Jump to content

Rexhep Beli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Tyrbja e Rexhep Belit në Buçaj

Rexhep Beli (Buçaj, 11 Prill 1907 - 2 shkurt 1976) ka qenë dervish i degës Saadi të tarikatit Rifa'i, tyrbja e tij gjendet në fshatin ku shërbeu.[1]

Studjuesi Jashar Rexhepagiq kumton se kish lindur në Buçaj të Gashit,[1] por burime tjera radhisin se qe nga lagjja Boshnjak e Shipshanit. I biri i Bel Salihit dhe Bute Pulanjes nga Margegajt. U martua në Shoshan me të motrën e Hysen dhe Niman Kadrisë, me të cilën u trashëgua me djalë, Ahmetin. Kunetërit pasi luftuan në rezistencën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore,[2] u arratisën së bashku me të motrën dhe të nipin.[3] Dervish Rexhepi iu përkushtua harabatisë, duke iu zotuar jetës së oshënarit.[2] I biri u kthye në vendlindje pas rënies së komunizmit dhe i ngriti të atit një tyrbe.[3]

Dervish Isuf Rexhepi tregon: "dervish Rexhep Beli i përket tarikatit Saadi dhe është veshur nga sheh Bani Plak i teqes së Saadive në Gjakovë. Ushqehej gjithnjë pa përdorur mish apo yndyrna, gjithnjë ishte në Matem. Babai im Rexhep Zeneli më ka thënë se gjatë 3 muajve ka pushue duke u shtri në tokë me një çarçaf poshtë trupit dhe një cope dru poshtë kokës në vend të jastëkut. Gjatë kësaj kohe ushqehej me pak ushqime që i sillnin dervishët përmes babës tim. Regjimi ishte shumë i egër, nuk i donte dervishët, feja ishte e ndaluar me ligj dhe po të zbulonin përfundoje në burg. Zoti nuk duhej përmendur. Dervish Rexhep Bel Boshnjaku Saadi-Harabati është parë duke falur bajramin në të njëjtën orë në xhaminë e Tropojës së Vjetër dhe në Kosovë." Qerameteve (mrekullive) të tij besimtarët i kanë kushtuar vargjet e këngës që shoqërohen nga çiftelia dhe sharkia prej grupeve të ndyshme të rapsodëve. Ja disa vargje nga kujtimet e dervish Isufit me të cilat ai mbyll kujtimet e tij:

  • "Babë Rexhepi o zotni
  • Ti u fale njëherësh në dy xhami
  • Njerëzia të pane me sy
  • Kosovë dhe Shqipëri"
  1. ^ a b Rexhepagiq, Jashar (2003). Dervishët dhe teqetë: në Kosovë, në Sanxhak dhe në rajonet tjera përreth. Prishtinë: Fryma. fq. 168. ISBN 9951050328.
  2. ^ a b Selimi, Hasan (14 prill 2014). "Hija mistike e Rexhep Belit". botapress.info. Arkivuar nga origjinali më 19 prill 2017. Marrë më 20 nëntor 2020.
  3. ^ a b Gurina, Hajdar (7 mars 2017). "Shenjti i mbrojtjes së kufijve shqiptarë". botasot.info. Marrë më 20 nëntor 2020.