Jump to content

Kryengritja e Dervish Carës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kryengritja e Dervish Carës
Pjesë e Revoltave Shqiptare kundër Perandorisë Osmane

Luftëtarët e Dervish Carës çlirojnë Shkupin 1843–1844
Data1843 – 1844
Vendodhja
Vilajetet Shqiptare: Shqipëria, Kosova, Presheva dhe Maqedonia e Veriut
Pasoja Kryengritja u thye nga Perandoria Osmane
Palët pjesëmarrëse
Kryengritësit Shqiptarë Perandoria Osmane
Komandantët dhe udhëheqësit
Dervish Cara
Sulejman Vokshi
Mustafa Zerqani
Cen Leka
Hajredin Pasha
Omar Pasha
Bib Doda Pasha
Fuqia ushtarake
10,000 burra 30,000 burra
Viktimat dhe humbjet
Nuk dihet 12,000 të vrarë

Revolta Shqiptare e 1843–1844, e njohur gjithashtu si Kryengritja e Dervish Carës ishte një kryengritje e shekullit 19 në Shqipërinë Veriore e drejtuar kundër Reformave të Tanzimatit Osman të cilat filluan në 1839 dhe gradualisht po viheshin në veprim në rajonet e Shqipërisë. Disa historianë përfshijnë veprimet në Dibër të së njëjtës kohë me të njëjtin emër historik, megjithëse ngjarjet në Dibër ishin të pavarura dhe drejtoheshin nga udhëheqës të tjerë.

Reformat e Tanzimatit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shqipërinë e Veriut reformat e Tanzimatit u shpallën zyrtarisht në vitin 1843. Shpallja e tyre shkaktoi një valë të re kryengritjesh që morën shtrirje të gjerë ndërkrahinore. Qendra kryesore të tyre mbetën qytetet. Zëvendësimi i funksionarëve shqiptarë me nëpunës të huaj dhe urdhri për rekrutimin e ushtarëve nizamë ishin dy shkaqet e drejtpërdrejta të shpërthimit të kryengritjeve në këtë zonë. Në verën e vitit 1843 ngritën krye banorët e Prizrenit, që dëbuan nëpunësit e rinj turq. Këtë ngjarje e ndoqën kryengritjet në Prishtinë e në Gjakovë. Ushtria osmane e përforcuar kundërveproi menjëherë dhe nuk e pati të vështirë t’i shtypte këto lëvizje lokale. Veprimet e ushtrisë u shoqëruan me terror e grabitje. Kryengritja Dervish Cara filloi në Shkup më 21 korrik dhe u zgjerua më shumë në gusht të vitit 1843, kur, me ardhjen e forcave osmane nën drejtimin e Hajredin Pashës, u shtuan përpjekjet për rekrutimin e ushtarëve të rinj. Kryengritësit hynë në konflikt të armatosur me ushtrinë osmane. Në nëntor kryengritësit çliruan Gostivarin, ndërsa në fillim të janarit 1844, pas luftimeve të ashpra, çliruan Tetovën. Këtu, si në Gostivar, u vendos pushteti i kryengritësve dhe shtabi i saj, me Dervish Carën në krye. Kryengritja, përveç Dervish Cara, udhëhiqej edhe nga komandantë të tillë, si Emin Xhambazi, Sulejman Toli (Tërnova), Selman Rogoçica, Emin Bojana, Ymer Presheva, Baba Feka, Sejdi Mexha, Bajram Vaksinca etj.

Viset e çliruara

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në shkurt 11 000 kryengritës të armatosur hynë në Shkup, e çliruan atë, formuan këtu një Këshill të kryengritjes dhe përqendruan pushtetin në duart e veta. Agjitatorë në vise të ndryshme të Kosovës, si në Vrajë e Leskovc, i bënin thirrje popullsisë të hidhej në luftë kundër pushtetit osman. Të tjerë ishin dërguar në krahinat fqinje për të siguruar mbështetjen e popullsisë së tyre. Udhëheqësit e kryengritjes u bënë thirrje që të ngriheshin kundër sundimtarëve osmanë edhe banorëve të krahinave të tjera të Shqipërisë, duke theksuar me këtë rast se ata duhej të bashkoheshin me kosovarët, sepse ishin vëllezërit e tyre. Në fillim të shkurtit u çlirua Kumanova, ku me kryengritësit u bashkua edhe popullsia maqedone. Pas Kumanovës u çliruan Presheva, Bujanovci, Vranja, Gryka e Kaçanikut, Leskovci e viset e tjera veriore të Kosovës. Në muajt e parë të vitit 1844 kryengritja u përhap në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e deri në Shkodër, ndërsa në pranverën e vitit 1844 kryengritja kishte përfshirë të gjitha trevat shqiptare, nga Manastiri e Ohri në jug deri në skajet veriore e verilindore të Kosovës, në të cilat shqiptarët vendosën pushtetin e tyre. Garnizonet ushtarake turke u detyruan të mbylleshin në kështjellat e qyteteve. Shtrirja e kryengritjes dhe fitoret e saj në Kosovë e në Fushën e Pollogut ngjallën shpresa edhe në popullsinë e krahinave të tjera të vendit.

Bisedimet për autonomi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Qeveria osmane i trëmbej përhapjes së saj të mëtejshme dhe shndërrimit në një kryengritje të përgjithshme shqiptare. Prandaj autoritetet osmane hynë në bisedime me udhëheqësit e kryengritjes. Gjatë bisedimeve kryengritësit i kërkuan Stambollit të anulonte ligjin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të zëvendësonte funksionarët osmanë të pushtetit lokal, që nuk dinin gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptarë dhe të njihte autonominë e Shqipërisë, në suazat te Perandoria Osmane, ashtu siç ishte njohur autonomia e Serbisë më 1830. Këto kërkesa nuk u pranuan nga Stambolli, prandaj bisedimet dështuan. Ndërkaq, Porta e Lartë, krahas përgatitjeve ushtarake për shtypjen e kryengritjes, shpalli edhe një amnisti për ata që do të dorëzonin armët dhe premtoi se nuk do të përdorej forca për rekrutimin e ushtarëve të rregullt. Me këto masa ajo synonte të ngjallte lëkundje në radhët e kryengritësve.

Shtypja e Kryengritjes

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Porta e Lartë, nga njëra anë, premtoi se do të hiqte dorë nga nizamët e tatimet e reja, ndërsa, nga ana tjetër, filloi të sjellë forca të shumta që i përqendroi në Manastir. Për të shmangur kthimin e saj në një kryengritje të përgjithshme, me përmasa mbarëshqiptare, Porta e Lartë përqendroi në Manastir 31 000 ushtarë, të komanduar nga Omer Pasha, që më 18 maj kaluan në mësymje kundër kryengritësve dhe i detyruan ata të tërhiqeshin drejt Shkupit, Tetovës, Kumanovës e Karadakut te (Mali i Zi) të Shkupit. Luftime të ashpra u zhvilluan në Grykën e Katllanovës nga 13-17 maj 1844. Përleshja më e përgjakshme ishte ajo që u bë më 18 maj në afërsi të Banjës së Katllanovës, në të cilën u vendos fati i kryengritjes në Fushën e Shkupit. Pas një qëndrese të fuqishme kryengritësit, të ndodhur përballë një ushtrie që kishte epërsi teknike, që përdori gjerësisht artilerinë, u detyruan të tërhiqeshin. Pas luftimesh të ashpra që vijuan edhe pas kësaj beteje, më 21 maj ushtria osmane, që kishte epërsi mbi kryengritësit, arriti të merrte Shkupin, ku bëri arrestime të shumta të pjesëmarrësve të kryengritjes, një pjesë e të cilëve u dërgua për t’u gjykuar në Stamboll. Në maj-qershor ushtritë osmane të Omer Pashës, pas luftimesh të rrepta me kryengritësit, pushtuan Tetovën, Gostivarin, Kumanovën, Preshevën, Bujanovcin dhe Vranjën, ndërsa në mesin e korrikut morën të gjitha qendrat nga Kaçaniku deri në Prishtinë. Prej andej u hodhën për të shtypur qëndresën e kryengritësve në Prizren, në Pejë, në Gjakovë e në Shkodër, ku bënë arrestime të shumta. Kryengritësit kudo u bënë ushtrive osmane një qëndresë të ashpër, e cila qe më e fuqishme në Kërçovë, në Tetovë e në Gostivar. Me rivendosjen e pushtetit osman në këto qytete u arrestuan shumë udhëheqës të kryengritjes. Pas shtypjes së kryengritjes, në korrik 1844, Shqipëria, sipas dëshmive të bashkëkohësve, trajtohej më shumë si vend i pushtuar sesa si provincë te Perandoria Osmane. Pas përfundimit të kryengritjes në Kosovë e në Pollog, ushtria osmane, në vjeshtën e vitit 1844, u përqendrua në Sanxhakun e Dibrës, popullsia e të cilit ishte hedhur në kryengritje kundër zbatimit të reformës ushtarake dhe anulimit të vetëqeverisjes lokale të krahinës. Por forcat e komanduara nga Rexhep pashë Tetova u thyen nga kryengritësit në fushën e Mavrovës. Pas këtyre ngjarjeve Stambolli hodhi në këtë krahinë ushtri të shumta, të komanduara nga Hajredin Pasha. Përfaqësuesit e kryengritësve thirrën në nëntor 1844 kuvendin e tyre në Fushë e Gjoricës, që u drejtua nga Sheh Mustafa Zerqani. Në kuvend u vendos të mbroheshin të drejtat e autonomisë lokale, që popullsia gëzonte prej kohësh. Kuvendi i bëri thirrje për t’u bashkuar me kryengritësit dibranë edhe popullsisë së krahinave të Kosovës, të Mirditës, të Elbasanit e të Gjakovës, ku Porta po mblidhte forca për t’i hedhur kundër tyre. Gjatë muajit nëntor 1844 kryengritësit dibranë e matjanë, të komanduar nga Cen Leka, u zunë rrugën ushtrive osmane të komanduara nga Hajredin Pasha. Por përballë forcave numerikisht të shumta turke dhe të pajisura me artileri kryengritësit u tërhoqën në luginën e lumit Drin. Ndërkohë, Hajredin Pasha, për t’i përçarë shqiptarët, shpalli se të gjithë ata që do të dorëzonin armët, do të liheshin të lirë dhe se nuk do të rekrutonte nizamë. Ky premtim zuri vend te një pjesë e krerëve, por shumica e tyre e vazhdoi qëndresën. Luftime të ashpra, që zgjatën 5 ditë të tëra, u zhvilluan në nëntor në fshatin Gjoricë, ku krahas burrave luftuan edhe gratë e fëmijët. Ato përfunduan me humbje të mëdha për të dyja palët e sidomos për ushtrinë osmane. Megjithatë, falë epërsisë numerike e teknike, ushtria osmane, pas luftimesh të përgjakshme, i detyroi kryengritësit të tërhiqeshin nga pozitat e tyre. Për t’u hakmarrë forcat osmane dogjën fshatra të tëra, të braktisura nga fshatarësia, e cila largohej për t’i shpëtuar terrorit të egër të ekspeditës osmane. Ndonëse kryengritja e sanxhakut të Dibrës u shtyp, Porta e Lartë u detyrua ta përjashtojë këtë krahinë nga reforma ushtarake deri në vitet 50 të shek. XIX, po ashtu si trevën e Shkodrës.

Shtrirja e kryengritjes në viset e tjera shqiptare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lufta e vendosur e dibranëve pati jehonë në viset e tjera shqiptare. Në mesin e majit të vitit 1845 rreth 2 000 malësorë të krahinës së Gjakovës u ngritën kundër qeveritarit të saj dhe e detyruan atë të largohej nga qyteti për në Prizren. Kryengritja u përhap në viset malore të Rekës, të Bytyçit, të Gashit, të Tropojës dhe të Krasniqit, që u ngritën nën udhëheqjen e Binak Alisë ,Niman Uka Bajraktar i Bytyçit dhe të Sokol Ramit. Rreth 8 000 kryengritës sulmuan në maj të atij viti qytetin e Gjakovës dhe e çliruan atë. Por valiu i Rumelisë hodhi kundër tyre ushtri të shumta dhe mjaft mercenarë, të rekrutuar nga viset malore të Shqipërisë së Veriut. Pas luftimesh të përgjakshme, që vazhduan mbi një muaj, kryengritja u shtyp. Mehmet Reshit pasha urdhëroi arrestimin e atyre që kishin marrë pjesë në kryengritje. Në të njëjtën kohë sulltani, për të qetësuar gjendjen, fali rreth 2 000 shqiptarë, të burgosur në Stamboll pas shtypjes së kryengritjeve të viteve të fundit. Megjithëse ushtria osmane i shtypi kryengritjet shqiptare të këtyre viteve, Porta e Lartë, edhe pse e shpalli Tanzimatin, u detyrua ta ndërpriste edhe për disa vjet zbatimin e sistemit të ri në Shqipërinë Veriore.

Lidhjet e jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]