Këshilli Kombëtar i Shqipërisë (1921 - 1923)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Këshilli Kombëtar i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e datës 5 mars 1921 i filloi punimet më 21 prill 1921.

Këshilli Kombëtar përbëhej 78 deputetë. Që prej kësaj periudhe, parlamenti filloi të shfaqej rregullisht si një organ i dalë nga populli, me detyra të përcaktuara qartë në statutin e kohës. Zgjerimi që iu bë Statutit të Lushnjës, i cili në histori njihet si statuti i shtetit shqiptar i vitit 1922, e shndërroi këtë akt në një kushtetutë të mirëfilltë me fuqinë më të lartë në shtet dhe sanksionoi plotfuqinë parlamentare. Organi më i rëndësishëm që ushtronte pushtetin legjislativ, i quajtur “Këshill Kombëtar” mori emrin “Parlament”. Si organ i vetëm legjislativ ai përbëhej nga një dhomë deputetësh të cilët zgjidheshin nga populli në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme (votim i tërthortë).

Kryetar i Këshillit Kombëtar u zgjodh me votim të fshehtë Pandeli Evangjeli dhe në vitin 1922 u zgjodh Eshref Frashëri.

Në këtë të periudhë dalloheshin qartë dy grupime politike: Partia Popullore e kryesuar nga Fan Noli dhe Partia Përparimtare e kryesuar nga Hoxhë Kadriu. Në fushën legjislative, veprimtaria e Këshillit Kombëtar u përqëndrua në nxjerrjen e ligjit për organizimin gjyqësor, në plotësimin e rregullores ekzistuese me elemente të reja për transparencën e veprimtarisë parlamentare, betimin e deputetëve përpara Këshillit, etj. Më 30 shtator të vitit 1923, Këshilli Kombëtar i mbylli punimet e tij në përfundim të legjislaturës 2 vjeçare për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të reja për Kuvendin Kushtetues, të cilat u mbajtën në dhjetor të po këtij viti.