Jump to content

Qemal Karaosmani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Qemal Bej Karaosmani)
Qemal Karaosmani
Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë
U lind në1875
Vdiq1949
KombësiaShqiptar

Qemal bej Karaosmani (Elbasan, 17 korrik 1875 - Kavajë, 5 gusht 1949) ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe figurë politike shqiptare.

U lind në Elbasan. Mësimet e para i mori në qytetin e tij të lindjes. Studimet e shkollës së mesme dhe ato universitare i përfundoi në Stamboll për shkenca politike dhe Administratë Civile.[1]

Gjatë periudhës që studioi në Turqi, ra në kontakt dhe u njoh me disa nga patriotët shqiptarë dhe figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare, siç ishte Murad Toptani, me të cilin lidhi miqësi të ngushtë. Së bashku me Muradin, ai shkoi dhe vizitoi shtëpinë ku banonte familja e vëllezërve Frashëri në Kara Toporak, pasi më parë ishin njohur edhe me vajzën e Naimit, Asijen.

Pas diplomimit në Stamboll, u emërua në Prefekturën e Janinës, ku nuk qëndroi shumë gjatë, pasi u transferua për në qytetin e Beratit duke u emëruar si Drejtor i Kadastrës[1]. Në qytetin e Beratit, Qemali bashkëpunoi ngushtë me Babë Dudë Karbunarën, Aziz pashë Vrionin dhe Iliaz Vrionin, me të cilët u përpoq dhe luftoi mjaft për përhapjen e ndjenjave kombëtare dhe gjuhës shqipe, si dhe shpërndarjen e librave shqip, botime këto që Elbasani i kishte sjellë me vete nga kthimi prej Stambollit.

Më 1908 Qemali u ftua në Kongresin e Manastirit, ku ai mbrojti alfabetin që u miratua më pas nga ai kongres. Gjatë asaj kohe ai shkoi dhe në qytetin e Shkupit ku u takua dhe bashkëpunoi edhe me patriotët e tjerë si Feim Zavalanin, Gjergj Qiriazin e Bedri Pejanin.

Një ndikim të madh tek Qemal Karaosmani, kishte edhe kushëriri i tij Aqif Pashë Biçakçiu, me të cilin ai bashkëpunoi në organizimin e Kongresit të Elbasanit në vitin 1909 dhe për çeljen e shkollës Normale të atij qyteti.

Njihej për rolin e tij të spikatur për Shpalljen e Pavarësisë dhe bashkëpunoi shumë me patriotët Lef Nosi, Ahmet Dakli, Aqif Pashë Biçakçiu, duke dhënë ndihmesën e tij për përhapjen e arsimit shqip në zonën e Beratit dhe të Elbasanit. Kishte popullaritet në zonën e Beratit dhe për këtë veprimtaria e tij patriotike nuk ra në sy të osmanëve.

Në nëntor 1912 Karaosmani u zgjodh delegat i Elbasanit në kuvendin e Vlorës dhe si i tillë, Karaosmani ai nënshkroi dokumentin e pavarësisë kombëtare, me siglën “Qemal Elbasani”. Pas shpalljes ë Pavarësisë së vendit, Ismail Qemali do ta emeronte Karaosmanin, si kryesekretarin të Këshillit të Ministrave dhe në fund të nëntorit të vitit 1913 e emëroi Ministër të Bujqësisë.

Mbështeti qeverinë e Sulejman bej Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjes. Qemal Karaosmani u zgjodh dy herë deputet, fillimisht deputet i Beratit në zgjedhjet e 27 dhjetorit të vitit 1923, dhe në Legjislaturën e Republikës (1925-1928), të dalë nga zgjedhjet e 17 majit 1925. Qemal Karaosmani ishte gjithashtu deputet i Dhomës së Deputetëve si përfaqësues i prefekturës së Beratit, pasi zëvëndësoi në fund të vitit 1925 deputetin e dorëhequr Qemal Vrioni.

Në 27 prill të vitit 1938 Qemal Karaosmani ishte delegat i Elbasanit në dasmën e Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, në prill-shtator 1939 ishte kryetar i Bashkisë Elbasan. Pas lënies së kësaj detyre u vendos në Kavajë.

Vitet e fundit i jetoi në Kavajë së bashku me djalin e tij, Masarin. Vdiq më 5 gusht 1949[1] dhe asnjë nderim nuk u bë në ato kohë nga shteti shqiptar.

Në vitin 1900, Qemal Karaosmani u martua me Aishe Resulin nga familja e njohur e bejlerëve të Beratit. Vëllai i saj, Ahmet bej Resuli, ka qenë nga më të dëgjuarit e asaj shtëpie.

Nga ajo martesë ata patën gjashtë fëmijë: Masari, Hadija, Qamurani, Shehriaja, Behija dhe Aliu. Djali i madh, Masari, u shkollua në Paris për Agronomi dhe një nga arsyet kryesore që e detyroi babanë e tij, Qemalin, ta dërgonte në atë degë, ishte që të kthehej në Shqipëri dhe të merrej me modernizimin e fermës së tij bujqësore që kishte familja nën pronësi.

Përndjekja dhe shurdhimi historiografik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1962 në Arkivën Qëndrore të Shtetit familja e tij dorëzoi penën me të cilën ai kishte nënshkruar aktin e pavarësisë në vitin 1912. Gjatë regjimit komunsit familja e nderuar e Qemal Bej Karaosmanit u persekutua dhe asnjë nuk shkruajti në histori apo në libra për patriotin e shquar, i cili me dijet e tij, shoqëroi nga Durrësi për në Vlorë Ismail Qemalin për ngritjen e flamurit të pavarësisë. Madje e gjithë pasuria e tij u mor nga shteti edhe banesën që kishte në lagjen “Spaikorre” në Elbasan.

  1. ^ a b c Kastriot Dervishi (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 146. ISBN 978-99943-56-22-5.