dhimitër e Gjergj Xhuvani, i kanë dhuruar krijesës së tyre “I dashur armik”. “Dënojmë atë që s’duhet dënuar dhe përdhosim, atë që s’duhet përdhosur. Kjo është arsyeja që jemi këtu ku jemi.”,- thotë regjisori Xhuvani dhe fjalën e ka jo thjesht se dënimi dhe zhbërja e asaj klase shoqërore feudo-borgjeze, sigurisht jo me gjak blu princëror, por që mund të ishte borgjezia e një Shqipërie të hapur pas luftës, e që u zhduk pa lënë gjurmë, u shpërbë në heshtje dhe harresë. Xhuvani, edhe pse mban pozicionin e një artisti apolitik, që vetëm për hir të së vërtetës, kësaj radhe duhet të tregojë jo për “slloganet” e historisë ashtu siç na u përrallis, po për historinë dhe njerëzit e saj “siç ishin dhe janë”. Ngjarjet vendosen në prag të fundit të Luftës së Dytë Botërore, por investimi i filmit “I dashur armik”, shkon në një rreze më të gjerë se vetë lufta dhe përmasat e saj, në një familje, në një oborr shtëpie, ku fliten gjuhët e pushtuesit dhe të pushtuarit. Nga oborri i asaj shtëpie, që herë duket se ndodhet në Elbasan e herë në Shkodër, qyteti i fundit prej nga ikën nazistët, merr vesh më mirë se në frontet armiq, ç’ndodh në të vërtetë. “Filmi është i mbushur me kolona zanore. Lufta vjen nëpërmjet tyre në këtë shtëpi ku duket sikur jemi të mbyllur. Aty është thelbi i filozofisë njerëzore, në një familje pseudoborgjeze.” Oborri, qilari dhe odat e Bonatëve duket sikur në një skenë teatri, do të mbysin frymëmarjen e filmit, prej të cilit e shpëton humori i hollë, gjuha e thjeshtë e skenarit, e qartë e pa filozofi. Hollë-hollë, “I dashur armik” është një harmoni e komedisë dramatike. Më në fund, pas mungesës së gjatë në ekran Margarita Xhepa, në rolin e nënëmadhes, zonja e shtëpisë pa burrë, që pa pikë droje ndërpret aktet e dashurisë së fëmijëve për t’i vënë në punë, është antidot i fuqishëm i gjithë ijeve shamibardha e burrnesha që janë tjetërsuar në filmat me temë luftën, të realizmit socialist. Dhimitër dhe Gjergj Xhuvani kanë meritën edhe për një arsye tjetër. Me këtë film ata rizgjojnë në kinema një dimension tjetër të botës dhe traditës shqiptare, atë të krishterën. Deri tani mund të themi se kinemaja jonë në këtë drejtim ishte shterpë, e pafe, që nga koha e Dhaskal Todhrit (mishëruar në filmin “Udha e shkronjave” nga Sandër Prosi). Një dimension i sjellë në formën laike, pra jo i qëllimtë, por me disa shenja shumë të qarta që mban ndezur nga pak, gjatë gjithë kohës humanizmin e filmit “I dashur armik”. Eshtë urata i qytetit (Niko Kanxheri) që vritet natën e Krishtlindjeve, në majën e kambanares së kishës. Bonatët i hapin portën togerit gjerman (interpretuar nga aktori gjerman Peter Lohmeyer), pikërisht natës së Krishlindjeve. Dhe ky njeri vritet në pragun e shtëpisë ku kishte shkuar t’iu jepte lamtumirën Bonatëve, me një qingj në dorë. E varrosin në oborr të shtëpisë, me gjithë orën e ndrequr nga çifuti Hoakim. Kjo ndjeshmëri njerëzore, në dukje e tepruar e utopike, të kujton marrëdhënien po aq njerëzore ndërmjet një oficeri gjerman dhe një pianisti çifut në filmin “Pianisti” i regjisorit të njohur polak, Roman Polanski. “I dashur armik” tek evokon Luftën e Dytë Botërore në ditët sot, mund të të ngjajë si relike. Do të ishte kështu, nëse bota nuk do të ishte sërish në luftë. Një vit e ca më parë, kur Gjergj Xhuvani ndodhej në sheshxhirim, i humbur mes punës do të pyeste: “Do të fillojë lufta në Irak? Thonë që është e pashmangshme.” E më pas do shtonte se “I dashur armik”, do të ishte edhe një lloj nostalgjie. “A nuk e fillojmë me luftë dhe më pas na merr malli e bëhemi nostalgjikë?!” Me sa duket, njerëzit i harxhuan rezervat e nostalgjisë, koshiencës, dashurisë për t’u rikredhur në jermin e luftës si armiq e të betuar.

Burimi i Informacionit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]