Faruku i Egjiptit
Faruk I فاروق | |
---|---|
Mbreti i Egjiptit dhe Sudanit[1] | |
Mbretërimi | 28 prill 1936 – 26 korrik 1952 |
Kurorëzimi | 29 korrik 1937[2] |
Paraardhës | Fuad I |
Pasardhës | Fuad II |
Regjentë | |
regjent | |
Bashkëshorte | Farida (emri i lindjes Safinaz Zulfikar) (m. 1938; div. 1948) Nariman Sadik (m. 1951; div. 1954) |
Fëmijë | Princesha Ferial Princesha Fevzia Princesha Fadia Fuad II i Egjiptit |
Dinastia | Dinastia e Muhamed Aliut |
I ati | Fuad I i Egjiptit |
E ëma | Nazli Sabri |
U lind | 11 shkurt 1920 Pallati Abdin, Kajro, Sulltanati i Egjiptit |
Vdiq | 18 mars 1965 (45 vjet) Spitali San Camilo, Romë, Itali |
Varrimi | Xhamia el-Rifa'i, Kajro, Egjipt |
Faruku i Egjiptit ose Faruku I (1920 – 1965) ishte sundimtari i dhjetë nga Dinastia e Mehmet Aliut dhe mbret i parafundit i Egjiptit dhe Sudanit, duke pasuar babanë e tij, Fuadin I, në vitin 1936.
Titulli i plotë i tij ishte "Madhëria e Tij Faruk I, nga hiri i Perëndisë, mbreti i Egjiptit dhe Sudanit, Sunduesi i Nubias, Kordofanit dhe e Darfurit." Ai u rrëzua në grushtin e shtetit të vitit 1952 dhe u detyrua të abdikonte në favor të djalit të tij të mitur, Ahmed Fuad, i cili e pasoi atë si Fuad II. Faruku vdiq në mërgim në Itali në rrethana shumë të dyshimta, për të cilën vdekje, kurrë nuk u bënë hetime.
Motra e tij është Fevzia Shirin, si gruaja e parë dhe bashkëshorte e Shahut të Iranit, Muhammed Riza Pehlevi.[3]
Mbretërimi dhe pangopësia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Princi Faruk erdhi në fron në vitin 1936. Mbreti i ri në atë kohë ishte vetëm 16 vjeç dhe do të kontrollonte tërë punët e mbretërisë, megjithatë, derisa ai u bë 18 vjeç nuk i pati të gjitha kompetencat e Mbretit pasi një këshill prej disa vetësh bënte punën e tij.
Si stërnip i të Madhit Mehmet Ali Pasha, Faruku ishte shqiptar nga babai dhe egjiptian nëpërmjet nënës së tij mbretëreshë e cila, në fakt kishte gjak të përzier egjiptian-francez-shqiptar. Para vdekjes së babait të tij, ai ishte arsimuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore, Uluiç, Angli.
Pas kurorëzimit të tij, në moshën 16 vjeçare, Faruku mbajti një fjalim në radion publike të vendit. Ishte hera e parë që në Egjipt, Mbreti i fliste drejtpërsëdrejti popullit të vet në mënyrë të tillë: "Me që është vullneti i Zotit të vë mbi supet e mia një barrë të tillë, në një moshë kaq të njomë, unë marr përsipër ta kryej atë me nder e përkushtim...dhe jam i përgatitur për të gjitha sakrificat në rrugën e detyrës time... Jam krenar për besnikërinë tuaj, ashtu siç betohem të jem edhe unë ndaj jush e Perëndisë.
Le të punojmë së bashku. Ne do të kemi suksese dhe do të jemi të lumtur. Lavdi atdheut !"
Në moshën 18 vjeçare ai tashmë ishte një i ri bukurosh që ishte i kënaqur me gjithçka dhe dukej në publik tepër ekstravagant, impulsiv, egoist, mëndjemadh. Pasuria e tij ishte jashtëzakonisht e madhe. Këshilli i dha tërë kompetencat dhe ai tashmë dukej akoma me ekstravagant.
Gjëja e parë që bëri ishte urdhri që të kishte në dispozicion disa qindra makina luksoze të tipit Rolls-Rojses të shpërndara nëpër Evropë ku ai filloi të frekuentonte klubet shumë të shtrenjta evropiane dhe dyqanet me të kripura të botës. Gjëja e dytë që bëri ishte blerja e disa dhjetëra jahteve luksoze për shëtitje në det dhe gjeja e tretë ishte blerja pa masë e xhevahireve dhe gurëve të tjerë të çmuar nga Van Cleef & Arples.
Më vonë i lindi pasioni për tokën dhe bleu disa mijëra hektarë ku ndërtoi mbi 40 pallate madhështore të cilat i mbushi me gjëra antike shumë të shtrenjta, po ashtu bleu shumë vepra arti nga më të shtrenjtat. Lakmia e tij ishte e papërmbajtur dhe pangopësia e pafundme. Sa më shumë që rritej aq më shumë i shtohej lakmia për të blerë gjithçka.
Ai arriti deri atje sa kur shkonte vizita nëpër vende të tjera të botës dhe shikonte që dikush kishte diçka të veçantë, hynte menjëherë në pazar për ta blerë, kështu ai bleu kundrejt vlerave të jashtëzakonshme në ar, disa relike si psh, shpatën e Shahut të Iranit kur ishte në Iran, orën e xhepit të Uinston Çërçillit kur ishte në Londër, etj.
Njerëzit e thjeshtë shpesh bëheshin viktima të egoizmit dhe lakmisë se tij. Gra dhe vajza të shumta të Egjiptit u bënë pre e epshit të tij seksual.
Populli filloi ta quajë "Hajduti i Kajros". Kjo gjë ishte një nga arsyet që në vitin 1952 ai do te vihej në shënjestrën e një puçi ushtarak i udhëhequr nga ushtarakët e grupit të "Oficerëve të Lirë", Gamal Abdel Nasser dhe Muhammed Nagib.
Kulmi i hajdutërisë së tij do ta arrinte ne vitin 1944 kur vdiq i ati i Shahut të Iranit, Reza Shah Pahlavi, në Johannesburg.
Trupi i tij fluturoi drejt Egjiptit në rrugën e tij për në Iran. Gjatë qëndrimit të trupit të të ndjerit në Egjipt ku ju bënë dhe nderime, Faruku urdhëroi që ta lenë vetëm me kufomën për pak momente. Kur trupi i shahut të vdekur mbërriti në Iran, u zbulua se shpata e florinjtë e tij mungonte.
Që nga Johannesburg, për asnjë çast trupi i të ndjerit nuk ishte lënë vetëm përveç rastit të Mbretit Faruk, kështu që dyshimi ra mbi të. Kjo gjë çuditi tërë mbretërinë e Iranit, por jo mbretërinë e tij, e cila qe mësuar me hajduterinë e paskrupullt të Mbretit Egjiptian. Faruku ishte një i dashuruar dhe joshës i papërmbajtur i jetesës mbretërore.
Edhe pse ai tashmë kishte mijëra hektarë tokë, dhjetëra pallate, dhe qindra e makina, mbreti i ri shpesh do të udhëtonte për në Evropë për një pazar të ri duke shtuar zemërimin e shumë ndjekësve të tij. Ai në fillim të mbretërimit ishte shumë popullor dhe bujar. Për shembull, ai ndalonte dendur diku nëpër fshatra dhe festonte bashkë me fshatarët.
Ai kur takohej me njerëz të thjeshtë nuk linte gjë pa u premtuar, bile zotohej se do ta zbriste për ata edhe Diellin në tokë! I qeshur, i bukur, fjalë ëmbël, tërë populli i Egjiptit u gënjye dhe e ndoqi me besnikëri nga pas.
Faruku fillimisht ishte vërtet inkurajues për popullsinë, kështu ai bëri disa gjëra që populli i donte. Përsa i përket politikës pushtetore, Mbreti Faruk do të sundonte Egjiptin në mënyrën e trashëguar nga paraardhësit e tij duke aplikuar një metodë moderne të pushtetit.
Ndërtimet e stilit evropian që edhe sot e kësaj dite janë në Kajro, janë bërë në kohën e mbretërisë së Mbretit Faruk. Madje, Egjipti konsiderohej si një shtet modern, i civilizuar, properëndimor e proamerikan falë Mbretit Faruk. Me ardhjen në pushtet të "Oficerëve të Lirë" të udhëhequr nga kryetari Abdul Al Naseri, Egjipti u kthye në një shtet të tipit diktatorial dhe vazhdon të jetë akoma i tillë.
Ai mburrej shpesh për gjakun e tij egjiptian nga nëna dhe nuk bënte asnjë fjalë për gjakun shqiptar nga babai. Populli në fakt nuk e dinte se ai kishte gjak të huaj (shqiptar) por miqtë e tij dhe sferat e larta intelektuale e dinin, dhe sigurisht që ndjenin njëfarë xhelozie që një shqiptar të ishte mbret i tyre. Kështu që dolën armiqtë e parë disa prej të cilëve ai i shtypi me egërsi.
Gjatë vështirësive të Luftës së Dytë Botërore, Faruku mbeti asnjanës, ai e kishte mirë me anglezët që i kishte brenda në Egjipt qysh nga koha e gjyshit të tij i cili i kishte thirrur për ndihmë në Aleksandri dhe ata kishin ngelur atje.
Po ashtu ai mbajti lidhje të njëllojta si me Italinë Fashiste e Gjermaninë Naziste ashtu dhe me Boshtin Anti Nazo-Fashist. Ka një histori të pakonfirmuar që Faruku dhe ambasadori britanik Sir Miles Lampson kishin bërë një marrëveshje ku Faruku të shpëtonte italianët tek anglezët (gruaja e Lampsonit ishte një italiane) dhe anglezët t'i shpëtonte tek italianet ! Faruku kësaj marrëveshjeje ia doli mbanë.
Po ashtu mendohet se në datën 8 gusht 1951, Mbreti Faruk ka qënë bashkë me Mbretin Zog dhe nipin i tij Tati kur u pritën në Departamentin e Shtetit për një vizitë ceremoniale nga Xhejmes Bombrajt, zëvendes sekretar për çështjet Evropiane.
Ata diskutuanë gjatë me Grac Jaceviçin dhe oficerët e tjerë të lartë të CIA-së lidhur me arsyet e dështimeve të njëpasnjëshme të misioneve që kishin desantuar në Shqipëri. Nga ky moment, ndoshta, Enver Hoxha është betuar se do t'i vrasë të dy mbretërit bastardë e antishqiptarë.
Përmbysja e Mbretit të Qejfit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas Luftës së Dytë Botërore Mbreti Faruk u dha i tëri pas qejfit dhe nga një djalë i bukur dhe i hequr që kishte qenë erdhi dhe u bë rrumbullak duke shtuar në peshë nga grykësia e tij shumë e madhe. Faruku kishte sy blu, fytyrë të bardhë dhe flokë të zes. Ishte i gjatë dhe i bukur.
Ai fitoi një peshë të madhe që arriti mbi në 136 kg. Punëve mbretërore pothuajse ua vari fare dhe nuk kishte më asnjë interes të dëgjonte se çfarë bëhej në mbretërinë e tij. Korrupsioni filloi të vrapojë me galop. Ishte koha kur Palestina humbi 78 % të tokave të saj nga krijimi i shtetit të ri të hebrenjve.
Arabët po egërsoheshin. Pakënaqësia publike kundër Farukut u rrit jashtëzakonisht. Së fundi do të vinte revolta dhe si pasojë më 23 korrik 1952 ajo do të triumfonte. Lëvizja revolucionare nën Muhammed Nagib dhe Gamal Abdel Nasser, kishte bërë një grusht ushtarak.
Faruk u detyrua të heqë dorë nga pushteti dhe shkoi në mërgim, në Monako të Italisë, ku jetoi pjesën tjetër të jetës së tij. Menjëherë pas përmbysjes së tij, Faruku shpalli Ahmed Fuad, djalin e tij foshnjë gjashtë muajsh, si Mbret Fuati i II, por kundër të gjitha qëllimeve të tij, Egjipti ishte tani nën qeverisjen e Naguib-it dhe Naser-it.
Më 18 qershor, 1953, Qeveria Revolucionare shfuqizoi zyrtarisht Monarkinë duke i dhënë fund 148 vjetëve të sundimit të Dinastisë së shqiptarit Mehmet Ali Pasha. Egjipti u shpall republikë e cila nxori në ankand tërë pasurinë e Farukut.
Ai mundi të marrë me vete vetëm 1933 monedha floriri pesëshe që kishin në një anë të faqes shqiponjën dy kokëshe. Këto monedha ishin gjëja më e shtrenjtë dhe më e famshme e tij. Pjesa tjetër e floririt mbretëror u zhduk.
Mërgimi dhe vdekja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Jahti Mbretëror "Mahroussa", me Farukun dhe familjen e tij brënda, la portin e Aleksandrisë në vjeshtën e 1952-shit duke u zhdukur kështu njëherë e përgjithmonë një prej dinastive mbretërore më të famshme në Lindjen e Mesme, e njohur botërisht për origjinën e saj shqiptare.
Dinastia e shqiptarit të Kavallës, me origjinë nga Zëmblaku i Korçës, Mehmet Aliut, ushtarit trim turk që me shpatë në dorë, kishte thirrur ndjekësit e tij që ta ndiqnin drejt majës së pushtetit në Misirin e largët.
Pushtet të cilin, vetëm tashti, pas 148 vjetësh, ia hoqën nga dora Dinastisë së tij dhe pinjollëve të saj shqiptarë. Jahti "Mahroussa" mbante në bord Mbretin e fundit të Egjiptit, rrethuar si stërgjyshi i tij, vetëm me roje besnike shqiptare.
Jahti rrëshqiste drejt të panjohurës njëlloj si atëherë kur Mehmet Aliu me 300 shqiptarë, në kuvertën e një anije luftarake turke, rrëshqiste drjet të panjohurës në Egjiptin Mamluk dhe bonopartian.
Fillimisht, Faruku mbërriti në Monako, dhe më pas në Romë, Itali. Në 1959, ai mori shtetësinë italiane.
Ai vdiq në "Ile de France", restorant në Romë, Itali, më 18 mars 1965. Sipas dëshmive ai u rrëzua në tavolinë kur ishte duke darkuar. Ndërsa disa thonë se ai ishte helmuar. Kurrë nuk u krye një autopsi zyrtare mbi trupin e tij.
Njerëzit e Farukut kanë kërkuar që ai të varrosej në xhaminë el-Rifa'i në Kairo, por kërkesa e tyre ishte mohuar nga ana e qeverisë nën egjiptianin Gamal Abdel Nasser, dhe ai u varros në Itali. Më vonë trupi i tij u përcoll për në Egjipt dhe u varros në varrin e Ibrahim Pashës, Komandanit Legjendar që ishte djalë, nip dhe kushëri i Mehmet Pashës.
Martesat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mbreti Faruk, ishte martuar zyrtarisht dy herë. Gruaja e tij e parë ishte Safinaz Zulfikar (1921-1988). Ajo ishte e bija Jusef Zulfikar Pasha. Ata u martuan në 1938 dhe divorcuan në vitin 1948, duke pasur nga kjo martesë tre vajza.
Gruaja e dytë ishte një grua e thjeshtë, Nariman Sadik (1934-2005). Ata u martuan në 1951 dhe u divorcuan në 1954, duke pasur vetëm një fëmijë, Mbretin e ardhshëm, Fuad II. Duhet thënë se në mërgim në Itali, Faruk thonë se u martua (ose bashkëjetonte) me një grua të dyshimtë që quhej Irma Capece Minutolo, një këngëtare operistike. Në vitin 2005, në një intervistë të saj në RAI UNO, ajo pohoi se ishte martuar me ish-Mbretin Faruk në vitin 1957.[4]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Whiteman, Marjorie Millace; Hackworth, Green Haywood (1963). Digest of International Law (snippet view) (në anglisht). Vëll. 2. Departamenti i Shtetit Amerikan. fq. 64. OCLC 79506166. Marrë më 26 shkurt 2010.
The Egyptian Parliament amended the Constitution by Law 176 of 16 October 1951, to provide that the title of the King should be "King of Egypt and the Sudan" instead of "King of Egypt, Sovereign of Nubia, Sudan, Kordofan and Darfur".
- ^ Rizk, Yunan Labib (28 korrik – 3 gusht 2005). "Crowning moment". Al-Ahram Weekly (në anglisht) (753). Arkivuar nga origjinali më 14 shtator 2008. Marrë më 25 shkurt 2010.
- ^ "Princess Fawzia Fuad of Egypt". The Telegraph (në anglisht). 5 korrik 2013. Arkivuar nga origjinali më 12 janar 2022. Marrë më 16 korrik 2013.
- ^ "Thrice-married man?". Al-Ahram Weekly (në anglisht). 23 mars 2005. Arkivuar nga origjinali më 16 dhjetor 2008.