Dervish Rexhep Beli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search


Dervish Rexhep Bel Boshnjaku i lindur 11 Prill 1907 në Boshnjakë të Shipshanit në rrethin e Tropojës nga ku ka marrë dhe mbiemrin tashmë shumë të njohur nga besimtarët e shumtë në Shqipëri, Kosovë dhe në botë deri në SHBA dhe Australinë e largët njihet si Shenjtor i Tropojës, Hyjnor i mrekullive i tarikatit Saadi. Sipas mësuesit dhe shëruesit fetar Dervish Hajdar Gurina në një shkrim studimor Dervish Rexhepi u rrit dhe edukua në një familje të thjeshtë, punëtore, mikpritëse, bujare, atdhetare dhe fetare – besimtare. Ishte koha kur atdheu rënkonte nga varfëria, mungesa e ushqimit, rënkonte nga padija dhe errësira e mungesës së shkollës shqipe, mungesa e shëndetësisë ku vdekjet ishin të shumta nga sëmundjet dhe epidemitë, luftërat e vazhdueshme dhe rreziku jo vetëm i copëtimit dhe pushtimit te trojeve etnike shqiptare por dhe ekzistencës ose jo të emrit Shqipëri dhe shqiptarë. Në këto kohë të vështira për fatin e vendit Zoti me mirësitë e Tij, shënj i dhembshurisë dhe myzhde për të ardhmen dërgoi misionarët e Vet që do të kontribuonin për ta ngritur dhe mbajtur këtë popull që i falej dhe lutej Atij për ndihmë.

Aktiviteti fetar dhe atdhetar[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Misionarët kanë qenë dhe janë njerëz të lartë (shpirtërisht) që të udhëhequr nga Drita Hyjnore e All-ahut do të udhëhiqnin popujt në ekzistencë, prosperitet, zhvillim dhe përparim krahas popujve të devotshëm kudo në botë. Edhe Tropoja ka pasur dhe ka prijësit, misionarët si çdo krahinë dhe popull tjetër. Ata iu gjetën vendit të tyre të dashur në ditët e vështira të qëndresës dhe mbijetesës. Misionarët kanë qenë dhe janë njerëz që kanë shërbyer dhe shërbejnë në fusha të ndryshme: patriotike, ekonomike, arsimore, kulturore, fetare etj. Me kaderin e Zotit çdo njeri ka një mision në jetë por disa janë misionarë të përmasave kombëtare. Në këtë këndvështrim misioni fetar dominon mbi shumë misione. Thënia: “Pa atdhe s’ka fe, pa fe s’ka atdhe” ka qenë dhe mbetet aktuale dhe sot e mot duke qenë se kemi fqinjë sllavo-helenët armiq të betuar dhe që punojnë me objektiva afatshkurtra dhe afatgjata pë asimilimin e shqiptaro-ilirëve që janë nga popujt më të vjetër dhe të qytetëruar të Evropës. Ata kur erdhën në Ballkan këtu na gjetën, me rrënjë të thella që është e pamundur të lëvizin. Nuk mund të ndodhin ndryshe sepse ky ka qenë dhe është vullneti i Zotit të cilin e ka ngulitur dhe skalitur në mendjen, zemrën dhe shpirtin e shqiptarit. Në këtë drejtim kemi misionarin e fesë dhe besimit tek All-ahu fuqiplotë, dervishin e qerameteve (mrekullive) Rexhep Belin i tarikatit Saadi – Harabati. Nuk besoj që u zgjatëm për çështjen etnike dhe kombëtare. Këtë do e “lidhim” me një nga misionet e fetaro-atdhetarit, babës Rexhep. Sipas burimeve të sakta ai ka qenë i ngarkuar në ruajtjen e kufinjve dhe tërësinë territoriale të tokave shqiptare. Këtë ai e thoshte shpesh në sofrën e tarikatit me dervishët dhe besimtarët ku deklaronte: “Nuk do të lejoj prekjen e kufinjve të Shqipërisë”. Rinia e dervishit ishte si e shumë të tjerëve në Malësinë e Gjakovës – Tropojë. Baba Rexhepi kishte trup “gjigant” me fizik shumë të zhvilluar aq sa atij ishte e vështirë t’i dilje ne duel. Në kohën kur ishte në shërbimin e detyruar ushtarak asokohe ishte kampion absolut në hedhjen e gurapeshës (gjyles) në Kosovë, Shqipëri dhe mund të themi se po të ishte sot mund të shpallej kampion Evrope dhe bote (aludim i imi). I pëlqente muzika, çiftelia dhe kënga. Bënte jetë të thjeshtë, i dashur me të gjithë besimtarët. E veçanta që duhet të cilësohet është morali i tij i pastër si vesa e mëngjesit dhe shumë i lartë, model për çdo njeri. Ai në kushtet e shtëpive dhe jetesës së kohës nuk pranonte të hynte apo rrinte ku kishte gra (femra). Dervish Rexhepi e kishte privur vehten nga çdo kënaqësi të jetës materiale dhe ushqehej thjeshtë sa për të “mbajtur shpirtin”. Kishte krijuar familjen (martuar) dhe kishte një djalë me emrin Ahmet që sot ndodhet në SHBA me familjen e tij. Miqtë e dervishit, 2 vëllezërit e gruas (N.K, H.K) nga Shoshani për arsye politike u larguan nga Shqipëria pas çlirimit. Ata nuk u pajtuan asnjëherë me regjimin diktatorial të komunistëve. Biografia e babës dervish ishte e papëlqyer për partinë komuniste. U detyrua të largonte gruan dhe djalin për në SHBA duke parë që ai regjim do sillte vetëm varfëri, skllavëri, burgime etj. Djali i tij Ahmeti u kthye pas shembjes së komunizmit në vendlindjen e tij dhe ndërtoi tyrben e babës së vet, Rexhep Belit. Në Kur-an suretu Et Tegabun ajeti 15 faqe 651 thuhet: “ S’ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm s’provë, ndërsa ajo që është tek Allahu është shpërblim i madh”.

Mrekullitë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dervish Isuf Rexhepi tregon: "dervish Rexhep Beli i përket tarikatit Saadi dhe është veshur nga sheh Bani Plak i teqes së Saadive në Gjakovë. Ushqehej gjithnjë pa përdorur mish apo yndyrna, gjithnjë ishte në Matem. Babai im Rexhep Zeneli më ka thënë se gjatë 3 muajve ka pushue duke u shtri në tokë me një çarçaf poshtë trupit dhe një cope dru poshtë kokës në vend të jastëkut. Gjatë kësaj kohe ushqehej me pak ushqime që i sillnin dervishët përmes babës tim. Regjimi ishte shumë i egër, nuk i donte dervishët, feja ishte e ndaluar me ligj dhe po të zbulonin përfundoje në burg. Zoti nuk duhej përmendur. Dervish Rexhep Bel Boshnjaku Saadi-Harabati është parë duke falur bajramin në të njëjtën orë në xhaminë e Tropojës së Vjetër dhe në Kosovë." Qerameteve (mrekullive) të tij besimtarët i kanë kushtuar vargjet e këngës që shoqërohen nga çiftelia dhe sharkia prej grupeve të ndyshme të rapsodëve. Ja disa vargje nga kujtimet e dervish Isufit me të cilat ai mbyll kujtimet e tij:

  • "Babë Rexhepi o zotni
  • Ti u fale njëherësh në dy xhami
  • Njerëzia të pane me sy
  • Në Kosovë dhe Shqipëri"