Jump to content

Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Zonja e Shkodrës)
Skeda:KISHA E ZONJËS SË SHKODRËS.jpg
Kisha e Zojës

Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë[1] e njohur si Kisha e Zojës, është një kishë-shenjtërore kushtuar kultit të Zonjës të komunitetit katolik në Shkodër, Shqipëri. Kisha ndodhet në rrëzë të kodrës së kalasë së Shkodrës, e cila nisi të ndërtohej në kohën e okupacionit austro-hungarez më 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore.[2] Kisha ka qenë shumë e përnderuar nga katolikët shqiptarë.[3] U rrënua si objekt kulti gjatë Revolucionit Kulturor, për t'u rindërtuar më vonë pas rënies së komunizmit.

Tek vendi ku është ndërtuar kisha, para 1917 ishin ca mure të vjetra, të cilat besimtarët katolikë i mbanin për rrënimet e një kishe kushtuar Zonjës së Këshillit të Mirë, ndërsa besimtarët myslimanë i mbanin për rrënojat e një teqe bektashiane. Farlati e pohon se në atë mjedis në shekullin XVIII ishte një teqe dervishësh. Pasi muret u bënë pretekst grindjesh, administrata osmane u detyrua t'i bllokonte muret për një periudhë të pacaktuar. Me kohën u akordua një komision nga të dy palët për ta shqyrtuar çështjen, komision prej të cilit njihen vetëm anëtarë: Jusuf efendi Golemi dhe Shani i Dedëjakupëve. Pas vendimit të komisionit, besimtarët katolikë u lejuan të shkonin për të bërë lutjet e tyre personale si dhe pelegrinazhi. E njëjta e drejtë iu dha edhe myslimanëve që e besonin për teqe.[4]

Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur qyteti ishte nën okupacionin austro-hungarez, kleri katolik me përkrahjen e administratës austriake, ia nisi ndërtimit të kishës më 1917. Protestat e disa individëve myslimanë që u bënë para Ministrisë së Luftës në Vjenë kundër këtij vendimi arbitrar për të ndërtuar kishën mbi rrënojat e mureve të kontestueshme, nuk u përfillën.[2] Komanda austro-hungareze urdhëroi ushtarët që ta rrethonin vendin e pretenduar se kishte ekzistuar kisha dhe mbështeti aspiratat e klerit. Megjithatë, komanda kritikoi arqipeshkvin se, duke shfrytëzuar forcat austro-hungareze, kishte tejkaluar konturet e rrënojave dhe do të shkaktonte urrejtje ndërfetare me këtë qasje.[5] Kisha nisi ndërtimin e saj kushtuar Zonjës së Këshillit të Mirë dhe përfundoi në vitin 1930.[2] Më 1922 u varros aty arqipeshkvi i Shkodrës Jak Serreqi, për meritën se kishte vënë gurin e parë të ndërtimit me datën 25 mars 1917.[6]

Më 1946, pas marrjes së pushtetit nga komunistët, mbi dy mijë vetë morën pjesë në shtegtimin për tek kisha. Jo shumë kohë më pas, u shndërrua në sallë vallëzimi, për t'u shembur krejtësisht më tej gjatë Revolucionit Kulturor.[3] Me rindërtimin e saj pas rënies së komunizmit, më 1993 Papa Gjon Pali II bekoi gurthemelin e shenjtërores së re.[7] Rindërtimi i shenjtërores pati bamirës arbëreshin e Zarës, ipeshkvin Simeone Duca.[8]

  1. ^ "Zona 1, Shkodër qytet: Famullitë dhe qendrat baritore". kishakatolikeshkoder.com. Arkivuar nga origjinali më 25 tetor 2020. Marrë më 20 dhjetor 2021.
  2. ^ a b c Bushati 1998, p. 49.
  3. ^ a b Elsie, Robert (3–16 tetor 2003). "Shenjtët e krishterë në Shqipëri" (PDF). Bota Shqiptare. 93: 12–13. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 22 mars 2016. Marrë më 22 qershor 2010.
  4. ^ Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 47–48. OCLC 41096394.
  5. ^ Bello, Hasan (2019). Shqipëria, Kisha katolike dhe Vatikani (nga fundi i shek. XIX - 1939). Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë. fq. 115–116. ISBN 9789928261984.
  6. ^ Bushati 1998, p. 51.
  7. ^ "Santuario della Madonna del Buon Consiglio". mariadinazareth.it (në italisht). qershor 2005. Marrë më 12 tetor 2019.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  8. ^ Kamsi, Vili (1997). Shêjtnorja e Zojës së Shkodrës: shënime hisorike. Shkodër: Volaj. Arkivuar nga origjinali më 16 tetor 2007. Marrë më 6 nëntor 2010.