Jump to content

Akile Tasi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Akile Tasi
Ministër i Kulturës Popullore
Në detyrë
6 shtator – 25 tetor, 1944
Paraprirë ngaMark Gjon Markaj
Pasuar ngaSejfulla Malëshova
Të dhëna vetjake
U lind më1891
Leusë, Perandoria Osmane
Vdiq më30 janar, 1961
Tirana, Republika Popullore e Shqipërisë
NënshtetësiaShqiptar
Punësiminëpunës

Akile ose Arqile Tasi (Leusë, 1891 - Burgu i Tiranës, 30 janar 1961) ka qenë aktivist i Vatrës, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe ministër i shtetit shqiptar.

U lind më 1891 në Leusë të Përmetit, është vëllai i Koço Tasit. Arsimimin e mesëm e nisi në Përmet dhe e mbaroi në Boston, ku emigroi më 1906. Atje u aktivizua me federatën "Vatra" dhe bashkëpunoi me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Është i pranishëm në gazetën "Dielli".

Tasi me Konicën

Më 1929 kthehet në Shqipëri dhe më 1 tetor të atij viti emërohet bibliotekar i Oborrit Mbretëror. Më 1932 dhe deri më 1941 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. U largua nga Tirana dhe qëndroi në Përmet. Më 1943 u zgjodh deputet i Kuvendit Kombëtar dhe u emërua po ashtu drejtor i gazetës "Bashkimi i Kombit". Më 1944 u emërua ministër i Kulturës Popullore. Nuk pranoi të largohej nga Shqipëria në vitin 1944.

Në fillim të dhjetorit 1944 i dorëzohet forcave partizane në Shkodër. U dënua me 20 vjet burg në Gjyqin Special të 1945-s. Dënimin e vuajti në kampet e punës të Maliqit, Bedenit, Vloçishtit dhe në burgun e Burrelit.[1]

Tasi vuante nga mëlçia e zezë, në burg kaloi edhe botkinin. Pasi doli nga infermieria ku kishte marrë kurat e botkinit, e futën në birucë ku pa kapotë dhe batanije. Iu theksuan gjendjet e mëparshme të mëlçisë së zezë e botkinit dhe komplikacioni iu kthye në cirrozë. Nuk iu pranua asnjë lutje me shkrim; i sëmurë, ndërroi jetë pas tre muajve,[2] më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës.[1]

  1. ^ a b Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 233. ISBN 9789994356225.
  2. ^ Dervishi, Kastriot (5 mars 2018). "Si vdisnin të dënuarit në Burgun e Burrelit, publikohet letra e Muharrem Xhakonit". rd.al. Rilindja Demokratike.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)