Toptanajt
Toptanajt ndryshe oxhaku i Toptanve ose bejlerët e Toptanve ishin një familje fisnik (oxhak) të njohur në historinë e Perandorisë Osmane dhe për kontributin e tyre në pavarësinë e Shqipërisë. Si familja me ndikim më të madh në zonën e Krujës, Tiranës dhe në viset përreth në kohën e osmanëve dhe shtetit shqiptar (1912-44).
Prejardhja dhe historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas Eqrem bej Vlorës kjo familje rridhte nga fshati Rahicë e Çermenikës.[1] Mustafa Kruja në letërkëmbimet e veta pohon se në gurin e varrit të të parit të Toptanve në kalanë e Krujës, me datën e me ditë të shkruar, kumtonte se kish ardhur prej Rahice.[2] Në vitin 1650 pinjolli i parë i njohur i shtëpisë së Ali beut na shfaqet në Stamboll, në korpusin e artilerisë (topçi). Shumë shpejt, falë zotësisë së tij, ai fitoi emër të mirë dhe ca më vonë u emërua si myteselim i një pashai në Rumeli, emri i të cilit nuk dihet. Së fundi e gjejmë kështjellar të Krujës (1688?). Falë pozitës së tyre djemtë dhe nipat e tij arritën të krijojnë një farë emri dhe pasurie. Në vitin 1111/1699 ata ndërtuan në Krujë një pallat të shquar për kohën që sot është Muzeu Etnografik. Djem të Adem agës ishin Kapllan pasha dhe Mustafa pasha,[1] Mustafa pashë Toptani kishte patur armiqësi me pashallarët e Shkodrës në të paktën dy dekadat e fundme të shek. XVIII.[3] Më 1812 Kapllan pashë Toptani shpallet në Krujë haptas partizan i Ali pashë Tepelenës e kundra Mustafa pashë Bushatit.[4]
Fuqinë e mëvonshme të Toptanve në Shqipërinë e Mesme e themeloi Kapllan pasha, duke martuar të 5 djemtë e tij me të 5 vajzat e Ahmet bej Tiranës-Bankës, i cili nuk la pasardhës meshkuj. Kësodore u mënjanuan pasardhësit e Sulejman pashës nga Mulleti, që ishin njëherazi edhe aleatë të Bushatllinjve në sanxhak.[1]
Legjendat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas legjendës përcjellur nga Degrand
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Konsulli frëng A. Degrand kishte dëgjuar në Tiranë një legjendë nga goja e Fuad bej Toptanit, tek i cili kishte bujtë kur kaloi në këtë qytet më 1898.
“Më 1478, kur pas rrethimit të gjatë, turqit e pushtuan më në fund Krujën, dy jeniçerë, njëri nga Anadolli tjetri nga Rajca e Domosdovës, ndërsa po kontrollonin pallatin e Topiajve ku kishte banuar edhe Skënderbeu, dëgjuan një zë foshnje në tavanin e njërës dhomë. Kur jeniçerët hipën mbi tavan, panë aty disa gra që qanin rreth një djepi. Ndërsa jeniçeri anadollak filloi të kontrollonte qoshet e servanisë me shpresë se mund të gjente ndonjë thesar të fshehur, jeniçeri shqiptar iu afrua djepit dhe ia rrëmbeu gruas që rrinte mbi foshnjën gjerdanin e artë, që ajo mbante në qafë. Kjo grua ishte, sipas tregimit, motra e Skënderbeut, Mamica, e shoqja e Tanush Muzak Topisë, kurse foshnja, djali i tyre i tretë. Jeniçeri anadollak i inatosur pasi nuk gjeti asgjë në servani, iu vërsul Mamicës, të cilën e vrau aty për aty. Ai deshi ta vriste edhe foshnjën, por jeniçeri shqiptar, duke pas mëshirë për të, ndërhyri, i ndaloi dorën, i dhuroi si shpërblim gjerdanin dhe kështu e shpëtoi foshnjën, të cilin e mori me vete dhe e shpuri në Rajcë, ku e paraqiti si birin e vetë. Biri i Tanush Topisë, u rrit në Rajcë, i kthyer në mysliman me emrin Ali. Kur u rrit u futë në radhët e jeniçerëve dhe pasi u shqua në luftë për trimëri e shkathtësi, fitoi titullin Bej, zuri poste të ndryshme derisa u bë qeveritar i Krujës. Këtu ai mësoi se nuk ishte, siç kishte kujtuar i biri i jeniçerit nga Rajca, por i Mamicës, motrës së Skënderbeut dhe i Tanush Thopisë (?), mbrojtësit heroik të Krujës. Si biri i tyre ai mori mbiemrin Toptan që është sipas autorëve të legjendës një turqizëm i mbiemrit Thopia. Ali beu iu lut disa here sulltanit që t’i kthente atij zotërimet e Thopiajve; meqenëse sulltani nuk ia plotësoi dëshirën, ai shpalli pavarësinë e vet. Tërë shqiptarët e Krujës, miqtë e të atit dhe familja e fuqishme e Dukagjinëve-vazhdon tregimi-u bashkuan me të, sepse urrejtja kundër turqve dhe shpirti për pavarësi ishin shumë të gjallë në popullsinë e këtyre anëve. I shqetësuar nga kjo lëvizje sulltani u detyrua t’ia plotësonte dëshirën, me kusht që të mos hiqte dorë nga feja myslimane. Ai i dërgoi një ferman, me të cilin e njihte si sundimtar duke i dhënë në zotërim Krujën dhe tokat që i kishin pasur gjyshërit në Krujë derisa vdiq.”
Sipas historianit nga Shqipëria, Kristo Frashëri, ky tregim ka një kundërvënie historike. Ja pse, “E motra e Skënderbeut, Mamica ishte martuar me Muzak Thopinë dhe jo me Tanush Topinë. Veç kësaj, i shoqi i Mamicës, Muzak Topia u vra në betejën e Beratit më 26 korrik të vitit 1455, kurse vetë Mamica vdiq më 1461. Si rrjedhim, kur turqit pushtuan Krujën, djali i Mamicës do të ishte jo foshnjë, siç thuhet në legjendë, por mbi 22 vjeç.”
Sipas Murad bej Toptanit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Një tjetër gojëdhënë lidhje është botuar në vitin 1898 në revistën “La Nazione Albanese”, që përgatitej në Puheriu, Kalabri dhe botohej në Kozenca nga arbëreshi Anselmo Lorekio. Gojëdhënë kjo e dhënë vetë nga Murad bej Toptani, shkruan:
“Kur u pushtua Kruja pas vdekjes së Skënderbeut, shpëton nga masakrat një pasardhës i Topiasve, të cilin e birëson një jeniçer shqiptar nga rrethinat e Ohrit. Kur djali Topias që tashmë ishte bërë mysliman me emrin Ali, bëhet 18 vjeç vret një njeri për të nxjerr gjakun e një shoku dhe detyrohet të arratiset dhe hynë në ushtrinë osmane. Si rezultat i shkathtësisë dhe zgjuarsisë arrin postin e sanxhakbeut të Krujës.”[5]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c Vlora, Eqrem bej; Von Godin, Marie Amelie von Godin (2010) [1956]. Kontribute në historinë e sundimit turk në Shqipëri: një Skicë Historike v. I (gjerm. Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: eine historische Skizze). Tiranë: Shtëpia Botuese "55". fq. 284. ISBN 978-99943-56-83-6.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Kruja, Mustafa; Gjomarkaj, Ndue; Nekaj, Zef (2012). Kuvend letrash me miqtë. Tiranë: Omsca-1. fq. 120. ISBN 978-9928-132-09-3.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Bartl, Peter (2011). Albania Sacra. Geistliche Visitationsbericht aus Albanien. 2: Erzdiözese Durazzo. Herausgegeben und bearbeitet. Wiesbaden: Harrassowitz Verlag. fq. 363–373. ISBN 9783447065023.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Kruja, Mustafa (2011). Shkrime historike. Tiranë: Omsca-1. fq. 378. ISBN 978-9928-132-00-0.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Familja Toptani web faqja". Arkivuar nga origjinali më 1 tetor 2011. Marrë më 16 janar 2012.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)