Jump to content

Benedikt Blinishti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Benedikt Blinishti
Ministër i Drejtësisë
Në detyrë
30 maj 1924 – 10 qershor 1924
Paraprirë ngaMyfid bej Libohova
Pasuar ngaStavro Vinjau
Të dhëna vetjake
U lind më1894
Stamboll, Perandoria Osmane
Vdiq më1966
Shkodër, Republika Popullore e Shqipërisë
Nënshtetësiashqiptar
Punësiminëpunës, diplomat, avokat

Benedikt Blinishti (frëngjisht: Benoit Blinishti;[1][2][3] Stamboll, 1894 - Shkodër, 1966) ka qenë avokat, si diplomat ka spikatur si përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë dhe ministër i shtetit shqiptar.

U lind më 1894 në Stamboll në një familje me prejardhje nga Shkodra. Më 1912-1917 ndoqi Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll, vitin pasues mori pjesë në punimet e Konferencës së Paqes që u mbajtën në Paris,[4] ku shoqëroi delegacionin e kolonisë shqiptare të Stambollit kryesuar nga Halil pashë Alizoti,[5] me pjesëtar Sulejman bej Delvinën, P. Jul Bonatin, Fuat bej Dibrën dhe Mihal Shani Tepelena.[6]

Më 1919 emërohet punonjës në Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare, më 1920 u emërua përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Nga 1921 deri më 1926 ka shërbyer si konsull i Shqipërisë në Zvicër, ku më 1923 ishte kryekonsull në Gjenevë dhe delegat në Lidhjen e Kombeve.[4] Si i tillë, me porosi të ministrisë, i kërkoi Sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Lidhjes së Kombeve që ta vinte në rendin e ditës së mbledhjes së parashikuar më 10 dhjetor 1923 për shkeljet e të drejtave njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare të shqiptarëve muslimanë, banorë të krahinave kombëtare shqiptare brenda shtetit grek. U ngulmua për heqjen e masave shtypëse, përjashtimin e ndërrimit të shqiptarëve muslimanë me të krishterë anadollitë e thrakas.[7]

Më 1924 iu dha portofoli i ministrit të Drejtësisë në qeverinë dhjetëditore të Iljaz bej Vrionit, në prag të Lëvizjes së Qershorit. Më 1929-1930 shërbeu si drejtor i Punëve Administrative Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, më 1930 u caktua kryekonsull nderi në Montreal. Më 1933 u emërua drejtor i Punëve Konsullore.[4]

Më 1940-1944 ka qenë anëtar i Këshillit të Shtetit.[8] Më 1946 dëbohet nga Tirana dhe u vendos në Lezhë ku vazhdoi veprimtarinë e tij si avokat. Ndërroi jetë më 1966 në Shkodër.[4]

  1. ^ Clegg Austin, Robert (2012). Founding a Balkan State: Albania's Experiment with Democracy, 1920-1925 (në anglisht). University of Toronto Press. ISBN 9781442699748.
  2. ^ Gingeras, Ryan (2009). Sorrowful Shores: Violence, Ethnicity, and the End of the Ottoman Empire 1912-1923 (në anglisht). OUP Oxford. fq. 158, 173. ISBN 9780191609794.
  3. ^ "Blinishti" (PDF). Leka. 3: 84. 1 mars 1931.
  4. ^ a b c d Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 94–95. ISBN 9789994356225.
  5. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 450. ISBN 99927-780-6-7.
  6. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 151. ISBN 978-9928-140-54-8.
  7. ^ Hoxha, Ibrahim (2000). Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek. Tiranë: Hasan Tahsini. fq. 172–173. OCLC 52547366.
  8. ^ Annuario del Regno d'Albania, Milano: Ravagnati, 1940.