Jump to content

Gjylhane

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Fermani i Tanzimatit

Gjyl-hane-ja reforme në Perandorinë Osmane.

Me humbjet territoriale në vitet 40 të shek. XIX në Perandorinë Osmane bënin pjesë ende : Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia, Thraka, Thesalia, Bosnja, Hercegovina, Azia e Vogël, Siria, Libani, Palestina, Iraku e gjithë Arabia deri në gjirin Persik.

Ky territor ishte pak i populluar. Sipas disa të dhënave jo të plota në vitin 1844 popullsia e perandorisë llogaritej në 37.000.000 veta. Në numrin e pakët të popullsisë ndikonin luftërat e brendshme e të jashtme, epidemitë, mortaliteti i lartë, etj. Rajone të tëra ishin shkatërruar. Faktori kryesor i largimeve ishte kriza kronike ekonomike dhe politike që kishte përfshirë sistemin feudal ushtarak. Rendi feudal ishte bërë një pengesë për zhvillimin ekonomik të Perandorisë Osmane. Me shume vuante industria. Rendi feudal i sillte dëm të madh fshatarësisë dhe ekonomisë bujqësore. Fshatarësia përbënte pothuajse 9/10 e popullsisë së përgjithshme të perandorisë. Ajo i nënshtrohej një shfytëzimi të madh. Heqja e sistemit feudal-ushtarak nuk e lehtësoi gjendjen e fshatarësisë. Mbetën po ato kategori pronësie e po ato metoda shfrytëzimi. Taksat e shumta dhe sistemi i sipërmarrjes kishin shkatërruar fshatarësinë. E dhjeta arrinte nga 15 për qind deri në 50 për qind. Shkatërrimtar ishte sistemi i blerjes së prodhimeve bujqësore me çmime të detyruara e më të ulëta se ato të tregut.

Disfata që pësoi shteti osman në konfliktin me Egjiptin tregoi edhe një herë se reformat centralizuese të viteve 30 nuk ia kishin arritur qëllimit. Komisioni i veçantë për përgatitjen e reformave i ngritur nga Sulltan Mahmuti II shpejtoi punën për shpalljen e reformave të reja. Këto reforma janë vazhdim i reformave të viteve 30 të drejtuara nga Mahmuti II. Vdekja e parakohshme nuk e lejoi atë të marrë pjesë në shpalljen e tyre.

Në krye të komisionit qëndronte Mustafa Reshit pasha, një nga personalitetet më të shquara të shtetit. Në vitet 30 ai kishte vizituar Vjenën, Parisin, e Londrën si përfaqësues i shtetit për të zgjidhur disa çështje dhe për të kërkuar ndihmë në luftën kundër Mehmet Aliut. Në këto kryeqytete ai ishte njohur me organizimin shtetëror dhe ushtarak të këtyre shteteve evropiane, kishte vizituar mjaft fabrika dhe uzina. Kur u kthye në Stamboll ishte i bindur se vetëm reformat mund ta afronin shtetin osman me shtetet evropiane. Këto mendime ia kishte paraqitur edhe sulltan Mahmutit II. Mustafa Reshit Pasha iu vu punës për shpejtimin e shpalljes së reformave. Pas vdekjes së Mahmutit II, frenat e drejtimit të shtetit i mori Hysrev Pasha, armik i reformave. Mustafa Reshit Pasha e bindi sulltanin e ri Abdyl Mexhitin për shpalljen e reformave të reja. Ai vetë punoi për përgatitjen e fermanit. Forcat konservatore u përpoqën ta sabotonin përpilimin e fermanit, por nuk ia arritën qëllimit. Ato u orvatën të shfrytëzonin fanatizmin mysliman në shtresat e ndryshme të popullsisë.

Për leximin e fermanit u bë një ceremoni madhështore. Qëllimi i solemnitetit ishte të tërhiqej vëmendja e qeverive të shteteve evropiane. Prandaj u zgjodh sheshi përpara pallatit veror të sulltanit në bregun e detit Marmara, të quajtur Gjylhane (shtëpia e trëndafilave). Në afërsi të pallatit u ngrit tribuna. Më tre nëntor ditën e djelë të vitit 1839 rreth saj zunë vend ministrat, ulematë, shehët, patriarkët e shoqërive fetare, kryetarët e zejtareve e tregtareve, përfaqësuesit e shteteve të huaja të akredituara në Stamboll etj. Aktin e shpalljes së reformave e lexoi në tribunë Mustafa Reshit Pasha. Me qënë se u lexua këtu, fermani u quajt ferman i nderuar i Gjylhanese. (Hatt-i sherif-i Gjylhanesë).

Masat e reformës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • 1) Garantohej paprekshmëria e jetës, e nderit dhe e pasurisë për të gjithë nënshtetasit e perandorisë pa dallim feje. Secili kishte të drejtë të gëzonte pasurinë e tij dhe ta përdorte si të donte. Të akuzuarve nuk u konfiskohej pasuria dhe fëmijët e tyre nuk privoheshin nga e drejta e trashëgimisë.
  • 2) Vendosej ndarja dhe mbledhja e rregullt e taksave dhe heqja e sistemit të sipërmarrjes (iltizamit). Qëllimi i këtyre masave ishte të përmirësohej gjendja financiare dhe të forcohej fuqia ushtarake e shtetit. Gjatë zbatimit të sistemit të sipërmarrjes si nënshtetasit dhe vetë shteti, vuanin nga dhuna e grabitja e sipërmarrësve.
  • 3) Futej shërbimi i rregullt ushtarak dhe shkurtohej afati i këtij shërbimi. Shërbimi ushtarak do të zgjaste 4-5 vjet.

Në akt u shpall barazia përpara ligjit e të gjithë nënshtetasve pa dallim feje e nacionaliteti. Me këtë autoret e fermanit shpresonin të siguronin qetësinë e brendshme nga lëvizjet për çlirim.

Në akt parashikohej zgjerimi i përbërjes së këshillit të çështjeve juridike, i cili do të përpunonte ligjet që do të zbatonin këtë program.

Programi prekte sferat e jetës politike, ekonomike, kulturore e ideologjike si dhe të gjitha shtresat e popullsisë.

Reshit Pasha në bazë të "Aktit të Gjylhanesë" nisi zbatimin e reformave që në historiografinë zyrtare turke u quajtën “reformat mirëbërëse" ("Tanzimat-i hajrie").

Historianët turq reformat e Tanzimatit kanë arritur t'i quajnë "një revolucion", "një kushtetutë të vërtete", "një fitore të qytetërimit perëndimor" etj.

Tanzimati përfshin dy etapa: etapa e parë, që nga viti 1839 deri në vitin 1855 : dhe etapa e dytë, që nga 1856 deri në 1870, para shpalljes së kushtetutës së parë osmane.