Jump to content

Paganizmi shqiptar

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Paganizmi shqiptar ose Mitologjia shqiptare është një zhanër folklorik i përbërë nga tregime që luajnë një rol themelor në shoqëri, të tilla si: mitet, legjendat dhe përrallat. Miti është një rrëfim fantastik që shpjegon lindjen e elementeve të natyrës. Qëllimi i mitit është të shpjegojë origjinën e botës e të njerëzve. Protagonistë të miteve mund të jenë perënditë, njerëzit me fuqi të jashtëzakonshme, heronjtë, përbindeshat dhe krijesa të tjera fantastike. Koha se kur ka ndodhur ngjarja nuk është e përcaktuar.

Mitologjia ilire dhe pasardhësja e saj mitologjia Shqiptare ka ndikuar në të gjithë njerëzit dhe në brezat e sotëm duke dhënë mesazhe dhe argëtim tek femijët. Mitologjia iliro-shqiptare ka ndikuar edhe në mitologjitë e tjera.

Gjurmë të hershme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dëshmitë burimore, shkrimet e kërkimtarëve në këtë temë u takojnë shekujve të XIX-XX, por dhe në shekujt e Mesjetës arbërore e më tej kemi të dhëna të copëzuara për mite, rite e besime ndër shqiptarët, në trojet e tyre etnike dhe në diasporë. Disa mite shqiptare janë: Bleta, Zanat, Zjarri etj.

Këto arritje në kërkime ndahen së pari në: dëshmuese, dokumentuese, përshkrimore dhe së dyti, në ato me natyrë sintezash, interpretimesh, në vështrim krahasues në kohë e në shtrirje hapësinore të ndryshme.

Në shekullin XIX u shënuan arritje në studimet krahasuese të gjuhësisë indoevropiane që ngjalli interes për kërkime të mitologjisë krahasuese, në sinteza, në interpretime të këtyre dukurive me rrënjë parahistorike. Kjo frymë kërkimesh, ndonëse në një shkallë më të vogël, u ndie dhe në Shqipëri. Kryesisht nga të huajt e më pak nga shqiptarët, u mblodhën materiale të natyrës mitologjike, të besimeve pagane, po më tepër u dhanë mendime krahasuese e interpretime. Mendime të këtij lloji u dhanë në kuadrin e gjuhësisë krahasuese ose si reflektim i kulturës antike greko-romake a të ndikimit sllav e bizantin në Mesjetë.

Duhet sqaruar se burimet materiale, objekte të zbuluara nga arkeologët në shkrime ose mbishkrime të ndryshme, sado të pakta, i kemi që nga koha ilire e parailire, nga periudha greke e romake e nga tërë periudhat e Mesjetës. Për këto shtrirje kohore nuk ka munguar as paraqitja ikonografike e hyjnive të ndryshme, fytyra në gur a qeramikë, qoftë vendëse po me emra grekë a romakë, qoftë dhe me emra ilirë, ose fare pa emërtime mbishkrimore. Të dhëna me interes janë bërë të niohura nga zbulimet arkeologjike, nga hulumtimet e ilirologëve, arkeologëve, balkanologëve, nga gjuhëtarë të gjuhësisë krahasuese indoevropiane; emrat e tyre do të dalin në brendinë e krerëve të ndryshëm të punimit.

Këtu janë për t'u përmendur vetëm pak gjëra më domethënëse nga mitologjia ilire, duke e marrë atë brenda një kompleksi kulturor e në të njëjtën shtrirje gjeografike, po natyrisht në dhënie e marrje tepër të shkrirë bashkë në mes kulturash etnikisht të ndryshme.

Në një rrëfenjë mitike, shënuar nga disa autorë të antikitetit, në variante të ndryshme, thuhet se Kadmi, i biri i një mbreti fenikas, duke kërkuar motrën e vet Europën, arriti së pari në Beoti ku themeloi qytetin e Tebës, pastaj shkoi e zuri vend ndër ilirët, ku, me të shoqen Harmonia lindi të birin: lliriosin. Duke u mbëshjellur nga gjarpri, ai mori pamjen e atributet e tij. Pas vdekjes, Kadmi e Harmonia u kthyen në gjarpërinj e ashtu kaluan në jetën e përtejme”. Sipas një varianti tjetër, lliriosi gjarpër pati shumë fëmijë, djem e vajza. Këta fëmijë krijuan fillesën e fiseve ilire, fise që mbajnë emrat e tyre: emërtimet e fiseve në gjininë mashkullore u quajtën “bijtë e llirit”, ndërsa ato femërore: “bijat e llirit”. Pati dhe personalitete historike për të cilët besohej se kishin lindur nga gjarpri.

Ndër ilirët është dëshmuar gjerësisht kulti i hyjnisë kalorës luftëtar. Ndër ta përmendet hyjnia kalorës i Japodëve, Medauri, paraqitur hipur mbi kalë e me shtizën në dorën e majtë. Ikonografia ilire me paraqitje të kalit a të hyjnive kalorës është e pasur. Për të siguruar fitore në luftë a fat, në veprime të ndryshme flijonin kuaj. Po janë të njohura ndër ta dhe sakrifica njerëzore: Në Desareti, në anë të Korçës, afër lumit Eord (Devolli i sotëm) ilirët, për të siguruar fitoren në ndeshjen me ushtrinë pushtuese, si na thonë Kurt Rufi, Flavio Ariani etj., therën aty: tre djem, tri vajza e tre desh të zinj. Këta ua kishin bërë fli perëndive të tyre, sipas besimittë shenjtë, për t’iu dhënë guxim e siguri përfitore luftëtarëve të tyre.

Traditës ilire e parailire i përket tempulli i Dodonës pranë Janinës me malin Tomaros, Lisin e Shenjtë e me tri plakat që tregonin përmes gjetheve të lisit e zhurmës së enës së bakërit, fatin e ardhshëm të njerëzve. Ndoshta në tempullin e Dodonës kemi një përzierje besimesh e ritesh pellazgo-greko-ilire.

Njohim tek ilirët disa emra hyjnish e diçka dhe tiparet e tyre: hyjni të natyrës e të burimeve, me emra të interpretimit grek a romak ose të zanafillës ilire: Diana, Ika, Vidasus, Thana, Silvani, Jupiteri i Partinëve, Medaurus, Menzana, Diana e Kandavëve, Bindi, Redoni, Andini, Sentona, Latra e kështu me radhë. Përgjithësisht këto janë hyjni të natyrës, të burimeve, të detit ose perëndi të gjithëfuqishme si: simotrat e tyre antike greke e romake. Hyjni tepër domethënëse është Redoni, hyjni ilire e detit, prej nga na është ruajtur emri i tij deri sot: Kepi i Redonit (Rodonit) në bregdetin Adriatik, në veri të Durrësit.

Në shkrime të ndryshme, po dhe në dëshmi arkeologjike të shekujve të ndryshëm të mesjetës, janë ruajtur copëza besimesh, ritesh, mitesh të paganizmit, diku në një paraqitje më të qartë e diku më të mjegulluar. Këto dukuri të religjionit pagan të Mesjetës arbërore, sado që të thërmuara, si mendojmë ne, janë një urë e fortë ndërlidhëse në mes lashtësisë ilire e Kohës së Re të të njëjtit areal gjeografik e njerëzor, në vështrim të trashëgimive në fushë të mitologjisë. Nuk mund të mohohen këtu as dhëniet e marrjet me popujt e tjerë në kulturë për të njëjtën kohë.

Në varret e Arbërve të Mesjetës së Hershme vërejmë vendosjen e kufomës nga perëndimi në lindje (në varr), vegla e amuleta, rrethimi i varrit me gurë ashtu si ndodh dhe në praktikë, i shoqëruar me besime të caktuara që kanë arritur deri në Kohë të Re. Në stolitë arbërore (shekulli VI-XI) vërejmë shenja simbolike të kultit të diellit, të kultit të hënës. Vathët e veshit te gratë janë në formë të gjysmëhënës, ashtu si ndodh dhe në ditë të sotme në gratë e Mirditës e të Matit etj. Edhe sot kulti i hënës në besimet popullore lidhet shumë me gruan e me fatin e saj në jetë, në shendet, në shërim, në lindje fëmijësh e tjerë. Në objekte të asaj kulture vërejmë kalin në hedhje fluturim dhe mendojmë se kjo ka të bëjë me hyjninë kalorës të llirëve; vërejmë zogjtë fatidikë, kultin e dorës e një seri shenjash të tjera me domethënie besimesh pagane. Kulti i dorës i pasqyruar, ndër të tjera, dhe në bërjen e saj si zbukurim në gdhëndje në gurë: në dyer, në porta, në vatër, në pëmendore. Në një dokument të vitit 1323 përmendet festa e Rushajëve me ritet përkatëse, çka flitet për atë festë pranvere që ka ardhë me shumë rite deri në ditët tona.

Tek "Historia e Skënderbeut" (viti 1510) e Barletit dokumentohet shumë mirë gjama e burrave ashtu si bëhet deri në shekullin e XX; është dëshmuar shumë herë në shkrime të ndryshme si më 1466, pastaj nga Pjetë Budi e Frang Bardhi në shekullin XVII e me radhë. Mirat e Fatiet, të përmendura shumë herë te Barleti në veprat e tij, si mendojmë ne, s’janë tjetër veçse Orët e Zanat shqiptare.

Sipas studimeve gjeologjike e sipas dëshmive historike, liqeni i Shkodrës është formuar para mijëra vjetësh, ndërsa legjendat mitike të mbledhura në shekullin XX tregojnë se ai është formuar vonë e formimin e tij e lidhin me plakën e Krozhës. Eshtë interesant se për formimin e vonshëm të këtij liqeni na flet dhe Barleti në “Rrethimi i Shkodrës” 1504. Aty ndër të tjera thuhet: “Po kështu, me sa duket, vërtetohet edhe sa më kanë rrëfyer banorët ma të moçëm të këtij vendi, të cilët më kanë thanë se aty ku sot ndodhet liqeni dikur ka qenë tokë plot me burime të pashtershme, nga të cilët lindi ai liqen i mrekullueshëm”. Pra, lindjen e këtij liqeni e tregonin si rrëfenjë mitike pleq ‘të Kohës së Barletit', gjë që është tepër domethënëse për të njohur kujtesën popullore për këto rrëfenja fantastike. Kjo legjendë mitike na përmendet pra dhe në shekullin e XX, si mbijetojë e një kohe tepër të lashtë.

Gjon Buzuku në parathënien e “Mesharit” (v.1555), paragrafi ll, i porosit besimtarët që të venë në ritet e krishtera në kisha e “të braktisin atë të shtremnën” që sipas nesh janë ritet pagane: të Kthimit të Diellit për Verë, të Buzmit, të Vitit të Ri, të Ditës së Zojës’ të Shën Gjergjit , të Shën Gjonit e festa të ndryshme pagane të prodhimit. Këto rite pagane i praktikonin për të shtuar bereqetin e mirëqenien në familje. Buzuku i kthen të tëra në qëllime të riteve të krishtera e shton: “Dheju kurta banikëtë, Zotiynë (pra jo ai i paganëve: M: Tirta) ka meju shtue ndërju që të korrat tueja të zgjaten deri së vjelash dhe të vjelat deri në të mbjella”. Në popull, kjo shprehje thuhej deri vonë për qëllimin e riteve pagane.

Pjetër Budi në veprat e relacionet e tij na njofton për gjamën e burrave, për disa rite e besime pagane që praktikoheshin në popull. Të njëjtën gjë bën Frang Bardhi, e ndër të tjera na përmend "Kuçedrën e Arbënit" në një kuptim mjaft domethënës për mitologjinë shqiptare. Pjetër Bogdani në veprën e tij, duke folur për bubulfimën përmend besimin popullor sipas të cilit me rrufe qet Shën llia kundër ”kafshës së keqe”, pra kundër Kuçedrës që është gjarpri përbindësh e shkatërrues, besim që në disa variante e gjejmë dhe sot në popull. Autori e kundërshton këtë besim popullor duke e shpjeguar atë si një dukuri thjesht natyrore. Andrea Bogdani në një këngë popullore të veçantë (botuar në veprën e Pjetër Bogdanit) na përmend Zanën e Pashtrikut që këndon, që është ruajtëse e gjallesave dhe mirësisë me ato tipare të natyrës që e ndeshim edhe sot në popull.

Relacionet e të dërguarve apostolikë në trojet shqiptare, në shumë raste flasin për besime e rite pagane. Kështu, M. Bici më 1610 na bën të ditur se banorët e malësisë të Mirditës (Fandi) vazhdonin t’i bënin festat me kalendarin e vjetër se ndryshe, sipas besimit të tyre pagan, do t’u pakësoheshin prodhimet e bujqësisë. Gr. Mazreku shkruan më 1650-1651: “Ai që kishte ethe ose atë të tokës shkonte e gjenin një gur mbi varrin e ndonjërit, e çonin nalt atë rrasë, aq sa të mujte me kalue ipërkulun nën atë rrasë ai i smuti dhe (punë e madhe e zanatit djallëzor) ai shërohet nga ethet ose pre’jsë tokës, dhe kjo gja duket e pabesueshme… Edhe këto i kam mallkue tue mos i pranue në rrëfimin e kungimin e shenjtë, edhe me ndihmën e Zotit e kanë lanë atë rrugë”,

Të shumta janë praktikat e natyrës pagane në malësitë shqiptare. Relatori Kerubini tregon në 1638: “… në çfarëdo ditë tjetër që u ndodhte ndonjë rrezik, po n’atë ditë mbanin dhe mbajnë festë, dhe thonë: në këtë ditë më ka ndodhë kjo e keqe etj; dhe kështu shumë ditë të tjera tëjavës i mbanin dhe i mbajnë festë, si të martën, t’enjten etj. Festën pastaj e bejnë në këtë mënyrë: burrat, disa bajnë kusht që me bamë atë punë në të cilën kanë pësue rrezikun, sip.sh., mos me pre ose mos me lavrue tokën, por bajnë punë të tjera; disa të tjerë rrijnë krejtpa punë; gratë nuk tjerrin, nuk bajnë pëlhurë, ose nuk bëjnë ulishtë, porbajnëpunë të tjera. Po të ketë shpërthye stuhia në ndonjë vend në një ditë të enjte, të gjithë pastaj bajnë kusht që mos me punue në vneshtë t’enjteve të secilës ‘javë”. Përsa upërket festave “ma shumë i çmonin ato të vetat të kota, se sa ato të kishës” (Relacione • Në dëshmi të ndryshme të këtyre shekujve (XVI-XVIII) janë shënuar shumë konsiderata për besimet e malësorëve shqiptarë, më shumë rite e besime pagane e tregohet se janë shumë të përciptë në kultin e krishter; thuhet se kanë emrin të krishterë, po aspak besimin (Kerubini).

Kërkimet në shek. XIX dhe XX

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në shekullin XIX dhe gjysmën e parë të shekullit XX për mitologjinë e shqiptarëve kanë shkruar shumë autorë, ndonëse asnjëri nuk e rroku këtë temë në mënyrë tërësore dhe gjerësisht në vështrim gjeografik; asnjeri nuk përfshiu në këtë objekt treva të gjera të banuara nga shqiptarët, as problematikat kryesore të kësaj fushe.

Shkrimet për mitologji e besime ishin krerë, sythe a pasazhe të veçanta në revista e gazeta të kohës. Kjo temë u rrah nëpërmjet përshkrimit të mënyrës së jetesës, dokeve e zakoneve të popullit tonë e sidomos përmes krijimtarisë folklorike; aty u fol dhe për përkatësinë e shqiptarëve në fetë e organizuara dhe marrëdhëniet mes grupeve nga konfesione të ndryshme, pasqyruar në shkrime të shtypit shqiptar dhe të huaj. Në botimet folklorike të kësaj periudhë gjejmë material me rëndësi për mitologji e besime (veçanërisht në këngët legjendare, në balada, këngë rituale dhe elementë besimesh e mitesh në përralla).

Autorët që u muarën pak a shumë me këtë temë mund t’i ndajmë në dy grupe të mëdha: 1. të huaj; 2. shqiptarë.

Ndër autorët e huaj që botuan materiale e studime për mitologji e besime ndër shqiptarë mund të përmendim A. Bouë me “La Turquie de l’Europe”, Paris, vol. II, 1840; J. G. Hanin me “Studime shqiptare” (Jenë, 1854), “Përralla greke e shqiptare” (Leipcig, 1866), “Udhëtim në viset e Drinit e të Vardarit”(867) e vepra të tjera të tij; G. majer, H. Pedersenin me “Tekste shqipe me fjalor“ (1895), F. Nopçën me vepra: “Shqipëria, kultura shpirtërore”, “Pikëpamje fetare” (dorëshkrime) e shkrime të tjera të tij të botuara, M. Durham: “Mbiorigjinën e disa fiseve dhe zakoneve në Ballkan” (Londër, 1928); M. Hasluck, “Një kult imalit në Shqipëri të Jugës”e disa elementë mitologjikë në shkrime të tjera të saj; M. Lamberc: “Përralla shqiptare”, (Vjenë 1922), “Mitologjia e shqiptarëve” – botuar në “Fjalori i mitologjisë” (Shtutgart, 1970). F. Degrand “Souvenirs de la Haute Albanie ou Gegarie”, Paris, 1901. Në një masë më të paktë, material me interes për mitologji e besime ndër Shqiptarë botuan dhe shumë autorë të tjerë të huaj të shekullit XIX e të fillimit të shekullit XX, përfshirë vepra e artikuj të tyre.

Materiali i mbledhur dhe i botuar prej tyre ka në përgjithësi karakter përshkrues; japin të dhëna me rëndësi për elementë të ndryshëm mitesh dhe besimesh në popullin tonë; ajo çka është më me interes, të tillë elementë në kohë të tyre ishin akoma të gjallë në trevën shqiptare, më vonë, ato i gjejmë ose të zbehura shumë, ose të zhdukura fare. Këtu qëndron dhe vlera e punës së tyre si regjistrues e ruajtës të materialit faktik. Këto materiale të tyre të botuara janë mbledhje të rastit e kanë karakter fragmentar; u mblodhën në qendërbanime të kufizuara dhe, në vendet ku u mblodhën në mënyrë të përciptë dhe krejt fragmentare, mitet e besimet në lidhje me kultet bujqësore e blegtorale në popullin tonë; nuk i ranë në sy ose i regjistruan vetëm kalimthi disa figura shumë të rëndësishme të mitologjisë popullore shqiptare si: dragoi, kuçedra, nëna e Vatrës, Vitorja, Ora, Zana, nëna e Diellit, plaku i kopshtit, dordoleci për të rënë shi, rite e zakone në lidhje me buzmin, në lidhje me zjarret rituale të vitit e kështu me radhë.

Ka patur raste që popullin tonë ta paraqisnin si një popull fare pagan, duke e ulur përfaqësimin e krishterimit e të islamizmit nga Shqiptarët deri në asgjë, gjë që historikisht nuk i përgjigjet së vërtetës.

Autorët e huaj që shkruan për mitologji e besime të popullit tonë në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, problemin e tipareve unitare të popullit tonë, doemos brenda larmisë së shfaqjeve të ndryshme të këtyre dukurive, në burime të ndryshme të jetës si bujqësi, blegtori, mjeshtëri e zeje, të shfaqura këto në rite e figura të veçanta mitologjike, nuk i shtruan thuajse fare. Ata nuk u nisën nga fakti se përt’u ruajtur këto lloje mitesh e ritesh për shekuj të tërë në formë mbijetesash, duan një bazë të caktuar ekonomiko-shoqërore tradicionale, në kuptimin e tyre prodhimtar, si burim jetese, brenda një kompleksi kulturor etnik me tiparet e tij të mëvetësishme.

Në raste të veçanta disa autorë u përpoqën të shpjegojnë edhe origjinën e besimeve nga popuj të caktuar të lashtësisë: ilirë, trakë, grekë, romakë, gjermanë, sllavë e kështu me radhë. Por, në shpjegimin e burimit etnik të tyre u nisën nga prirje të njëanëshme, që i vërenin dukuritë e këtij lloji në mënyrë krejt të thjeshtëzuar, ta zemë, nxorën zanafillën e dukurive të caktuara të besimeve pagane nga qytetërimet më të zhvilluara të lashtësisë ose të burimit sllav, duke u nisur vetëm nga origjina e fjalës me të cilën emërtohet ky apo ai element, duke u nisur nga ngjashmëri e ndryshime të rastit. Ata në përgjithësi nuk kishin parasysh ngjashmëritë e rëna në sy të disa dukurive të këtij lloji, evoluimin, dëshmitë arkeologjike; nuk i bënin analizë të gjithanshme të objektit në shqyrtim, duke sjellë argumente të ndryshme historike të mundshme, pra nuk e shqyrtonin fenomenin në të tërë kompleksitetin e vetive e të shfaqjeve të tij, brenda një etnokulture të caktuar. Nuk analizonin në masën e duhur kushtet historike e socio-ekonomike që përcaktuan ruajtjen e këtyre kulteve te shqiptarët.

Në përcaktimin e origjinës etnike të miteve e riteve të ndryshme shpeshherë u nisën nga kritere thjesht të gjuhësisë historike (sipas fjalorëve të etimologjisë) dhe në këtë mënyrë i ndanë elementët si anë sasiore në origjina të ndryshme: ilire, greke, mesdhetare, kelte, slave, etj. Një klasifikim i tillë i bërë nga këta autorë është shumë arbitrar dhe në përcaktimin e treguesit etnokulturor nuk ju përgjigjet aspak kritereve rigoroze. Këtu duheshin marrë në konsideratë tiparet e ndryshme të veçanta që na shfaqen në brendi të miteve e besimeve të ndryshme, faktorin kohë që ndan lashtësinë nga shekulli XIX-XX, pamundësinë për të njohur në imtësi etnologjinë e popujve të vjetër apo dhe të popujve të sotëm, qoftë dhe kur për ta janë shkruar vëllime të tëra, por megjithatë për dukuri të veçanta nuk ka shkruar askush e megjithatë ato ekzistojnë në këtë apo atë popull. Hahni, Nopça, Lamberci e Durhami, Koci në përcaktimin e origjinës entike të fenomeneve të ndryshme janë më argumentues e më të përmbajtur, por edhe tek ata u paraqitën, ku më pak e ku më shumë, zgjidhje të thjeshtëzuara të këtij lloji, ndoshta dhe për arsye të materialit të pakët që ata kishin në dorë në ato kohë. Megjithatë ata bënë në këtë vështrim një punë të madhe prej pionieri, u hapën rrugë kërkimeve në këtë fushë të dijes, dhanë disa mendime me peshë në ndriçimin e dukurive të caktuara.

Intelektualët e mëdhenj shqiptarë të Rilindjes Kombëtare dhanë kontribut të rëndësishëm në të dëshmuarit e etnokulturës shqiptare e të funksioneve tësaj.

Në shkrimet e tyre dhanë materiale me rëndësi për mitologjinë e shqiptarëve. Ata u munduan të shpjegojnë bazën unitare të popullit tonë, të shfaqur nëpërmjet mitesh e besimesh të lashta. Pashko Vasa na thotë se populli shqiptar betohet për qiell, për dhë, për gurë, për ujë, për mal, për fushë, për diell, për hënë dhe nuk betohet për perëndi e për shenjtorë. Ai tregon se këto forma betimi janë shprehja e atij besimi të lashtë vendës që të parët tanë kanë ruajtur që nga lashtësia. Ai thekson se betimet publike shqiptarët i bëjnë mbi gurë pavarësisht, nëse ai që bën betim është katolik, ortodoks a mysliman.

J.Vreto, K.Kristoforidhi, N.Frashëri, A.Z.Çajupi, Shtjefën Gjeçovi, flasin për kultin e Tomorrit si një vend, ku ruhen rite e besime vendëse të shqiptarëve e që janë dëshmi uniteti në traditat e lashta të këtij populli. Ata duan të tregojnë me këtë se populli ynë, pavarësisht nga dallimet fetare të feve monoteiste të ndryshme që sjellin me vete dhe veçime në tiparete kulturës së traditës, në kompleksin kulturor të tij, populli shqiptar shquan për njëjtshmëri e pra është e domosdoshme që të bashkohet e të luftojë për pavarësi kombëtare, për përparim. Rilindasit e venë theksin në lidhjet e marrëdhëniet e forta shoqërore e familjare midis elementeve shqiptare nga besime të ndryshme. J. Vreto shkruan: “… meqenëse pas ndarjes fetare, shqiptarët ortodoksë nuk lidhin krushqi me vëllezërit tanë shqiptarë muhamedanë (ndonëse martesat midis tyre në disa vende vazhduan për një kohë të gjatë edhe pas ndarjes fetare) u gjet një mënyrë tjetër afrimi, ajo e vëllamërisë, d.m.th. një i krishterë qeth fëmijën e një muhamedani, duke i prerë atij disa fije flokësh të kokës”. Pra, në anët rituale e të besimeve të lashta vendëse ruajtën njëjtësinë kombëtare.

“Të gjithë, pothuajse, aristokratët muhamedanë shqiptarë, që quhen turqisht bejlerë, kur martohen, dërgojnë, në kundërshtim me fenë e tyre, pikërisht një mik të krishterë, që pajisei me leje të hyjë edhe në harem për të shoqëruar nusen. Ky zakon duket si një i njëjtë me zakonin e kumbarës që përdorej para ndarjes fetare…”

Autorët arbëreshë të Italisë (rilindas) si J. De Rada në botimet e tij letrare e folklorike, A. Argondica në artikujt e tij në “Ili i Arbëreshëvet” e të tjerë, na japin materiale me vlerë për mitologji e besime të’ Arbëreshëve. De Rada, duke u nisur nga qëllime atdhetare, bër kahasime në mes mitologjisë shqiptare dhe asaj të lashtësisë. Zgjidhjet përgjithësisht janë romantike e të pabazuara. Në disa raste bëhen përpjekje për të treguar bazën unitare të miteve e besimeve të trevës shqiptare (në Shqipëri) me ato të Arbëreshëve të Italisë.

Folkloristët shqiptarë të Rilindjes si Th. Mitko me “Bletën shqiptare” (1878), S. Dine me “Valët e detit” (1908), Z. Jubani (1871) me “Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare” dhe më pas ata të Pavarësisë si B. Palaj, K. Kamsi, S.Th. Frashëri, K Taipi, S. Kolea, R. Alikaj, N.Suma, Ll. Karafili (Bardhyli), M. Sirdani, I Dalliu, V.Xhaçka, H. Bushati, K.Shtjefni, e të tjerë, në botimet e tyre ne japin material me mjaft interes për mitologji. K. Kamsi, na ka dhënë disa artikuj të veçantë kushtuar riteve e zakoneve kalendarike si Dita e Verës, Shën Gjergji etj, po dhe për mite e besime të lashta vendëse në përgjithësi në popullin tonë (si “Besime të popullit në Labëri”, Diturija, 1927-1928 etj.) Punime të shumta e me shumë vlerë ka botuar I.Dalliu për fshatra e qytet të Tiranës. Gjatë periudhës së Pavarësisë nga autorë të ndryshëm u botua material me interes në disa të përkohëshme si “Albania” e Faik Konicës, “Kalendari Kombiar” i M. Frashërit, “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Diturija”, “Shkolla kombëtare”, “Njeriu” “Drini”, “Përpjekja shqiptare”, “Normalisti”, “Vatra Shqiptare”, “Zani i Naltë”, “Njeriu”, “Cirka”, Normalisti” etj.

Gjeçovi na jep një material me vlerë për mite e besime të popullit tonë dhe, duke u nisur thjesht nga një ndjenjë atdhetarizmi, dukuritë e ndryshme të mitologjisë i shpjegon si të origjinës trako-ilire, pa sjellë argumentat e duhur në këtë drejtim. Gjeçovi mblodhi një material tepër të gjerë për kultin e gurit, për kulte të ndryshme të natyrës, për rite të jetës familjare, për rite të festave të motmotit, për rite e flijime në ndërtim dhe, për më tepër, këto i gjurmoi në një hapësirë shumë të gjerë të trojeve shqiptare. B.Palaj krahas eposit legjendar e të së drejtës dokësore, mblodhi mjaft materiale për rite, për besime, për figura të mitologjisë popullore, ashtu si bëri dhe kolegu i tij eksplorues – Gjeçovi.

Gjatë kohës së rilindjes e sidomos gjatë Pavarësisë e deri më 1945, i vërejmë të botuara në organe të ndryshme të shtypit, në botime të veçantë, shumë mite, rite e besime të ndryshme të popullit tonë, me burim nga terreni, nga jeta e banorëve e këto më kanë shërbyer shumë si burime me vlerë në kërkimet e mia. Por, duhet shënuar se në disa raste kanë qënë të përziera dhe me elemente të marrë nga letërsia greke e romake e; duke qënë të tilla jemi shmangur prej tyre, duke i marrë gjithnjë burimet në mënyrë kritike.

Një kontribut me rëndësi në studimin e mitologjisë shqiptare ka dhënë profesor E.Çabej me punimet e tij në këtë fushë që në vitet ’30 e deri në 1976-n. Kontribut me shumë rëndësi është studimi për figurën mitologjike Zana, për disa figura të mitologjisë popullore, si: Vitorja, Gjigantët, Herri e tjerë elementë e figura të mitologjisë. Ka studiuar dhe eufemizmat ndër shqiptarë. Në fushën e mitologjisë shqiptare kanë dhënë studime e materiale me vlerë dhe studiuesit: M. Krasniqi, A. Uçi, K. Halimi, Z. Sako, Q. Haxhihasani, Rr. Zojzi, e A. Gjergji, D. Statovci, S. Fetiu, U. Xhemaj etj.

Të dhëna dhe analiza më të plota gjenden në veprat e albanologëve të njohur, siç ka qenë, p.sh.: Hani, Nopça, Durham, Lamberci, dhe shumë të tjerë. Autorë shqiptarë dhe mbledhës të materialeve të mitologjisë sonë popullore ka shumë, të cilët në revista të ndryshme (p.sh.:, “Leka”, “Hylli i Dritës”, “Drita” etj.), ose në botime të tjera kanë dhënë kontribut të vlefshëm për njohjen dhe ruajtjen e kësaj pjese të rëndësishme të kulturës shpirtërore të popullit tonë.

Legjenda e Mujit dhe Zanave

Figurat mitologjike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Disa nga figurat mitologjike shqiptare janë si më poshtë:

Zana e malit është krijesë mitologjike shqiptare me veti tepër origjinale autoktone dhe e krahasueshme më tepër me figura të tilla ballkanike dhe malore të popullsive në gadishullin ballkanik dhe është mjaft larg e krahasueshme me Artemidën e grekëve apo Dianën e romakëve. Vështirë se mund të shkohet në një krahasim deri te Thana e ilirëve. Sipas traditës, ato kanë dy karaktere: i zbutur, i cili ndihmon kreshnikët në betejat e tyre, dhe karakteri idhnak i cili shiton (nguros) kur iu prishet qetësia. Brirët e dhive të egra janë mbrojtja dhe dobësia e zanave. Zanat ruajnë territoret e veta me xhelozi edhe shitojnë ata që u prishin qetësinë apo i befasojnë kur janë duke lozur nëpër livadhet e maleve. Prandaj,edhe kur shkohet në mal është traditë të bëhet zhurmë për t'i njoftuar ato për afrimin e njeriut. Zana është edhe simbol i pjellorisë.

Gogomel. Rron në toponimet: Gogole (Vidhgar-Ana e Malit), Ne Goglit (Bobot-Ana e Malit).

Nimfë e mitologjisë shqiptare, që përfytyrohej si një vashë e bukur e me flokë të gjatë, që rrinte në ujërat e liqeneve e të lumenjve. Identifikohet me Floçkën.

Qenie mitologjike, "rrëshqanuer i gjatë nji metër e gjysë, me lëkurë të kuqme, me krye sa nji kuti burrnoti, jeton ndër vende ma të shkretat, i helmatuem, ka fuqi lidhëse sa me tha nji lis, hidhet me shtat edhe për së largu për ajri, lidhë bagtin e njerëzit, u shpon kryet tue u lëshue mbë ta për së largu." Del edhe në toponimi: Fierkuqja (Malësia e Madhe), Bija e Fierkuqes (Malësi e Madhe).

Figura të besimeve popullore dhe përrallave, që përfytyrohen si tri gra që vijnë natën e tretë te djepi i të posalindurit dhe i caktojnë fatin e jetës. Në veriun e Shqipërisë këtë detyrë e kryejnë Orët. Çdo pësim i njeriut i vishet vendimit të tyre, ndaj njerëzit ngushëllohen duke thënë: kështu e shkruan Fatet. Natën e tretë bëhet edhe kremtja e familjes, që quhet poganiqe. Për këtë rast piqet një bukë, e cila thyhet mbi djepin e fëmijës. Ndër të krishterë, pas kësaj ceremonie i vihet emri fëmijës. Thirren edhe Fati, Vitore, Mira, Mirushe, Orë (në Veri), Fata (Hora e Arbëreshëve), Fëtresha, Fatmira, Fatëza, Fatie, Fatia.

Edhe sot e kësaj dite, në kopshte e në ara shqiptarët vendosin një shëmbëlltyrë njeriu: me trup, krahë, këmbë dhe kokë, të veshur me rroba, më shpesh me rrecka. Në zanafillë, dordoleci ka përfaqësuar një shëmbëlltyrë të hyut të bujqësisë, i cili, edhe pse u shndërrua në brendësi, si trajtë u ruajt deri në ditët tona. Ai vihej për të patur prodhime të mbara, por edhe për të trembur dëmtuesit e prodhimit. Quhet edhe Plaku i Kopshtit, Plaka e Kopshtit, Nusja e Kopshtit, Surrati i Arës, Coli, (Picar) etj.

Ky është emri poullor i Shën Martinit, mbrojtësit të ujqërve dhe njëherazi të bagëtisë. Në mendësinë popullore shqiptare, ai ushqente një nderim të veçantë, sepse për të ndizeshin qirinj në të kremte me karakter fisnor. Bariu i shenjtë ka disa ngjashmëri me Panin, hyun-bari me brirë dhe me këmbë cjapi, por ka edhe veçoritë e tij, të cilat i gjejmë vetëm tek shqiptarët. Sipas besimeve, popullore ai është hyu i maleve e pyjeve, gjegjësi mashkullor i Zanës. Përfytyrohet si një njeri vigan që banon i vetëm në pyje. Ai është zotërues i ujqërve, të cilët i ushqen, i drejton, por edhe i dënon. Kur do t’i ushqejë, shenjti u hedh ca kokrra misterioze jeshile, me madhësinë e frutit të dëllenjës ose i urdhëron që të venë të hanë aksh bagëti të aksh malësori. Por, po deshi, ai ua “lidh” gojën e ndonjëherë, edhe i ndëshkon për prapësitë që bëjnë. Njihet edhe me emrat: bariu hyjnor, Shën Marti, Shmarti, Shmartuku, Hazreti apo Hazëri (a Hezri), njeriu i mirë, njeriu i shenjtë apo njeriu jeshil.

Bajlozi apo balozi, figurë e rapsodive popullore shqiptare, përfytyrohej si një vigan, i cili vinte nga deti dhe bënte të këqija. Fillimisht fjala ka pasur kuptimin e ambasadorit. Ngandonjëherë ngatërrohet me Arapin a Harapin. Si Bajlozi, ashtu edhe Arapi simbolizojnë stuhitë, natyrore a shoqërore qofshin.

Legjenda për pupëzën shëmbëllen në shumë anë me legjendën e shndërrimit të motrës në qyqe, vetëm se kësaj here, ajo që kthehet në pupëz nuk është motra, por nusja, kurse i vrari nuk është vëllai, por dy dhëndurë, dy mëtues, që duan të venë kurorë me të njëjtën vajzë. Ata ndeshen në udhëkryq në krye të dy karvaneve me krushq dhe aty shkrepin pushkët. Nusja e tmerruar dhe e çuditur, nis e bërtet: ”Mos! Jo! Prisni! Jo! Pu-pu-pu!” Por përleshja vazhdon dhe nusja që s’mund të bëjë asgjë, i shikon dhe bën vetëm “Pu-pu! Pu-pu!” Zallahia nuk zgjat shumë, sepse në tërbim e sipër, krushqit vrasin njëri-tjetrin, derisa askush nuk mbetet gjallë. Nusja e tmerruar merr vrapin e ikën nga sytë këmbët, duke bërë pu-pu! pu-pu! Dhe në vrap e sipër kthehet në atë zogun e bukur që sot quhet pupëz. Kjo legjendë rrëfehet në Pogradec.

Është mënyra që përdoret për të shëruar ndonjë që ka marrë një shuplakë nga hijet, nga Të shuplakurit a Shuplakja. Një plakë e vesh të sëmurin me petka të pastra e të bardha dhe e shpie në ndonjë vend të qetë e të veçuar, apo në ndonjë shtëpi të boshatisur. Sa mbërrijnë atje, ajo i përshëndet hijet si të ishin aty para, e ul të sëmurin në gjunjë, i cili i mbledh duart përpara dhe lutet. Pastaj i jep për të pirë ujë trëndafili dhe rrin ndonja dhjetë minuta me të, pa folur asnjë fjalë, duke përgjuar disa shenja të fshehta. Më në fund hijeve: “Bëfshi natën e mirë”, e ngre të sëmurin dhe e përcjell për në shtëpi, duke përshkuar një rreth. Ngandonjëherë i sëmuri ulet Brenda një rrethi, të shënuar që përpara. Pas tri ditësh, të sëmurin e lajnë me Ujë të Pafolur. Në këtë ujë ziejnë gjethe të ëmbla (gjethe ftoi, shege, molle, trëndafili dhe karafili) dhe gjethe të rënda (gjethe dafine a lari, gjethe selvie, urthi etj.) Numri i gjetheve varet nga shkalla e sëmundjes. Besohet se tri ditë pas kësaj ceremonie i sëmuri e mban mend vendin ku është plakur, atëherë ai stërpiket me ujë trëndafili, të cilin hijet e pëlqekan shumë, ose po hedhin ndonjë gjë të mbështjellë, në mënyrë që ai që ta shkelë, t’i marrë sëmundjen.

Ashtu si djalli, xhindet kanë hyrë në demonologjinë shqiptare nga sfera e demonologjisë së feve monoteiste, konkretisht nga demonologjia islame. Xhindet e bestytnisë popullore shqiptare gjenden natën gjithkund, jashtë në kopësht, apo në nevojtore. Vendet ku u pëlqen të mblidhen janë cipat e rrëkeve, aty ku derdhen cikat a gjerbat e shiut nga pullazi. Ndaj njeriu nuk duhet të ecë apo të derdhë ujët e hollë natën pa thënë destur dhe bismillah. Për po këtë arsye bënin kujdes edhe gratë që të mos hidhnin ujët e nxehtë me të cilin kishin larë kënanë e nuses, se po të digjnin ndonjë xhind, nusja do të shkallohej.

Në krahina të ndryshme besohet se zbresin netëve nëpër përrenj, duke u rënë daulleve dhe duke bërë potere të madhe. Në Korcë nuk e lënë ujin e të vdekurit vetë në zjarr, se thonë se e pinë Xhindët. Kurse në Tiranë, kur e fusin foshnjën në djep për herë të parë, nën shtroja i shtinë një gozhdë dhe një qese përplot me fara liri, që kur të vinë Xhindet për të marrë foshnjën, të harrohen duke numëruar kokrrat e melit e të mos i bëjnë keq fëmijës. Në labëri, lehonën nuk e lënë të dalë jashtë për dyzet ditë: thonë se po të dalë përpara kësaj kohe do të shuplaket, sepse do t’i shkelë e kështu të sëmuret e të dalë mendsh.

Kur janë duke kënduar, nuk duhet të thuhet se po këndojnë Xhindet, por Shtojzovallet (Shtoj-Zot-Vallet). Edhe këta zhduken me të dëgjuar këngën e këndezit: ‘…këndoi kokoshi dhe iknë xhinërit’ [Pedersem, Maro Përhitura]. Në Veri, një njeriu të cilit i bie sëmundja e tokës, i thonë “Mos ke shkelë kund në trevezë zanash?”. Shëmbëllyeshëm, sipas besimit popullor, një njeri mund “të shuplaket po të shkelë në sofër (trevezë) të Xhindeve.

Nisur nga kjo e dhënë, ne na duket se Xhindi i besimeve popullore s’është, vec se një Zanë e rrëgjuar dhe e kontaminuar prej një prej figurave më të njohura të demonologjisë islame Xhindi (‘xhini’ në njëjës). Thërriten edhe Mirazt (p. sh., t’shplakin t’mirazt” , Shpat-Elbasan) e Xhine.

Ora e maleve është figurë e bestytnive popullore shqiptare, e cila përfytyrohej si një grua apo si një gjarpër. Ajo besohej se jetonte në male, në pyje, në fusha, në kroje ose pranë njerëzve, dhe i ndihmonte a u sillte fat të mirëve dhe ndëshkonte të këqinjtë. Orët mund të kenë qenë një lloj zanash, të cilat thirreshin me emra përkëdhelës si "qofshin të bardha", "ato të lumturat" apo "ato të mirat", pa ju përmendur emri. Ora ishte ndoshta krijesa mitologjike më e përhapur tek shqiptarët. Një shtëpi, një fis, apo një njëri mund të ketë patur orën e vet. Madje, besohej se edhe një zanë e maleve kishte orën e saj. Orët janë të mira apo të liga. Bekimi dhe mallkimi shpesh bëhej nëpërmjet orës. Braktisja nga ora do të thoshte fatkeqësi për personin apo grupin.

E bukura e detit, ashtu si në krijimet e tjera popullore, edhe në krijimet me tematikë dhe motive nga deti dhe detaria hasim shumë vlera ku personazhet shndërrohen në breshka, gjarpërinj, shtazë, mjellma, drunjë, etj. Besimi i shndërrimit metamorfozik të njeriut, padyshim, i takon antikës së lashtë, kur mjetet e prodhimit ishin shumë modeste, kur, përveç tjerash, vetëm hapësira detare kishte disa zotfuqi, të cilat në rastet e shumta ishin fisnike, mëshirë mëdha dhe bamirëse të detarëve. Procesi tipik i metamorfizimit në krijimet me motive dhe me tematikë detare pasqyrohet dendur në vlerën shqiptare. E bukura e Detit - Hyrija e Detit, e cila gjendet e metamorfozuar në breshka. Përmbajtja e saj e rrudhur është kjo: Mbreti i tha djalit që të martohet me atë vajzë ku të bie heshta e shigjetës. Gjuajti dhe kur shkoi me pa se cila ishte fati i tij, vërejti që aty në breg të detit, nën një fik, ku kishte ra heshta, rrinte një breshkë e madhe. Ky e çoi në shtëpi dhe pas gjuetisë së peshkimit, kthehet në pallat dhe i gjen tërë punët e shtëpisë të kryera. Të nesërmen u fsheh dhe soditi se nga breshka delte një femër e bukur "si hyri deti". Në këtë krijim shpirtëror aftësia estetike e popullit shqiptar në pasqyrimin e të madhërishmes është e lartë, me tipare të pashoqe. Bukuria e Detit, Hyrija e Detit dhe sinonimet e tjera të saj, ua tejkalojnë tipareve fizike dhe morale të Penelopës së Homerit. Hyrija e Detit, kur bie në kthetrat e mbretit, nuk flet nëntë vjet, për hirë të humbjes së burrit.

Motra e të Bukurës së Detit dhe të Bukurit të Qiellit, duke formuar kështu motivin e zakonshëm në letërsi tokë, ujë, ajër. Ajo është personazhi më i përhapur në mitologjinë shqiptare. Mund të jetë e mirë ose e keqe, por më shpesh e keqe. Në tregimet në të cilat ajo shfaqet, shpesh heroi, kundër dëshirës të të ëmës, duhet të shkojë në botën e saj që ruhet nga një kuçedër dhe të fitojë, në rast se do të kthehet në botën e tij. Po fitoi, ajo mund të bëhet nusja e tij. Po humbi, ai gllabërohet nga kuçedra. Shumë ishin pëpjekur të mposhtin kuçedrën, pa rezultat para shfaqjes së heroit. Ajo është gjithashtu e lidhur me stinën e pranverës. Sipas Maximillian Lambert, ajo ishte hyjnesha e botës së të vdekurëve.


E Bukura e Dheut, pershkak lidhjes së saj me stinen e pranverës, dhe mendimit se është hyjneshe e botës së të vdekurve, ngjason me hyjneshën greke së botës së te vdekurëve,Persephone.

Besohet se janë plaka. Kjo cilësi ju vishet edhe plakave të pafajshme, të cilave ju vdesin burrat dhe nuk kanë djem. Sipas tregimeve, ato hanë mish dhe pijnë gjak. Me rëndësi është se shtrigat janë gjithnjë plaka dhe jo vajza të reja. Gjahun zakonisht e gjuajnë natën. Kur bien në shtrat për të fjetur shpirti u del nga trupi përmes gojës. Dalin pa e hapur fare derën përmes vrimave dhe plasave të ndryshme. Mblidhen në logun e shtrigave dhe aty vendosin per gjahun që do të gjuajnë. Besohet, sipas gojedhënave, se ato hanë edhe femijët e tyre.Po ashtu edhe kur mblidhen se bashku mund te kacafyten dhe mund te vdesin, pstaj ne mengjes kur vie agimi atyre iu rikthehet shpirti por ne fakt jane te vdekura.

Laura, figurë e mitologjisë popullore shqiptare, që përfytyrohej si një grua e keqe, e cila jetonte në lumenj e pellgje. Ajo zotëronte aftësinë për t'u shndërruar në një kafshë të shëmtuar. Si e tillë ajo dilte natën në breg të lumit, ose pranë një pellgu, duke bërtitur me zë të çjerrë dhe futej në ujë. Nganjëherë Laura dilte dhe në rrugë, duke bërtitur, ndërsa qentë e ndiqnin pas.

Llamja, figurë e mitologjisë shqiptare, që përfytyrohej me trup gruaje e me bisht gjarpri. Jetonte nëpër male e ujëra të papastërta, rrëmbente fëmijë, u thithte atyre gjakun dhe pastaj u hante mishin. Shpeshherë ajo merrte forma të ndryshme për të joshur viktimat e saj. Ka tipare të ngjajshme me Meduzën e mitologjisë greke.

Nëna e vatrës, hyjni e lashtë në mitologjinë shqiptare, që e ka origjinë nga epoka e matriarkatit. Në fillim përfytyrohej si një figurë pozitive, më shumë si një plakë me flokë të thinjura, në shumë raste duke tjerrë li ose lesh, ose duke krehur flokët. Nganjëherë Nëna e vatrës thirreshin edhe "të tretat e vatrës" dhe,si e tillë, identifikohet me tri motrat që përcaktojnë fatin e fëmijës, natën e tretë pas lindjes. Në përfytyrimet e më vonshme, Nëna e vatrës na del me tipare negative. Ajo paraqitej si një plakë e keqe, e cila natën, kur njerëzit e shtëpis flen, vjen dhe qëndronë pran vatrës, duke krehur flokët e saj me një krehër të hekurt dhe, po të gjejë aty ndonjë fëmijë e kap dhe i nxjerr sytë me krehërin e saj. Përfytyrimi i Nënës së vatrës si një figurë e keqe, lindi në kohën e patriarkatit, kur sundimi i gruas u zëvendësua me atë të burrit dhe kur gruaja konsiderohej si një qenie e ultë dhe e poshtëruar.

Partini, hyjni supreme e fisit ilir të Partinëve. Identifikohej me Jupiterin romak.

Qipulli, figurë e besimeve popullore shqiptare, e ngjajshme me xhindin që përmendet në mitologjinë e popujve të vendeve të Lindjes. Në kuptimin e figurshëm, i kanë kërcyer qipujt do të thotë i kanë hipur xhindet, është inatosur.

Stihija, figurë e përallave popullore shqiptare, që përfytyrohej si demon femër. Në besimin popullor, ajo përfytyrohet si një kulçedër me krahë, që nxjerr flakë nga goja dhe që ruante thesaret e fshehu nën dhe.

Shtojzovallet janë figura të miteve popullore shqiptare. Përfytyrohen me një bukuri të mahnitshme e me fuqi të mbinatyrshme. Vendbanimet e tyre të preferuara janë bjeshkët dhe pyjet e dendura ku ato kalonin kohën, duke kënduar e duke vallëzuar. Ato i shikonin njerëzit nëse ato kuptojnëse dikush është duke i vështruar derisa ato këndonin, vallëzonin, apo teksa ato lozin.

Shikim nga Shtojzovallet është një menyre e mahnitjës e cila e le pa mend një njeri-e bënte të turbullt e të mallëngjyer.

Shtojzovallet shumicen e kohës nuk mbajnë kontakt me njerëzit, por krahas zanave, nëse dikush iu ndërprente këngën, vallëzimin, ato do t'ju vërsullen atyre në një mënyre të eger dhe hakmarrese.



Tadeni, hyu ilir që identifikohej me Apolonin.

Hijet janë figura me kuptim të një demoni. Por me fjalën "hije" mund të quhen edhe fantazmat ose shpirtrat e të vdekurve. Hijet kanë forma njerëzish por nese i shikon duhet to shkosh menjëherë në shtëpi dhe nëse i ndjek mund të të zëri semundja dhe të vdesësh.

Redoni hyu ilir i mbrojtjes së udhëtareve dhe i detareve. Në paraqitjen figurative ka pasur interpretime si mbreti Gent, por në fakt ishte ky hyu që i ngjan Hermesit grek. Kepi i Redonit ishte një relike e ketij emërtimi.

Figurë e mitologjisë popullore shqiptare, qëparaqitet në trajtë antropomorfe. Në Mirditë besojnë se netëve të pranverës ai i vë veshin dheut, për të përgjuar në mos vjen njeri për së largu, apo për të dëgjuar zhaurimën e ujrave të nëndheshëm. Del gjithnjë kaluar në vithe të Dhamsutës, pelës së pagojë që kalon male e dete dhe shpie larg atë që do të shpëtojë nëpërmjet saj. Ata i ndjek mëzi i saj, që me hingëllimat e tij lajmëron Dragojtë për kalimin e pelës.

Përbindësh i përrallave dhe i besimeve popullore shqiptare, me trup jashtëzakonisht të madh e me fuqi mbinjerzore, gjigand. Përfytyrohet si llupës i madh, që ha mish njeriu, rrëmben vajza dhe i shpie nën dhe, ku ka banesën e tij. Në Elbasan thonin se Divat kishin për detyrë të vlonin ujët e Llixhës nëpër kazanë të mëdhenj. Prejardhjen e kësaj fjale G. Meyeri e nxjerr nga turqishtja. Div “demon, xhind, gjigand”. Thërritet edhe Dif-vi, Def-vi.

Sipas besimeve popullore, Bleta dikur ka qenë njeri; për këtë thuhet vdiq e jo ngordhi. Ajo nuk nëmet, sepse është mëkat i madh të nëmësh Bletën. Përpara se t’i merrnin mjaltin, njerëzit laheshin, pse besonin se në të kundërtën Bleta nuk do të jepte më mjaltë, madje dhe se mund të “vdiste”.

Nopca e lidh këtë nderim për Bletën me mitraizmin, por do të ishte më afër mendsh ta shpjegonim me traditat e lashta vendase, që mbase na kthejnë te Melisa e lashtësisë, te nimfa e shndërruar në bletë, pra te stërgjyshja e të gjitha bletëve dhe nëna e Dyrrahut.

Quhet edhe mblet/ë-a, gjet/ë-a, mjacëzë , mjaltëz, fryma e shenjtë, mizë, mizë mjalti, mizare, punëtoret. Del edhe në toponimi: Guri i Bletës (Kryezi-Pukë), Shteku i Bjetës (Apripë e Gurit-Pukë), Lugu i Bjetës (Skavinë-Pukë), bleta e Marcolit (Kroni i Madh-Shllak), Curri i Bletës (Benë-Shllak), Rrethi i Bletës (Vukël) etj.

Vidasusi, në besimin e ilirëve ishte perëndi që mbronte pyjet, burimet dhe fushat. Në monumente ai paraqitet i shoqëruar nga gruaja e tij, Thana. Në Topusk-Kroaci, pranë një burimi uji mineral janë gjetur katër altarë kushtuar këtij çifti. Në të njëjten krahinë janë gjetur gjithashtu mbeturinat e një faltoreje kushtuar Silvanit si dhe shumë altarë të tjerë me emrin e kësaj hyjne romake. Duke u bazuar në këtë fakt, mitografët kanë arritur në një përfundim të drejtë se Vidasusi në besimin ilir kishte atribute të ngjajshme me ato të hyjnisë romake Silvan-mbrojtësin e burimeve, të pyjeve dhe të fushave, kurse Thanën e kanë identifikuar me hyjneshën romake Diana. Vidasusi dhe Diana adhuroheshin shumë nga pjesa më e madhe e popullsisë ilire, sidomos nga ata që merreshin me blegtori, si Dalmatët. Vidasusi ka qenë hyjni supreme e ilirëve në panteonin ilir prandaj zinte një vend shumë të rëndësishëm. Por kulti i Vidasusit-Silvanit ilir gjeti adhurues edhe në shtresat e ulëta popullore të Romës dhe të Italisë. Ai u pëhap edhe në provinca të largëta të perandorisë. Kjo dëshmon për ndikimin e kultit të pasur ilir në vetë panteonin romak.

Personazh mjaft i njohur i demonologjisë primitive, të cilin e ndeshim me emra të ndryshëm në shumë popuj e shumë kultura. E gjejmë në Jug e në Veri të Shqipërisë, herë si Tatëgjysh i parë, herë si Katalla e herë si Syqenhenjeri. Përfytyrohet si një farkëtar div nga shtati, i egër e me një sy në ballë, pa gjunjë e me këmbë të drejta si direku, që ha njerëz. Në jugun e Shqipërisë, e sidomos në Labëri e në anët e Korcës, ku del më dendur, ai quhet Syqenhenjeri, emër që s’është gjë tjetër, por se bashkim dy kompozitesh, me kuptimin “syqen që ha njerëz”. At Shtjefën Gjecovi e identifikon me ciklopin Polifem të Homerit. Por duhet thënë se i pari që shqoi te Polifemi natyrën ilire qe Mjeda. Shumë studjues, si Hackamani, Skileri, Bolta, Bendesi etj., mbrojnë pavarsinë kohore të motivit të ciklopit ndër popujt jogrekë të Ballkanit, përfshirë edhe ilirët, përkundrejt ciklopit të mitit grek. Në Drenicë (Vitak) quhet Symballi. Emri Katallan del edhe te G. Meyeri, por me kuptimin “pagan”. Quhet edhe Vigan-i, Gjigant-i, Div-i, Dif-i, Lutran-i, Lutura, Katalla, Symoll-i (Mat), Symadh, Syqorr, Syqen, Syqenhenjeri, Sykëlysh, Tatëgjysh i Parë, Gavell-i (Sh. Gjecovi), Garravell-i (F. Alkaj), Dragumën-i (Frashnjet), Rekës-i (arbëreshët e Greqisë). Emri i tij rron edhe në toponimi: Fusha e Katallajve (Shllak), Vorret e Katallajve (Shllak), Përroi i Vigjanit (pranë Mullenës), si dhe në një patronim, të përmendur më 1517, M. Catalano në Tivar. Në shekullin XV, te arbëreshët e Italisë na del një Katallan, bashkë me disa familje Catalano.

Qerosi ne jeten e perditshme njeri pa floke, njihet ndryshe ne mitologji. Ne perrallat shqiptare ai del gjithmone fitimtar e me i zgjuar nga te gjithe, duke u bere keshtu personazhi me i rendesishem i perralles.

Adhurimi i zjarrit ishte baza e ceremonive fisnore shqiptare. Njerëzit besonin se zjarri në vatër kish një fuqi të madhe shëruese dhe pastruese. Për këtë arsye, përpara ndonjë feste, atë e mbanin ndezur të tërë natën, verë a dimër qoftë. Ai që kujdesej për të, ati, pra i pari i shtëpisë, duhet kundruar si roja priftërore e zjarrit. Nga ana tjetër, zjarri mbahej ndezur në dhomën e lehonës për 40 ditë rresht. Fikja e zjarrit në të tilla raste ishte një ogur i keq. Besoj se po të fërshëllente zjarri, po bisedonin armiqtë e shtëpisë, po të kërciste, do të ngordhte bagëtia.

Demon zanafillor i bestytnive të Veriut, Hyj i shtrëngatës dhe i breshërit. Emrin e tij Baron Nopca e lidh me pjesën e dytë të emrit thrak të Zibelthiur-dosit, hyjut të motit të keq dhe të stuhive. Madje sipas Cabejt, edhe vetë fjala shqipe perëndi i përket gjinisë së emrave indoeuropianë të perëndive të stuhive: në indishten e vjetër quhet parjangas, lituanisht perkunas, galisht cernunnos, sllavishten e vjetër perunë, greqisht keraunos. Në Alpet shqiptare Shurdhi njihet edhe me emrat Verbd e Rremoria

Këtë figurë të besimeve popullor të Toskërisë e përmend sëpari Hahani, dhe e përkthen dhe gjermanisht si “Hundsauge”. Është nga ato figura të demonologjisë, që përcaktohen për nga vetia e tyre antropofage. Përfytyrohet si një shtigë me katër sy, dy përpara e dy prapa. Sytë e prapme nuk i duken, sepse i mbulon me shaminë e kokës. Ajo ndjell gratë e reja në shtëpi të saj, i pjek në furrë e i ha. Në përrallë ajo ka dhe të bijën që i përngjan, Maron. Sipas Çabejt, Syqenëza e Syqeni, mashkulli i saj, një figurë mashkullore e shëmtuar, mund të jenë reminishenca të Cerberit të mitologjisë greke, që ruante skëterrën.

Floçka – Nusja e Ujërave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nimfë e mitologjisë popullore shqiptare, që përfytyrohej si një vajzë e bukur me flokë të gjatë. Ajo ruante ujërat e lumenjve dhe të liqeneve. Thërritet edhe me emrin Gërshetëz.

Një lloj sirene e mitologjisë popullore shqiptare. Nje femer e cila ka nje bisht peshku. Besohet se n.q.s shikon nje te tille ajo te kendon duke te te terhequr njekohesisht.

Figurë e përrallave. Gishtoja apo Gjishtoja është i njohur në shumë vende të Europës: në Francë quhet “Le Petit Poucet”, në Rusi “Malciks Palcik”, në Greqi “Revithi”, në Rumani “Neginice”, ndër gjermanë “Daumling” etj. Edhe pse kudo është i vogël sa një gisht, veprimet e tij ndryshojnë nga përrallat e njërit vend në ato të vendit tjetër. Në përrallat shqiptare, ashtu si dhe te variantja e vllezërve Grim, ky është personazh i shkathët e i zgjuar. Për të mashtruar kusarët, ai futet në veshin e kaut, në barkun e ujkut dhe, si shpëton grigjën e bagëtisë së disa barinjve, kthehet shëndoshë e mirë pranë prindërve të tij. Njihet edhe me emrat Koçomi (Elbasan), Kusar Arra (Labovë-Gjirokastër), Arka (Korcë), Kocelmici (Përmet), Kacabiso (Vlorë), Kacimucrri, Kacimucri, Kacel-mici, Kokërmeli (të gjitha në Veri), Cinxami (Gjirokastër), Kacipuc (Delvinë) etj.

Figurë e besimeve popullore shqiptare. Shpirti i të vdekurit, burrë a grua qoftë, që ka qenë njeri i keq, me veti e zemër të ligë, ngrihet Lugat. Mbase këtë do të thotë edhe ajo pjesë e besë së Mujit, që mbaron me vargun: “Zirma, tokë, përjashta në natë të vorrit!” Lugati pra është kufomë, dhe ka thonj shumë të gjatë. Në Kosovë besonin se Lugat ngrihej edhe i vdekuri që nuk i është vënë pranë fillorja e pushkës, masha, drapëri ose ndonjë hekur tjetër, sepse, me sa duket, hekuri i mban larg të gjithë shpirtërat, të mirë a të këqinj qofshin ata.

Shëmbëllyeshëm me Kosovën, në Shqipërinë e Veriut gjithmonë vinin në varr një lopatë ose shatë, gjersa të kalbej trupi përfundimisht, më qëllim që djalli të mos vinte aty rrotull dhe ta merrte të vdekurin. Sepse, sipas besimeve popullore, djalli hyn në trupin e të vdekurit dhe del jashtë varrit. Që ta parandalonin këtë gjë, në Kosovë shkonin dhe e ruanin varrin e të vdekurit për tri netë rresht, sepse mendohej se gjatë këtyre tri netëve do të vinte djalli, natën e parë i veshur me petka të bardha, të dytën me të kuqe dhe të tretën me të verdha. Në Korcë, të vdekurin nuk e linin natën vetëm, sepse kishin frikë se po ta kapërcente një mace, ai do të ngrihej si Lugat. Lugati ringjallej pas shtatë ditësh, shkonte natën në shtëpinë e tij dhe hante pak miell. Po të ishte grua, merrte ushqime, plackiste ç’të gjente dhe i fuste në varrin e saj.

Të premten nuk dilte, por tre-katër netët në vazhdim shkonte dhe trazonte në shtëpinë ku kish vdekur. Kur të gjallët bëheshin të vetëdijshëm për të, e kuptonin se do të kishte qënë “ajo”. Në Poliçan besohej se Lugetërit shfaqeshin vetëm midis muslimanëve, kurse në Kurvelesh vetëm midis të krishterëve. Lugati mund të marrë trajta të ndryshme: trajtë caliku (shakulli), që rri në kuzhinë, në shtrat ose mbi menderin ku flenë gjindja, të një thithlope të madhe, të një qeni, që rri në fund të shtratit të së shoqes, të njeriut, ashtu siç ka qenë edhe në gjallje, por i mbështjellë me qefin. Në kësi rastesh lëviz duke u tërhequr zvarrë, me dashjen e tij, ose po sepse e heqin zharg dreqërit. Në ferrat që has në udhë lë gjithandej copa qefini.

Vetë gërthet me zë të tmerrshëm. Lugati u shfaqet në shtëpi të vet gruas dhe shërbëtorëve të gjalljes. Nga shëmbëlltyrat që ka më shumë qejf të marrë janë ato të koteleve dhe të koneve. Punët e Lugatit janë të shumta, por më tepër i pëlqen të veja në qilar dhe të përziejë gjalpin, orizin, sheqerin dhe miellin në magje, të cjerrë gratë në fytyrë, të bezdisë bagëtinë, të përmbysë qypat e butet. Në trajtë të vërtetë njeriu, ashtu siç ka qenë para se të vdiste, i rrëfehet vetëm të shoqes, së cilës i hyn në shtrat. Në këtë mënyrë mund të lindet një Vampir. Ardhja e Lugatit në shtëpi mund të kuptohet nga lehjet e qenve, që zënë kuisin. Në këtë kohë del një njeri nga të shtëpisë dhe pyet: Cili je? Lugati thotë emrin e vet dhe i lutet që t’ia bëjë hallall të drejtën, ose fajet që ka bërë në gjallje.

Deri sa njeriu i shtëpisë t’i thtë se ia bën hallall, Lugati vjen kurdoherë natën dhe shqetëson njerëzit duke u ankuar. Tregojnë se një herë zuri dashuri në një vajzë, së cilës i shkonte natën dhe e stoliste me rroba të mira e me gjerdane. Kur e morën vesh prindërit, e cuan vajzën në një fshat tjetër, po Lugati e ndoqi edhe aty. Atëherë thirrën një hoxhë, i cili e këndoi, duke e mërguar Lugatin në një tjetër vend. Në një fshat tjetër, Lugati vente natën në një shtëpi të këtij fshati, hapte dyert dhe bënte dëme.

Atëherë të zotëte e shtëpisë thirrën priftin, i cili u that ë bëjnë një kulac, ta mbështjellin me një pëlhurë të bardhë dhe ta varin te pragu i derës. I porosity që aty të varnin edhe një bastun, dhe të mbërthenin në të gjitha dyert lloj-lloj letrash të bardha, të kuqe, të verdha, të zeza etj. Natën erdhi Lugati, mori kalucin, e corri pëlhurën edhe një letër dhe shkoi. Që atëherë s’u duk më. Atëherë i morën letrat dhe një e hodhën në udhëkryq, një në një mulli të shkretë, një tjetër që ta hanin egërsirat dhe tjetër në vreshtë.

Në veriun e Shqipërisë Lugatit i mveshin zënjen e hënës: Lugetërit hanë hënën dhe prandaj malësorët qëllojnë me pushkë në drejtim të saj kur ajo zihet. Për ta zhdukur Lugatin, është zakon që të nxjerrin kufomën nga varri dhe ta djegin. Ndër Shqiptarët e Strugës, ku Lugati mund të marrë edhe trajtën e një plëndësi, përdoret një mënyrë tjetër vrasjeje: ai përvëlohet me ujë të valuar. Sipas tyre, Lugatin mund ta pikasin vetëm qentë që kanë katër sy, dy aty ku i kanë të gjithë qentë, dhe dy të pavërejtshëm në vetulla.

Në jug të Shqipërisë shkonin të premten t’ia zbulonin varrin, i vinin përsipër një turrë me shkarpa, gjysëm oke parafinë nën to, dhe pastaj e digjnin. Por ky veprim ndërmerrej vetëm kur i pllakoste ndonjë fatkeqësi e madhe. Në Korcë këto veprime i bënin të shtunën, kur besohej se Lugati fle. Shkonin dhe hapnin varrin e atij që s’i kish mbushur të dyzetat dhe pot a gjenin në këmbë e digjnin, duke u kujdesur që të mos i linin as shenjë as nishan, se besonin se ngjallej prapë. Këto mënyra të luftimit të Lugatit kanë gjegjëset e tyre edhe në mesin e ilirëve. Kështu ndoshta për tu mbrojtur nga shpirtërat e këqinj të të vdekurve, kufomat e disa të vdekurve nuk i fusnin në varr në pozicion normal, por i vendosnin përmbys, me kokë të ndarë nga trupi ose dhe me gjysmë trupi. Lugatin e bashkojnë me shpirtin e ajrit. Quhet edhe Luvgat-i, Lugjat-i, Kullunxh-i (Mbiudh e Maqellarës-Dibër), Zhikul (arbëreshët e Greqisë), Shikul (arbëreshët e Greqisë), Labic, Vapir-i (Cabej), Baba-u (Santa Sofia d’Epiro, Kozencë), Arman-i (B. Bilota), Arman’je (P. Camodeca: Dizionario), Avi/s-zi (Frascineto), Bobok, Bobua, Bun, Bjukull, Hje, Korrobac, Kukubin, Papacom, Pehmë, Spamëndall, Stihji, Shkërba, Umbër, Facom, Kuk, Kukuban, Garramac, Duarlidhur (euf., Kuteli). Del edhe në toponimi: Ara e Lugatit (Kosovë), Sylugati (fshat në Elbasan, përmendet në shek. XV).

Një nga hyjnitë më të lashta të mitologjisë shqiptare. Mendohet se ajo bart disa tipare të zvetënuara të një hyjnie shumë të lashtë të vatrës, me origjinë nga matriarkati. Fillimisht ajo ishte një figurë positive. Madje, ngandonjëherë Nana e Votrës quhej edhe ”të tretat e vatrës”, pra tri motrat që paërcaktojnë fatin e fëmijës, natën e tretë pas lindjes. Më vonë dhe, sigurisht, me fillimin e rendit të patriarkatit, vetitë e saj ndryshuan. Ashtu siç përfytyrohet tani, Nana e Votrës u rrëfehet plakave që rrinë shumë vonë natën duke tjerrur li ose lesh. Ajo fanitet në trajtën e një plake të keqe flokthinjur që rri gërmuq bri vatrës. Ndodh që, kur ngrihet nusja në mëngjes për të ngrohur ujë, sheh në vatër një plakë që kreh flokët me krëhër apo që tjerr. Nusja kujton se është e vjehrra: i flet, por ajo s’përgjigjet. Kështu ajo e kupton se është Nana e Votrës. Po të gjejë ndonjë fëmijë kur kreh flokët, ajo e kap dhe i nxjerr sytë me krëhërin e saj të hekurt. Në zona të ndryshme njihet edhe si: E Ëma e Vatrës, Shtriga e Vatrës, Plaka e Vatrës (Mat), Shtriga, Shtrigat, Nëna e Vatrës (Tomorricë), Nënat e Vatrës, Mëmat e Vatrës, Xhuxhet eVatrës (Myzeqe), Mëma e Vatrës (në fshatrat e Vlorës) etj.

  • Pedersen H., Zur Albanesischen Volkskunde, 1898.
  • Серкова Т. Ф., Поэзия итальянских арберешей и проблемы албанского романтизма. Сообщение на I Конгрессе балканских исследователей, М., 1966.
  • Historia e letёrsisё shqipe, v. 1, Tiranё, 1959.
  • Prralla Kombëtare, Bleni l-ll, Shkodër, 1944.
  • Folklor II, Botim i Ministrisë s’Arsimit, Shkodër 1940.
  • J.G. Hahn, Albanesische Studien II Jena 1854.
  • Canti Trodizionali ed altri saggi delle colonie Albanesi di Sicilia — Napoli 1923.
  • Holger Pedersen, Albaiesiche Texte mit Glossar Leipzig, 1895.
  • Th. Mitko, Alvaniqi Melisa Egjypt, 1878.
  • Th. Mitko, Bleta Shqipëtare Vjenë, 1924. Shqiperia Kombi Me i Mire Ne Bote