Jump to content

Xhihadi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Al-xhihad-i)

Xhihadi ose xhihati (ar. جهاد‎ jihād) është një fjalë me prejardhje arabe që domethënë mundim, përpjekje, sprovë në dalëzotje të Islamit. Mund të marrë hijëzime të ndryshme për nga kuptimi, si përshembull "përpjekje kundrejt prirjeve të liga të dikujt", "përpjekje në përmirësimin moral të shoqërisë", por rëndom asociohet edhe me kuptimin e luftës. Në Sheriat termi lidhet me luftën kundër jobesimtarëve, ndërsa studjues bashkëkohorë e bashkëshoqërojnë termin me luftëbërjen mbrojtëse. Ndër sufitë dhe bashkësitë e devotshme, xhihadi moral dhe shpirtëror nënvizohet tradicionalisht si xhihadi i madh. Kjo vjen nga kategorizimi që i është bërë që në kohën e Muhammedit, duke u ndarë në xhihadin e brendshëm (xhihadi i madh) dhe në xhihadin e jashtëm (e vogël), që përvijohet duke u ndarë në xhihadin e pendës dhe xhihadin e shpatës.

Vetë fjala paraqitet në Kuran me vështrime si ushtarake si joushtarake, shpeshherë në shprehinë "sprovë në rrugën e Zotit (ar. al-jihad fi sabil Allah)". Kadinjtë dhe ulematë e periudhës klasike e shoqëronin termin më së shumti me vështrimin e tij ushtarak, shpeshherë e formuluar si "luftë për Zotin dhe e shpërblyer prej Tij".[1][2] Përpunuan gjithashtu një normativë, ku xhihadi nuk dëmton mospjesëmarrësit në luftë. Në kohët e sotshme kuptimi juridik i është vënitur dhe ka marrë një vështrim tjetër në diskursin ideologjik e politik. Kohët e fundit ka marrë vëmendje të madhe për shkak të përdorimit të fjalës nga organizatat terroriste.

Ndonjëherë xhihadi cilësohet si shtylla e gjashtë e Islamit,[3] megjithëse ky përkufizim nuk qëndron. Për Islamin Shi'i Imamit xhihadi është ndër dhjetë praktikat e fesë. Një njeri i përfshirë në xhihad quhet muxhahed (shumësi muxhahedin).

Termi xhihad është gjithashtu edhe emër arab për meshkuj, dhënia e të cilit është e lejuar nga ana ligjore.[4]

Prejardhja e fjalës gjurmohet që në Kuran si dhe në hadithe, ku shpeshherë e pasojnë fjalët fi sabil illah "në rrugën e Zotit". Në arabishten standarde moderne, termi përdoret si përpjekje për çështje, si fetare ashtu edhe shekullare.

Përdorimi kuranor dhe format arabe

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas Ahmed al-Dautit, shtatëmbëdhjetë fjalë me prejardhjen nga kjo fjalë përmenden katërdhjetenjë herë në njëmbëdhjetë suret mekase dhe tridhjetë suret medinase me pesë vështrimet siç vijojnë: përpjekje për besimin fetar (21), luftë (12), përbetime solemne (5), prindër jumusliman që shtrëngojnë fëmijën që të lërë Islamin (2) si dhe forcën fizike (1).

Konteksti i përdorimit në Kuran ndriçohet edhe më tej nga përdorimi në Hadithe.

Interpretimet jo-luftarake të këtij termi gjenden po ashtu edhe në kapitujt përkatës të përmbledhjeve të mëdha të hadith-it. Ndër të tjera shihet si xhihad edhe pelegrinazhi i një gruaje për në Mekkë (haxh-i)[5] si dhe përkujdesja ndaj prindërve.[6]

Në përmbledhjet e Buhariut jepet hadithi që i mveshet Muhammedit „angazhimi për çështjen e zotit“:[7]

„Dikush erdhi (një herë) tek i dërguari i zotit (…) dhe i tha: »Më thuaj një vepër që arrin të jetë aq sa angazhimi në rrugën e zotit, për nga shpërblimi, i cili do të na priste për të nga zoti!« Profeti (…) ia ktheu: »Unë nuk di asnjë vepër të tillë! Apo mos je ti në gjendje që kur besimtari luftëtar lufton për çështjen e zotit, të rrish duke u falur në xhami pa u lodhur dhe njëkohësisht duke agjëruar pa e prishur agjërimin?« Ai i tha: »Jo. Kush është në gjendje për këtë!«“

E ngjashme për nga mesazhi përmbajtës me këtë hadith, i autorizohet profetit edhe kjo thënie:[8]

„Askush nuk do që të kthehet nga parajsa, me përjashtim të shehidit që ka rënë në luftë për çështjen e zotit. Ai dëshiron që të kthehet në tokë për t'u vrarë edhe dhjetë herë të tjera, pas gjithë atyre nderimeve që i janë bërë në parajsë.“

Këtu lidhet ideja e xhihadit si luftë me armë, me atë të të rënit shehid. Shkrimet islamike brenda dhe jashtë përmbledhjeve të haditheve të shekullit të 9-të janë të pasura me vepra mbi xhihadin dhe të mirat e tij si detyrim fetar.

Përkrah kësaj teme, kjo trashëgimi merret edhe me çështje të ligjeve të luftës si psh. trajtimin e robërve të luftës ose ndalimin e vrasjes së grave dhe fëmijëve.[9]

Historia e përdorimit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mendohet se ideja e xhihadit është zhvilluar shkallë-shkallë nga periudha medinase.[1] Sipas fëkhut,[10] kjo luftë është në shërbim të zgjerimit dhe mbrojtjes së territorit deri sa feja islame të bëhet feja mbizotëruese.[11] Në zhvillimin e mëvonshëm dhe sidomos gjatë kohës së sotme ulematë kanë filluar të theksojnë aspektet jo-ushtarake të kësaj lufte. Shkrimtarët islamikë i shohin si të ligjshme vetëm ato luftëra të cilat i shërbejnë mbrojtjes së shteteve islamike, lirisë së myslimanëve, shpalljes së fesë islame jashtë tyre dhe mbrojtjes së myslimanëve nën sundimin joislamik.[12]

Për harixhitët xhihadi është një ndër pesë shtyllat e fesë islame.[13]

Për imamitët xhihadi është një ndër dhjetë parimet themelore. Sipas konceptimit të tyre xhihadit, nuk do të ketë xhihad për zgjerimin e territorit të zotërimit islamik deri sa të shfaqet i ashtuquajturi imami i fshehur, Muhammad ibn Hasan al-Mahdi, (Mehdiu), pasi vetëm ky ka drejtën për ta zbatuar atë.[14] Megjithatë mbrojtja e territorit të vet është e detyrueshme edhe në kuptimin imamit, gjë që veç nuk shihet si xhihad.[15]

Interpretimi jo-ushtarak i termit të xhihadit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndërsa si kurani ashtu edhe sunna si dhe shumica e teologëve klasikë me xhihad kuptojnë në radhë të parë ose vetëm aktivizimin ushtarak, gjatë zhvillimit të tij dhe sidomos gjatë kolonializimit të pjesëve të mëdha të botës islamike dhe kohëve moderne kanë dalë edhe interpretime jo-ushtarake të teorisë së xhihadit.

Disa teologë shiitë të kohës klasike bëjnë dallim ndërmjet të ashtuquajturit xhihadit të madh, në kuptimin e luftës shpirtërore (spirituale) kundra lakmive të brendshme, dhe xhihadit të vogël, në kuptimin e ballafaqimit ushtarak kundra një armiku nga jashtë.[16] Kjo i përgjigjet theksimit të aspekteve jo-luftarake të shumë autorëve bashkëkohorë myslimanë si dhe asketëve dhe mistikëve myslimanë.[17]

Juristët postklasikë (të kohës pas-klasike) e kanë ndarë këtë term në katër kategori:[18]

  • Xhihadin e zemrës (xhihad bi l-kalb) si luftë të brendshme shpirtërore kundra veseve, tundimeve për vepra të ulta morale dhe injorancës.
  • Xhihadin verbal (me fjalë) (xhihad bi l-lisan) nëpërmjet thënies së vazhdueshme të së vërtetës dhe përhapjen e fesë islame në rrugë paqësore. Këtu bën pjesë edhe thënia publikisht e të vërtetës (hakk) nën sundimin e një sundimtari të padrejtë.[19]
  • Xhihadin me vepra, dmth. nëpërmjet sjelljes së moralshme (xhihad bi l-jad): urdhëro të drejtën dhe ndalo të dënueshmen.
  • Xhihadin e shpatës, si luftën me armë në rrugën e zotit.

Me këtë mënyrë konceptimi i xhihadit drejtohet kundra egos, kundra „instinkteve të shpirtit“ (an-nafs al-ammāra bi 'l-sūʾ). Vënia në jetë e udhëzimit „urdhëro të drejtën dhe ndalo të dënueshmen“, ndodh „me gojë, me dorë dhe me shpatë, sipas asaj se sa je gjendje“.[20] Asketët shohin idealin më të lartë në luftën kundra vetvetes (muxhahadat an-nafs).[21]


Një shembull i njohur për interpretime të tilla në kohën e sotme ka qenë thënia e presidentit Habib Bourguiba që lufta kundra dekadencës ekonomike në Tunizi duhet parë si xhihad. Meqë një myxhahit, ai që merr pjesë në xhihad, është i liruar nga detyrimi për të agjëruar në ramazan, arsyetonte Bourguiba, edhe agjërimi në ramazan as për punëtorët, (të cilët duheshin parë po ashtu si luftëtarë të besimit) nuk është i detyrueshëm. Në këtë mënyrë ai përpiqej të luftonte amullinë ekonomike të përvitshme në këtë muaj. Kjo ide e tij në lidhje me këtë çështje u përvetsua më pas edhe nga teologët islamikë.[22]

Përligja e terrorit me anë të konceptit të xhihadit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë shumë atentateve terroriste të kohëve të fundit, shumë atentatorë i kanë përligjur veprat e tyre duke vënë në dukje konceptin e xhihadit. Disa organizata islamiste e kanë fjalën xhihad në emrin e tyre si psh. xhihadi islamik dhe al-xhihad-i. Këto grupe mobilizojnë shumë ndjekës nëpërmjet aktiviteteve sociale në shkallë të gjerë. Ato e përligjin interpretimin e tyre luftarak të termit xhihad edhe duke u bazuar në vetë fenë islame.

Atentatorët vetëvrasës të tyre cilësohen si shahīd "(dëshmorë)", të cilët e kanë të sigurtë vendin në parajsë. Në të vërtetë vetëvrasja vlen në fenë islame si mëkat, i cili ndëshkohet në botën e përtejme me përsëritjen e pafund të çastit të vdekjes.

Shih edhe: Islami dhe terrorizmi, Lufta e shenjtë, Kaur

Vepra të përgjithshme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Reuven Firestone: Jihād. Në: Andrew Rippin: The Blackwell Companion to the Qur'an. Wiley-Blackwell, 2006. f. 308-320
  • Adel Theodor Khoury: Was sagt der Koran zum Heiligen Krieg? (Ç'thotë kurani mbi luftën e shenjtë?). Gütersloher Verlagshaus, 2007
  • Fred M. Donner: The Sources of Islamic Conceptions of War. Në: John Kelsay dhe James Turner Johnson: Just War and Jihad: Historical and Theoretical Perspectives on War and Peace in Western and Islamic Traditions. Greenwood Press, 1991. f. 31-70
  • William Montgomery Watt: Islamic Conceptions of the Holy War. Në: Thomas P. Murphy: The Holy War. Ohio State University Press, 1974. f. 141-156
  • Reuven Firestone: Jihād. The Origin of Holy War in Islam. Oxford University Press, 1999
  • Albrecht Noth: Glaubenskriege des Islam im Mittelalter (Luftërat fetare islamike në mesjetë). Në: Herrmann: Glaubenskriege in Vergangenheit und Gegenwart (Luftërat fetare në histori dhe sot). Göttingen, 1996. f. 109-122
  • Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The Doctrine of Jihad in Modern History. Mouton, 1980
  1. ^ a b Shih për shembull: Francis E. Peters: The Monotheists: The peoples of God. Princeton University Press, 2003. f. 269: „…the Muslim notion of holy war (jihad)…“; W. Montgomery Watt: Islam and the Integration of Society. Routledge, 1998. f. 61: „The idea of the jihad or holy war seems to have developed gradually during the Medinan period.“ Shih më poshtë edhe titujt në paragrafin e literaturës.
  2. ^ Marrë nga Patricia Crone: Medieval Islamic Political Thought. Edinburgh University Press, 2005. f. 363
  3. ^ John Esposito: Islam: The Straight Path. Oxford University Press, 2005. f. 93
  4. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 12 shtator 2011. Marrë më 8 nëntor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  5. ^ Sahih al-Buchari, Band 4, Buch 52, Nr. 43 Arkivuar 8 prill 2006 tek Wayback Machine
  6. ^ Sahih al-Buchari, Band 4, Buch 52, Nr. 248 Arkivuar 8 prill 2006 tek Wayback Machine dhe Band 8, Buch 73, Nr. 3 Arkivuar 28 nëntor 2008 tek Wayback Machine
  7. ^ Ṣaḥīḥ al-Buḫārī. Nachrichten von Taten und Aussprüchen des Propheten Muhammad. Ausgewählt, aus dem Arabischen übersetzt und herausgegeben von Dieter Ferchl. (Rrëfime mbi veprat dhe thëniet e profetit Muhamed. Përmbledhje e përkthyer nga arabishtja nga Dieter Ferchl). Reclam, 2006. Kap. XXVIII, f. 299; Shih: Sahih al-Buchari: vëll. 4, libri 52, Nr. 44 Arkivuar 27 prill 2011 tek Wayback Machine
  8. ^ Ṣaḥīḥ al-Buḫārī. Nachrichten von Taten und Aussprüchen des Propheten Muhammad. Ausgewählt, aus dem Arabischen übersetzt und herausgegeben von Dieter Ferchl. (Rrëfime mbi veprat dhe thëniet e profetit Muhamed. Përmbledhje e përkthyer nga arabishtja nga Dieter Ferchl). Reclam, 2006. Kap. XXVIII, f. 304; Shih: Sahih al-Buchari: vëll. 4, libri 52, Nr. 53 Arkivuar 27 prill 2011 tek Wayback Machine
  9. ^ Shih: Bernard Lewis: The Crisis of Islam. Holy War and Unholy Terror. Random House, 2004. f. 54. Për shembuj hadithesh të tillë nga sahih-u i Muslim ibn al-Hadxhaxh-it të përkthyer në anglisht shih: Rudolph Peters: Jihad in Classical and Modern Islam. Markus Wiener Publishers, 2005. f. 9-17
  10. ^ Albrecht Noth: Der Dschihad: sich mühen für Gott. Në: Gernot Rotter: Die Welten des Islam: neunundzwanzig Vorschläge, das Unvertraute zu verstehen. Fischer Taschenbuch Verlag, 1993. f. 27
  11. ^ Klaus Kreiser, Werner Diem, Hans Georg Majer: Lexikon der islamischen Welt (Leksik i botës islamike). Kohlhammer, 1974. Vëll. 2, prej f. 27, s.v. „Heiliger Krieg“ (lufta e shenjtë). Shih: The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vëll. 2, f. 538 („Djihad“): „In law, according to general doctrine and in historical tradition, the djihād consists of military action with the object of the expansion of Islam and, if need be, of its defence.“
  12. ^ Rudolph Peters: Jihad in Medieval and Modern Islam. Brill, 1977. f. 5
  13. ^ Khoury, Raif Georges: "Der Islam - Religion, Kultur, Geschichte" (Besimi islam. Feja, kultura, historia). BI-Taschenbuchverlag, Mannheim 1993. f. 29
  14. ^ E.J. Brill's First Encyclopaedia of Islam, 1913-1936. Brill, 1993. Vëll. II, f. 1042, s.v. „Djihād“
  15. ^ Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. f. 13
  16. ^ Bernard Lewis: The political language of islam. Rotbuch Verlag, 1988. f. 125
  17. ^ Reuven Firestone: Jihad: The Origin of Holy War in Islam. Oxford University Press, 1999. f. 17
  18. ^ Shih Majid Khadduri: War and Peace in the Law of Islam. The Johns Hopkins Press, 1955. prej f. 56. dhe të dhënat e burimeve aty
  19. ^ Yohanan Friedmann: Tolerance and Coercion in Islam. Interfaith Relations in the Muslim Tradition. Cambridge University Press, 2003. f. 150
  20. ^ Josef van Ess: Theologie und Gesellschaft im 2. und 3. Jahrhundert Hidschra. Eine Geschichte des religiösen Denkens im frühen Islam. Walter de Gruyter, 1997. Vëll. 2, f. 92 dhe f. 390 sipas al-Ash'ari-t
  21. ^ Josef van Ess: Theologie und Gesellschaft im 2. und 3. Jahrhundert Hidschra. Eine Geschichte des religiösen Denkens im frühen Islam. Walter de Gruyter, 1997. Vëll. 1, f. 143 dhe f. 147
  22. ^ Rudolph Peters: Islam and Colonialism. The doctrine of Jihad in Modern History. Mouton Publishers, 1979. prej f. 118.