Familja Toptani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Toptanët ishin familje e madhe çifligare me tituj bejlerë dhe, si të tillë ata në zonën e Tiranës dhe në Shqipërinë qendrore ishin me influencë. Nga gjiri i kësaj familjeje dolën figura të dalluar, të cilët ani pse ishin me tendenca të ndryshme ata historisë tonë kombëtare i dhanë figura shumë të rëndësishëm.

Historia e familjes[redakto | redakto tekstin burimor]

Rreth familjes Toptanaj ekziston në literaturë një legjendë, të cilën e ka përhapur i pari, me sa dihet, konsulli frëng A. Degrand. Këtë legjendë, konsulli frëng e kishte dëgjuar në Tiranë nga goja e Fuad Bej Toptanit, (kushëriri i parë i Murat Toptanit) tek i cili kishte bujte me rastin e vizitës në këtë qytet në vitet e fundit të shek. XIX (1898). Në vijim e japim përmbajtjen e kësaj legjende që afërsisht tregohet kështu: “Më 1478, kur pas rrethimit të gjatë, turqit e pushtuan më në fund Krujën, dy jeniçerë, njëri nga Anadolli tjetri nga Rajca e Domosdovës, ndërsa po kontrollonin pallatin e Topiajve ku kishte banuar edhe Skënderbeu, dëgjuan një zë foshnje në tavanin e njërës dhomë. Kur jeniçerët hipën mbi tavan, panë aty disa gra që qanin rreth një djepi. Ndërsa jeniçeri anadollak filloi të kontrollonte qoshet e servanisë me shpresë se mund të gjente ndonjë thesar të fshehur, jeniçeri shqiptar iu afrua djepit dhe ia rrëmbeu gruas që rrinte mbi foshnjën gjerdanin e artë, që ajo mbante në qafë. Kjo grua ishte, sipas tregimit, motra e Skënderbeut, Mamica, e shoqja e Tanush Muzak Topisë, kurse foshnja, djali i tyre i tretë. Jeniçeri anadollak i inatosur pasi nuk gjeti asgjë në servani, iu vërsul Mamicës, të cilën e vrau aty për aty. Ai deshi ta vriste edhe foshnjën, por jeniçeri shqiptar, duke pas mëshirë për të, ndërhyri, i ndaloi dorën, i dhuroi si shpërblim gjerdanin dhe kështu e shpëtoi foshnjën, të cilin e mori me vete dhe e shpuri në Rajcë, ku e paraqiti si birin e vetë. Biri i Tanush Topisë, u rrit në Rajcë, i kthyer në mysliman me emrin Ali. Kur u rrit u futë në radhët e jeniçerëve dhe pasi u shqua në luftë për trimëri e shkathtësi, fitoi titullin Bej, zuri poste të ndryshme derisa u bë qeveritar i Krujës. Këtu ai mësoi se nuk ishte, siç kishte kujtuar i biri i jeniçerit nga Rajca, por i Mamicës, motrës së Skënderbeut dhe i Tanush Thopisë (?), mbrojtësit heroik të Krujës. Si biri i tyre ai mori mbiemrin Toptan që është sipas autorëve të legjendës një turqizëm i mbiemrit Thopia. Ali beu iu lut disa here sulltanit që t’i kthente atij zotërimet e Thopiajve; meqenëse sulltani nuk ia plotësoi dëshirën, ai shpalli pavarësinë e vet. Tërë shqiptarët e Krujës, miqtë e të atit dhe familja e fuqishme e Dukagjinëve-vazhdon tregimi-u bashkuan me të, sepse urrejtja kundër turqve dhe shpirti për pavarësi ishin shumë të gjallë në popullsinë e këtyre anëve. I shqetësuar nga kjo lëvizje sulltani u detyrua t’ia plotësonte dëshirën, me kusht që të mos hiqte dorë nga feja myslimane. Ai i dërgoi një ferman, me të cilin e njihte si sundimtar duke i dhënë në zotërim Krujën dhe tokat që i kishin pasur gjyshërit në Krujë derisa vdiq.”

Sipas historianit nga Shqipëria, Kristo Frashëri, ky tregim ka një kundërvënie historike. Ja pse, “E motra e Skënderbeut, Mamica ishte martuar me Muzak Thopinë dhe jo me Tanush Topinë. Veç kësaj, i shoqi i Mamicës, Muzak Topia u vra në betejën e Beratit më 26 korrik të vitit 1455, kurse vetë Mamica vdiq më 1461. Si rrjedhim, kur turqit pushtuan Krujën, djali i Mamicës do të ishte jo foshnjë, siç thuhet në legjendë, por mbi 22 vjeç.” Në lidhje me origjinën e familjes Toptani, me këtë rast do ta japim edhe një versionin tjetër dhe mjaft të ngjashëm me at para saj por, që tregohet më shkurtimisht, e cila është botuar në vitin 1898 në revistën “La Nazione Albanese”, që përgatitej në Puheriu, Kalabri dhe botohej në Kozenca nga arbëreshi Anselmo Lorekjo. Këtu sipas gojëdhënës të cilën e kishte dhënë vetë Murat Toptani, shkruan: “Kur u pushtua Kruja pas vdekjes së Skënderbeut, shpëton nga masakrat një pasardhës i Topiasve, të cilin e birëson një jeniçer shqiptar nga rrethinat e Ohrit. Kur djali Topias që tashmë ishte bërë mysliman me emrin Ali, bëhet 18 vjeç vret një njeri për të nxjerr gjakun e një shoku dhe detyrohet të arratiset dhe hynë në ushtrinë osmane. Si rezultat i shkathtësisë dhe zgjuarsisë arrin postin e sanxhakbeut të Krujës.” Kjo ishte përmbajtja e kësaj gojëdhëne të ruajtur në traditën gojore të derës Toptani. Në vitin 1614 në Tiranë sundonte Sylejman Pasha, që u quajt më vonë Sulejman Pashë Bargjini. Pas tij sundimtarë të Tiranës u bënë i biri, i nipi, e stërnipi i Sylejman Pashës, deri te sundimtari i fundit Bargjinas i Tiranës, Amet Pasha. Por në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XIX për herë të parë në historinë e këtij qyteti, sundimtar i saj u bë një toptanas nga Kruja e pikërisht ishte ky Abdurahman Toptani. Përpara se ta merrte sundimin e Tiranës Abdurahman Beu-Toptanasit e Krujës ishin në luftë të ashpër me Bargjinasit, luftë kjo që vazhdoi për gjashtëdhjetë vjet, bile edhe pasi Abdurahman beu u bë sundimtar i saj. Kjo ishte një luftë e cila bëhej për fitime pasurish se kush t’i merrte frenat e qytetit në dorë. Ajo herë acarohej e herë ndërpritej. Këto luftëra që u zhvilluan me intervale deri në vitin 1830, tërhoqën pas edhe popullsinë qytetare, e cila i pagoi shtrenjtë ato grindje me jetën dhe pasurinë e saj. Duke i përshkruar këto pasoja, një i huaj shkruante, më 1838 “Qyteti i Tiranës ka 8000 banorë, por para vuajtjeve të luftës civile të vitit 1830, ai kishte 13.000 banorë. Kjo duket edhe nga numri i shtëpive (1000) dhe i dyqaneve(727), shumica e të cilave kanë mbetur tani gati të zbrazura. Qyteti i madh, i cili ka një pamje të trishtuar, ka mbetur tani pa tregti e zejtari” Puna e parë që bëri Abdurahman Toptani ishte të ndalonte luftën njëherë e përgjithmonë e të bëhej pajtimi midis Bargjinasve dhe Toptanasve. Por ajo, siç thamë vazhdoi edhe gjatë shumë vjetëve të sundimit të tij, duke shkaktuar mjaft armiqësi, dhimbje dhe shkatërrime. Në sajë të punës këmbëngulëse të sundimtarit të qytetit, mjegulla e luftës vinte duke rënë. Abdurahman Toptani ishte një njeri i mençur dhe i urtë. Bashkëshortja e tij ishte e bija e Ahmet pashë Bargjinit, ndërsa atij nuk i vinte mirë, që midis këtyre dy familjeve të kishte armiqësi. Në vitet e fundit të sundimit të tij u arrit që kundërshtarët e tij të kthehen në qytetin e tyre dhe të jetonin në miqësi të plotë me Abdurahman Toptanin. Abdurahman Toptani vdiq më 1837. Ai i kishte katër djem, Ahmetin, Said Sermedinin (baba i Murat Toptanit), Hysniun, dhe Jusufin. Ka të dhëna ku Sermedini është i shenuar si vëllau i tretë ndërsa Jusufi si më i madhi. Sundimin e Tiranës, pas vdekjes së tij e mori i biri Ahmet Toptani. Kurse prej tyre, vetëm Said Sermedini ndoqi shkollë të lartë.[1]

Sipas Eqrem beut[redakto | redakto tekstin burimor]

Familja rridhte nga fshati Rahicë e Çermenikës. Në vitin 1650 pinjolli i parë i njohur i shtëpisë së Ali beut na shfaqet në Stamboll, në korpusin e artilerisë (topçi). Shumë shpejt, falë zotësisë së tij, ai fitoi emër të mirë dhe ca më vonë u emërua si myteselim i një pashai në Rumeli, emri i të cilit nuk dihet. Së fundi e gjejmë kështjellar të Krujës (1688?). Falë pozitës së tyre djemtë dhe nipat e tij arritën të krijojnë një farë emri dhe pasurie. Në vitin 1111/1699 ata ndërtuan në Krujë një pallat të shquar për kohën që ekziston edhe sot. Djem të Adem agës ishin Kapllan pasha dhe Mustafa pasha. Fuqinë e mëvonshme të Toptanasve në Shqipërinë e Mesme e themeloi Kapllan pasha, duke martuar të 5 djemtë e tij me të 5 vajzat e Ahmet bej Tiranës-Barkës, i cili nuk la pasardhës meshkuj. Ahmet beu qe një nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë, pasardhës i Sulejman pashë Barkës nga Mulleti.[2]

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Familja Toptani web faqja
  2. ^ Eqrem bej Vlora: Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: eine historische Skizze, 1956. Përkthyer nga Afrim Koçi për shtëpinë botuese "55" më 2010