Jump to content

Raif Halimi

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Përdoruesi:Afërdita Halimi)

Raif Halimi – Cernica (15 shkurt 1926 në CernicëGjilanit; 01 maj 1999 në Ferizaj). Ishte atdhetar i denjë, bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, si dhe njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Nacionale Demokratike Shqiptare. Për veprimtarinë e tij patriotike dënohet (1945) nga pushteti serbo-komunist me pushkatim, dënim ky që iu shndërrua në 20 vjet burg të rëndë. Pothuaj 18 vite burg (1945-1962) i mbajti në Mitrovicën e Sremit, ku mbi 8 vite i kaloi në izolim. Aty hartoi fjalorin e parë shqip-serbokroatisht, të cilin e donte pushteti por pa emrin e autorit të vërtetë. Si kundërshtar i përbetuar i pushtimit të Kosovës ishte përherë i ndjekur, i persekutuar dhe dënuar nga pushteti i ish-Jugoslavisë. Ishte anëtarë i Kryesisë së Partisë Nacional Demokratike Shqiptare.[1]

Raif Halimi u lind në CernicëGjilanit, në një familje me traditë patriotike. Ishte nip i Mulla Halimit, bashkëluftëtarit të Idriz Seferit dhe bir i Ramiz Cernicës, i cili me Jo-në e tij në Mbledhjen e Dytë të Prizrenit, korrik 1945, tregoi vendosmërinë e tij dhe të popullit që e përfaqësonte, se populli shqiptar nuk do të jetojë me njerkën Serbi, por do të bashkohet me nënën Shqipëri.

Si 7 vjeçar u regjistrua në shkollën fillore në [2]. Mësimet e para ishin në gjuhën serbe si arnaut me mbiemër të sllavizuar Raif Alimoviç. Gjuha shqipe s’guxonte të përmendej për mësim në shkollat e asaj kohe. Kjo vlente edhe për termin shqiptar. Pastaj e regjistroi shkollën qytetare, ku ishin 11 shqiptarë. Pas vitit të parë kaloi në gjimnaz të Gjilanit, ku ishte i vetmi shqiptar. Më 1941 u hap në Gjilan një kurs për të mësuar alfabetin e gjuhës shqipe. Mësimdhënës ishte Haki Taha. Si 13 vjeçar e dërgon i ati në Gjermani (Hanover) për t’u shkolluar. Gjuhën gjermane e kishte mësuar pak në gjimnaz. Kjo i ndihmoi në fillim të komunikojë. Në Gjermani ia afruan mundësinë të shkollohej, por kusht ia vunë të regjistrohej në organizatën e rinisë hitleriane. Raif Halimi nuk pranoi një gjë të tillë dhe pas një viti kërkoi të kthehej në Kosovë.

Si 14 vjeçar u nis me tren për Kosovë me emër të rremë. Nuk quhej Raif Halimi, por Rajko Mirosavleviç. Si shqiptar ishte e pamundur të udhëtonte nëpër Serbi. Të gjitha dokumentet i kishte të falsifikuara. Treni ishte i përmbushur plot me serbë, të cilët gjithë kohën e shfryenin mllefin e tyre ndaj shqiptarëve, duke e mos ditur që në mesin e tyre është një shqiptar. Kur hipë në tren prej KralevësRashkë i këputet lidhësja e këpucës. Rastësisht i shpëton goja dhe flet në shqip. Aty zbulohet se është shqiptar. Kur mbërrijnë në Rashkë, dikush nga udhëtarët e lajmëron te çetnikët. Ata e marrin dhe e çojnë në burg. E mbajnë 4 ditë duke i bërë kërcënime të ndryshme; me nxjerrjen e syve, me prerje qafe...etj. Pas 4 ditësh e lirojnë atë dhe ai niset për Kosovë.

Pasi kthehet nga Gjermania, regjistrohet në shkollën e mesme “Sami Frashäri” në Prishtinë, e cila ishte lice dhe shkollë normale. Njëri ndër mësuesit ishte Ymer Berisha.

Veprimtaria atdhetare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si i ri u angazhua në Rininë komuniste Shqiptare (1942).[3] Me tërheqjen e Italianëve dhe Gjermanëve nga Kosova (1944), mbetet popullata shqiptare e pambrojtur, e paarmatosur e duarthatë. Më 16 nëntor 1944 hynë në Gjilan forcat bullgare duke premtuar se nuk do të bëjnë gjë, por vetëm duan të kalojnë. Prapa shpinës vijnë Brigada III kosovare, Brigada e 25 dhe Divizioni 46 serb. Qëllimi i këtyre forcave ishte asgjësimi i popullatës shqiptare. Menjëherë filluan burgosjet, rrahjet, varjet, pushkatimet pavarësisht prej moshës dhe gjinisë. Me këtë rast e mbulon zija e përgjithshme kombin shqiptar. Në lagjet e Gjilanit s’ka pasur njeriu nga të kalojë prej kufomave të shqiptarëve të masakruar.

Në nëntor të vitit 1944 filloi pushteti okupues serb të bëjë mobilizimin e shqiptarëve, me qëllime të shumanshme; që t’i shpërndajë ata në të gjitha anët e ish-Jugosllavisë, që të nxisë luftën vllavrasëse partizanë e ballistë, si dhe të humbin jetën e tyre gjatë përleshjeve me çetnikë. Në këtë mënyrë do të realizohej ëndërra e pastrimit etnik.

Raif Halimi u paraqit në mënyrë vullnetare në UNÇ, me qëllim që të armatoset. Brenda një kohe të shkurtër janë regjistruar 4-5 mijë vullnetarë, nga të cilët plotësohet Brigada e Shtatë dhe disa brigada të tjera. Nga këta vullnetarë formohet edhe Batalioni i Rinisë së Gjilanit prej 450 personash. Ky batalion niset për Prishtinë, ku vendoset në kazermat e Prishtinës. Aty bëhet zgjedhja e kuadrit komandues.

Isuf Ibrahimi-Kiki, i njohur si Isuf Gjilani u zgjodh komandant i Batalionit të Rinisë, e më vonë edhe i Batalionit të Katërt në Brigadën e Parë Sulmuese të Kosovës, kurse Raif Halimi Komisar i Batalionit të Rinisë, e më vonë edhe i Batalionit të Katërt në Brigadën e Parë Sulmuese të Kosovës. Pas tri-katër ditësh, batalioni vazhdoi rrugën për Drenas (Gllogovc) për t’iu bashkangjitur Brigadës së Parë Sulmuese të Kosovës. Më pas e vazhdon rrugën për në Istog, ku qëndron një kohë më të gjatë. Në ndërkohë fillon Lufta e Drenicës. Sipas direktivave të Milladin Popoviqit batalioni duhet të kthehet nga Burimi (Istogu) në Drenicë, për të luftuar kundër forcave shqiptare të udhëhequra nga Shaban Polluzha, i cili veç kishte dezertuar në Besiana (Podujevë) dhe ishte nisur për në Drenicë. Batalioni niset për në Drenicë duke menduar se do të luftonin fashizmin. Kur e kuptojnë se prapaskena e kësaj lufte është një kurthë vëllavrasëse, udhëheqësi i batalionit Isuf Ibrahimi dhe komisari Raif Halimi ndërruan kahjen. Ata e dorëzuan një skuadër, të cilën e qitën në anën e kundërt për të lajmëruar se të gjithë janë shqiptarë dhe të mos vriten vëllau me vëlla. Kështu që të dy palët bënë një rezistencë formale, gjuanin në ajër pa vrasje.[4]

Vuk Popoviqi kërkon llogari nga Raif Halimi se si është e mundur që sapo filloi lufta të dorëzohet një skuadër. Raif Halimi arsyetohet se iu mungonte armatimi. Në këtë mënyrë arrin ai ta furnizoj batalionin me armatim dhe u shpërndanë në tri fshatra të Drenicës; në Klinë të Epërme - Kompania e Parë, në Prekaz - Kompania e Dytë (aty ishte Shtabi i Batalionit) dhe në Klinë të Ndërmjeme - Kompania e Tretë. Më 31 janar 1945 Raif Halimi bisedon me bashkëluftëtarët më të ngushtë të batalionit, të cilët ishin edhe bashkëvendasit e tij Shaban Dervishin, Mulla Abdyl Bllacën e Nezir Hoxhën për të bërë likuidimi i Shtabit të Batalionit të Katërt të Brigadës së Parë të Kosovës në Prekaz të Drenicës, në shtëpinë e Ali Kodrës. Isuf Ibrahimi informohet më vonë për këtë. Ali Kodra e dha pëlqimin që likuidimi i shtabit të bëhej në shtëpinë e tij, me qëllim vetëm e vetëm që të ndalojë dhuna e paparë në ato anë. Sipas direktivave të Raif Halimit dhe Isuf Ibrahimit u veprua. Nga ana e vendasve Drenicakë morën pjesë në likuidimin e shtabit partizan-çetnik: Sefer Vesel Shabani, Hashim Lushtakun, Bislim Tahiri dhe Rashit Istogu. Nga ana e luftëtarëve të Batalionit të Rinisë morën pjesë: Mulla Avdyli Hyseni, Xhafer Lladova, Tahir Devaja, Hajrush Ramjani nën komandën e Shaban Dervishit.

Plani u diskutua mirë e mirë. Sefer Vesel Shabani nga Mikushnica e Drenicës dhe Shaban Dervishi nga Cernica e Gjilanit i treguan Isuf Ibrahimit për ujdinë e arritur. Sefer Shabani mori përsipër që të angazhonte disa të rinj trima. Seferi vuri kontakt me Hashim Lushtakun që iu përgjigj kërkesës së Seferit, të cilin e kishte njeri shumë të besueshëm. Hashim Lushtaku e angazhoi Bislim Tahirin dhe Rashit Istogun. Ky i fundit ishte për vizitë te Bislim Tahiri dhe, kur i kuptoi qëllimet e aksionit kundër shtabit partizan-çetnik më vetëdëshirë iu bashkua grupit. Bashkë më ta u angazhuan edhe luftëtarët e Batalionit të Rinisë së Gjilanit Mulla Avdyli Hyseni, Xhafer Lladova, Tahir Devaja, Hajrush Ramjani nën komandën e Shaban Dervishit.

Në fund të gjithë anëtarët e batalionin i bashkohen aradhës së heroit legjendar Shaban Polluzhës. Pas shpartallimit të forcave të Shaban Polluzhës, Raif Halimi së bashku me kushëririn e tij Nezir Hoxhën largohen nga Drenica. Ata bunkerizohen në GadishGjilanit. Me ushqim furnizohen për çdo natë nga familja Ajvazi (Saqipi e Mustafa). Pas një muaji rrethohen nga Brigada e Tetë Maqedonase dhe zihen rob.

Prej aty i çojnë në Radivojc e më pastaj në burgun e Vitisë. I fusin të dy në një dhomë. Në dhomën tjetër e kishin ndezur një stufë, kurse çymkat i kishin qitur aty ku ishin ata dy. Fillon të mbushet dhoma me tym. Kështu donin t’i helminin. Ata afrohen te dera dhe për vrime të derës marrin frymë me ndërrime gjer në mëngjes. Fytyrat e tyre u bënë futë të zeza, pot mbetën gjallë. Këta të dy i ndajnë duke i quar në drejtime të ndryshme. Nezir Hoxhën e quan në Gjilan, pastaj në Ferizaj, Prishtinë, e në fund në Mitrovicë për ta likuiduar. Aty përpiqen t’i helmojnë të burgosurit përmes të ushqimit.

Raif Halimin e dërguan për Prishtinë, ku më 23 prill 1945 dënohet me pushkatim. Për shkak të moshës jomadhore pati një amnesti dhe ky dënim i shndërrohet në 20 vjet burg të rëndë. Burgun e fillon në Kullën e SheremetitPejë. Në këtë kohë ishte i sëmurë nga tifoja e morrit. Shokët e tij i pushkatojnë: Xhafer Lladovën nga Lladova, Isuf Ibrahimin nga Gjilani, Abdyl Hysenin e Shaban Cernicën nga Cernica.

Serbët nuk mund të pajtoheshin me faktin se një shqiptari mund t’i falet jeta. 6 partizanë shkojnë një ditë në Kullë të Sheremetit për ta kindapuar Raif Halimi dhe për ta luquiduar. Mustafë Elshani, truproje shqiptar ia shpëtoi jetën.

Prej burgut të Pejës e qojnë në Prishtinë, pastaj në Kurshumli, në Prokuple, Nish, Pozharevc dhe në fund në Mitrovicë të Sremit, ku i mbajti pothuaj 18 vjet burg. E kishte numrin 10. Lirohet nga burgu më 30 mars 1962.[5]

Aktivitetet në burgun e Mitrovicës së Sremit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Jeta në kazamatet serbo - jugosllave për të burgosurit politik shqiptarë në dhjetevjeteshin e parë ishte shumë e vështirë. Presioni ishte i dyfishtë. Nga çetnikët (brenda në burg) dhe nga pushtetmbajtësit (jashtë). Ishin gjithnjë të uritur. Nga mundimet fizike e torturat, shumë veprimtarë dhe luftëtarë të shquar shqiptarë vdiqën në burg, si Kolë Mark Gjini i Prizrenit, kolonel Qazim Komoni i Gjakovës, Nijazi Çarkaxhiu nga Ferizaj, Muderrizi Haki Efendiu nga Gjilani, Hilmi Zariqi nga Drenica e shumë të tjerë.

Në këtë burg ishin edhe Ramadan Rexha, Ismet Boletini, Rustem Statovci, Rexhep Abdullahu, Ramadan Bogujevci, Shemsi Perani, Jashar Bajraktari, Xhemil Fluku, Shaqir Curri, Ramadan Agushi etj.

Më 20 mars 1946 Raif Halimi, Ramadan Rexha dhe Ismet Boletini formuan “grupin kospirativ” dhe nisën veprimtarinë në Organizatën Nacionale – Demokratike Shqiptare, për të mbajtur në nivelin e duhur moralin dhe dinjitetin njerëzor të të burgosurve, për të penguar demoralizimin e tyre, për të moslejuar thyerjen e tyre fizike e morale, si dhe për t’iu dhënë ndihmë materiale, sepse ushqimi nuk ishte i mjaftueshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore ishte shumë e rëndë.

Kjo organizatë “treshe” gjeti më pastaj përkrahje te të burgosurit e tjerë politik dhe në qershor të vitit 1947 u shndërrua në Komitet prej nëntë anëtarësh, ku ishin: Rrustem Statovci, Destan lsmajli, Ramadan Rexha, Raif Halimi, Fahri Hasani, Ismet Boletini, Hilmi Ejupi, Ramadan Agushi dhe Xhemil Fluku. Komiteti mori këtë vendim:

  • Organizata për mbrojtjen e njëri-tjetrit, e formuar me 20 mars 1946, shndërrohet në komitet.
  • Komiteti do të ketë më shumë anëtarë.
  • Anëtarët e Komitetit do të kenë resorët dhe detyrat e caktuara.
  • Çdo anëtar i komitetit do të ketë bërthamën e vet prej 3 -4 anëtarësh.
  • Anëtarët e komitetit me betim do të marrin si obligim detyrat paraprake të bërthamës nga organizata e mëparshme.

Në përbërje të komitetit për funksionimin e tij janë zgjedhur këta persona:

  1. Rrustem Statofci, kryetar
  2. Destan Ismajli, nënkryetar
  3. Ramadan Rexha, sekretar i përgjithshëm
  4. Raif Halimi, sekretar organizativ
  5. Fahri Hasani, përgjegjës për marrëdhënie me pjesëtarët e kombësive të tjera
  6. Ismet Boletini, përgjegjës për informim
  7. Hilmi Ejupi, përgjegjës për arsim
  8. Ramadan Agushi, përgjegjës për propagandë
  9. Xhemil Fluku, përgjegjës për shëndetësi dhe çështje sociale

Pos organizimeve të tjera, komiteti organizonte për të burgosurit çdo vit festën e 28 Nëntorit. Po në këtë burg erdhi më vonë edhe Ramiz Cernica, babai i Raif Halimit. Babë e bir ndenjën tri vjet në të njejtin burg, në të njejtën dhomë pa e marrë vesh pushteti. Pas tri vitesh e lajmëron dikush drejtorinë e burgut se janë babë e bir, dhe menjëherë i ndajnë. Fehmi Hoxha, vëllai i madh i Raifit dhe djali i dytë i Ramizit luan një rol të veçantë për qëndrimin e tyre në burg, si dhe në jetën dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të anëtarëve të tjerë të familjes. Atij i ra e gjithë barra e përgjegjësisë së familjes mbi supe. U kujdes së bashku me nënën e tij Hatixhen dhe bashkëshorten e tij Hyrishanë për veshmbathje, ushqim e arsimim jo vetëm për fëmijët e tij, por edhe për vëllezërit e tij. Babain e tij Ramiz Cernicën dhe vëllain e tij Raif Halimi e furnizonte me gazetat e ditës dhe paketa ushqimore, të cilët pastaj i ndanin me të burgosurit e pranishëm. Pushtetmbajtësit mundoheshin ta bindnin Fehmi Hoxhën herë me intriga e herë me kërcënime për të mos u kujdesur për anëtarët e familjes jashtë burgut, por edhe brenda burgut. Fehmi Hoxha edhe pse ishte i ri, nuk ju nënshtrua intrigave të pushtetit, e as nuk ia pati frikën kërcënimeve të atij pushteti gjakpirës. Ai e vazhdoi punën e tij më tutje me shumë sakrifica, vuajtje e mundime, por krenar. Gjatë pastrimit etnik në Kosovë, kur Kosova shpërngulej, masakrohej, dhunohej, digjej e piqej, më 1999 u dogj edhe Fehmi Hoxha së bashku me bashkëshorten e tij Hyrisha Hoxhën në shtëpinë e tij.[6]

Veprimtaria letrare-leksikografike: Hartues i fjalorit të parë shqip-serbokroatisht

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë qëndrimit në burg, Raif Halimi shkroi fshehurazi një histori të popullit shqiptar. Ai shkrim u zbulua nga pushtetarët e kohës ndaj u dënua edhe njëherë me mbi 8 vite izolim. Për t’i mbijetuar gjithë ato persekutime, gjeti forcë për të shkruar fjalorin e parë shqip-serbokroatisht, në të cilin punoi mbi 10 vite dhe e la në dorëshkrim.

Lekë Lukaj ishte i pari, i cili u përpoq më 1935 të përpiloj një fjalor shqip-serbokroatisht. Ai arriti të punojë në fjalor prej shkronjës A gjer në shkronjën GJ. Fjalori kishte vetëm 14 mijë fjalë.

Raif Halimi, fjalorin e ka përpunuar tri herë prej shkronjës A gjer në shkronjën ZH. Pra ky ishte fjalori i parë i plotë shqip-serbokroatisht. Thuhet se fjalori i ka përafërsisht 75 mijë fjalë. Një verifikim të tillë mund ta bëjnë në të ardhmen leksikografët dhe gjuhëtarët në përgjithësi.

Ai i shkruante fjalët në skajet e gazetave dhe i fuste në thes. Kur dilte në shëtitje të burgut, gardianët ia shkyenin dhe zhduknin këto shënime. Dikur filloi ta mirrte thesin me vete në shëtitjet e tij të burgut. Në këtë mënyrë i ruante shënimet e tij, të cilat filloi t’i shkruaj nëpër fletore.

Më 1962 u lirua nga burgu. Ai ia ktheu burgut shpinën me një fjalor voluminoz. Shtypi i atëhershëm bënte reklamë, se burgjet e ish-Jugosllavisë janë aq të mira saqë ia mundësojnë të burgosurve edhe përpilimin e fjalorëve.

Pushteti i atëhershëm donte me këmbëngulje ta botojë këtë fjalor, por pa emrin e tij. Ky fjalor e pa përherë të parë dritën me sy me emrin e autorit të vërtetë, 18 vite pas vdekjes së autorit. Për shkak të volumit, botimi është ndarë në dy pjesë. Fjalori është me kopertina të trasha dhe ka 1872 faqe. Pjesa e parë ka 940 faqe, pjesa e dytë ka 932 faqe. Fjalori i Raif Halimit, u botua në dhjetor 2016, në Itzehoe të Gjermanisë, shtëpia botuese “Emigrantibuch”.

Fjalori është shkruar në gegërishte, ashtu siç janë shkruar edhe dokumentet më të vjetra të shqipes.

Aktivitetet e pasburgut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas lirimit nga burgu, Raif Halimit iu mohuan për 10 vite të drejtat qytetare. Ai s’kishte të drejtë të punojë gjer në vitin 1971. Brenda kësaj kohe ka bërë përkthime të literaturës universitare, por s’kishte të drejtë të përmendej emri i tij. Ai s’kishte të drejtë t’i lëshojë kufijtë e ish-Jugosllavisë. S’kishte të drejtë pasaporte as ai e as anëtarët e familjes së tij të ngushtë. Raif Halimi për herë të parë merr pasaportë në vitin 1992, pasi që ndryshojnë edhe rrethanat politike në Kosovë. Fëmijët e tij s’kishin të drejtë burse, të drejtë ushqimi në menzë dhe të drejtë banimi në konvikt. Ndjekjet dhe persekutimet e përcollën në vitet e pasburgut jo vetëm atë, por gjithë familjen e tij.

Pas demostratave të vitit 1981 u burgos edhe njëherë, pa pasur prova, më 13 nëntor 1981, duke e akuzuar për vepër penale rreth ngjarjeve të njohura të vitit 1981. Në mungesë të fakteve lirohet nga burgu më 24 shkurt 1982.

Më 16 nëntor 1996 kryesia qëndrore e PNDSH në Prishtinë dhe kryesia e degës se PNDSH në Ferizaj organizuan në fshatin Bibaj të Ferizajt një manifestim për 70 vjetorin e Raif Halimit. U mbajtën fjalime të ndryshme nga personalitete të ndryshme. Njëri ndër ta ishte edhe Hajriz Demaku nga Drenica: “E vërtetë është që Raif Halimi ka lindur në Cernicë të Gjilanit dhe Gjilani thonë se Raif Halimi është i yni. E vërtetë është se Raif Halimi jeton në Ferizaj dhe Ferizaji thotë se Raifi është i yni. E vërtetë është se Raifi ka luftuar në Drenicë dhe Drenica thotë se Raifi është i yni. Raifi është i krejt Kosovës, por më së tepërmi i takon Drenicës. Ooo Raif, po të thërret Drenica! Po të presin pleq e të rinj! E vërteta është që je i sëmurë, por nëse ka nevojë me lese do të të mbajmë, veç eja në Drenicë!”

Në verë të vitit 1997, si 71 vjeçar shkoi Raif Halimi në Drenicë, ku u takua me drenicakë dhe bëri incizimin e vendeve ku ka luftuar me shokë. U diskutua edhe për likuidimin e shtabit më 1945. Për herë të parë u diskutua hapur se organizatori i këtij likuidimi ishte Raif Halimi. Drenicakët e kanë mbajtur këtë të vërtetë me vite të tëra të fshehur vetëm e vetëm për të mos e ngarkuar Raif Halimin te pushteti i kohës. Më 1998, kur krisi lufta në Drenicë, drenicakët i bëjnë thirrje Raif Halimit për të shkuar në Drenicë për t’iu dhënë vullnet, forcë dhe moral luftarak pishtarëve të lirisë. Ai shkoi atje në shoqërimin e Adem Metushit nga Ferizaj.[7]* [8]

Formimi i celulave të para të UÇK në Ferizaj e Gjilan u bënë përmes këshillave të Raif Halimit në shtëpinë e tij. Edhe pse i thyer në moshë, gjer në frymën e tij të fundit e dha kontributin e tij për lirinë e Kosovës. Vdiq më 01 maj 1999 në shtëpinë e bijës së tij Lirijes, në kohën kur po shpërngulej e gjithë Kosova. Fjalët e tij të fundit, të cilat nuk mundi t’i thoshte gjer në fund, i përfundoi me një rrumbullakim të gishtit, që donte të thonte se po vdes, pa e parë kombin të bashkuar.,[9]

  • Ishte pjesëmarrës i Luftës së Drenicës (1944-1945) si komisar Batalioni i Rinisë së Gjilanit e më vonë edhe i Batalionit të Katërt në Brigadën e Parë Sulmuese të Kosovës
  • bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës
  • themelues i bërthamës së parë të Organizatës Nacionale- Demokratike Shqiptare në Kazamatën e Mitrovicës së Sremit (1946)
  • hartues i fjalorit të parë shqip-serbokroatisch (1962)
  • anëtar i Kryesisë së Partisë Nacionale-Demokratike Shqiptare (vitet e 90-ta)
  • kryetar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë - FISH (1991-1993), dega në Ferizaj
  • këshilltar dhe përkrahës moral në aspektin luftarak të UÇK-së
  • Për veprimtarinë e tij patriotike dënohet me pushkatim, dënim ky që iu shndërrua në njëzet vjet burg të rëndë. Pothuaj 18 vite burg i mbajti në Mitrovicë të Sremit (1945 – 1962), ku mbi 8 vite i kaloi në izolim

Referime dhe literatura

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Fazliu, Ramiz. "S'bën të ndërtohet perandoria në tokat e huaja". http://mksf-ks.org/?page=1. Bujku, 13.07.1995, f.5. Marrë më 13 prill 2017. {{cite web}}: Lidhje e jashtme në |website= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)[lidhje e vdekur]
  2. ^ Raif Halimi Cernicë
  3. ^ ABDULLAHU, Rexhep (17 prill 2001). Rexhep Abdullahu, Me rastin e dyvjetorit të vdekjes së Raif Halimit (1), (bot. Bota Sot, ,.). Prishtine: Bota sot. fq. 18. {{cite book}}: |access-date= ka nevojë për |url= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Reshani, RIZA (11 nëntor 1996). Ideal i veprimtarisë së tij- (bot. Bashkimi i trojeve etnike shqiptare,). Bashkimi i trojeve etnike shqiptare,. fq. 9. {{cite book}}: |access-date= ka nevojë për |url= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Pikësim shtesë (lidhja)
  5. ^ HALIMI, Aferdita (2000). "Raif Halimi-Cernica, veteran i luftës dhe i demokracisë në Kosovë",". Eurorilindja. Tiranë: 9. {{cite journal}}: |access-date= ka nevojë për |url= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ * Mr. Bedri Muhadri: “Sefer Mikushnica, veprimtar i lëvizjes çlirimtare në Drenicë 1941-1945 (5)”, Bota Sot, 26.09.2010
  7. ^ * Ramadan Rexha: “Kujtimet e mia, dëshmi historike”, Grafoprint Prishtinë, 2004
  8. ^ Muharrem Bajrami, Shpalime kujtimesh për Raif R. Halimin-Cernicën (1), Bota Sot, 23.04.2009, f.15
  9. ^ * Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar”, Grafoprint Prishtinë, 2011

[1]* Tefik Selimi: „Njeriu që me pranga në duar ka shkruar histori dhe fjalor…!“, Rajonipress, 24.12.2015] [1]</ref>[1]*

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Emigrantibuch - shtëpi botuese
  • PNDSH - facebook
  • YouTube - Ismet Sylejmani - Fjalim lamtumirës Raif Halimit
  • Wikipedia - Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore
  • ALBDREAMS.NET Arkivuar 25 prill 2017 tek Wayback Machine - Ripushtimi i Kosovës,vrasja dhe mobilizimi i shqiptarëve nga UNÇJ (1944-1945)
  • Pashtriku - SI NDODHI MASAKRA E TIVARIT - MË 1 PRILL 19145 ?!
  • Pashtriku - Golgota shqiptare në kohën e Tito-Rankoviqit!
  • RajoniPress - Rezistenca e armatosur e Karadakut në juglindje të Kosovës 1941­-1945
  • KosovariMedia[lidhje e vdekur] - Ripushtimi i Kosovës dhe mobilizimi i shqiptarëve nga UNÇJ (1944­1945) –(II)
  • Zëri i Kosovës - Jo-ja e madhe e atdhetarit të anamoravës – Ramiz Cërrnica
  • Bashkimi Kombëtar - forum elektronik, Lufta e Kryezive ishte lufte bejleresh e jo lufte kombet
  • Kokaj.net Arkivuar 8 shtator 2014 tek Wayback Machine - Një monografi gjithëpërfshirëse për Gjilanin me rrethinë..
  • kk.rks-gov.net/gjilan - Gjilani me rrethinë, studim monografik nga grup autorësh
  1. ^ a b * Bardh Frangu, Më në fund sheh dritën fjalori i endesheistit Raif Halimi, Zëri, 20 Shkurt 2017, [2]