Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
ShkurtesaSNGJLKSH
DisiplinaGjuhësia, Albanologjia
Detajet e publikimit
PublikuesFakulteti i Filologjisë, Universiteti i Prishtinës
Historia1974-sot
Shpeshtësiai përvitshëm
Qasje e hapur
Po
Faqja zyrtareFaqja zyrtare
Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës
Harta e Kampusit të Universitetit të Prishtinës

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i njohur në fillim si Seminari i Kulturës Shqiptare për të Huaj, është një takim i përvitshëm dhe i rëndësishëm shkencor e profesional nga fusha e shkencave albanologjike, i cili që nga viti 1974 tradicionalisht organizohet në Prishtinë.[1] [2] [3] [4] Qëllimi primar i organizimit të tij fillimisht ishte ofrimi i ndihmës për studentët dhe studiuesit e huaj që interesohen për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare si dhe për shkencat albanologjike. Seminari ka një karakter shumë - dimensional dhe multi-disiplinar. Me kalimin e kohës, kjo ngjarje është shndërruar në një shkollë të llojit të vet nga fushat e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare si dhe të albanologjisë në përgjithësi. [5] [6] [7]

Historiku[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Seminari i Parë Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është organizuar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës (atëherë: Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës). Takimet e Seminarit në fillim organizoheshin nën titullin Seminari mbi Kulturën Shqiptare për të Huaj. Madje me këtë emër u organizuan gjithësej katër (4) takime duke përfshirë vitet 1974, 1975, 1976 dhe 1977. Prej Seminarit të vitit 1978 ky organizim quhet me emrin të cilin e mban edhe sot: Seminari Ndëkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ky Seminar u organizua dhe vazhdon të organizohet nga hulumtues e studiues të cilët merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.[8] [1]

Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari vepron sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. [4] [9]

Seminari zakonisht zhvillohet në dyjavëshin e dytë të muajit gusht. Gjatë kësaj periudhe zhvillohen kurse të gjuhës shqipe, mbahen ligjërata e referime për probleme të gjuhës, letërsisë, kulturës, artit, arkeologjisë, etnologjisë etj., si dhe organizohen tryeza diskutimesh. Materialet e seminareve botohen rregullisht në vëllime të veçanta. Seminari që në vitet e para të organizimit tërhoqi shumë studiues të rinjë të interesuar për albanologjinë, në radhë të parë nga vendet e Europës, por edhe nga kontinentet tjera, të cilët filluan këtu mësimin e gjuhës shqipe dhe hodhën hapat e parë në fushën e albanologjisë. Në mënyrë të veçantë Seminari tërheq studiuesit arbëreshë. Përveç studiuesve nga Kosova, në Seminar marrin pjesë edhe studiues nga Shqipëria, nga Maqedonia si dhe nga qendra albanologjike të njohura të botës, me ndihmesën e të cilëve Seminari është shndërruar në lloj shkolle dhe forumi shkencor albanologjik.[10][11] [12]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]