Arsimi shqip në Maqedoninë e Veriut
Arsimi shqip në Maqedoninë e Veriut është pjesë integrale e sistemit arsimor të Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësishtë është pjesë përbërëse e historisë së arsimit shqiptar.[3] [4]
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përpjekjet për arsimin shqip në trevat shqiptare të Maqedonisë filluan gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Në bazë të Sallmanes së vitit 1874, medrese ka pasur në Shkup – 8, në Kumanovë – 8, në Tetovë – 5, në Gostivar – 2, në Prilep 1. Skolla të tipit idadije ka pasur dy: në Shkup dhe Manastir që datojnë që viti 1885. Ruzhdije ka pasur në Ohër dhe Strugë.
Në tokat shqiptare nuk kishte vetëm shkolla që hapeshin nga Perandoria Osmane, por hapeshin edhe shkolla greke, serbe dhe bullgare, sepse dekreti perandorak osman i quajtur Hatti-Humaiun ua lejonte.
Sipas të dhënave të dokumentuara, në vitin 1898 vetëm në qytetin e Manastirit me rrethinë vepronin 451 shkolla fillore (iptidaie), pastaj 17 shkolla të mesme të ulëta (ryzhdie) dhe 2 shkolla të mesme të larta (idadie). Po në këtë vit në Shkup vepronin 445 shkolla iptidaie, 24 ryzhdie dhe vetëm 1 shkollë idadie. Institucione të këtilla funksiononin edhe në qytetet si Gostivari, Tetova, Kërçova, Kumanova, Ohri, Struga, etj. Krahas këtyre institucioneve arsimore vepronin edhe disa medrese si dhe Shkolla Normale e Shkupit.
Në vitin 1905 në Manastir u formua Komiteti "Për Lirinë e Shqipërisë". Pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908 Manastiri u bë qendër e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Më 31 korrik 1908 u formua edhe Klubi "Bashkimi", që luajti rolin e një klubi qendror për organizimin e veprimtarive edhe të klubeve të tjera të lëvizjes kombëtare. Me nismën e tij, mes datave 14 dhe 22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe; ndërsa më 3 prill 1910 u mbajt Kongresi i Dytë i Manastirit, për mbrojtjen e shkollës e të gjuhës shqipe kundër reaksionit xhonturk. Po në Manastir në vitet 1911-1912 u botua gazeta "Drita" e themeluar nga Mustafa Leskoviku. Në Manastir u botuan edhe shumë libra në gjuhën shqipe, veçanërisht për shkollat. Me qytetin e Manastirit lidhet ngushtë dhe veprimtaria atdhetare e Gjergj, Parashqevi dhe Sevasti Qiriazit.
Në fillim të shekullit XX në shkollat ekzistuese në Maqedoni ngadalë nisi të përdorej edhe gjuha shqipe.
Megjithatë, kthesa e parë e rëndësishme ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur në Maqedoninë Perëndimore (Ohër, Strugë, Dibër, Kërçovë, Gostivar, Tetovë) u hapën shumë shkolla fillore dhe disa shkolla të mesme. Pas Luftës së Dytë Botërore, arsimi shqip në Maqedoni u zhvillua në kuadër të sistemit të arsimit të ish-Jugosllavisë përkatësisht të Maqedonisë. Ndonëse me shumë vështirësi politike, ekonomike, mungesë kuadri e tekstesh mësimore etj., arsimi shqip u zhvillua në të gjitha shkallët e shkollimit. Institucionet shtetërore dhe politike të Maqedonisë deri së voni i krijuan pengesa të vazhdueshme arsimit dhe shkollës shqipe në këtë vend. [5]
Arsimi fillor në gjuhën shqipe, fillimisht katërvjeçar, pastaj edhe shtatë e tetëvjeçar, u hap në të gjitha trevat shqiptare në Maqedoni, por shumë më ngadalë se arsimi në gjuhën maqedonase. Problem i veçantë ishte vijimi i arsimit fillor nga vajzat shqiptare. Ndërkaq, arsimi i mesëm u zhvillua edhe më ngadalë. Filloi, kryesisht, me hapjen e gjimnazeve në Strugë, Dibër, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë dhe të Shkollës Normale në Shkup. Hapja e shkollave të mesme filloi të masivizohet sidomos nga viti 1957, me organizimin e tij edhe në shkolla të tjera të mesme profesionale, siç ishin shkollat e mesme të mjekësisë, ekonomike, bujqësore, tregtare, e muzikës, e artit etj. U hapën shkolla të mesme profesionale me drejtime të ndryshme, me programe tre e katërvjeçare. Mësimi organizohej në gjuhën shqipe (për nxënësit shqiptarë) dhe në gjuhën maqedonase (për nxënësit maqedonas). Në vitin 1984 institucionet shtetërore morën nismën për formimin e paraleleve të përziera me nxënës shqiptarë e maqedonas, me mësim në gjuhën maqedonase, gjë që u kundërshtua nga shqiptarët. Në vitin 2008 arsimi i mesëm në Maqedoni bëhet i detyrueshëm për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e moshës shkollore.
Ndërkaq, arsimi i lartë në Maqedoni filloi me themelimin e Fakultetit Filozofik (1946), përkatësisht me Universitetin e Shkupit (1949), me mësim në gjuhën maqedonase, ku studionin edhe studentë shqiptarë. Arsimi i lartë shqip, pastaj, filloi me themelimin Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe të degës së albanologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik në Shkup. Shkolla e Lartë Pedagogjike (fillimisht si shkollë normale) u themelua në vitin 1947, ndërsa grupi i gjuhës shqipe në kuadër të saj u themelua në vitin shkollor 1951/52 për përgatitjen e kuadrit arsimor me kualifikim të lartë. Dega e albanologjisë fillimisht veproi si lektorat në Fakultetin Filozofik të Shkupit, ndërsa nga viti akademik 1959/60 ngrihet në seminar të gjuhës shqipe, pastaj në vitin akademik 1971/72 themelohet grupi i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, i cili në vitin 1974 shndërrohet në katedër të gjuhës dhe letërsisë shqipe, si pjesë e Fakultetit të Filologjisë. Në vitin 1995 në kuadër të Universitetit të Shkupit themelohet Fakulteti Pedagogjik, me dy grupe studimore: mësim klasor dhe edukim parashkollor, me mësim në tri gjuhë: shqip, maqedonisht, dhe turqisht. Në vitin 1994 u themelua Universiteti i Tetovës, veprimtaria e të cilit në vitin 2004 u legalizua dhe mori emrin Universiteti Shtetëror i Tetovës. Në vitin 2001 në Tetovë u themelua edhe Universiteti i Evropës Juglindore, në vitin 2005 u themelua Universiteti Ndërkombëtar i Strugës ndërsa në vitin 2016 filloi punën edhe Universiteti Nënë Tereza në Shkup.[5]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Kotherja Niko; Butka, Uran: Album Historik - Mid'hat Abdyl Frashëri. Instituti i Studimeve Historike "Lumo Skëndo", Tiranë, 2019, fq. 42 ISBN 978-9928-4509-8-2
- ^ "Museum of the Albanian Alphabet". Bitola.info (në anglisht).
- ^ https://www.albinfo.ch/zgjidhja-e-arsimit-shqip-ne-maqedoni-ceshtje-emergjente/
- ^ https://fol.mk/arsimi-shqip-ne-maqedoni-si-mos-me-keq/
- ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 73 - 75. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- https://fjala.info/arsimi-shqiptar-ne-maqedoni-shkalla-tronditese-e-degradimit/
- https://www.zemrashqiptare.net/news/23907/avzi-mustafa-organizimi-i-shkolles-shqipe-ne-maqedoni-1945-1990.html
- https://merbraha.com/perpjekjet-e-shqiptareve-ne-maqedoni-per-arsim-kombetar-ne-fund-te-shekullit-xix-dhe-ne-fillim-te-shekullit-xx/