Jump to content

Mihal Trivoli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Mihal Artioti)
Mihal Trivoli-Artioti, ndryshe Maksim Greku (1475-1556).

Mihal Artioti siç është quajtur në vendlindje, apo Mihal Trivoli siç e quajnë në studime të ndryshme, - që duhet të jetë mbiemri i saktë i tij - ka lindur në nje familje shqiptare të kulturuar rreth vitit 1475, (në një botim gjerman "Legende vom Heiligen Maxim Grek[1]" konsiderohet i ditëlindjes 1480, edhe në botimet ruse konsiderohet i njëjti vit) ne qytetin shqiptar Artë që ishte pushtuar nga osmanët në vitin 1449. Prindërit e tij, Emanuel dhe Irena Trivoli, që konsideroheshin njerëz të ditur për kohen e që kishin lidhje me personalitete të kulturës në Itali, u kujdesën që i biri të mësonte në shkollat humaniste evropiane. Kështu Mihalin e ri në vitin 1492 (sipas botimi të Wolfang Heller 1993) e dërguan me studime në Itali e më pas në Paris, France dhe sipas hamendjeve të studiuesve edhe në Spanjë.

Në Itali qëndroi për shumë vjet ku studioi artet si dhe ndoqi studime ne fushën e moralit, drejtësisë, filozofisë dhe dijeve të tjera. Mori mësime humaniste në Firence nga Angiolo Poliziano (1454-1494), Marsilio Ficino ( 1433-1499), Giovanni Pico della Mirandola (1463-1494), studjoi ne Bolonja, Milano, ndërsa ne Universitetin e qytetit Padova, ku ai ndiqte studimet, jepte mësime bashkëkombasi i tij, filozofi, historiani e astronomi i madh me prejardhje shqiptare Leonik Tomeu (1456-1531, mësues gjithashtu i Kopernikut).

Mihal Trivoli-Artioti qëndroi edhe ne Venedik ku zhvillonin veprimtarinë e tyre figura të njohura me origjinë shqiptare si shkrimtari Marin Barleti, humanisti Marin Beçikemi dhe piktori i famshëm i Rilindjes Viktor Karpaci. Ne këtë qytet, ai bashkëpunoi me tipografin klasik venecian Aldo Manuzio. Gjatë kohës që ishte në Itali, Mihal Trivoli - Artioti bie nën ndikimin e ideve te Savonarolës. Krahas marrjes së mësimeve humaniste ngulmoi për kalitjen e karakterit te tij, duke bërë nje jetë stoike. Ne vitin 1502, ne Firence u fut nen urdhërin katolik dominikan. Ndërsa ne vitin 1506 futet ne urdhrin e murgjeve ortodoks te manastirit të famshëm Vatoped në malin i Shenjtë, i njohur për jetën e mundimshme e te shkëputur nga bota, prej të cilit kane dale 43 shenjtorë të ortodoksisë, dhe sipas botimit të vetë këtij manastiri, "Manastiri i madh i Vatopedit" Mali i Shenjtë, 1998, në dy volume, 744 faqe, nder figurat më kryesore historike ka qenë Mihal Trivoli.

Rreth vitit 1516 ai u kthye në Artë, por në qytetin e tij ishte e pamundur të zhvillonte veprimtari për shkak të kushteve të rënda të pushtimit. Kur Knjazi i Moskës, Vasili i III Ivanoviç kërkoi një letrar të shquar e njeri të ditur për përkthimin e shkrimeve të shenjta që kishte marre nga Bizanti, Mihali e pranoi ftesën dhe pas një qëndrimi në Krime për te mësuar rusishten, me 4 mars 1518 arriti në Moskë ku u prit me nderime dhe ìu vu në dispozicion biblioteka e pasur e këtij qyteti. Që në fillim ai u mor me përkthimet fetare te psalmeve si dhe rishikimet e teksteve fetare të përkthyera më parë prej të tjerëve nga latinishtja, por tashmë duke pasur për bazë origjinalet në greqisht.

Në Rusi mori një emër te ri, Maksim Greku, mbase për shkakun se ai ishte një interpretues, njohës e përkthyes i kulturës antike dhe bizantine, dhe me këtë emër do te njihet si në studimet e shumta te tij por edhe në studimet e botimet e autorëve të ndryshëm mbi të.

Nga Pjerin Sheldija

Veprimtaria e parë humaniste që bëri në Moskë që hapja e një shkolle nën shembullin e shkollave ku kishte studiuar ne Itali. Ai dëshironte të sillte në këtë vend të prapambetur frymën e ideve të Rilindjes Evropiane, duke u bërë botërisht i njohur si humanisti i parë në Rusi. Në kohën e Ivanit të Tmerrshëm hapi të parën shtypshkronjë të rregullt dhe me shkrimet e tij publicistike ai i dha popullaritet zbulimeve te reja gjeografike të epokës (zbulimi i Amerikës nga Kolombi mbërriti disa vjet mbrapa në Rusi) duke afruar dukshëm Rusinë me zhvillimet evropiane, çfarë nuk u pa me sy të mirë nga ato forca që përfaqësonin mentalitete të vjetra.

Në atë kohë, në Rusi kishte dy grupime që ishin në kundërshtim me njeri-tjetrin, grupimi aristokrat konservator dhe ai liberal. I bashkuar me këtë të fundit për shkak të karakterit humanist të ideve të tij, ai do të behej objekt sulmesh e ndjekjesh madje publike. Duke qenë më i fuqishëm, grupimi konservator arriti edhe ta arrestojë në 1525 dhe e mbyllin në kështjellën manastir të Volokolamskut. Në vitin 1531 do t'i bënin sërisht një gjyq me padinë si heretik dhe se kishte keqinterpretuar përkthimet biblike nga greqishtja në rusisht. Nga viti 1531 deri në vitin 1551 e izolojnë në manastirin Otrou në Tain. Por internimet nuk do t'i ndahen. Fundin e jetës do t'a kalonte në manastirin Trini Sergiev dhe mjaft kohë i ndaluar të lexonte e shkruante.

Kërkesën këmbëngulëse te Maksim Grekut që në pleqërinë e tij të thellë t'a lejonin që të kthehej në atdheun e tij, në Epir, Knjazi i Moskës ìa refuzoi me pretekstin se duke qenë njeri i ditur e i zgjuar, që di aq shumë për Rusine, ai do të përhapte të vërtetën në të gjithe boten. Është për të vënë në dukje se ai shkroi veç të tjerash edhe për vendlindjen e vet Arbërinë-Epirin dhe për kohën e bëmat e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut.

Kështu Mihal Trivoli-Artioti (Maksim Greku), njeriu më i ditur dhe humanisti më i madh i Rusisë, që përçoi idetë e mëdha të Rilindja Evropiane në atë vend, në përpjekje të jashtëzakonshme për t'a bërë atë pjesë e asaj kulture, u dënua t'a kalojë jetën në internime të pafundme, por me një krenari e dinjitet te palëkundur e të admirueshem, sepse nuk hoqi dorë deri në frymën e fundit prej ideve të ndritura të kulturës e të dijeve që kishin përfshirë kontinentin dhe hapnin një epokë të re për njerëzimin. Edhe pse rreth 80 vjeçar, i lodhur e i dërrmuar nga jeta e vështirë, vdiq i papërkulur në idete e veta te ndritura, i vetmuar e ne internim ne Trinita Sergiev, me 21 janar te vitin 1556.

Duhej te kalonin afro pese shekuj qe shqiptari i Artës, Mihal Trivoli - Artioti, nen emrin e rusifikuar Maksim (Greku), te shpallej ne mënyre triumfuese prej Sinodit te Shejte, si Shenjtori i Ortodoksisë Ruse ne vitin 1988. Por gjithsesi, sido që të mbiquhet, te gjithë studiuesit seriozë, shqiptarë dhe të huaj nepër epoka (madje edhe vete studiuesit rusë, ne nje Fjalor enciklopedik, botuar nga "Ruskoje sllovo" të vitit 1996) e kanë konsideruar dhe e konsiderojne Mihal Trivolin - shenjtorin e ortodoksisë Maksim Greku - si arbërin/epiriotin (shqiptarin) nga Arta.

Mihail Artioti, ishte humanist i madh që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në mendimin intelektual humanist të Rusisë. E mund te konsiderohet në mënyrë te padyshimtë me i shquari ne Rusinë e kohës, sepse ai zhvilloi një veprimtari të gjerë filozofike, pedagogjike, etike, publicistike si dhe në fushën e përkthimeve, duke qenë autor i me shumë se 150 veprave e studimeve në fushat e teologjisë, filozofisë, pedagogjisë e shkencave humane.

  • Në faqen përfaqsuse në Internet të Ambasadës Amerikane ne Moske "US - Rusian Relations-timeline", që në krye thuhet se, "I pari që e ka bërë të njohur publikisht zbulimin e Amerikës tek rusët ka qenë Maksim Greku në vitin 1540.[2]
  • Edhe sot e kësaj dite konsiderohet ndër përkthyesit më të mëdhej të botes, sipas Proel (Promotora Espanjola de Linguistika).[3]

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ "Kopje e arkivuar" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 29 dhjetor 2009. Marrë më 16 tetor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  2. ^ http://www.moscow.usembasy.gov/links/history.php[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
  3. ^ [1][lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
  • Autor i shkrimit: Kolec Traboini [2] , nga libri "E vërteta përveluese e Aristidh Kolias" esé, faqe 151-155, Tirane, Albania 2005.
  • Referim dytësore: Botuar në gazeten ILLYRIA New York, Nr.1334, 16-19 prill 2004 [3]

[www.moscow.usembasy.gov/links/history.php] [www.proel.org./traductores/maksim/htm]

Lidhjet e jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]