Filip Noga

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Filip Noga
Ministër i Financave
28 maj – 3 shtator, 1914
Paraardhësi: Gaqo Adhamidhi
Pasardhësi: Nexhat Libohova
Të dhënat personale
Lindi më: 1868
Lindi në: Shirokë, Vilajeti i Shkodrës, Perandoria Osmane
Vdiq më: 1917
Vdiq në: Raguzë, Perandoria Austro-Hungareze
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: mësues, gazetar, diplomat

Filip Noga (Shirokë, 1868 - Raguzë, 1917) i njohur edhe si Philippe Nogga, ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare dhe ministër i shtetit shqiptar.

Biografia[redakto | përpunoni burim]

U lind në Shirokë më 1868, i biri i Pashko Nogës. Tetë vjeç u shpërngulën si familje dhe Filipi u rrit në Stamboll, ku kreu një shkollë franceze. I vlerësuar në jetën shoqërore të kryeqytetit perandorak, punoi mësues frëngjishteje në familjen e Sadrazemit, Ferid Pashës.[1]

Bashkëpunoi me fletoren kryeqytetase "La Turquie" ku shkroi në gjuhën frënge artikuj për të mbrojtur lëvizjen e Kosovës. Pas Hyrrijetit më 1908 dhe abdikimit të Sulltan Abdyl Hamitit II, ndihmoi gjallërisht Ismail Qemalin, Kristo Meksin dhe të tjerë.[1]

Më 1913 së bashku me Mehmet bej Konicën dhe Rasih bej Dinon, ishte pjesë e delegacionit shqiptar në Konferencën e Londrës,[1] dhe më pas prej në Berlin përpiqej të ulte tonet e alarmit përballë Fuqive të Mëdha, duke mohuar se Ismail Qemali apo Esad Pasha të kishin pasur gisht në komplotin e Beqir Grebenasë.[2] Më 1914 në qeverinë e Turhan pashë Përmetit, emërohet ministër i Financave. U largua nga Shqipëria pas rrethanave që lindën me Kryengritjen e Shqipërisë së Mesme, për shkak të së cilës iu dogj biblioteka dhe dorëshkrimet e veta.[1] Aubrey Herbert, që kish udhëtuar me të, e përshkruante "gjuhëtar dhe muzikant". Ndërroi jetë më 1917 gjatë një udhëtimi në Raguzë.[3][4]

Eshtrat iu sollën në atdhe 13 vjet pas vdekjes prej të shoqes, duke zbatuar kështu vullnetin e tij të fundëm.[1]

Referencat[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ a b c d e Koliqi, Ernest (1931). "Filip Noga". bibliotekashkoder.com. Hylli i Dritës vjeti VII, nr. 1. f. 46–48. Marrë më 19 prill 2018. 
  2. ^ Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. f. 240.  978-9928-190-91-8. 
  3. ^ Album Historik Kushtuar Ministrave Te Financave Ne Vite. Ministria e Financave.  999-27-857-2-1. 
  4. ^ Robert Elsie (2012), A Biographical Dictionary of Albanian History, I.B.Tauris, f. 333,  978-1780764313